𝑳𝒂𝒋𝒎𝒆𝒕 𝒆 𝒓𝒓𝒆𝒎𝒆, 𝒂𝒓𝒎𝒊𝒌𝒖 𝒊 𝒓𝒊 𝒊 𝒋𝒆𝒕𝒆̈𝒔 𝒔𝒐𝒏𝒆̈!

15
Apr
2023

Shkruan: Gëzim Mekuli
“Fake news” është një shprehje e re. Në gjuhën tonë të bukur shqipe kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “lajm i rremë”, por kjo përshtatje dhe ky përkthim nuk është aq përshkrues sepse nuk e ka fuqinë spjeguese që të bëjë “fotografinë” besnike të problemit që sjellë ky “lajm”.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “FALSIFIKOJ” paraqet si të vërtetë diçka të gënjeshtërt; pra “shtrembëroj të vërtetën, ndërroj a ndryshoj diçka për të mashtruar të tjerët”, (FGJSSH). Duke u nisur nga fakti se “lajmi” i tillë ndërtohet me qëllim që “gënjeshtrën të paraqet si të vërtetë”, dhe për të “mashtruar të tjerët”, përshtatja më e mirë për fjalën “fake news” do të ishte “lajm i rremë”.
“Lajmi i rremë” i shitet publikut si i vërtetë. E kjo minon demokracinë tonë të brishtë, sepse demokracia është e bazuar në besueshmëri të lajmit dhe në informacionin e sakt. Prandaj është e rëndësishme që secili nga ne të ketë një qëndrim kritik ndaj burimit të lajmit.
Për shembull:
1. Ku është publikuar lajmi? A është ky kanal i besueshëm, apo është ky një kanal pa redaktorë e pa gazetarë siq janë portalet, Tweeter dhe Facebooku?
2. Nga vie ky lajm? A është gazetari burim i parë, e i brendshëm, i cili e ka përjetuar ndodhinë, – ose a mos është ndokush që “ka dëgjuar” se dikush e ka parë ndodhinë.
Dhe, më e rëndësishmja
3. A ka mundësi që burimi i lajmit të ketë motive të fshehta politike a ekonomike? A ka mundësi që ky burim të ketë si qëllim që informacioni të shpërndahet tek sa më shumë njerëz? A ka mundësi që burimi i lajmit të përfitoj para sepse “ti beson” në lajmin e këtij burimi?
“𝑭𝒂𝒌𝒆 𝒏𝒆𝒘𝒔”, 𝒑𝒓𝒐𝒃𝒍𝒆𝒎 𝒊 𝒑𝒂𝒏𝒋𝒐𝒉𝒖𝒓?
Shqiptarët kishin dëgjuar dhe ishin ballafaquar me lajmin e kontrolluar; pra me “lajmin partiak”, “lajmin e pushtetit”, “lajmin joprofesional”, “lajmin e UNMIK-ut”, “lajmin e EULEX-it”, “lajmin e BRUXEL-it”, “lajmin e ambasadave”, “lajmin e Hashimit” dhe me “lajmin e Salës e të Edit”. Por, shprehjen e re “fake news”, e kishim dëgjuar rrallë. Megjithatë, lajmi i rremë si prodhim gazetaresk, nuk është diçka e re për ne. Atë e kemi parë, lexuar dhe dëgjuar shpesh: Thashethemet, konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrimi i qëllimshëm, janë disa nga veçoritë e lajmit të rremë.
«You are fake news», i tha kryetari i SHBA-ve, Donald Trump, një gazetari të CNN-it. A ju kujtohet? Fjalinë “ti je lajm i rremë”, Trump e tha që në konferencën e parë për shtyp; menjëherë pas zgjedhjeve. Biles, ky nuk deshi të dëgjojë as për pyetjen që gazetari e kishte gati për t’ia shtruar. Shpejt e shpejtë “lajm i rremë” u bë një nga thëniet e preferuara të Trumpit. “FAKE NEWS” u shkrua shpesh nga ai me SHKRONJA TË MËDHA në Twitter.
𝑷𝒐𝒓 𝒄̧𝒌𝒂 𝒆̈𝒔𝒉𝒕𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝒕𝒆̈ 𝒗𝒆̈𝒓𝒕𝒆𝒕𝒆̈ 𝒍𝒂𝒋𝒎𝒊 𝒊 𝒓𝒓𝒆𝒎𝒆̈: 𝑫𝒉𝒆, 𝒄̧𝒇𝒂𝒓𝒆̈ 𝒏𝒖𝒌 𝒆̈𝒔𝒉𝒕𝒆̈ 𝒍𝒂𝒋𝒎 𝒊 𝒓𝒓𝒆𝒎𝒆̈?
“Fake news”, apo “lajm i rremë”, është një përfaqësim i një ngjarjeje/ndodhijeje që nuk ka ndodhur fare. Ky lajm më shpesh shfaqet në faqe të internetit sesa në televizion, radio apo në gazetën e shtypur.
Gjithsesi qëllimi i lajmeve të rreme është që të mashtrojë ose të keqinformoj opinionin publik. Shkurt e shqip: “Fake News” është një gënjeshtër e qëllimshme dhe e paramenduar me kujdes: janë tregime të shpifura. Po marrim një shembull nga marrëdhënja media dhe politikë në Prishtinë: Me 29.01.2012 mediat shqipe publikojnë lajmin se “Albin Kurti është takuar me serbë dhe se kishte qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ata”. Kjo fjali ishte thënë nga Bekim Haxhiu, (PDK). Lajmi i publikuar nga RTK dhe nga mediat tjera të regjimit nuk u vërtetua asnjëherë. Si pasojë opinioni publik u ça e u acarua.
Si lajm i rremë nuk mund të konsiderohet mendimi i kundërshtarit që ty nuk të pëlqen. Lajmi i rremë është gënjeshtër e qëllimshme; shpesh kjo e plasuar në formën e artikujve të lajmeve e që synon për të gënjyer publikun.
Është me rëndësi të theksohet se ky lloj lajmi nuk ka gabime faktike, shkencore ose neglizhencë nga ana e gazetarit. Ky lajm prodhohet nga politika/pushteti dhe lansohet për të ngatërruar opinionin publik. Përsëri një shembull nga Prishtina: Me 05 nëntor 2016 mediat shqipe të Prishtinës dhe të Tiranës lancojnë lajmin se Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëvra pas pirjes së barërave. Këtu citohet drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili thot se, “dyshohet që aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari kishte konsumuar barna dhe kishte rënë në komë” dhe shton se, “rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë, ndërsa në emergjencë ka shkuar pa shenja jete”. Lajmi mori përmasa të luftës speciale e propagandistike. Si pasojë e kësaj hapsira publike u armiqësua. Opinioni mbeti i hutuar e i kërcënuar.
Duhet theksuar se lajm i rremë mund të jetë trillim i plotë, por ky mund të jetë edhe gënjeshtër e mbështjellur me ngjarje të vërtetë. Paçka kjo e fundit, pra gënjeshtra e mbështjellë në ngjarje të vërtetë, është e vështirë për tu zbuluar. E them këtë sepse lajmet e rreme “këmbngulin” që të huazojnë besueshmërinë e gazetarisë. Si rrjedhojë, këto “lajme” marin formën dhe përmbajtjen gazetareske: Këto “lajme” përdorin gjuhën dhe stilin gazetaresk. Në këtë mënyrë, këta parazitë politik, i mundësojnë hapsirës publike që të thithë, ta besoj dhe ta pranoj gënjeshtrën si të vërtetë.
Përpos interesve politike e ideologjike “lajmi i rremë” është i motivuar edhe ekonomikisht. Lajmet e tilla janë të “prodhuara” për të gjeneruar klikime të portaleve, e që mund të kthehen në para nga reklamat. Por, mos të harrojmë, gjithsesi qëllimi i “fake news” është për të ndikuar, dezinformuar dhe për ta kontrolluar opinionin publik.
“𝑭𝒂𝒌𝒕𝒆𝒕 𝒂𝒍𝒕𝒆𝒓𝒏𝒂𝒕𝒊𝒗𝒆”
Në lidhje me lajmet e rreme duhet përmendur një shprehje të re nga fusha e gazetarisë. Është fjala për të ashtuquajturat “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni: Zëdhënësi i shtëpisë së bardhë kishte ofruar informata të pasakta për numrin e pjesëmarrësve gjatë betimit të Donald Trump. Në çastin ku zëdhënësi u ballafaqua me këtë fakt nga një gazetar i NBC, këshilltari i Trumpit, Conway, e luti gazetarin e NBC që të “mos jetë edhe aq dramatik”, sepse Spicer kishte përdorur ca “fakte alternative”.
Pra, “lajmi i rremë” mund të ketë si “mbështetje” edhe “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni përsëri: SHBA-të përmes fotografive satelitore kishin përgatiur opinionin amerikan dhe atë ndërkombetar, se Sadam Hyseini kishte armë kimike. Mbi këto lajme edhe u sigurua mbështetja ndëkombëtare për sulmin ajror mbi Irak. Më vonë e gjithë kjo doli se kishte qenë një “fake news”.
A është e lehtë të zbulohet lajmi i rremë? Jo! Problemi është më i thellë sesa që e mendon konsumuesi i lajmit. Kjo për faktin sepse ky lajm sajohet, përpunohet dhe lancohet si nga politika e po ashtu edhe nga media. Pra, jo rrallë, është një bashkëveprim logjik i medias dhe politikës. Kjo ka ngjyrime propagandistike!
𝕯𝖎𝖆𝖌𝖓𝖔𝖘𝖙𝖎𝖋𝖎𝖐𝖎𝖒𝖎 𝖎 𝖑𝖆𝖏𝖒𝖎𝖙 𝖙𝖊̈ 𝖗𝖗𝖊𝖒𝖊̈:
– Ato janë lajme pa rrënjë në realitet: të ndërtuara e të shpërndara vetëm për ta drejtuar opinionin publik në një drejtim të caktuar politik-partiak.
– Ai është “lajm” i shtrembëruar që ka pikënisje dhe qëllime të qarta propagandistike. Ky “lajm”, përpos që përdoret nga pushtetet dhe opozitarizmi, përdorët shpesh edhe nga qeveria e Serbisë, Greqisë dhe ajo e Rusisë karshi gjeo-politikave shqiptare.
– Ato janë ngjarje/ndodhi të porisitura, që arrijnë tek aktorët në konflikt, paçka këto “lajme” detyrojnë gazetarët të besojnë se ata “e kanë parë dhe e kanë përjetuar” një ndodhi apo një ngjarje krejt spontane. Këtu, mediat mund të bëhen “naive” në zgjdhjen e lajmit dhe, është mu kjo “zgjedhje” që çon në simpati me mashtruesin (me prodhuesin e lajmit të rremë).
– Ato janë thashetheme që gjejnë rrugën e tyre përmes “autostradës së lajmeve” ku, media që përhapë ato, nuk është e shqetësuar, e as e interesuar, për të vërtetuar nëse ato “lajme” janë të vërteta/sakta.
– Ato janë trillime të publikuara pa asnjë kontrollë paraprak: për shkakun se ato media mbështesin paragjykimet për një orientim politik, partiak apo ideologjik: apo e duan edhe përfitimin material.
– Ato janë gabime të mëdha të mediave të fuqishme që prekin një drejtim të caktuar politik. Shembull: “lajmi” që kryetari Trump kishte hequr bustin e Martin Luther Kingut nga Zyra ovale.
– Ato janë deklaratat politike që sajohen për të krijuar “opinione të dyshimta”.
– Ato janë të “zbukuruara/të kozmetikëzuara” e të prodhuara nga gazetarët e mediave (jo)serioze me qëllim që të rritet vlera e një artikulli apo fotografieje. Shembull: Fotografia me tymin falso në luftën e Bejrutit. Reuters në vitin 2006 tërhoqi 920 fotografi të shkrepura nga fotografi, Adnan Hajj,. Si pasojë e “fake picture” fotgrafi dëbohet nga puna (BBC).
– Ato janë teori të konspiracionit në të cilat besojmë dhe, akoma më keq, edhe i shpërndajmë ato.
– Ato janë mbulesa partiake: me qëllime politike dhe ideologjike. Shembull: Shënjimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës thoshte se shënjimi i kufirit me Malin e Zi është në rregull, i saktë dhe se Kosova nuk humbet territor. Por ekspertët e pavarur argumentojnë tjetrën: Kosova humbi 8.230 metra katrorë territor, Mali i Zi fitoi 70.44 kilometra më shumë. Pstaj gënjeshtra për “ZAJEDNICËN” serbe, etj, etj.
– Aty është larguar diçka, është lënë jashtë apo është përjashtuar diçka e rëndësishme.
𝙈𝙪𝙣𝙙𝙚̈𝙨𝙞 𝙥𝙚̈𝙧 𝙜𝙖𝙯𝙚𝙩𝙖𝙧𝙞𝙣𝙚̈ 𝙖𝙥𝙤 𝙥𝙚̈𝙧 𝙥𝙤𝙡𝙞𝙩𝙞𝙠𝙚̈𝙣?
Lajmet e rreme janë sfiduese për gazetarinë. Jetojmë në një kohë ku kritika ndaj medias është shtuar dhe ku pabesia ndaj mediave në përgjithësi sa vjen e shtohet. Për shembull në debatet që u zhvilluan rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian (Brexit) dhe rreth zgjedhjeve për kryetar në SHBA, vërejmë se besueshmëria tek elita politike është e ulët.
Dhe, akoma më keq, mediat konsiderohen si pjesë e elitës. Këtu do të rikujtoj një sondazh të Reuters (2016) ku rezultatet tregojnë se vetëm një në tre (32 përqind) të norvegjezëve kanë besim tek gazetarët. Dhe, vetëm çdo i dyti norvegjez (46 përqind) beson në lajme.
𝐋𝐚𝐣𝐦𝐞𝐭 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐦𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐡𝐨𝐪𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐭𝐨𝐧𝐞̈?
Rreziku që shoqëria të keqinformohet, egziston. Sot është e vështirë të dallosh në mes të gazetarisë serioze dhe asaj gënjeshtare: gënjeshtër e mbështjellur në formën e lajmit. Kjo gazetari, e ky lajm, mund të krijoj një shoqëri të polarizuar e debat të barrikaduar. (Le të shikojmë hapsirën publike, debatet dhe komunikimin publik në Tiranë e në Prishtinë).
𝗜𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺𝗶 𝗻𝗲̈ 𝗹𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝘃𝗲̈𝗿𝘁𝗲𝘁𝗲̈ 𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗲̈ 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺 𝗻𝗲̈ 𝗺𝗶𝗿𝗲̈𝗾𝗲𝗻𝗷𝗲
Konsekuent deri në fund: Sa i rëndësishëm, sa i besueshëm e sa i sigurtë është lajmi sot?
Përgjigjja nuk është e lehtë por, një gjë është e saktë: nuk mund të ketë shoqëri pa “fake news” me politika e me institucione të korruptuara. Para se gazetarët dhe redaktorët të vlerësojnë vërtetësinë e teksteve, sigurinë e lajmeve dhe të reportazheve, ata duhet të vlerësojnë edhe sigurinë për jetën e tyre.
“𝑭𝒂𝒌𝒆 𝒏𝒆𝒘𝒔” 𝒆̈𝒔𝒉𝒕𝒆̈ 𝒃𝒆̈𝒓𝒆̈ 𝒂𝒓𝒎𝒊𝒌𝒖 𝒊 𝒓𝒊 𝒊 𝒔𝒉𝒐𝒒𝒆̈𝒓𝒊𝒔𝒆̈ 𝒔𝒐𝒏𝒆̈. 𝑫𝒖𝒉𝒆𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒑𝒋𝒆𝒌𝒖𝒓, 𝒎𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒂𝒅𝒉𝒆, 𝒑𝒆̈𝒓 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒂𝒓𝒓𝒆̈ 𝒎𝒐𝒏𝒐𝒑𝒐𝒍𝒊𝒏 𝒎𝒃𝒊 𝒕𝒆̈ 𝒗𝒆̈𝒓𝒕𝒆𝒕𝒆̈𝒏.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/04/2023

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk