VEPRA E NJERIUT NUK MATET ME PESHËN DHE GJATËSINË, POR ME MENÇURINË DHE BURRËRINË!

10
Aug
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, date 10 Gusht 2023-
Tregojnë se Napoleon Bonaparti, ndërsa punonte në zyrën e tij, iu desh të merrte një dosje në krye të raftit të librave, por duke qenë i shkurtër, nuk po arrinte ta kapte. Adjudanti i tij, një Kolonel dy metrosh i thotë: “Madhëri, e marr unë dosjen, se jam më i madh!” Napoleoni ia ktheu: “Ti je më i gjatë, se më i madh jam unë!” Ky episod i vogël, për çudi lidhet me Kryeministrin tonë, Edi Ramën, i cili mund të kryejë rolin e kolonelit frazcez, por kurrsesi të Perandorit Napoleon. Zëdhënësja e tij, Spiropali, e ka quajtur “Skënderbej”, por peneli i tij ngjyrosës e zhgarravitës, nuk i afrohet as ushtës së ushtarit më të thjeshtë të ushtrisë së Skënderbeut.
Këto fjalë qesendisëse për Kryeqeveritarin tim, m’i nxiti “histeria” greke në mbrojtje të Bejlerit tonë, ish kandidatit të “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Himarës, kandidaturë e cila për rrezik të disa votave të vjedhura, doli jashtë loje.
Vjedhja e votave, tashmë është e njohur në sistemin kapitalist, veçanërisht në këtë “hibridin” tonë të këtyre tri dekadave, por që të kalohet nga vjedhja e votave në acarime ndërshtetërore për një kryetar Bashkie, këtë nuk e mendonim. Fredi ynë, që mbiemrit i ka hequr një germë, dhe nga Bejleri e ka bërë Beleri, ndonëse njihet si pjesëtar i komandos greke që vrau ushtarakët shqiptarë në postën kufitare të Peshkëpisë, në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti, ishte kandidat për Kryetar Bashkie në Himarë, por për rrezik, dy tre ditë para, ju “ngatërrua” dora me disa vota nën tavolinë, dhe në vend të karrikes së Kryetarit, i mbeti në dorë stoli i të burgosurit. Deri këtu, nuk ka asgjë interesante, sepse arreste e burgime në këtë “fushë” kemi patur në çdo zgjedhje. Por që ky veprim ligjor ndaj një hajduti votash, të shkaktonte “histeri” midis dy shteteve fqinjë, siç është vendi ynë me Greqinë, normalisht nuk pritej. Aq më pak kjo, midis dy vendeve, njëri anëtar i hershëm i BE dhe tjetri kandidat për anëtarësim.
Ne tashmë e dimë se në disa fshatra të jugut të vendit tonë, kemi minoritet grek. Realisht, trojet ku ata jetojnë, janë troje shqiptare, por bejlerët e Gjirokastrës në shekujt 18 – 19, e kishin më të lehtë të loznin tavëll në sokaket e Argjiros, se sa të punonin tokat e Dropullit. Për këtë të fundit “huazuan” punëtorë argatë nga Greqia, të cilët, pas disa vitesh ngritën shtëpitë e tyre me “oxhaqe”, çka u dha të drejtën e venbanimit të përhershëm në trojet në fjalë. Me kalimin e viteve, falë edhe kishës ortodokse greke, banorët argatë grekë u shumfishuan dhe u “kooptuan” edhe në fshatra të tjerë të jugut, gjer afër Himarës. Madje edhe 7 fshatrat e Bregut (Himarën, Kudhësin, Qeparonë, Dhërmiun, Pilurin, Vunoin dhe Palasën), renegati shqiptar, Spiro Spiromilo, njëherësh edhe major i ushtrisë greke, në vitin 1914 i shpalli krahinë autonome, dhe pak më vonë edhe bashkimin e saj me Greqinë. Kjo hsitori, e “kurdisur” qysh në periudhën para dhe mbas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, ndonëse nuk ka asnjë bazë historike, përveçse ëndrra të “Megalidhesë” e të “Vorio – epirit”, vijon edhe sot, kur Shqipëria po bëhet gati të ulet në sofrën e rrumbullakët të BE, aty ku është edhe fqinji ynë jugor.
“Konfliktin” për Himarën shqiptare të “ëndrrave greke”, e ktheu në skenë pikërisht aventura e Bejlerit tonë, i cili, siç thamë më lart, u nis për kryetar Bashkie, por përfundoi në burg si hajn votash. Do të ishte qeveria greke ajo që, nëpërmjet titullarëve të saj më të lartë, do të protestonte pranë Qeverisë shqiptare, për lirimin e Belerit të tyre, që përfaqësonte Himarën shqiptare, të cilën ua pati afruar dikur pa sukses, majori me uniformë greke dhe bastardi ynë, Spiro Spiromilo. Protesta e qeverisë greke mbërriti gjer në parlamentin Europian, ku u përalajmërua se “Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të shtrohet me gjëmba”. Dhe “gjëmbat” sigurisht do t’i venbdosë qeveria greke, nëse nuk do të lirohet Beler-Bejleri e të marrë karriken e Kryebashkiakut!
Historia e marrëdhënieve me ndërkëmbësa, provokime, komplote, gjenocid e gjer agresione të dy fqinjëve tanë, të jugut e të veriut, tashmë i ka kaluar dy shekuj. Për këtë të jugut, ne shqiptarët menduam se, falë anëtarësimit të tij në BE këtu e katër dekada më parë, do të ketë pësuar ndonjë ndryshim nga koha e priftit të përmendur, Shen Kozmait, i cili vdiq duke predikuar kundër gjuhës shqipe. Por rasti më i fundit, ky i “Beler – Bejlerit”, na bindi se politikanët grekë dhe prelatët ortodoksë, që i bekojnë me temjan, ndonëse kanë mbi supe një të njëzet e shtatën sipërfaqe të mbulesës me ngjyrë të kaltër e yje të verdhë të BE, kanë mbetur rob të periudhës së Kozmait të mesjetës.
Dy gjëra na tërheqin vëmendjen në shqiptarëve në këtë meselenë më të fundit të “Beler – Bejlerit”: Qëndrimi indiferent i BE dhe Parlamentit Europian, përkundrejt deklaratave absurde të anëtarit të tij dyzet e sa vjeçar, me emrin Greqi; si dhe sjellja prej sejmeni e qeveritarëve tanë ndaj kërcënimeve publike të fqinjit, i cili kërkon të fusë mashnat e tij në zjarrin e oxhakut tonë. Për të parën, na duket e pabesueshme që BE nuk e njeh historinë e marrëdhenieve shqiptaro-greke. Ishin shtetet e Europës, ato që e caktuan kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 1913, dhe megjithë cungimin e më tepër se gjysmës së trojeve tona, askush nga komisioni ndërkombëtar, nuk pati pretendime për Himarën tonë shqiptare. Se nuk mund të kishte pretendime, përveçse ato të renegatit që përmendëm më sipër me emrin Spiro Spiromilo. Pikërisht se kështu është historia, BE dhe Paralmenti Europian, duhet t’ia mbyllin gojën anëtarit të saj grindavec, i cili, megjithëse është nën flamurin simpatik të demokracisë perëndimore, mendon e hungëron si të ishte nga stepat e Mongolisë se kohës së Xhingis Khanit.
Ndërsa sjellja prej sejmeni e vasali e politikanëve dhe pushtetarëve tanë të kohës së “demokracisë” ndaj shtetarëve dhe prelatëve fetarë të Greqisë, na bën të nxjerrim zorrët, edhe pse në bark nuk kemi futur asnjë lloj helmi apo ushqimi të prishur. Dhe rasti në fjalë nuk është as i pari e as i fundit. I pari rolin e sejmenit e nisi Berisha, kur i hapi rrugën priftit Janullatos të rrëmbente Kishën tonë Autoqefale, që na pati lënë trashëgim Fan Noli; për të vijuar me varrezat greke në Bularat, Këlcyrë, Boboshticë, vepër e përbashkët e Berishës, Nanos, dhe Ramës, etj. Shtoju këtyre edhe lojrat me kufijt detarë, kur Berisha tentoi t’i falte qeverisë greke disa qindra metër katërore të ujrave detarë, që me siguri do të pasohen nga sipërfaqe të tjera prej Ramës, i cili ka pranuar të çojë “mallin e vet” për gjykim në Tribunalin e Hagës . . .
Por qëndrimet më të fundit të KM Rama ndaj veprimeve antishqiptare të politikanëve dhe shtetarëve grekë kalojnë çdo imagjinatë që lidhet me marrëdhëniet ndërshtetërore. Kryeministri grek Mitsotakis, në dhjetor 2022, i veshur si për në stadium, ia hipën Helikopterit dhe pa pyetur apo lajmëruar njeri, kalon mbi Shqipërinë e Jugut dhe zbret në Himarë, ku e pret me një miting të jashtëzakonshëm e me flamuj grekë, përfaqësuesi i “Omonias”, Beler-Bejleri, që sot gjendet në burg për hajni votash. Kryeministri Rama, ndonëse me vonesë, arriti më në fund në Derviçan, ku Kryeministri grek po zhvillonte etapën e dytë të vizitës “inkonjito”. Rama, i veshur edhe ai si sportist, e përqafoi mikun, dhe si të ishte ne bahçen e dajkos, i premtoi se në sheshin e fshatit Derviçan do të vendoste bustin e babait të mikut, ish Kryeministrit grek Kostandin Mitsotakis.
Këto janë ato që duken dhe tashmë dihen nga të gjithë, por që mund të ketë edhe arsye të tjera, që “Skënderbeu” i Spiropalit dhe për rrezik edhe i yni, sillet me të huajt si sejmen, paçka se ndonjëherë, në fjalime paneregjike, apo mediume të mëdha, thurë ligjërata që shumicën i bën të ngërdheshen dhe pakicën të qeshen.
A ka nevojë të përsërisim episodin e Bonapartit? Nuk besoj se është nevoja. Të gjithë e dimë se burri nuk matet me peshë e me gjatësi, por me fjalën e mençur e me burrëri. Këto të fundit, se ku janë strukur, dhe nuk po i shohim tek liderët tanë karizmatikë të fillim-shekullit të ri. Në plan të parë ka dalë jo mençuria e burrëria, por hajdutëria dhe kurvëria politike, si dy armët “përfide” të kohëve moderne, që realisht nuk kanë asgjë moderne.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk