Në ditë vjeshte unë dhe Fadil Shyti në Malme të Suedisë vendosëm të vizitojmë mikun tonë, Xhemil Zeqirin, matanë detit – në Kopenhagë. Atje shkohet me automjet, me tren: herë mbi urë, herë nën ujë, dhe sakaq dukemi në qendër të Kopenhagës. Kjo urë e gjatë me harqe qiellore dhe me rrjeta që kacavaren porsi rrezet e diellit prej majës së shtyllave dhe shtrihen në drejtim të detit Baltik, lidh dy vende me tradita miqësore: Suedinë me Danimarkën; ndërkohë që vendet ballkanike një shekull me radhë ndërtojnë mure diplomatike me synim për të penguar bashkëpunimin kulturor dhe ekonomik të popujve.
Në televizionin suedez dhe danez, shpeshherë shfaqen filma artistikë e dokumentarë danezë e suedezë, sa që qytetarët e dy vendeve fqinje e kanë vështirë të dallojnë se cila qendër televizive është. Dhe ky bashkëpunim kulturor nuk ndalet, qysh tani kinematografia daneze do të përgatisë një film të madh për shkrimtaren e mirënjohur suedeze, Astrid Lindgren. Siç dihet, kjo shkrimtare me librin dhe filmin e saj, “Pipi çorapegjata”, i pushtoi fëmijët e mbarë botës.
Unë them se politikanët janë peshkaqenë, kurse miku im, Fadil Shyti, thotë se peshkaqenët janë më të butë se politikanët e Bashkimit Evropian. Mbase e thotë me ironi. Prej mikut tonë, Xhemil Zeqirit, në Kopenhagë, kërkuam të vlerësojë se cili prej nesh kemi të drejtë, unë apo Fadili? Të nesërmen Xhemili, si njohës i diplomacisë kombëtare e ndërkombëtare, më shkroi se nuk ka asnjë dyshim që peshkaqenët janë më të rrezikshëm se politikanët, sepse prej peshkaqenit sado të pafajshëm të jenë, sapo njerëzit ta shohin, do të marrin arratinë, kurse prej politikanit sado i rrezikshëm të jetë askush nuk ikën, vetëm pse këta të fundit i ngjanë njeriut me dy këmbë.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Xhemil Zeqiri, nga Tetova ka qenë i ndjekur prej organeve të pushtetit jugosllav për shkak të pjesëmarrjes në Demonstratat Shqiptare të vitit 1981, ndaj detyrohet të emigrojë jashtë vendit. Miqësia e madhe e Xhemilit më së miri mund të lexohet në poemën “Miku im me shpirt floriri” që ia kushtoi poeti i lavdishëm – Hysni Milloshi. Xhemili është themelues i faqes elektronike diplomacia.dk, të cilën unë dhe Fadil Shyti e furnizojmë me lajme dhe ngjarje diplomatike për gjendjen e mbarë popullit shqiptar. Prandaj faqja jonë diplomatike është mbështetëse e flaktë e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, është kulla e fenerit për bashkimin e tokave shqiptare.
Dy lexues e kritikuan faqen diplomacia.dk i pari kritikoi poetin dhe publicistin, Fadil Shyti, pse kishte botuar poezinë kushtuar Enver Hoxhës, ndërsa lexuesi i dytë e kishte kritikuar publicistin, Xhemil Zeqirin, që fliste për partizanët e Enver Hoxhës, pse nuk kishin bashkëpunuar me ballistët. Kuptohet që këto pyetje të lexuesve dolën si kërcënim kundër dy veprimtarëve të çështjes kombëtare shqiptare – Xhemilit dhe Fadilit. Tani nuk dihet nëse lexuesit e urrenin LNÇ të Shqipërisë vetëm për inat pse nuk ka bashkëpunuar me Ballin Kombëtar apo e urrenin pse ishte lëvizje partizane që kishte luftuar për çlirimin e vendit nga pushtuesit italian e gjerman. Vlen të përmendet se gjatë Luftë së Dytë Botërore, kur Aleanca e SHBA, Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik luftonin kundër fashizmit gjerman e italian, Muharrem Bajraktari luftonte në krah me çetnikun – Drazha Mihajloviq.
Duket qartë që lexuesit tregonin urrejtje ndaj autorëve të shkrimeve vetëm pse e nderonin Komandantin e LNÇ dhe udhëheqësin e RPSh – Enver Hoxhën. Sipas kritikës shihet se lexuesit nuk pranojnë të ecin me Fadilin dhe me Xhemilin apo me cilindo dashamir të Enver Hoxhës në drejtim të bashkimit kombëtar. Padyshim që lufta për çlirim të plotë dhe bashkim të fuqishëm kombëtar është e gjatë dhe me pasoja, kuptohet që pushtuesi serb fiton kohë dhe mjete diplomatike për ripushtimin e Kosovës, si dhe daljen e saj në detin shqiptar. Të kemi parasysh se Shqipëria me Kosovën është e fortë si në fushën ekonomike ashtu edhe në mbrojtjen luftarake, prej nga Serbia me Greqinë bëjnë çmos që ta përmbysin tokën shqiptare. Prandaj udhëheqësi i LNÇ – Enver Hoxha, ka pasur plotësisht të drejtë që nuk ka pranuar bashkëpunim me krahun e fashizmit italian – Ballin Kombëtar. Koha po tregon, se po të fitonte pushtetin Balli Kombëtar, dihet që të gjithë partizanët atdhetarë do t’i vriste, ngjashëm siç ka vepruar edhe gjyshi i tyre – Ahmet Zogu, që kishte vrarë atdhetarët e lavdishëm të Kosovës, të cilët në të gjitha epokat luftonin për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë amë. Duket qartë që mbreti Zog nuk e kishte tradhtuar vetëm lirinë, por edhe atdheun. Tekembramja, të jesh mbret i një shtetit si Ahmet Zogu, nuk është vështirë, sapo ndonjë pushtues e pushton atdheun, mbathja me gjithë suitën dhe me thesarin e vendit. Përkundrazi, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, qysh si fëmijë u mor peng në Turqi, mirëpo Ai nuk e harroi atdheun e tij – Shqipërinë, prandaj në vitin 1443 u kthye në atdhe dhe e mbrojti për 25 vjet me radhë – deri në vdekje.
Malme, 2020


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
