“Zëri i erës – për Nënën Qamile” Elegji për nënën e Dëshmorit Astrit Suli

06
Jun
2025
Nga Genc Sefa - Lushnja



Një poemë për Nënën Qamile, e cila nuk
u nda kurrë shpirtërisht nga biri i saj – Dëshmori Astrit Hekuran Suli.
Sot, ata janë bashkë në përjetësi…
ndërsa kujtimi i tyre jeton ndër ne. 🌹

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!


Zëri i erës – për Nënën Qamile
(Elegji për nënën e Dëshmorit Astrit Suli)

Nga cilat vise, moj erë e trishtë,
po vjen me ankth e me mallëngjim?
Të dridhet fryma në çdo fëshfërimë –
ç’të djeg kaq fort në shpirt e brendim?

— Vij nga një kasolle n’kodër të fshatit,
aty ku zjarri ka mbet’ pa flakë,
aty ku hesht një nënë në dritare,
me sytë në mjegull, me shpirt që tretet.

— E njoh, e njoh… Më thuaj: Qamile?
Gruaja e dritës, me zemër gur?
Ajo që lindi një djalë legjendë
e tash i flak lotët mbi një mur?

— Po, ajo jam – tha era në klithmë,
ajo që pret një hap që s’vjen,
që flet me hijet, me diellin rri,
që qan për birin, qetësi s’po gjen.

— Atje, nën mollën që dikur lulëzonte,
ka mbetur veç hije dhe një jastëk,
ku çdo mëngjes, me duar që dridhen,
ajo e shtron, për birin që pret në prag.

— Një zë i thërret nga dheu i shenjtë:
“Nënë, mos më qaj me zë të lartë!
Jam gjallë në tokën që çlirova,
në gjakun që e lashë – për jetë të artë!”

— Por nënës, moj erë, s’ia ndal dot lotin,
ajo e di – se dhimbja s’gënjen…
E për çdo ditë, e për çdo natë,
për Astritin – zemra prehje s’gjen!

— E sheh ti qiellin? E sheh atë yll?
Ai është lindur prej nënës suliote;
rri mbi Berat, mbi Gorozhup,
e ruan Atdheun nga lart – tash sa mote.

— Ndaj, kur të frysh, moj erë e heshtur,
kur të kalosh n’atë fshat të strukur,
përkulju butë mbi dritaren e saj
dhe thirre birin – që t’i ulet n’krah.

— Tashmë nëna pranë i ka shkuar,
tek biri që në amshim rron,
duke qeshur prej yjeve lart
dhe duke parë tokën që e don.

— E krahët i ka hapur gjerë,
në një përqafim të heshtur,
ku s’ka dhimbje, as lot në sy –
veç paqe… dhe shpirt të qeshur.

— Kujtimi i saj në zemër rri,
si flakë që s’fiket kurrë,
dhe era e fushës e pëshpërit:
“Nëna dhe biri – bashkë përjetë.”

🕯 Lavdi e përjetshme Dëshmorëve
të Atdheut!
🌺 Nderim për Nënat shqiptare
që rritën trim

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk