Në disa prej shkrimeve të mia kam marrë kritika nga njerëz të ndryshëm, gjë që e shoh krejt normale sepse secili ka të drejtën e mendimit të vet, dhe kjo nuk është aspak e gabuar. Por ajo që më habit është që këto kritika më së shumti vijnë nga disa kushërinj të mi. Me të tjerët që nuk i njoh, është e kuptueshme, por kushërinjtë e mi i njoh pothuajse të gjithë, pavarësisht viteve që kam kaluar në gurbet.
Unë e pranoj dhe e kuptoj plotësisht kontributin e tyre në luftë dhe sakrificat që kanë bërë, por dua të theksoj diçka: Lufta nuk ishte vetëm e Drenicës. Lufta ishte e të gjithë Kosovës, pa përjashtim. Në të gjitha anët e vendit, njerëzit dhanë gjithçka për lirinë. Lufta ka përfunduar tashmë, dhe është koha që jeta të vazhdojë.
E përmenda këtë sepse më duket që një pjesë e madhe e bashkëkombësve tanë në Drenicë vazhdojnë të mbështesin verbërisht krahun e luftës, PDK-në, pavarësisht premtimeve boshe që ata kanë dhënë që nga paslufta deri sot, dhe pikërisht në emër të kësaj lufte janë bërë milionerë. Kjo nuk është për t’i ndarë njerëzit, por është për të ngritur disa pyetje që lidhen me realitetin dhe të vërtetën.
A ju kanë vizituar ndonjëherë për problemet që ka fshati Kuçicë këta njerëz që tani kërkojnë votën tuaj, apo vetëm kur afrohen zgjedhjet? Çfarë kanë bërë për fshatin gjatë gjithë këtyre mandateve? A ka ndonjë investim tjetër përveç ujësjellësit dhe kanalizimit, që edhe ky i fundit nuk funksionon më pas përmbytjeve?
Unë e ngre këtë çështje sepse disa herë më kanë thënë që kanë kërkuar ngritjen e një lapidari për 17 dëshmorët e fshatit. Unë, për fat të mirë, nuk kam ndonjë familjar të afërt dëshmor, por për hir të kushërinjve të mi që i konsideroj si të afërt, kjo më dhemb në shpirt. Si është e mundur që komuna të mos bëjë asgjë për këta dëshmorë? Kam kërkuar në Google, në rrjete sociale dhe në shumë mjete informimi, por nuk gjeta as edhe një fotografi për këta dëshmorë – janë krejtësisht në harresë. Ky është fshati i vetëm që nuk ka një lapidar që ata e meritojnë.
A nuk ishin edhe këta dëshmorë pjesë e asaj lufte, e cila sot përdoret si flamur politik nga disa? Sa herë ju kanë premtuar se lapidari do të ngrihet menjëherë pas zgjedhjeve? A ka ndodhur kjo ndonjëherë? Jo! Dhe kjo është e turpshme.
Në fund, u desh që familjarët e dëshmorëve tanë të bashkoheshin dhe të ngrinin një lapidar simbolik me mjetet e tyre, pa asnjë ndihmë nga komuna apo pushteti lokal. A nuk është ky turp? Si mund të lihen dëshmorët e një fshati në mëshirën e fatit?
Nuk dua t’ju imponoj asgjë. Vazhdoni të mbështesni partitë tuaja të preferuara, nëse mendoni se ato e meritojnë votën tuaj. Por dua te ju them te gjithë atyre perkrahësve te pdk se nuk do të duhet të votoni për asnjë çast këta që kanë qeverisur, deri sa lapidari të ngrihet ashtu siç e meritojnë dëshmorët tanë, njësoj si në çdo cep tjetër të Kosovës. Ky është një obligim moral i atyre që thirren në emër të luftës, për hir të asaj lufte dhe për nder të dëshmorëve të saj.
Në vend të një lapidari të denjë, ajo që kemi tani është një pllakë përkujtimore që më shumë ngjan me një varrezë se sa një monument për nderimin e dëshmorëve. Ky fshat është i vetmi që nuk ka një lapidar që ata e meritojnë. Një monument i denjë duhet të jetë simbol i përjetshëm i sakrificës dhe heroizmit të tyre, jo një përkujtimore kaq e thjeshtë.
Zgjohuni, sepse kurrë nuk është vonë për të kërkuar të drejtën dhe nderimin e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!