Perëndimi edhe njëherë ngeci në rrjetën e vjetër të intrigës serbe në Bruksel, duke fajësuar palën shqiptare që nuk pranoi propozimin serb të formimit të ‘Zajednicës’ para njohjes reciproke mes dy shteteve.
Refuzimi i kryeministrit Kurti në takimin e djeshëm në Bruksel për ta formuar ‘Zajednicën’ pa njohje reciproke mes dy shteteve, ka vënë në siklet emisarët filoserbë të BE-së Borrell dhe Lajçak, se Kurti paskësh hedhur poshtë propozimin e Vuçiqit.
Emisarët europianë janë të shqetësuar për refuzimin që i bëri kryeministri i Kosovës propozimit serb për formimin e ‘Zajednicës’ si prioritet i marrëveshjeve të arritura por, nuk shetësohen fare për faktin se Serbia në kushtetutën e saj ‘mban’ Kosovën si pjesë të saj dhe ky fakt paraqet për Kosovën pretendim territorial dhe cënim të pavarësisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga fqinji grabitqar dhe jo marrëveshje mes fqinjëve.
Nga ana tjetër, kemi opozitën shqiptare të hallakatur dhe reaksionare, cila është rreshtuar pas presidentit Vuçiq se duhet formuar ‘Zajednica’ me çdo kusht si kërkesë e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare!
Ishe kjo opozitë tradhtare që nënshkroi dy herë kapitullimin dhe riktimin e Serbisë në Kosovë në emër të paqës dhe marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Serbinë.
Na ka rastisur shpesh të shohim dhe të dëgjojmë sloganin e njohur tashmë se ‘Liria ka emër’ që i referohet luftës çlirimtare të UÇK-së dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe sepse falë atij kontributi të luftës së drejtë çlirimtare sot Kosova është e lirë por me Pavarësi të kontrolluar.
Ndaj, nëse Kosova u çlirua falë kontributit të UÇK-së, ky atribut nuk ua jep të drejtën disa udhëheqësve të saj renegatë të nënshkruajnë ‘Zajednicën’ me kompetenca ekzekutive, që nuk është tjetër veçse një Republika Srpska në veri të Kosovës!
Nëse liria dje kishte emër edhe tradhtia sot ka emër me ‘Zajednicën’ brenda Kosovës, e cila do të ishte hapi i parë i shkëputjes së pjesës veriore nga Kosova.
Pra, ‘Zajednica’ me kompetenca ekzekutive është copëtimi i veriut të Kosovës dhe ndarja e saj nga trungu i Kosovës, si pjesa më e pasur me burime energjetike dhe minerare, që për pasojë do ta varfëronte Kosovën duke e privuar nga triliona euro nga nëntoka e saj e grabitur arbitrarisht nga ndërkombëtarët dhe nga opozita reaksionare shqiptare e Kosovës.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!