Këto fjalë që po i lexoni sipër janë “liçno” të Hashim Thaçit, asokohe kryetar i PDK-së. Jemi në vitin 2015; Është pra zezdita ku ai shpall armik të Kosovës dhe UÇK-së çdo kundërshtar logjik të Gjykatës Speciale.
Këto fjalë ishin thirrje dramatike që bienin ndesh me frymën e çlirimit, demokracisë dhe idealeve mbi të cilat u ndërtua UÇK-ja, apo jo?
Të nderuar,
Asnjë lider tjetër në botë nuk ka dëmtuar procesin e shtetndërtimit të vendit të tij në mënyrë kaq të rëndë e të pandreqshme si Hashim Thaçi.
Në vend që të udhëhiqte me përgjegjësi dhe dinjitet pas shpalljes së pavarësisë, ai u korruptua dhe ndihmoi në krijimin e një gjykate një-etnike që shigjeton ish-luftëtarët e UÇK-së dhe mentalitetin kolektiv të kombit shqiptar. Ky njeri, ky kryetar shteti e kryetar partie, ka kriminalizuar një nga periudhat më heroike e më krenare të historisë së popullit shqiptar.
E kemi thënë, kritikuar dhe argumentuar shumë qartë e thjeshtë se, kjo gjykatë nuk është një institucion drejtësie që përmbushë standardet ndërkombëtare të paanësisë dhe drejtësisë universale. Kjo gjykatë ishte, dhe është, një rezultat i presionit të Thaçit dhe një mekanizëm për të shpëtuar kokën e tij nga pasojat e mundshme të hetimeve ndërkombëtare.
Në krahasim me liderët e tjerë të vendeve në tranzicion, Thaçi ka treguar një mungesë të theksuar të përgjegjësisë shtetërore. Mendoni për Nelson Mandelën, i cili, edhe pas dekadash burgimi të padrejtë, punoi për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Ose për liderë si Vaclav Havel, të cilët udhëhoqën me moral dhe integritet.
E ky, Thaçi pra, veproi për interesa personale dhe përfitime të ngushta politike, duke dëmtuar edhe më rëndë “fotografinë ndërkombëtare” të Kosovës; duke e vendosur Kosovën në pozita shumë të palakmueshme, të keqe dhe të brishta diplomatike.
Të dashur,
Një nga pyetjet më të mëdha që ngrihet sot tek intelektualët e ndershëm dhe të pablerë është:
1. Pse nuk ka një gjykatë ndërkombëtare për krimet e Ushtrisë Serbe dhe aparatit të Millosheviqit?
2. Pse viktimat e masakrave në Kosovë nuk kanë parë drejtësi?
Përgjigjja është e thjeshtë: sepse liderët e sojit si Thaçi & Co, për të shpëtuar veten, kanë pranuar kompromise që shkojnë në dëm të drejtësisë historike dhe të sakrificave të popullit të vet.
N’vend që të luftonte për drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, feje, kombi a regjioni, Thaçi kontribuoi në ndarjen e drejtësisë në baza etnike, duke lejuar që historia të shkruhet nga ‘fituesit e momentit’ dhe jo nga të vërtetat e përgjakshme të luftës liridashëse të popullit shqiptar.
E gjithë kjo situatë që po ndodhë sot në Kosovë është një sherr-produkt i epsheve të Thaçit dhe klanit të tij të etshëm për pushtet e për luks.
Edhe sot, këto mbetje politike, me makinerinë e tyre propagandistike, po tentojnë të shtrëmbërojnë realitetin, të shfajësojnë veten dhe të manipulojnë ndërgjegjen publike.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!