VRASJA ENIGMATIKE E BEHAJDIN ALLAQIT DUHET TË NDRIÇOHET!

27
Mar
2023

Në 53 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit:
“FAMILJARËT, MIQTË DHE SHOKËT E BEHAJDIN ALLAQIT DUAN TË DINË TË VËRTETËN SE, NË ҪFARË RRETHANASH U VRA AI, DHE KU E KA VARRIN?!”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shkruan: Ramadan Pllana

Zvicër, 27. 03. 2016: Sivjet, në muajin qershor, mbushen 18 vjet nga vrasja enigmatike e atdhetarit dhe veprimtarit të paepur për çlirim dhe bashkim kombëtar, Behajdin Allaqit. Deri më sot është kërkuar kot ndriçimi i vrasjes së tij, sepse organet kompetente shtetërore i kanë «shti veshët në lesh», sikur ka thënë Heroi ynë Kombëtar,Hamëz Jashari. Një ndihmesë të rëndësishme për ndriçimin e kësaj figure kombëtare po e jep veprimtari i vyeshëm e i palodhur, Sheradin Berisha – nëpërmes portalit «Pashtriku.org».
Me këtë rast edhe unë vendosa të sjell ndërmend disa kujtime për te. Meqenëse unë nuk kisha lidhje të dretëperdrejtë me Behajdin Allaqin, shkrimi im do të jetë pak më i veçantë se shkrimet e shokëve e bashkëveprimtarëve të tij, që e kanë njohur më për së afërmi. Për të qenë sa më objekiv për personalitetin e tij e kam stërvitur e riprodhuar reminishencën time që e kam pasur për te.
***
Nga Xhavit Haziri kisha dëgjuar se sekretari politik i Lëvizjes, që vjen nga Këshilli i Rrethit të Prizrenit, është një veprimtar me njohuri të përgjithshme dhe me përvojë të lartë organizative. Behajdin Allaqin, për herë të parë, e kam njohur më 2 shkurt të vitit 1991 në Konferencën e Dytë të LPRK-së që është mbajtur në fshatin Prapashticë të Prishtinës. Në këtë kohë, pas vrasjes së Afrim Zhitisë, sekretar politik, dhe Fahri Fazliut, udhëheqës, më 2 nëntor të vitit 1989, dhe largimit të Fadil Vatës, sekretar organizativ, në Zvicër për shkaqe shëndetësore, e kishin dëmtuar shumë organizimin e LPRK-së, prandaj Lëvizjes i duhej një udhëheqje e re. Dhe në këto rrethana delikate të vazhdimësisë organizative të LPRK-së, kur mungonin udhëheqësit potencialë, u mbajt Konferenca e Dytë e jashtëzakonshme në fshatin Prapashticë të Prishtinës.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë këta veprimtarë: Xhavit Haziri, Behajdin Allaqi, Azem Syla, Halil Selimi, Ismet Sylejmani, Ramadan Avdiu, Ramadan Pllana, Raif Qela, Hydajete Krasniqi, Zyrafete Muriqi, Halit Krasniqi, Ilaz Kadolli, Menderes Zeneli, Irfan Musmurati, Hulusi Beqiri etj.
Behajdin Allaqi ka luajtur një rol të madh në organizimin dhe mbarvajtjen e kësaj Konference, por kishte kërkuar që të mos zgjedhet në Organet Drejtuese për shkak të obligimeve dhe detyrave të mëdha që i kishte në Prizren e Rethinë. Aty zgjedhet Komiteti Drejtues prej pesë vetëve: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Ismet Sylejmani dhe Halit Krasniqi.
Në këtë Mbledhje, kur Xheladin Gashi – «Plaku» më propozoi që të isha edhe unë në Komitetin Drejtues, mua m’u bë një pyetje e papritur dhe e pakëndshme nga Halit Krasniqi. Ai kërkonte të dinte se kush isha, nga vija dhe çfarë përvoje kisha rreth organizimit…Unë u zura pisk dhe ngurroja të përgjigjesha, andaj vetëm e refuzova propozimin e «Plakut» pa i dhënë përgjigjje Halitit.
Atëherë nuk e kam ditur se Halit Krasniqi ma ka bërë atë pyetje, por, pas disa viteve, në një takim rasti, ai vetë më tregoi se kishte kërkuar të dinte diçka më shumë për mua, ngase nuk më ka njohur dhe se i vinte shumë keq për këtë rast…
Ndoshta u zgjata pak për këtë rast, por, meqë po e përkujtoj Behajdin Allaqin, i kam si të freskëta vështrimet e herëpashershme me dashamirësi ndaj meje, dhe sikur donte të thoshte «Po më vjen keq e na falë për këtë pyetje të papritur që e bëri shoku !… »
Qysh nga ajo Mbledhje, nga diskutimet, nga vështrimet intelegjente, nga gjestet e nga intervenimet për sqarime të çështjeve organizative, Behajdin Allaqi më ka lënë përshtypjen se, ishte një organizator, një intelektual e një veprimtar i dorës së parë në LPRK.
Behajdin Allaqi dhe Xhavit Haziri, pas vdekjes së dy kolosëve të Lëvizjes sonë ilegale, Afrim Zhitia e Fadil Vata, ishin, me mish e me shpirt, promotorët e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
***
Herën e dytë Behajdinin e takova në Kollare të Kërçovës në muajin prill të vitit 1993, kur është mbajtur Mbledhja Konsultative e LPRK-së. Aty morën pjesë: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Gafurr Elshani, Behajdin Allaqi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, Mustafë Krasniqi etj.
Në këtë takim u lëshua një rezolutë sipas të cilës LPRK-ja mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Gjithashtu, u krijua Grupi i Organizimit të Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme, i përbërë nga Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi. Edhe në këtë Mbledhje Behajdin Allaqi ka qenë i angazhuar në rrafshin teorik dhe ka afruar projekte dhe propozime për veprimtari të LPRK-së në nivel të Kosovës e më gjerë…
Mirëpo, në atë Mbledhje, ai fajësohet për mungesë vigjilence, sepse ishte pranuar në rradhët e Organizatës një njeri i dyshimtë, e ai ishte Shaban Rexhep Shala. Behajdini e pranoi këtë fakt dhe bëri një autokritikë të thukët, duke shtuar se personi në fjalë ishte pranuar si anëtar në LRPK, me rekomandimin e disa shokëve.
***
Në mbarim të muajit korrik dhe në fillim të muajit gusht 1993 u arrestuan shumë veprimtarë të LKҪK-së (fraksion ky i LPRK-së nga fillimi i vitit 1993 – sh.b) dhe veprimtarë të LPRK-së (e cila në mbledhjen e 4’të të Përgjithshme /më 26 – 27 korrik/ u emërtua LPK – sh.b). Në Gjykatën serbe të Qarkut në Prishtinë u dënuan 19 veprimtarë të saj. Me nga 10 vjet burg u dënuan: Ismet Mahmuti, Hajredin Hiseni e Raif Çela. Deputeti i Parlamentit të Kosovës Bajrush Xhemajli (ishte deputet i pavarur i komunës së Ferizajt-vërejtja ime) u dënua me 8 vjet. Me nga 5 vjet u dënuan Xhavit Haziri, Faik Ajeti, Sali Mustafa, Sali Salihu e Shemsi Veseli, ndërsa unë (Ramadan Pllana) u dënova me 4 vjet burg. Me nga 3 vjet u dënuan: Nehat Selimi e Remzie Abdullahu. Nga 2 vjet burg iu shqiptuan: Islam Mulakut e Ajet Berishës, ndërkaq me nga 1 vit burg u dënuan: Sanie Aliu, Skënder Hajdari e Hazir Zeqiri.
Në këtë valë burgosjesh, më 1 gusht 1993 u arrestua nga UDB-a serbe edhe Behajdin Allaqi, i cili më 11 nëntor 1993, nën akuzën për: “Bashkim për veprimtari armiqësore dhe rrezikim të tërësisë teritoriale të Jugosllavisë”, në Gjyqin e Qarkut në Prizren denohet me 2 vjet e tre muaj burg të rëndë. Së bashku me Behajdinin u burgosën edhe Ilaz Kadolli, Hysen Gega, Binak Berisha dhe Shefki Muçaj.
Të dënuarit e lartëpërmendur nga Gjykatat e dhunshme serbe, pothuaj se shumica, e kanë vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës – në Burim (ish Istog) të Kosovës. Aty ka qenë edhe Grupi i LPK-së së Prizrenit, bashkë me atdhetarin e intelektualin e madh Ukshin Hoti.
Në këtë burg, Behadin Allaqin e kam takuar më rrallë, por sa herë që jemi parë jemi përshëndetur e përqafuar si dy vëllezër. Më kujtohet një takim rasti, në vizitat e përbashkëta familjare, kur ai më pëqafoi shumë dhe më tha se ka një konsideratë të veçantë ndaj meje. E falënderova, duke e siguruar se edhe ai ishte shumë i respektuar nga ana ime.
***
Për Behajdinin më ka folur shumë shoku e miku im i nderuar Binak Berisha, i cili kishte lidhje familjare me te. Binaku është nip i kusherinjëve të Behajdinit në fshatin Nagavc.
Këto janë, shkurtimisht, përkujtimet e mia për dëshmorin e kombit Behajdin Allaqi, për aq sa e kam njohur. Me një konsideratë të veçantë përkulem para veprës së tij. Lavdi e përjetshme Behajdin Allaqit!
***
Tani, kur me të drejtë flitet, shkruhet e kërkohet ndriçimi i vrasjes enigmatike të Behajdin Allaqit, mendoj se ka ardhur çasti kur e vërteta duhet të dalë në shesh. Natyrisht që edhe unë jam interesuar dhe kam diskutuar me shokë e miq për fatin tragjik të këtij bashkëveprimtari të denjë të çështjes sonë kombëtare, ndër ta me Destan Hajdinin, ish arsimtar i heroit kombëtar Ismet Jashari – Kumanova, me Murat Jasharin, vëllaun e heroit, Ismet Jashari- Kumanova, me bashkveprimtarin Murat Bytyqi e me disa të tjerë… Me brengat e përbashkëta për ta ndriçuar vdekjen enigmatike të tij, në radhë të parë kam biseduar me Binak Berishën, si afërm i tij, dhe kemi shtruar këtë pyetje parimore: FAMILJARËT, MIQTË DHE SHOKËT E BEHAJDIN ALLAQIT DUAN TË DINË TË VËRTETËN SE, NË ҪFARË RRETHANASH U VRA AI, DHE KU E KA VARRIN?!
***
Mjaftë të dhëna për personalitetin e Behajdinit kanë shpërfaqur: Ramadan Avdiu, Fatmir Brajshori, Binak Berisha, Bardhyl Mahmuti, etj., por akuzat e Murat Jasharit për vrasjen tij, që ia adreson, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mendoj se është thirrja apo kërkesa më këmbëngulëse për ta ndriçuar këtë vrasje enigmatike.
Prandaj me këtë rast edhe unë kërkoj që – VRASJA ENIGMATIKE E BEHAJDIN ALLAQIT TË NDRIÇOHET!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk