Sllatinë
Dru i lartë nazeqar, që rritet edhe në rrafshultat e Pollogut, por edhe nëpër pyjet tona të Sharrit – të neglixhuar nga bijtë e vet. Do të mundohem të përshkruaj me fjalë anatominë e këtij druri epik, pasi që, gjeneratat e reja, ndoshta nuk e kanë idenë se si dukej ky monument natyre, me të cilin, në kapërcyell të shekujve, prindërit dhe gjyshërit e stërgjyshërit tanë që ishin pjesë e pandarë e natyrës dhe tokës së stërlashtë ilire, mbureshin me krenari.
…Është me trung të drejtë, me kurorë të gjerë, me gjethe vezake të mprehta në majë, me lëvore në ngjyrë të kuqërremtë, që ka lëndë të fortë që, në të kaluarën përdorej në ndërtimin e shtëpive të banimit (hatulla, distek, direk, çatme etj.). Në të kaluarën jo fort të largët (vitet 50, 60 e deri ato 70 të shekullit të kaluar), ky dru rritej shumë dhe bëhej një ndër drurët më gjigantë të kësaj rrethine ku “gjezdisnin “ shpezë, kafshë e njerëz të provincës, me ç’rast, lojërat popullore merrnin dhenë… Në fshatin tim të lindjes, me këtë dru piketoheshin edhe shumë vende të fshatit, faktikisht vendet merrnin toponime, si: Te Vejdhi Madh,Te Vejdhi Manasterit, Te Vejdhi Amakit, Te Vejdhi me nji dieg etj. Viteve të mëvonshme, ky dru lëngon “dergjën e modernitetit” dhe ka arritur gati edhe në fazën e zhdukjes masive, qoftë nga dora e papërgjegjshme e njeriut, qoftë nga ndotja e ajrit dhe tokës së Sharrit e Pollogut. Nuk jam në gjendje të sqaroj bindshëm se për çfarë sëmundjesh bëhet fjalë sa i përket drunjve, si: vidhit, gështenjës, vojzës etj., por jam dëshmitar i gjallë dhe thellë i brengosur nga masakrimi i pamëshirshëm i këtyre thesarëve të paçmueshëm të këtyre anëve.
DISA DËSHMI MIKROTOPONIMIKE TË VITEVE 50-ta
NË LIDHJE ME VIDHIN
Dikur ky dru ka qenë shumë i përhapur në këtë anë, madje edhe në vendbanimin tim. Prandaj, siç potencova edhe më herët, edhe shumë vende janë emërtuar sipas këtij druri, p.sh.:
Te Vejdhi A(h)makit – Vidh shumë i madh, të cilin “katër burra s’ën e kan’ mbërthej” (simbas rrëfimit të pleqve të fshatit), e, që ka qenë Te Arët e Bares, pikërisht Te Ar’e Aqifit Avziis, (ku është sot Fusha e futbollit, ajo e para); nja 20 m. larg lumit (Rekës), në të djathtë, përkatësisht, nja 200 m. mbi vijën hekurudhore: Shkup-Kërçovë. Këtë dru të madh me lejen e kryeplakut të katundit (Nuredin Jamini) e presin për “nevojat katundit” në vitet 1950 apo 51, sigurisht për objektin e Domit.
Te Vejdhi me nji dieg – Vidh që ka qenë në vendin Te Padina e Ramadanit Selit. Është quajtur kështu, sepse ka patur vetëm një degë të trashë e cila ka qenë e anuar kah udha, përkatësisht, kah Reka (në të djathtë të lumit duke shkuar për në fushë).
Te Lisa Trauç- Edhe ky ka qenë një vidh shumë i madh në afërsi të Jasejkës Madhe,Te Udh’ e Ratajës.
Te Vejdhi Te Lëmët – Ka qenë në vendin te është sot Furra e Limanit, përkatësisht te rruga që çon në Ullubrez – te vendi apo kafezi i pëllumbave që ka rrethuar Xhelal Ismani.
Te Di Vejdhët – Këto dy vidha kanë qenë në krye të Gllokeve – pikërisht te vija (për ujitjen e fushës) që pret Udhën e Ratajës dhe përshkon Arat e Gllokeve;
Te Vejdh’i Gumnishteve (Te Lëmë e Epra – Te Gumnishtet ). – Ky vidh ka qenë te Gumnishtet, për ashtu edhe i kanë thënë kështu.
Ma merr mendja që, secili nga Ju që lexoni këtë shkrim (ndoshta të parëndësishëm), keni mikrotoponimi të bollshme të kësaj natyre në vendbanimin nga vini, prandaj, le të konsiderohen këto rreshta një nxitje për t’i evidentuar këto të dhëna dhe për t’ua lënë trashëgimi këtë “pajë” brezave që do të vijnë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!