Në prill të vitit 1953 diktatori jugosllav, Titoja famëkeq…!

02
Nov
2025
Shkruan : Arbër Zaimi


Në prill të vitit 1953 diktatori jugosllav, Titoja famëkeq, priti në takim në Beograd një diplomat nga Kosta Rika me emrin Teodoro Castro. Castroja qe emëruar para pak muajsh si ambasador i shtetit të tij për Italinë dhe Jugosllavinë, dhe mbante selinë në Romë, por kishte për mision të avanconte raportin edhe me Jugosllavinë.
Nga shënimet e takimit në “Pallatin e Bardhë” – të përdorur si seli nga familja mbretërore serbe e më pas nga Tito e deri te Millosheviçi – merret vesh se Castroja kishte ofruar marrëveshje interesante tregtare: Kosta Rika do t´i shiste Jugosllavisë kafe e kakao nga më cilësoret në botë, në këmbim do të merrte makineri industriale të prodhimit jugosllav.
Titos duket se i ishte dukur i këndshëm diplomati sqimatar e i kulturuar kostarikan, i cili ishte afër të dyzetave. Por i kishte bërë përshtypje se Castroja sikur e tepronte me lajka.
Teodoro Castroja u takua disa herë me Titon, por siç thamë shumicën e kohës qëndronte në ambasadë në Romë, bashkë me familjen. E pa kaluar një vit ambasadori Castro bashkë me familjen u zhdukën, gjë që shkaktoi jo pak habi e alarm në qarqet e sigurisë e ato gazetareske.
Në fakt Teodoro Castro as nuk kishte qenë kurrë në Kosta Rika, edhe pse ishte faktikisht ambasador i atij vendi. Emri i tij i vërtetë ishte Josif Griguleviç, agjent sovjetik (hebre nga Lituania), i cili kishte kryer jo pak misione të rëndësishme për Stalinin në Amerikë Latine e vende të tjera, kryesisht në Meksikë ku kishin vrarë Trockin e trockistë të tjerë, po edhe në Argjentinë e gjetiu. Ky Griguleviçi gjatë shërbimeve të tij të spiunazhit e kishte përvetësuar me studim rigoroz kulturën dhe historinë e atyre anëve dhe ishte infiltruar në qarqe me influencë përmes identiteteve të tij të rreme, duke arritur të marrë edhe emërimin ambasadorial. Stalini vetë i kishte dhënë Griguleviçit misionin për të vrarë Titon – mision të cilit spiuni iu afrua shumë, e mbase do ta kishte arritur qëllimin, po të mos kishte vdekur vetë Stalini e po të mos ishte thirrur në bazë nga KGB-ja. Më pas Griguleviçi u bë historian dhe profesor universitar, e shkroi shumë libra për dijet historike e filologjike të përftuara gjatë shërbimeve, por jo aq për dijen kryesore për të cilën paguhej.
Stalini donte ta eliminonte Titon pas prishjes së raportit mes dy shteteve në vitin 1948. U quajt “Konflikti i informbyrosë”, sepse u evidentua nga mosvajtja e Jugosllavisë në mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste. Shqipëria as që ishte e ftuar në atë mbledhje, megjithatë kur ndodhi çarja Tito-Stalin ajo nxitoi të shkëputej sa më parë nga fqinji verior i cili kishte filluar të dominonte e të mos linte hapësirë për sovranitet. Si pasojë e rreshtimit të Shqipërisë me kundërshtarin e tij gjeopolitik, Titoja filloi të hakmerret mbi shumë shqiptarë të Jugosllavisë, njerëz të shquar e me pozita të cilët u akuzuan si stalinistë e si informbyroistë thjesht pse dëshironin e angazhoheshin për raport të hapur e preferencial me Shqipërinë. Ndër të parët që u eleminuan në ato vite ishin Rifat Berisha, zv.kryesuesi i Kuvendit të Bujanit, apo Nexhat Agolli, zv.kryeministri i Maqedonisë. Nisi një periudhë shumë represive që zgjati thuajse një dekadë, udhëhequr nga ministri mizor Rankoviçi. Qindra shqiptarë të Jugosllavisë u burgosën si stalinistë në kampe çnjerëzore si Goli Otoku, e shumë syresh u eleminuan, thjesht pse donin Shqipërinë siç qe më e natyrshme. Krah kësaj Jugosllavia shpeshtoi aktivitetin diversant në Shqipëri, dhe filloi të strehonte të arratisur nga Shqipëria që jo rrallë ishin bashkëpunëtorë e ish-agjentë të saj.
Edhe pse ata ishin ndër më të shumtit, nuk e pësuan vetëm shqiptarët vrullin “antistalinist” të Titos. Pati edhe shumë malazezë te cilët nuk e donin arrogancën serbe e kërkonin më shumë autonomi brenda federatës. Disa nga ata menduan se duke mbajtur anën e Stalinit, do të dobësonin Titon, por kjo nuk ndodhi. Pati edhe kroatë që u persekutuan për “stalinizëm”, psh. i dërguari i fundit i Jugosllavisë në Tiranë, Velimir Stojniçi, i cili kishte mision të disiplinonte Shqipërinë që të mos shkonte pas Rusisë, por pasi dështoi u dënua e u disiplinua edhe vetë, mbase me dyshimin se ishte ndikuar nga Shqipëria ku qëndroi jo fort gjatë. Kuptohet, edhe kroatët jo se ishin “stalinistë” për ndonjë arsye doktrinore a filozofike, thjesht kërkonin hapësirë për planin e tyre kombëtar, e pragmatizmi i bënte të konsideronin si të vlefshme çdo mundësi që dukej se dobësonte Beogradin.
Të gjithë këta nuk e dinin punën e Teodoro Castros, sepse kjo u publikua shumë më vonë. Por po ta kishte arritur Castro-Griguleviçi qëllimin duke hequr qafe Titon, do ishin gëzuar besoj. E përsërisim edhe një herë, jo pse ata donin Stalinin apo stalinizmin më shumë se Titon, por se historia zakonisht nuk të vendos përpara opsionesh ideale e imediate për ta ishte çlirimi prej opresorit më të afërt. Në ato kohë gjithsesi të errëta e labirintike, për antititistët shqiptarë, malazezë, kroatë – të cilët përgjithësisht ishin majtistë sepse djathtistët ose ishin vrarë ose ishin jashtë vendit – një farë udhërrëfyesi që gabonte më rrallë, ishte çështja e kombit.
Sidoqoftë, le të merren më gjerë historianët me këto punë, por pyetja që shtroj unë, kur krahasoj spiunët e sotmë që dalin nëpër media si analistë me këta klasikët si puna e Griguleviçit është: Si ka mundësi që ka rënë kaq shumë niveli i inteligjencës së spiunëve? Me njerëz të tillë si këta që bërtasin në studio televizive dhe mballosin exit polle, po duken si sherbime idiote më shumë se si shërbime inteligjente. Apo mos vallë, këtej nga ne, përgjithësisht duke mos u arrestuar e duke u toleruar puna e tyre haptazi, i ka rënë çmimi këtij shërbimi dhe si përfundim rekrutohen ata që nuk kushtojnë shumë?

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/11/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk