Pjesa e II
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Ngjarja e 21 gushtit 1944 në fshatin Vig të Mirditës është një nga episodet më të njohura të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Aty ranë pesë partizanë të rinj të Batalionit “Perlat Rexhepi”. Ata luftuan deri në plumbin e fundit kundër xhandarmërisë vendore që i kishte zënë pritë
..Pas lufte, u shpallën “Heronj të Popullit” dhe figura e tyre u ngrit në simbol të qëndresës antifashiste. Por përtej qendrimin të ndërtuar gjatë regjimit komunist, ngjarja duhet parë dhe në kontekstin e gjerë historik: autonomia tradicionale e Mirditës, roli i klerit katolik, e kapedanit Gjon Marka Gjoni, qeverisë së Rexhep Mitrovicës dhe strategjisë së komandës gjermane.
—
1. Mirdita dhe veçantia e saj historike
Mirdita kishte një identitet të veçantë në krahasim me krahinat e tjera shqiptare:
Tradita e Kanunit të Lekë Dukagjinit ruante një formë vetëqeverisjeje.
Kleri katolik kishte rol të fuqishëm shoqëror dhe shpirtëror, duke ruajtur lidhje me Vatikanin dhe dihej hapur qendrimi antikomunist, sepse komunizmi si doktrinë ishte kundër fesë…!
Kapedani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, ishte autoritet pothuajse absolut në krahinë.
Për këtë arsye, pushtuesit italianë dhe më pas gjermanë preferuan të mbështeteshin te autoritetet vendore. Historiani Kristo Frashëri thekson se krahinat malore shpesh mbetën jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për shkak të strukturës së tyre tradicionale.
—
2. Pushtimi italian dhe gjerman
Pas prillit 1939, Italia fashiste kontrolloi qytetet dhe rrugët kryesore, ndërsa Mirdita mbeti kryesisht nën administrimin e vetë kapedanit, Italianët nuk vendosën garnizone në fshatrat e thella.
Pas kapitullimit të Italisë (shtator 1943), Shqipëria u pushtua nga gjermanët. Në nëntor 1943 u krijua qeveria e Rexhep Mitrovicës, me Xhafer Devën ministër të Brendshëm, i cili kontrollonte xhandarmërinë dhe policinë. Prefektura e Shkodrës mbulonte edhe Mirditën dhe drejtonte xhandarët lokalë.
Në praktikë, gjermanët nuk kryen drejtpërdrejt operacione të vogla në Mirditë; ata i lejonin dhe inkurajonin forcat shqiptare të rendit të luftonin partizanët, duke i mbështetur vetëm kur ishte e nevojshme.
—
3. Qëndrimi i klerit dhe i kapedanit
Kleri katolik e konsideronte komunizmin rrezik për fenë dhe traditën, ndaj predikonte shmangien e konfliktit të hapur me gjermanët.
Gjon Marka Gjoni, kapedani i Mirditës, mbajti qëndrim pragmatik: pranoi marrëdhënie me italianët dhe gjermanët për të mbrojtur autonominë e krahinës, por njëkohësisht u shfaq i vendosur kundër depërtimit partizan. Historiani Owen Pearson thekson se gjermanët shpesh mbështeteshin te autoritetet tradicionale për të penguar shtrirjen e komunizmit.
Kjo klimë politike ndikoi në veprimet e xhandarëve dhe krijoi terrenin për ngjarjen e Vigut.
—
4. Pesë Heronjtë e Vigut dhe ngjarja e 21 gushtit 1944
Pesë partizanët e Batalionit “Perlat Rexhepi” ishin:
Ahmet Haxhia (18 vjeç, Shkodër)
Hydajet Lezha (24 vjeç, Lezhë)
Naim Gjylbegu (24 vjeç, Shkodër)
Ndoc Deda (26 vjeç, Milot)
Ndoc Mazi (24 vjeç, Shkodër)
Më 21 gusht 1944, ata u rrethuan në fshatin Vig nga xhandarët e Komunës së Kalivaçit, të komanduar nga Pjetër Llesh Gjegjani. Pas disa orësh luftime, ata refuzuan të dorëzoheshin dhe u vranë të gjithë.
Ngjarja u ngrit në simbol nga propaganda antifashiste, duke u përjetësuar më vonë në libra, këngë, filma dhe monumente.
—
5. Përgjegjësia dhe roli i aktorëve
Xhandarët shqiptarë: ekzekutorët e drejtpërdrejtë të pritës, në vartësi të Prefekturës së Shkodrës dhe Ministrisë së Brendshme.
Komanda gjermane: edhe pse nuk mori pjesë drejtpërdrejt, kishte dijeni dhe e toleronte një aksion të tillë, pasi ishte në linjë me strategjinë e tyre për të përdorur forcat vendore kundër partizanëve.
Kapedani Gjon Marka Gjoni: nuk del si organizator i drejtpërdrejtë, por autoriteti i tij mbi krahinën dhe qëndrimi i tij antikomunist ishin faktorë vendimtarë.
—
6. Luftë civile apo akt shtetëror?
Një nga debatet më të mëdha mbi ngjarjen e Vigut është pyetja: a ishte kjo një përplasje e një lufte civile shqiptare, apo një akt shtetëror i një qeverie kuislinge?
Pretendimi për “luftë civile”: disa autorë e kanë trajtuar ngjarjen si përplasje mes shqiptarësh, pra partizanë kundër xhandarëve dhe mirditorëve, duke e lexuar si konflikt vëllavrasës. Ky interpretim tenton të relativizojë dimensionin e okupacionit.
Realiteti historik: pesë heronjtë nuk u vranë nga fshatarët apo nga ndonjë hakmarrje lokale, por nga njësi të xhandarmërisë shtetërore, të komanduar nga autoritete të njohura dhe të lidhura me qeverinë e Rexhep Mitrovicës dhe Ministrinë e Brendshme të Xhafer Devës që dallohej si një antikomunist ekstremist.
Përfshirja indirekte e gjermanëve: edhe pse nuk ishin në terren, komanda gjermane kishshte dijeni dhe nuk e penguan aksionin, sepse ishte në linjë me politikat e tyre të kontrollit.
Kështu, vrasja e pesë partizanëve duhet të kuptohet jo si akt “lufte civile” në kuptimin e pastër, por si aksion i një aparati shtetëror të një qeverie kuislinge, të varur nga gjermanët. Ishte një veprim i kryer në rrugë zyrtare – nga xhandarë të organizuar, jo nga milici të rastit.
Ky dallim është thelbësor: e vendos ngjarjen brenda logjikës së okupacionit dhe rezistencës, dhe jo thjesht të një përplasjeje shqiptare-shqiptare.
—-
Përfundime: Ngjarja e Vigut më 21 gusht 1944 është një shembull i sakrificës partizane, por edhe një pasqyrë e realitetit të ndërlikuar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo tregon përplasjen e tre botëve:
1. Partizanët e Batalionit “Perlat Rexhepi”, që kërkonin të shtrinin influencen e luftës antinaziste në Mirditë.
2. Forcat vendore tradicionale (xhandarët, kapedani kleri), që e shihnin komunizmin si kërcënim.
3. Gjermanët, që përdornin qeverinë kuislinge dhe strukturat lokale për të ruajtur rendin.
Pesë të rinjtë – Ahmet Haxhia, Hydajet Lezha, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda dhe Ndoc Mazi – mbetën simbole të qëndresës antifashiste. Vrasja e tyre nuk ishte thjesht një përplasje e një lufte civile të brendshme, por një akt i kryer nga aparati shtetëror i një qeverie kuislinge, i lidhur me pushtuesin gjerman. Pikërisht kjo e bën ngjarjen një nyje ku bashkohen heroizmi, tradita dhe përplasja për modelin e Shqipërisë së së ardhmes.
—
BURIMET:
1. Kristo Frashëri, Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, 1941–1944 (Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH, 1964), 215.
2. Arben Puto, Shqipëria Politike 1912–1991 (Tiranë: Toena, 2009), 342.
3. Owen Pearson, Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism, 1940–1945 (London: I.B. Tauris, 2006), 178.
4. Puto, Shqipëria Politike, 343.
5. Pearson, Albania in Occupation and War, 180.
6. “5 Heronjtë e Vigut”, Wikipedia shqip, vizituar më 22 gusht 2025.
7. Po aty.
8. Marenglen Kasmi, Gjermanët në Shqipëri 1943–1944 (Tiranë: Dituria, 2012), 119.
9. Owen Pearson, Albania in Occupation and War, 277–278.
10. Po aty, 280.
_____
Autori Kol Marku
22.Gusht 2025.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
