zgjodha nga libri im “FASADA E GRISUR E DEMOKRACISË BORGJEZE”

05
Aug
2024

zgjodha nga libri im “FASADA E GRISUR E DEMOKRACISË BORGJEZE”, një shkrim të botuar në gazetën SOT më datë 6 shkurt 2011, të cilën po e afishoj me disa ndryshime të vogla kohore, sepse problemi që shtrohet aty nuk ka lëvizur asnjë milimetër.
“MOJ EUROPË, MOJ… !”
“… … kurvë e motit…”! Kështu pati shkruar Padër Fishta këtu e një shekull më parë. Dhe jo në mënyrë të rastësishme. As në një moment nervozizmi e pakënaqësie të çastit, por i bindur në këtë përcaktim për kontinentin plak. Madje, për ta konkretizuar përcaktimin në fjalë, vargut “Moj Europë, moj kurvë e motit”, i shtoi edhe vargun tjetër: “Që i re mohit, besës e zotit”. Po për cilin mot e kishte fjalën Fishta ynë? Vetëm për vitin 1913, kur Europa na cungoi e na copëtoi pothuaj gjer në eliminim si shtet e si komb? Jo, poeti ynë i madh e kishte fjalën për shumë mote. Madje për të gjitha motet e historisë së Europës. Dhe këtu, fjala nuk është për popullin europian, por për politikanët dhe kancelaritë e saj.
Saktësia e përcaktimit të Padër Fishtës është absolute. Gjatë gjithë historisë së saj, Europa e kancelarive shtetërore e politike ka bërë “kurvën” në marrëdhënie me fqinjët e vegjël, veçanërisht me Shqipërinë tonë. Plot njëzet e pesë vjet Kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me arbërit e tij të pathyeshëm, u bë mburojë e Europës nga vërshimi otoman. Por Europa, pas vdekjes së prijësit tonë, ndonëse e pati quajtur “Kalorësi i Krishtit”, i harroi bashkëluftëtarët e tij, arbërit, për plot pesë shekuj nën thundrën e perandorisë otomane. Për më keq, kur kjo e fundit filloi të “tundte” këmbët, Europa hileqare, me traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, planizoi shpërbërjen e “barinjve shqiptarë” të Ballkanit, plan që e realizoi në vitin 1913, kur, atdheun e “Kalorësit të Krishtit” e cungoi në një të tretën e territoreve të tij etnike.
Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të njëzet, do të ishte përsëri vendi i Kastriotit që, duke përzënë bazën ushtarake ruse nga Vlora, do t’i krijonte frymëmarrje të lirë jugut të Europës. E megjithatë kjo e fundit nuk begenisi të lëvizte prapanicën, qoftë edhe me një rezolutë, apo ligjëratë përshëndetëse e kurajoze.
Shembja e Murit të Berlinit, dhe e të gjithë mureve të tjerë që i patën ndarë nga kontinenti i origjinës, hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët një epokë të re e gjithë shpresë për të ashtuquajturën “demokraci perëndimore”. Por gjatë tridhjetë e katër viteve të aplikimit të kësaj demokracie, shpresat e shqiptarëve për demokraci të vërtetë, mbetën ëndrra në sirtar. Dhe kjo ndodhi e po ndodh, sepse kancelaritë shtetërore e politike europiane, në shumë pika, kanë mbetur në të njëjtat “shina” me ato të kohës së Bismarkut.
Plot tri dekada e gjysëm Shqipëria po rrotullohet rreth boshtit të saj, në përpjekje për të gjetur rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, ku me buzëqeshje diplomatike e ftojnë kancelaritë e këtij institucioni të madh. Por nga ky “rrotullim”, ajo vetëm ka thelluar “gropën” e saj, gropën e krizës morale e shoqërore, pa mundur të arrijë në asnjë stacion të hairit. E ndërsa Shqipëria bën këtë “rrotullim” rreth vetes, Europa sodit nga larg, duke lëshuar fraza e ligjërata të ngjashme me shashkat tymuese, që përdorin repartet ushtarake në stërvitjet mësimore. Në këto tri dekada e gjysëm të aplikimit të demokracisë perëndimore, Shqipëria jo një herë u gjend buzë greminës, buzë katastrofës. Dhe vetëm në momentet e fundit, kur “rreziku shqiptar” prekte interesat e saj, Europa dhe sivëllezërit e saj të përtej Atllantikut, kanë ndërhyrë, jo për t’i dhënë zgjidhje të plotë problemeve, krizës, apo kolapsit, por vetëm për ta përcjellë atë gjer tek stacioni tjetër i “ngërçit”, apo i krizës.
Ç’farë i pengojnë institucionet e Europës, e të SHBA të ndërhyjnë për t’i dhënë fund këtyre ngërçeve tona permanente 34 vjeçare? Detyrimi për të mos ndërhyrë “në punët e brendshme të Shqipërisë”, siç cilësojnë përfaqësuesit e tyre?!!
Pallavra!
Nëse do të prekeshin interesat e Europës, dhe SHBA, ato do të ndërhynin jo vetëm me kancelaritë dhe diplomacitë e tyre, por edhe me muskujt luftarakë të NATO-s. A nuk ishin kancelaritë europiane, që së bashku me SHBA, nuk lanë gurë pa lëvizur gjer sa përmbysën sistemin socialist në Shqipëri dhe sollën këtu “demokracinë” e tyre të modelit perëndimor? Nëse “miqtë euroatllantikas”, do të shikonin ndonjë rrezik nga regjimi i Berishës dhe i Ramës, do të mjaftonin vetëm njëzet e katër orë kohë për të ndërruar situatën. Aq më tepër sot kur shteti shqiptar dhe Republika “banane” e Shqipërisë, nuk ka asnjë mundësi të kundërshtojë, qoftë dhe ultimatumin e një diplomati të thjeshtë ndërkombëtar.
Po atëherë?
Siç tashmë dihet nga të gjithë, miqve euroatllantikas, u duhet një Shqipëri e qetë, me fasadë demokratike dhe e përdorshme për çdo nevojë të tyre në brigjet e Adriatikut dhe në rajonin e Ballkanit. Për këtë qëllim ata kanë zgjedhur e seleksionuar “udhëheqësit” dhe “liderët” shqiptarë më të përshtatshëm, të cilët, pasi i kanë vënë në krye të punëve, duke i korruptuar me rroga e privilegje të majme (siguruar nga taksat e popullit shqiptar), u kërkojnë edhe haraçin për planet e tyre strategjike. Nga ana tjetër, edhe liderët tanë, duke vënë në punë djallëzinë e tyre, dhe me pasuritë kombëtare “që ua la babai”, kanë akaparuar secili sipas ngjyrave, përfaqësuesit përkatës në stanin e madh të Euroatllantikasve, me të cilët marrin e sigurojnë pushtetin. Kështu puna është ngërthyer në atë mënyrë sa, lëmshi i ngatërresës zor se do të shkokolepset, veç kur të këputet fija. Dhe “fija” gjithnjë këputet në kurriz të popullit.
Është kjo situatë që na kujtoi thënien e famshme të Gjergj Fishtës: “Moj Europë, moj… … ”. Ç’ka na tregon se Europa shtetërore e politike, por edhe imperializmi i përtej Atllantikut, kurrë nuk do t’i zgjidhin punët tona me ndershmëri e me demokraci të vërtetë. Sepse këto dy parametra u mungojnë vetë atyre, pavarësisht nga yjet e bardhë e të shumtë që mbajnë në flamurët e tyre.
Punët tona ne duhet t’i zgjidhim vetë. Po a do të mundemi me këta liderë të konsumuar moralisht? Shpresa është shumë e pakët, për të mos thënë se nuk ekziston fare. Klasa jonë politike, me partitë e tyre neoballisto – fashiste, realisht kanë dalë jashtë loje. Korrupsioni galopant tridhjetë e katër vjeçar i ka kthyer ato në klane, dhe si të tilla, nuk përfaqësojnë asnjë klasë e as një shtresë të shoqërisë, ku të mund të mbështeten. Dhe klanet me mbështetje vetëm klanore nuk mund të ndërtojnë as shtet e as demokraci, por vetëm autokraci, që përfundojnë në junta diktatoriale. Klasa aktuale politike është në antipod me popullin dhe interesat e tij. Në këto kushte, ajo ose duhet “të ndërrojë” popullin, ose duhet të largohet nga skena politike. E para është e pamundur, ndaj mundësia e vetme mbetet e dyta.
Dhe këtë e ka në dorë populli, nëse ai do të arrijë të kuptojë forcën e tij.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk