𝐀𝐋𝐁𝐈𝐍 𝐊𝐔𝐑𝐓𝐈 – 𝐊𝐑𝐘𝐄𝐌𝐈𝐍𝐈𝐒𝐓𝐑𝐈 𝐐Ë 𝐈 𝐃𝐔𝐇𝐄𝐓 𝐊𝐎𝐒𝐎𝐕Ë𝐒

24
Dec
2025
Shkruan: Ibrahim Shala


𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐭 đ©đšđ«đ„đšđŠđžđ§đ­đšđ«đž 𝐝𝐡𝐞 đźđđĄĂ«đĄđžđȘ𝐣𝐚 đŹđĄđ­đžđ­Ă«đ«đšđ«đž
NĂ« sistemin demokratik shumĂ« partiak tĂ« demokracisĂ« euro amerikane, zgjedhjet parlamentare mbahen zakonisht nĂ« çdo katĂ«r vjet. Sistemi Ă«shtĂ« i ndarĂ« nĂ« dy pjesĂ« qĂ« nga zgjedhjet paraprake, nĂ« pozitĂ« dhe opozitĂ«. KĂ«to zgjedhje janĂ« njĂ« rast i mirĂ« kurĂ« votuesit, konkretisht popullata e moshĂ«s madhore ka mundĂ«si tĂ« vendosĂ« pĂ«r qeverisjen e vendit pĂ«r katĂ«r vjetĂ«t e ardhshme dhe pĂ«rmes tyre tĂ« pĂ«rcaktojĂ« drejtuesit e ardhshĂ«m tĂ« shtetit. NĂ« kohĂ«n e internetit, medias sociale dhe inteligjencĂ«s artificial edhe fushatat parazgjedhore kanĂ« ndryshuar. ËshtĂ« mundĂ«suar falsifikimi i tĂ« vĂ«rtetave, shtrembĂ«rimi i tyre, fantazia tĂ« paraqitet si realitet pĂ«rmes video montazheve, shpĂ«rndarja e lajmit tĂ« rremĂ« Ă«shtĂ« e shpejtĂ«, kurse pĂ«rgĂ«njeshtrimi gati i paefektshĂ«m. Prandaj nĂ« fushĂ«n e informacionit, qytetari duhet tĂ« bazohet nĂ« faktet e kapshme dhe tĂ« verifikueshme nga ai, tĂ« bazohet nĂ« intuitĂ«n e tij qĂ« nuk e ka mashtruar as mĂ« parĂ«, me qĂ«llim qĂ« tĂ« jetĂ« i saktĂ« dhe i drejtĂ« kurĂ« vendos pĂ«r qeverisjen e ardhme, pĂ«r jetĂ«n e vet dhe vendin e vet. Ai nuk duhet tĂ« ketĂ« nguti, gjithsecili duhet tĂ« bĂ«jĂ« analiza nĂ« kapacitetin e vet, duke krahasuar realitetin me propagandĂ«n, shpifjen me tĂ« vĂ«rtetĂ«n e dukshme dhe le tĂ« vendos me bindje pĂ«r vete dhe pĂ«r vendin, duke e zgjedhur dhe votuar liderin dhe partinĂ«, qĂ« mĂ« sĂ« shumti e pĂ«rmbushin vizionin e tij personal.
đŒđžđ«đąđ­đšđ­ 𝐝𝐡𝐞 đŻđ„đžđ«đšđ­ đ§Ă« 𝐬𝐡𝐹đȘĂ«đ«đą
VlerĂ«simi i njerĂ«zve nĂ« shoqĂ«ri e sidomos nĂ« fushata para zgjedhore, çdo herĂ« Ă«shtĂ« sfidues dhe kompleks, ata kryesisht vlerĂ«sohen nĂ« bazĂ« tĂ« meritave dhe vlerave qĂ« kanĂ« nĂ« shoqĂ«ri. Meritat janĂ« veprimet e njerĂ«zve pĂ«r njĂ« punĂ« tĂ« mirĂ«, qĂ« ka dhĂ«nĂ« efekte pozitive shoqĂ«rore, pĂ«r tĂ« mirĂ«n e ekipit, grupit, kombit ose njerĂ«zimit. Lojtari i mirĂ« i futbollit qĂ« siguroi fitoren pĂ«r ekipin kombĂ«tar, Ă«shtĂ« meritor qĂ« e qoi ekipin nĂ« finale. Johan Gutenmbergu Ă«shtĂ« meritor qĂ« e shpiku shtypshkronjĂ«n, AleksandĂ«r Flemingu Ă«shtĂ« meritor qĂ« e shpiku penicilinĂ«n. Po ashtu pĂ«r çlirimin e vendit meritor janĂ« ushtarĂ«t e UÇK-sĂ«, dĂ«shmorĂ«t e kombit dhe tĂ« gjithĂ« ata qĂ« sakrifikuan nĂ« luftĂ«n çlirimtare. Meritat janĂ« aktet e mĂ«dha qĂ« kanĂ« bĂ«rĂ« njerĂ«zit brenda njĂ« kohe tĂ« caktuar, ose veprimtari qĂ« u dihet fillimi dhe pĂ«rfundimi, ata qĂ« pĂ«r kohĂ«n kanĂ« bĂ«rĂ« ndryshimin e madh e qĂ« kanĂ« lĂ«nĂ« gjurmĂ«. NjerĂ«zit qĂ« kanĂ« ngelĂ« gjallĂ« pas kĂ«tyre kontributeve tĂ« mĂ«dha, gjithmonĂ« janĂ« sfiduar nga vazhdimi i mĂ« tejmĂ« i jetĂ«s, janĂ« sfiduar nga nevoja e dĂ«shmisĂ« sĂ« vlerave. NĂ« jetĂ«n normale morali shoqĂ«ror ka kĂ«rkuar, qĂ« kĂ«ta njerĂ«z tĂ« jenĂ« tĂ« mĂ«dhenj edhe nĂ« jetĂ«n e pĂ«rditshme, pĂ«r tĂ« dĂ«shmuar se kanĂ« vlera tĂ« larta njerĂ«zore. VetĂ«m heronjĂ«t dhe dĂ«shmorĂ«t, meritat dhe vlerat i shkrijnĂ« bashkĂ« pĂ«r gjithmonĂ«.
Në historitë e kombeve, në shoqëritë që kanë kaluar situata të rëndësishme historike, njerëzit meritor për këto kontribute, pasi bëheshin drejtues të vendit, për më tej nuk qanin kokën për vlera shoqërore. Në rrethanat e reja ata donin mirëqenien personale, pasurimin dhe dominimin e të tjerëve deri në nënshtrim. Këta njerëz nga deliri i madhështisë dhe lakmia personale tjetërsohen, për më keq edhe nuk e pranojnë tjetërsimin, devijimi i tyre fillon kur në vazhdimësi përpiqen, që meritën e dikurshme ta shesin për vlerë dhe kredi të pashtershme. Për këtë shitje të meritave në vend të vlerave, nuk janë fajtor vetëm ata, sepse oreksi është rritur duke ngrënë, fajtor është populli që e hanë këtë stërshitje, që e pranon këtë ndërrim të meritës së kaluar me vlerë të sotme. Populli gjithmonë duhet të jetë kritik dhe mos ta hajë sapunin për djathë, sepse ai sot është i emancipuar dhe nuk i mungon informacioni. Por më fajtor se populli, se qytetarët e zakonshëm, janë patriotët e shkolluar dhe klasa intelektuale, që nuk ju shpjegojnë njerëzve gjërat e kamufluara, jo duke i thjeshtuar, por duke i bërë të kuptueshme për të gjithë, duke qartësuar rrugën e duhur të interesit kombëtar dhe shtetëror. Të dyja këto qasje që janë shumë të ndërlidhura, janë fenomene që përbëjnë thelbin e sistemit të vlerave në shoqëri.
𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐱𝐬𝐭𝐞𝐩𝐱 𝐱 đŻđ„đžđ«đšđŻđž đ§Ă« 𝐬𝐡𝐹đȘĂ«đ«đą
NjĂ« komb dhe njĂ« shtet nuk e ka krizĂ«n mĂ« tĂ« madhe kur ka krizĂ« ekonomike, as kur situata e sigurisĂ« Ă«shtĂ« e brishtĂ«, njĂ« komb Ă«shtĂ« duke e kaluar gjendjen mĂ« tĂ« rĂ«ndĂ«, kur sistemin e vlerave shoqĂ«rore e ka nĂ« krizĂ«, kur qytetari nuk e di çka Ă«shtĂ« mĂ« e mirĂ« dhe mĂ« e drejtĂ« nĂ« rrethanat e caktuara. Shkenca dhe shtetet me traditĂ« sistemin e vlerave e kanĂ« rregulluar mĂ« herĂ«t, dhe ne shqiptarĂ«t nuk duhet tĂ« zbulojmĂ« ujĂ«t e ngrohtĂ« nga e para. Piramida e sistemit tĂ« vlerave nĂ« situata normale dhe shtetet stabile Ă«shtĂ« e ndarĂ« nĂ« dy shtylla, pĂ«r qytetarin dhe pĂ«r shtetin, qĂ« janĂ« vlerat bazĂ« dhe vlerat plotĂ«suese: “SidoqoftĂ«, pĂ«r qĂ«llime praktike, 8 vlerat bazĂ« (fuqia, pasuria, respekti, ndershmĂ«ria, mirĂ«qenia, dituria, aftĂ«sia dhe afeksioni) dhe 6 vlerat plotĂ«suese (sigurimi, liria, integriteti, dinjiteti, legjitimiteti dhe harmonizimi i perceptimeve) janĂ« nĂ« thelb tĂ« shumicĂ«s sĂ« interesave e tĂ« politikĂ«s qĂ« bazohet nĂ« interesin e qĂ« kanĂ« rĂ«ndĂ«si pĂ«r çështjet ndĂ«rkombĂ«tare”. /Karl Dojç. 1994. Analiza e MarrĂ«dhĂ«nieve ndĂ«rkombĂ«tare. Botim i tretĂ«. TiranĂ«. Shblu. f. 19./ Kuptohet qartĂ« se kur Ă«shtĂ« fjala pĂ«r shtetin tri janĂ« vlerat kryesore: siguria, liria dhe integriteti, vlera dhe renditja e tyre nuk guxojnĂ« tĂ« ndryshojnĂ«. Vendi ndodhet nĂ« krizĂ« tĂ« rĂ«ndĂ« nĂ« momentin kur piramida e sistemit tĂ« vlerave kthehet me kokĂ« poshtĂ«, atĂ«herĂ« kur jo meritorĂ«t dhe njerĂ«zit pavlera imponohen si liderĂ« dhe drejtues. Kur barazohet i miri me tĂ« keqin, trimi me frikacakun, besniku me tĂ« pabesin, patrioti me tradhtarin, i dituri me tĂ« pa diturin, spiuni me patriotin, hajni me tĂ« ndershmin, i moralshmi me tĂ« pa moralshmin, njeriu i sakrificĂ«s me pĂ«rfituesin, punĂ«tori me pa punĂ«torin, i varfĂ«ri me tĂ« pasurin, e bardha me tĂ« zezĂ«n, e kĂ«shtu me radhĂ«.
Kaosit të vlerave për më tej i kontribuon mos ndëshkimi i shpifjes publike, media dhe portalet që mbrojnë shpifjen duke u thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e burimit të informacionit, pa i dhënë mundësinë e ballafaqimit të rrenës me të vërtetën, relativizmi i së vërtetës ngatërron gjuhën e komunikimit brenda kombit, i hap rrugë tensionimit të brendshëm në mes kundërshtarëve politik. Të gjitha këto fenomene dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin sepse ia imponojnë popullit një moral të rrejshëm, një gjendje shpirtërore që të mos ketë besim në asgjë, as në vlerat me të cilat ka mbijetuar me shekuj, sa të arrijë në atë gjendje që mos ta gjejë rrugën në oborr. Vetëm kështu përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën kombit dhe vendit, qofshin keqbërës të brendshëm apo të jashtëm.
Të gjitha këto veti janë tregues të vlerave të njeriut në shoqëri, janë ato cilësi që duhet të dëshmohen gjatë tërë jetës, ato nuk janë një akt i izoluar, nuk janë në kohë të kufizuara sikur meritat. Përfundimi logjik është se drejtues të shtetit dhe vendit e meritojnë të jenë në çdo rrethanë, vetëm ata individ që në vete mbartin vlerat kryesore të kombit tonë, ato vlera që na bëjnë të jemi të ndryshëm dhe më të mirë nga të tjerët.
Ă‡đŸđšđ«Ă« đđ«đžđŁđ­đźđžđŹ 𝐱 𝐝𝐼𝐡𝐞𝐧 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐱𝐭 𝐬𝐹𝐭?
Në një situatë të ngërçit politik dhe të krizës morale, në sistemin demokratik pluralist mekanizmi më i mirë i mundshëm, për të marrë kthesën për mirë janë zgjedhjet parlamentare. Kur votuesi e ka kuptuar gjendjen e ngërçit dhe bllokimit të qeverisjes së shtetit, kur i ka identifikuar edhe shkaktarët e saj, atëherë duke u bazuar në intuitën e përvojës ai duhet të zgjedhë më të mirët, ata që kanë dhënë prova në të kaluarën dhe që sot janë në drejtimin e duhur. Po e ritheksojmë se zgjedhjet parlamentare janë mekanizmi i vetëm demokratik që mund të ndërrojnë garniturën drejtuese të shtetit përmes votimit, prandaj zgjedhjet parlamentare gjithmonë janë mundësi e jashtëzakonshme për më mirë. Po sot çfarë drejtues i duhen Kosovës, pasi që nga përfundimi i luftës çlirimtare e kemi konfliktin e hapur në shumë fusha me Serbinë? Kur kemi një dialog të vazhdueshëm të imponuar nga ndërkombëtarët, duke i ofruar Kosovës herë karotën e herë shkopin.
NĂ« situatĂ«n kur Serbia pĂ«rsĂ«rit vazhdimisht kĂ«rkesĂ«n pĂ«r kompromise tĂ« reja nga ky dialog, kur vazhdimisht shprehet se Kosova Ă«shtĂ« Serbi, dhe pĂ«r tĂ« realizuar kĂ«tĂ« objektiv tĂ« rikthimit pĂ«rmes Veriut tĂ« KosovĂ«s, ka bĂ«rĂ« sulme tĂ« armatosura nĂ« territorin e KosovĂ«s, si rasti i BanjskĂ«s mĂ« 24 shtator tĂ« 2023, kur bĂ«nĂ« vepra terroriste subversive sikur hedhje nĂ« erĂ« e kanalit IbĂ«r – Lepenc me 29 nĂ«ntor 2024 dhe shumĂ« plane tĂ« tjera qĂ« ju kanĂ« djegur para se tĂ« vepronte. NĂ« kĂ«to rrethana me kĂ«rcĂ«nim tĂ« pĂ«rhershĂ«m nga Serbia, kuptohet se KosovĂ«s nuk i duhen drejtues tĂ« shtetit, qĂ« nĂ« emĂ«r tĂ« fqinjĂ«sisĂ« sĂ« mirĂ« me pushtuesin dhe xhelatin e kombit tonĂ«, si pa tĂ« keq thonĂ« “SerbisĂ« duhet ti ofrohet tavolinĂ« suedeze, le tĂ« merr çka tĂ« dojĂ«, tĂ« qetĂ«sohemi njĂ«herĂ« me SerbinĂ« dhe pastaj mund tĂ« zhvillohemi si KosovĂ«â€. KosovĂ«s nuk i duhen liderĂ« qĂ« pranojnĂ« edhe dĂ«mtimin e KosovĂ«s, me kushtin e turpshĂ«m qĂ« vetĂ«m Albin Kurti tĂ« mos jetĂ« nĂ« qeveri, kĂ«to qĂ«ndrime dhe kjo veprimtari janĂ« anti kombĂ«tare dhe antishtetĂ«rore. Kjo Ă«shtĂ« frymĂ« anti shtet dhe kapitulluese, drejtues qĂ« pĂ«rfaqĂ«sojnĂ« kĂ«tĂ« vijĂ« politike nuk i duhen KosovĂ«s, as sot e as nesĂ«r. KosovĂ«s i duhen drejtues tĂ« vendit qĂ« e forcojnĂ« shtetin, qĂ« forcojnĂ« strukturat e sigurisĂ« pĂ«r tĂ« mbrojtur vendin, drejtues qĂ« nuk i nĂ«nshtrohen presionit, qĂ« nuk kanĂ« biografi tĂ« lĂ«ndueshme dhe qĂ« nuk i nĂ«nshtrohen shantazhit me asnjĂ« çmim.
đ€đ„đ›đąđ§ đŠđźđ«đ­đą đ„đąđđžđ« 𝐱 đđźđĄđźđ«, đ§Ă« 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐱𝐧 𝐝𝐡𝐞 đ€đšđĄĂ«đ§ 𝐞 đđźđĄđźđ«
NĂ« kĂ«tĂ« drejtim dĂ«shmi tĂ« pa kontestueshme ka dhĂ«nĂ« Kryeministri i QeverisĂ« sĂ« KosovĂ«s dhe Kryetar i LVV-sĂ« Albin Kurti, prandaj Ă«shtĂ« momenti qĂ« nĂ« kĂ«to zgjedhje vota ti jepet atij. TĂ« fuqizohet vendimmarrja e tij nĂ« qeverinĂ« e ardhshme, duhet tĂ« votohet edhe nga ata qĂ« kanĂ« hezituar, edhe nga ata qĂ« nuk kanĂ« dalĂ« nĂ« votime nĂ« zgjedhjet e kaluara, duhet ta votojnĂ« edhe tĂ« rinjtĂ« qĂ« kanĂ« fituar tĂ« drejtĂ«n e votĂ«s nĂ« muajt shkurt – dhjetor gjatĂ« kĂ«tij viti. Zgjedhjet parlamentare çdo herĂ« janĂ« tĂ« rĂ«ndĂ«sishme, por kĂ«saj here janĂ« mĂ« tĂ« rĂ«ndĂ«sishme pĂ«r shkak tĂ« situatĂ«s sĂ« sigurisĂ« nĂ« vend, nĂ« Ballkan dhe regjion. Kjo pasiguri vjen nga ndikimi i luftĂ«s nĂ« UkrainĂ«, dhe nga pĂ«rpjekjet e SerbisĂ« tĂ« pĂ«rfitojĂ« nga kjo rrethanĂ«, qoftĂ« pĂ«rmes kĂ«rcĂ«nimit direkt, qoftĂ« pĂ«rmes gatishmĂ«risĂ« sĂ« rreme pĂ«r bashkĂ«punim me EvropĂ«n dhe SHBA-tĂ« nĂ« dĂ«m tĂ« KosovĂ«s. Prandaj KosovĂ«s i duhen liderĂ« tĂ« fortĂ«, burrĂ«shtetas tĂ« vĂ«rtetĂ«, njerĂ«z me moral dhe integritet tĂ« fortĂ«. PĂ«rkundĂ«r faktit se disa politikan matrapaz thonĂ« se politika nuk ka moral, por ka vetĂ«m interesa, nĂ« fakt politika ka moral edhe shumĂ«, por janĂ« ata vetĂ« qĂ« nuk kanĂ« moral. LiderĂ« qĂ« vĂ«nĂ« interesin personal mbi interesin e Atdheut dhe tĂ« shtetit nuk i duhen KosovĂ«s.
Prandaj nĂ« qasjen pĂ«r tĂ« zgjedhur njeriun e duhur, çdo herĂ« janĂ« me rĂ«ndĂ«si virtyti i liderit tĂ« shtetit dhe vizioni qĂ« ai ka pĂ«r vendin, bashkĂ« me vendosmĂ«rinĂ« dhe guximin pĂ«r tĂ« ecur pĂ«rpara. “IndividĂ«t janĂ« aktorĂ«t e vetĂ«m tĂ« vĂ«rtetĂ« nĂ« marrĂ«dhĂ«niet ndĂ«rkombĂ«tare. … NĂ« tĂ« vĂ«rtetĂ«, vendimet vetjake pasqyrojnĂ« vlerat e besimit tĂ« vendimmarrĂ«sit. … Sistemet e besimit tĂ« udhĂ«heqĂ«sve politikĂ« ndikojnĂ« mbi mĂ«nyrĂ«n se si ata e interpretojnĂ« informacionin …”. /Joshua S. Goldstein.2003. MarrĂ«dhĂ«niet ndĂ«rkombĂ«tare. TiranĂ«. Dituria. f. 170./ Kosova ka nevojĂ« pĂ«r patriotizĂ«m shtetĂ«rorĂ«, pĂ«r liderĂ« tĂ« fortĂ«, tĂ« mençur dhe vizionar, krahas analizĂ«s sĂ« tĂ« dhĂ«nave dhe informacionit tĂ« kohĂ«s, qĂ« sheh shumĂ« mĂ« larg se bashkĂ«kombĂ«sit dhe qĂ« beson nĂ« atĂ« qĂ« sheh, sepse pĂ«rvoja dhe intuita ja ka dĂ«shmuar se ka pasur tĂ« drejtĂ« nĂ« pĂ«rcaktimet e tij, pavarĂ«sisht qĂ« ato nuk kanĂ« qenĂ« tĂ« lehta dhe tĂ« shpejta. Prandaj Kosova nĂ« kĂ«to rrethana tĂ« turbullta dhe kĂ«rcĂ«nuese, ka ende nevojĂ« qĂ« ta ketĂ« Albin Kurtin nĂ« krye tĂ« shtetit, ta ketĂ« edhe njĂ« mandat pĂ«r KryeministĂ«r, qĂ« ta bĂ«jĂ« KosovĂ«n shtet tĂ« sĂ« drejtĂ«s, shtet tĂ« zhvilluar dhe tĂ« fuqishĂ«m. Vota pĂ«r Albin Kurtin nĂ« kĂ«to zgjedhje Ă«shtĂ« votĂ« pĂ«r KosovĂ«n, Ă«shtĂ« votĂ« pĂ«r shtet, Ă«shtĂ« votĂ« pĂ«r integritetin dhe sovranitetin e RepublikĂ«s sĂ« KosovĂ«s.
Ibrahim Shala, politolog dhe ekspert i sigurisë.
24 dhjetor 2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/12/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk