Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Sugjerimi im dhe i bashkëpunëtorëve të mi që, VV-je, të hyjë në institucione të Republikës së Kosovës dha rezultate të kënaqshme,-të shumëpritura?!
Gjithmonë, me bashkëpunëtorët e mi në mërgim i kam mbështetur lëvizjet politike, jo për interesat tona personale, por sepse besonim se kombi ynë kishte nevojë për zëra të fortë dhe për përkushtim të sinqertë.
Ndoshta për fatin tim dhe të shokëve të mi, jo gjithmonë ata që udhëhiqnin këto lëvizje; ditën ta shfrytëzonin përvojën dhe energjinë tonë, për interesat kombëtare, duke i kthyer ato për interesa të tyre. -Por, kjo dredhi e tyre politike, fatbardhësisht nuk na e zbehu asnjëherë vullnetin. Kjo, pafytyrësi politike, aspak nuk na ndodhi me Albinin dhe me VV.
Si nënkryetar i “STS International Solidaritet” në Danimarkë, ku kishim mbi 300 mbështetës kundër terrorit serb në Bosnje dhe Kosovë, në fushëbetejën politike dhe diplomatike u angazhuam me gjithë qenien tonë për të shpjeguar para opinionit danez, suedez dhe norvegjez, por edhe më gjerë atij ndërkombëtar vuajtjet shekullore të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Çdo fjalë që thoshim, çdo takim që organizoja dhe shokët e VV organizonin ishte një përpjekje për ta bërë botën që të kuptojë të drejtën dhe dhimbjen tonë, për atdheun në robëri.
Në veçanti , kur në skenën politike doli Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, bashkë kemi ndier, më qartë kemi parashikuar se po lindte diçka e re, diçka që vinte nga shpirti i popullit.
-Një ditë më telefonoi simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi,- ai, me zërin e tij të vendosur më tha:
“Xhemil Zeqiri, a ka mundësi së paku 4-5 veta t’ia bashkojmë Albin Kurtit?” -I thashë -po kemi mundësi, por neve na mungon, paraprakisht nuk e kishim një program politik të qartë. Ai, u përgjigj me vendosmëri, me bindje të plotë:
“Program më të mirë se Vetëvendosje – vetë emri është program.” Ajo fjali më mbeti gjatë në mendje.
Pasi bisedova me shokë, ata e përqafuan mendimin tim dhe në veçanti të simbolit të rezistencës, Adem Demaçit. Pa harruar të theksoj dhe faktin që edhe ata ishin në dijeni që një Lëvizje përparimtare është themeluar dhe po vepron në Kosovë me fillimet e saj me guxim dhe dituri. Po ato ditë, shoku Fadil Shyti, posa kishte dëgjuar për protestat dhe parullën fillestare tepër largpamëse të Albinit dhe VV-së: “Jo negociata, Vetëvendosje”! Ay, menjëherë kishte dalë me një shkrim me titull: “Një diell i ri, po lindë në Kosovën shqiptare”, në atë shkrim shoku ynë, bënte thirrje për përkrahje të fuqishme për Albinin dhe VV.
-Demonstratat e studentëve i mbështetëm pa asnjë hezitim – politikisht, moralisht dhe ekonomikisht. Besonim se energjia rinore ishte forca më e pastër e ndryshimit.
-Në vitin 2009, një aksident komunikacioni, mua më ndërpreu hovin. Problemet shëndetësore më detyruan të tërhiqem ca nga terreni aktiv, por jo nga misioni. Përmes STS-së dhe revistës sonë mujore vazhdova të kontribuoj, duke informuar dhe sensibilizuar opinionin. Viti 2010 qe vit shumë dramatik, me protesta të fuqishme, VV u fuqizua bukur shumë, kjo solli zhvillime të mëdha. Në njërën anë, mbështetja popullore për Vetëvendosjen rritej çdo ditë, në anën tjetër, strukturat ndërkombëtare dhe veglat e tyre reaksionare që ishin në pushtet në Kosovë, përpiqeshin ta frenonin këtë vetëdijesim të popullit. Ishte një përballje mes vullnetit popullor dhe interesave të fuqive të mëdha.
Vendosëm të dërgonim një delegacion në Kosovë. Kryetari ynë, Vogn Rasmussen, shkoi së bashku me deputetin danez dhe euro-parlamentarin Søren Søndergaard, si dhe me ish-euro-deputetin holandez Erik Meijer. Unë, për arsye shëndetësore, mbeta në Danimarkë, por para nisjes ua shpjegova qartë situatën: “Gjyqi ndaj Albin Kurtit, presioni politik dhe ekziston rreziku që, VV të izolohej”. Shokët danezë, i porosita të takonin përfaqësuesit (Xhelal Zveçla) e VV dhe t’i bindnin ata që, pjesëmarrja në zgjedhje ishte e domosdoshme. Edhe nëse Albini dhe VV nuk e kishim aspak për qejfi, bile as nuk e njihnin Kushtetutën dhe simbolet shtetërore, të cilat vërtet ishin imponuese; pjesëmarrja e VV-së, ishte mënyra më e duhur, për ta sfiduar sistemin nga brenda. Delegacionit danez iu thashë: “Edhe këtu në Danimarkë, kemi monarki, por kjo nuk na pengon të jemi republikanë dhe të luftojmë për bindjet tona brenda dhe jashtë Kuvendit.
Pas kthimit, delegacioni raportoi për trajtimin diskriminues që, edhe sipas tyre, po i bëhej Vetëvendosjes nga strukturat e drejtësisë të ndikuara nga administrata e UNMIK dhe nga disa qeveritarë vendorë. Në debat theksova se ishte momenti për veprim diplomatik.
Propozova t’i dërgonim një letër Ministrit të Jashtëm danez, Søren Pind, duke kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë për të kundërshtuar akuzat e pabazuara dhe për të mbështetur një proces të drejtë. Letra u hartua, u dërgua – dhe pas pesë ditësh morëm përgjigje pozitive. Ministri shprehej se Danimarka do ta trajtonte seriozisht çështjen dhe do të angazhohej në nivel diplomatik.
Ishte një moment kënaqësie dhe krenarie, jo vetëm për mua personalisht, por për faktin se zëri ynë u dëgjua.
Kur Vetëvendosje mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 dhe fitoi 14 vende në Kuvend, jemi ndier të kënaqur dhe më tej kemi ndier, shikuar dhe dëgjuar se, një kapitull i ri po hapej në historinë tonë të lavdishme dhe kjo po vinte si rreze drite në politikën shqiptare në Kosovës. Edhe pse shëndetin e kisha ca më kishte kufizuar, përsëri çaja përpara, në takimet me shokët; Fadil Shyti, Gëzim Mekuli Shqiptar Osekun; vërtet ndiheshim pjesë e atij rrugëtimi.
-Vlen të theksoj faktin e së vërtetës që, gjatë debateve, shokun Fadil mezi e kam bindur që, është e dobishme, që VV të pranojë të hyjë në Institucionet e Republikës. Ai, në veçanti rreptësisht reagonte me argumentet: si mund të pranojë Albini dhe VV jonë, një “Kushtetutë të Kosovës” e futur në margjinat e Paketës të Ahtisarit?! Si mund të pranojë, Albini dhe VV-ja jonë, heqjen e Flamurit kombëtar nga institucionet Republikës sonë?! Si mund të pajtohet, Albini dhe VV; që në rrugën tonë drejt sovranitetit të Kosovës, të kemi Nenin 3 si digë të kësaj Kushtetute e cila e pengon ribashkimin tonë kombëtar?! -E, të tjera, e të tjera ndërkëmbëza dhe bllokada politike dhe diplomatike që do t’i kemi para nesh. Debatet me shokun dhe bashkëpunëtorin tim shumëvjeçar, “rebel” i shtroja me durim dhe me gjakftohtësi, këto bllokada i shihja si të përkohshme, ato do t’i tejkalojmë me punën tonë -i thosha me bindje të plotë, shokut Fadil. Tani, kur kanë kaluar kaq vite plot sfida, punët kanë ecur një çikë përpara, ne jemi të vetëdijshëm që, ende kemi shumë punë të mbara për të bërë, ne duhet dhe do t’i çajmë bllokadat -themi, kur dertohemi, bile edhe “kur zihemi”, pro-et kundër, vetëm që, çështja jonë kombëtare të zgjidhet drejt, që atdheu ynë, Shqipëria Etnike të ecë përpara dhe të përparojë. Prandaj, thellohem në mendime, them me vete: ndonjëherë kontributi atdhetar, nuk matet vetëm me praninë fizike në skenë, në atdhe; por, matet edhe me bindjen, me veprat, me përkushtimin dhe guximin për të vepruar në momentet vendimtare. Ne, mërgata jonë atdhetare kemi bërë, aq sa kemi mundur dhe ditur, ne po bëjmë dhe do të bëjmë edhe më tutje; për të dhënë kontributin tonë, këtë borxh ia kishim dhe sa t’i bie dielli tokës, ia kemi atdheut; ne pandalshëm do të japim këtë kontribut të pakursyer…!


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
