ZEMËR NË PRANGA – SHPIRT I LIRË

08
May
2025
Autori: Genc Sefa – Lushnja

(Dhjetë pranvera në burg: 9 maj 2015)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në Kumanovë ra flaka e fundit,
Ku shpirtin tim e zgjova si burrë,
Nën breshëri dhe tym baruti,
Me pushkë në dorë – për nder e flamur.

Thirrja e gjakut m’i mësoi shtigjet,
Se zemra s’rri kur Kombi digjet.
E kur më thonë: “Mos!” – unë ngrihem,
Në ballë të frontit, me shokë vihem.

Në atë ag të nëntë majit,
U derdh si lumë gjaku i shqiptarit;
Çdo rrugicë, çdo prag shtëpie,
U mbush me krisma krenarie.

Luftuam pak, por zemër shumë,
N’atë çast, kur shpresa lëkundet,
Kur shoku yt përballë shembet,
E dheu vetë në heshtje tundet.

I zënë në kurthin e tradhtisë,
Mendoja gjykimin e historisë –
Çaste që vetes dot s’ia fali:
Në pranga më çuan, si bishë mali.

Udhëtoja me kujtime ngjeshur,
Të rënë shokët më flisnin heshtur.
E çdo natë, në ftohtësinë e qelisë,
Më fliste zjarri i plagës së padrejtësisë.

Mbi mua binin netët si shkëmbinj;
Çdo orë më dukej si dekadë pa mbarim.
Në gjoks më tretej fjala “Liri”;
Po s’kishte dritare, veç britma në gji.

Dhjetë pranvera pa mëngjes lirie,
Dhjetë herë qershor pa fjalën “bir”;
Përmbi çdo ditë që ra si gur,
Ndërgjegjen time s’e mposhti kurrë!

Asnjë pendesë nuk kam për vete,
Se bëra ç’duhej – ashtu si jeta:
Të mos e shoh Atdheun në robëri,
Të mos heshtë kurrë në padrejtësi.

Në burg më mbyllën – po ç’rëndësi?
E muret s’e ndalën frymën time,
Se Kombi s’matet me një njeri,
Po me një zjarr që s’fiket me gjëmime.

Kur të dal, do kthehem prapë si luftëtar,
Me plagë në gjoks, por me ballin lart!
Se n’këtë tokë, ku shqiponja fluturon,
Nuk vdes kurrë ai, që për Flamur lufton!


Ish-ushtarak dhe luftëtar në UÇK, UÇPMB
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdhedashurisë.🇦🇱

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk