Prof. Dimitris Livanios: -Ironizon:- me kriterin fetar “greket” mund të numërojnë 50 milion.(Titull redaksional)!

11
Feb
2026
Shkruan: Kol Marku (Studiues)
Dimitris Livanios (lindur në vitin 1971) është historian dhe pedagog universitar bashkëkohor në Aristotle University of Thessaloniki, i specializuar në historinë moderne greke dhe europiane, nacionalizmin dhe identitetet kolektive (shek. XV-XX). Ai ka botime peer-review, monografi dhe artikuj në revista shkencore ndërkombëtare, dhe përfaqëson një rrymë historiografike që aplikon metodologji kritike moderne në studimin e identiteteve kombëtare.
Në veprën The Quest for Hellenism: Religion, Nationalism and Collective Identities in Greece (1453-1913), Livanios argumenton se identiteti “grek” modern nuk është vazhdimësi etnike e drejtpërdrejtë nga antikiteti, por një konstrukt historik, fetar dhe politik, i konsoliduar në shekullin XIX.
Duke theksuar rolin përcaktues të Ortodoksisë dhe debatet e hapura mbi përkufizimin e “grekut” (si ai i vitit 1829), ai rrëzon mitin e vazhdimësisë lineare dhe ofron një kritikë të fortë akademike ndaj nacionalizmit romantik helicentrik, duke e vendosur helenizmin modern në kontekstin e përgjithshëm të shtetformimeve europiane.
Artikulli është botim në revistë akademike (The Historical Review / La Revue Historique) me DOI dhe PDF zyrtar në arkivën e EKT.
Tani po japim disa citime origjinale (siç i shkruan Livanios në artikull). Citim i plotë i frazës mbi letrën e 21 shtatorit 1829 (Metternich): “What do we mean by the Greeks? Do we mean a people, a country, or a religion? …” “Çfarë nënkuptojmë me grekët? A nënkuptojmë një popull, një vend apo një fe?” “… If the third, then upwards of fifty million men are Greeks…” “… Nëse e treta [feja], atëherë mbi pesëdhjetë milionë burra janë grekë…” In 1829 ‘Greece’ as a state was being formed, but the definition of a ‘Greek’ was still a matter of intense debate …” “for most of the period under consideration here, neither ‘Greece’ … nor ‘Greeks’ … existed.”
“Në vitin 1829, ‘Greqia’ si shtet ishte në proces formimi, por përkufizimi i një ‘greku’ ishte ende objekt debatesh të forta.” “Për pjesën më të madhe të periudhës që shqyrtohet këtu, as ‘Greqia’ … as ‘grekët’ … nuk ekzistonin.” ,
Citimet e Dimitris Livanios, të ndërtuara mbi letrën e Klemens von Metternich (21 shtator 1829), janë jashtëzakonisht domethënëse sepse zbulojnë paqëndrueshmërinë konceptuale të vetë nocionit “grek” në momentin kyç të lindjes së shtetit modern. Pyetja e Metternichut – “Çfarë nënkuptojmë me grekët? Popull, vend apo fe?” – nuk është retorike, por një diagnozë politike: ajo tregon se “greku” nuk ishte as kategori etnike e konsoliduar, as territor i përcaktuar qartë, por një term i hapur, i diskutueshëm dhe i manipulueshëm.
Ironia “pesëdhjetë milionë grekë” e nxjerr në pah absurditetin e përkufizimit fetar: nëse kriteri është vetëm Ortodoksia, atëherë “grekë” bëhen të gjithë të krishterët ortodoksë të Perandorisë Osmane. Kjo provon se identiteti nuk ishte i dhënë nga lashtësia, por prodhohej sipas nevojës politike, duke zgjeruar ose ngushtuar kufijtë e përkatësisë.
Vërejtja metodologjike e Livanios se “për pjesën më të madhe të periudhës… as ‘Greqia’ as ‘grekët’ nuk ekzistonin” është thelbësore, sepse ajo rrëzon anakronizmin historiografik: prirjen për të projektuar mbrapsht identitetin kombëtar të shek. XIX mbi realitete mesjetare dhe osmane.
Këtu qëndron edhe pika më e fortë e kritikës ndaj nacionalizmit helicentrik europian. Ky nacionalizëm, i ndërtuar në shek. XIX nga filhelenizmi perëndimor, e trajtoi Greqinë si qendrën e pandërprerë të qytetërimit europian, duke e paraqitur si trashëgimtare të drejtpërdrejtë, homogjene dhe ekskluzive të botës së lashtë egjeane.
Në këtë qasje pluralizmi etnik dhe gjuhësor i botës antike u zhduk, popullsitë e tjera ballkanike sot (pellasgjike më parë) dhe egjeane dhe u “asimiluan konceptualisht “ose u shpallën “të huaja”; identitetet mesjetare (Romaios/Romios) u zëvendësuan artificialisht me termin ideologjik “Helen”.
Livanios tregon se helenizmi modern është produkt i të njëjtit proces europian që krijoi kombet moderne kudo: një projekt politik dhe kulturor, i mbështetur nga arsimi, feja, administrata dhe historiografia.
Prandaj, pretendimi helicentrik për një vazhdimësi të drejtpërdrejtë, natyrore dhe unike nga antikiteti deri sot, nuk është përfundim shkencor, por konstrukt ideologjik i përqafuar nga Europa romantike për arsye kulturore dhe gjeopolitike.
Pra, citimet e Dimitris Livanios përbëjnë jo thjesht vëzhgime historike, por një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj mitit helicentrik europian. Ato tregojnë se identiteti “grek” modern nuk u trashëgua në mënyrë lineare nga lashtësia, por u ndërtua gradualisht përmes debatit, përjashtimit dhe riemërtimit, në kontekstin politik, fetar dhe ideologjik të shekullit XIX.
Pyetja e Metternichut e vitit 1829 – nëse “grekët” përkufizohen si popull, territor apo fe – nxjerr në pah paqartësinë dhe elasticitetin e këtij identiteti, ndërsa ironia e “pesëdhjetë milionë grekëve” zbulon absurditetin e një përkufizimi thjesht fetar të kombit.
Në thelb, Livanios argumenton se identiteti “grek” nuk ishte i dhënë, as etnikisht i qartë dhe as gjeografikisht i kufizuar, por një produkt historik i një projekti kombformues, i krahasueshëm me proceset e tjera europiane të shtetformimit.
Prandaj, çdo lexim serioz i historisë së Ballkanit sot (pellasgji dhe Iliri më parë) dhe të Egjeut kërkon çlirimin nga ky anakronizëm ideologjik, për të kuptuar pluralitetin real të së kaluarës.
Ka një propabilitet shumë të lartë se ka pasur vazhdimësi pellazgjike në kuptimin, kulturor, dialektor, dhe etnik të ndarë në fise me dialekte të afërta të së njëjtës famije gjuhesore që nga Epoka e Bronzit e kendej.
Por kjo vazhdimësi është policentrike dhe jo me një homogjenitet të plotë, dhe identitetet e mëvonshme (ilirë, epirote, maqedone e lashtë, thrakë, helenë, etj.) ndërtohen mbi këtë bazë, por dhe duke pasqyrur dhe evolimin dhe ndryshimet, por kanë ruajtur esencën.
+++
Në këtë kuader pyesim: i është e mundur që një pjesë e akademikëve shqiptarë të mos e marrin si pikë referimi një studiues modern europian specialist të mirëfilltë të çështjeve të historisë dhe kulturës greke e helene?
Ndërkohë që kërkimi shkencor përparon çdo ditë falë zhvillimeve teknologjike dhe metodologjive bashkëkohore, shpesh konstatohet se disa nga studiuesit tanë vijojnë të mbeten të lidhur me formulime dhe qasje të trashëguara nga dekada të mëparshme. Në vend që të hapen ndaj debateve dhe rrymave të reja interpretuese, ata priren të mbrohen brenda kornizave të sigurta institucionale, duke i parë risitë me dyshim dhe jo si mundësi për zgjerimin e horizontit shkencor.
Në këtë debat paraqiten edhe argumente të tjera që kërkojnë vëmendje serioze. Teza mbi thellësinë e trashëgimisë pellasgo-iliro-arbërore dhe vazhdimësinë e saj gjuhësore është mbështetur nga një numër studiuesish europianë, sipas të cilëve linjat e shqipes janë ndër të parat që shkëputen, madje duke u çuar në periudha shumë të hershme, rreth 6000 p.e.s. Këto hipoteza, pavarësisht diskutimeve që hapin, nuk mund të injorohen pa një ballafaqim të drejtpërdrejtë shkencor.
Po kështu, të dhënat arkeologjike nga zona të ndryshme, si vendbanimi i hershëm në Lin të Pogradecit, dëshmojnë për nivele të zhvillimit kulturor shumë të lashtë, rreth 6000 p.e.s., duke përfshirë ndërtimet mbi platforma druri, përdorimin e produkteve të kultivuara si rrushi dhe prodhimin e verës. Këto zbulime shtyjnë përpara kufijtë e njohurive mbi jetën ekonomike dhe sociale në hapësirën ku më vonë do të formoheshin komunitetet historike të rajonit.
Edhe kërkimet biologjike mbi shpërndarjen e grupeve të gjakut janë përdorur nga disa autorë për të argumentuar idenë e vazhdimësisë së popullsive që nga periudhat parahistorike, deri në ditët tona. Pavarësisht polemikave, këto të dhëna përbëjnë material që kërkon analizë, jo heshtje.
Për shumë studiues, këto elemente janë të mjaftueshme për të kërkuar rihapjen e debatit mbi lashtësinë dhe zhvillimin historik të shqiptarëve.
Shkenca nuk përparon duke ruajtur pozicione të ngrira; ajo zhvillohet duke verifikuar vazhdimisht tezat, duke pranuar diskutimin dhe duke u përballur me prova të reja, sado sfiduese të jenë ato.
Kol Marku-Itali
Studiues 11/02/2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/02/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk