Viktor Cami, biri i nje intelektuali te mirefillte

31
Jan
2024
Shkruan: LUAN BAÇI

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Viktor Cami, biri i nje intelektuali te mirefillte, qe e pozicionoj veten ne nje drejtim qe i kostoj jeten, i ekzekutuar nga grupet guerile te kohes se luftes se dyte boterore, eshte formuar ne poziten e nje intelektuali qe i ben vleresimet, per njerezit dhe ngjarjet politike, e pergjithesisht te te gjitha levizjeve shoqerore, me nje objektivitet te mrekullueshem, pa e vene veten ne poziten e “heronjeve te sotem” te dhjerokracise, bij dhe niper te ish kolaboracionisteve!
Viktor Cami, nuk e ve aspak veten ne poziten “e larjes” se veprimetarise dhe jetes se babait te vrare, sic bejne sot kolaboracionistet e rinj te dhjerokracise, pasues biologjik te koloboracionizmit te djeshem. Cami i vendos faktet dhe personat politike, jeten e vepren e tyre ne analize me kompleksitetin e kohes, jo te vecuara nga to.
Formimi i Camit eshte, shkencor, burreror e atedhetar. Vetem nje pozite e tille ndihmon ecjen perpara te kombit. POZITA e lapanjozit, e lepiresit te kepuceve ndaj perendimit te fuqishem ekonomikisht dhe politikisht, dhe ajo e nostalgjise “per vellaun socialist” te lindjes, jashte kontekstit te perdorimit te suksesshem te ideologjise, nga i madhi i shqipetareve, “diktatori” Enver Hoxha, eshte vec nje kllounizem politik, historik, shkencor dhe aspak atedhetar, aspak ne sherbim te ekzistences se kombit e perparimit te tij.
Gjithcka duhet thene ashtu troc e shqip, sic i thote Cami ne intervisten me median kosovare!
LUAN QEMAL BACI
27 Janar 2024.
ENVER HOXHA ISHTE MJESHTËR NË PËRDORIMIN E IDEOLOGJISË
Intervistw me VIKTOR AZIS ÇAMIN, më 1997
Viktor Çami është i biri Azis Çamit (1893 – 1943) nga Filati i Çamërisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore Azizi shkoi në Akademinë ushtarake italiane në Torino, ku mbaroi për artilier. Mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Ishte fanolist. Në 1924, me kthimin e Zogut nga Jugosllavia me mercenarë të huaj, u largua dhe përfundoi në Vjenë. Në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Mbretëria e Italisë, autoritetet italiane e emëruan atë shef policie të Korçës, por Çami dezertoi dhe iu bashkua Ballit Kombëtar, do të bëhej komandant i një batalioni që ndihmonte aktivisht trupat gjermane. Në vitin 1943 ai u bë komandant i forcave të Vlorës të Ballit Kombëtar, duke pasuar Hysni Lepenicën. Azis Çami u vra nga njësiti gueril i Tiranës në dhjetor 1943.
Viktor Azis Çami ka lindur në Vjenë më 1930. Vjen në Shqiperi më 1939. Në vitin 1947 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Vjenë dhe një vit më vonë në Londër. Në vitin 1952 filloi punë si përkthyes dhe spiker në radio BBC. Pas mbylljes së seksionit shqip të BBC (në vitin 1976) u emrua me punë në ambasadën amerikane në Londër dhe pesë vjet më vonë u transferua po në ambasadën amerikane në Vjenë, deri në maj 1990, derisa doli në pension dhe u kthye në Londër.
Pjesë nga intervista me Ibrahim Kelmendin dhe Shemsi Reçica, për gazetën “Zëri i Kosovës” (ZIK), 10 korrik 1997
Pyetje (ZIK): A mund ta bëni ndonjë krahasim midis periudhës së Zogut dhe periudhës komuniste?
Viktor Çami: Është një histori e gjatë kjo. Sa i përket kohës së Zogut, unë nuk e kam njohur, nuk e kam përjetuar vetë, babai im ka qenë një emigrant antizogist, fanolist. Prandaj për atë periudhë di vetëm nga thëniet, nga bisedat e babait me miqtë e tij. Natyrisht, unë nuk dija shqip, por ndonjëherë ma shpjegonin frëngjisht. Edhe më vonë, gjatë periudhës së luftës, përsëri dëgjova shumë, si të them, folklor, për atë periudhën e Zogut, e cila së paku në rrethin familjar, të babait dhe të miqve të tij, konsiderohej si një forcë mjaft negative në hostorinë e Shqipërisë. Dihet se Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën e jugosllavisë, së cilës i dha dhe Shën Naumin dhe Vermoshin. Përgjithësisht, ajo konsiderohet si një periudhë mjaft negative, në të cilën Shqipëria nuk mundi të përparojë shumë, që të mos themi aspak.
Përsa i përket periudhës së pasluftës, d.m.th., që nga viti 1944 deri në 1990, mund të them se një pjesë e kam përjetuar vetë,dmth, kohën e luftës dhe një kohë pas saj. Unë me gjithë ato acarimet e traumat, fatkeqësitë personale, familjare, etj., nuk mund të jem subjektiv lidhur me këtë periudhë. Unë u largova nga Shqipëria më 1947. Shqipëria ishte në izolim të plotë, nuk kishim kontakte direkte, veçse përmes ndonjë deklarate të emigrantëve që arratiseshin. Më vonë, pas vitit 1960, pas prishjes me BS, filluan të shkojnë në Shqipëri grupe anglezësh, shumica profesionistë, mjekë, juristë, të cilët, kjo ishte 15-16-20 vjet pas vendosjes së regjimit të ri në Shqipëri, ktheheshin përgjithësisht me përshtypje mjaft të favorshme. Ata e dinin se Shqipëria kishte qenë një vend shumë i ptapambetur dhe u bënte përshtypje progresi që thoshin ata se kishin përjetuar në Shqipëri. Përgjithësisht, do të thosha, se gjatë kësaj periudhe u afirmua, pavarësisht nga mënyrat dhe metodat që u përdorën (ashtu ishte koha atëherë, ashtu ishin njerëzit), u afirmua një pavarësi kombëtare në një mënyrë mjaft të theksuar, u bënë përparime ekonomike, natyrisht, në fillim me ndihmën e BS, pastaj dhe me ndihmën e Kinës, por këto nuk janë aq determinuese ndoshta, megjithëse e kanë luajtur një rol. Mirëpo u bënë përparime në arsimim, në emancipimin e gruas, në bujqësi, e cila përpara luftës ishte një bujqësi krejt primitive, që nuk e mbante dot vendin me bukë, dhe të mos harrojmë se Shqipëria kishte atëhere pak përmbi një milionë njerëz. U vunë baza mjaft të shëndosha të industrializimit, të elektrifikimit. Të gjitha këto mendoj unë se janë faktorë që nuk mund të neglizhohen. Natyrisht, kemi anën tjetër pasandaj, anën e diktaturës, por nuk duhet të harrohet konteksti historik, periudha. Të mos harrojmë se Shqipëria në këtë kohë kishte 85 % analfabetë. Shqipëria nuk e kishte atë traditë demokratike që kishin vendet evropiane. Shqipëria ishte një vend që sapo kishte dalë nga mesjeta, me tradita patriarkale etj. Kështu që unë mendoj se çdo vlerësim duhet bërë në këtë kontekst. Të mos harrojmë dhe këtë, se pas Luftës së Dytë Botërore, statusi i Shqipërisë nuk ishte lidhur në asnjë nga konferencat e të mëdhenjve, as në Jaltë, as në Potsdam, etj. Të mos harrojmë edhe se pas luftës Shqipëria nuk u njoh zyrtarisht si pjestare e aleancës antifashiste, ose të paktën, u bënë përpjekje për të mos e njohur. Të mos harrojmë se Shqipëria u mbajt jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një periudhë mjaft të gjatë, deri në mesin e viteve 50. Të gjithë këta faktorë, natyrsht, kanë influencuar edhe politikën shqiptare të asaj kohe, sepse, fundi i fundit, u bënë edhe ato aksione diversante në fund të vitit 1949 deri në mesin e viteve 50. Natyrisht, gjithë këto janë faktorë që duhet të merren parasysh në çdo vlerësim të situatës.
ZIK: Fitohet përshtypja sikur në periudhën e përmendur mbisundoi ana ideologjike marksiste-leniniste mbi atë nacionale.
Viktor Çami: Do të thosha se ana kombëtare është aty, brenda. Por është e mbuluar nga ana ideologjike. Të mos harrojmë se në konditat në të cilat ishte Shqipëria, nuk mund të delte hapur si nacionaliste. Prandaj lufta ideologjike që u bë kundër titizmit, kundër hrushovianëve etj., ç’është e vërteta, ishte vetëm një perde për të mbuluar realtetin politik, qëllimet politike. Unë nuk kam përshtypjen se Enver Hoxha ishte një njeri ideologjik, pavarësisht se ç’thuhet, jo, por ai dinte të përdorte ideologjinë. Të mos harrojmë se në atë periudhë ideologjia kishte përparësi në propagandë, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Titoja kishte ideologjinë e vet dhe Enver Hoxha sajoi, si të thuash, kundërideologjinë në emër të së njëjtës ideologji marksiste-leniniste, por duke e distancuar nga versioni jugosllav. Le të marrim një shembull nga periudhat e tjera ku ideologjia kishte përparësinë, psh, në luftërat fetare që u zhvilluan në Evropë. Psh, kemi ktolicizmin dhe protestianizmin. Dhe dihet se lufta ndërmjet këtyre dy grupimeve ishte luftë interesash e cila shpjegohej me terma ideologjikë, protestianizëm dhe katolicizëm. E njëjta gjë ndodhi edhe në këtë periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore. Ideologjia për mua nuk ka shumë rëndësi, as nuk kishte rëndësi për Enver Hoxhën. Për mendimin tim, kishte rëndësi politika, por kushtet ishin të atilla që lufta bëhej në emër të një ideologjie. Unë mund ta përmbledh në këtë mënyrë çështjen e ideologjisë. Enver Hoxha ishte mjeshtër në përdorimin e ideologjisë, për qëllimet e padeklaruara, natyrisht, në rrethanat ndërkombëtare, për qëllimet afatgjata, për një distancim të qartë, jo nga ideologjia revizioniste sovjetike apo revizioniste titiste, por një distancim, një mburrojë kundër politikës së tyre që nuk ishte në interes të kombit shqiptar.
ZIK: E kishim fjalën pak më parë për diversionet anglo-amerikane në vitet 50 kundër Shqipërisë. Cili ishte qëllimi i tyre? Për ta demokratizuar jetën atje, për të rëzuar diktaturën apo kishin qëllimet e tyre për të bërë ndonjë testim?
Viktor Çami: Në atë periudhë sigurisht, Shqipëria ishte aleate e BS. Dhe Perëndimi e ndërmori këtë aksion me qëllim që të destabilizonte një rajon përmes një hallke që konsiderohej si më e dobëta e Perandorisë Sovjetike në atë kohë. A ishte qëllim për të “çliruar” Shqipërinë? Nuk besoj, sepse nuk “çlirohet” Shqipëria me një operacion që përfshin më pak se disa qindra njerëz. Ishte më shumë operacion destabilizimi, një operacion që kishte më shumë si qëllim mbase mbledhje informatash, por më shumë për të destabilizuar regjimin, për ta detyruar atë regjim që të mbajë në këmbë një ushtri relativisht të madhe, për ta frikësuar se edhe mund të ndodhte një invazion. Por unë nuk besoj se ky ishte qëllimi, nuk ka asnjë provë tani, mbas gjithë këtyre vjetëve, se ky ishte qëllimi i vërtetë, dmth, demokratizimi i Shqipërisë si qëllim, apo “çlirimi” i Shqipërisë. Fuqitë e mëdha nuk e zhvillojnë politikën e tyre në këtë mënyrë. E tërë kjo ishte në kontekstin e luftës së ftohtë me Bashkimin Sovjetik. Dhe natyrisht ishte një përkrahje për Titon. Padyshim.
SHËNIM: nxjerrë nga libri: Viktor Çami “Letra nga mërgimi”, Zëri i Kosovës, Prizren, tetor 2000, f. 282-286.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk