17 Poezit nga Genci-NË HIJEN E HISTORISË – NË DRITËN E ATDHEUT

25
Oct
2025
Autor: Genc Sefa – Lushnja


1
Kam ecur gjatë në udhë të dhimbjes sime,
me plagë në shpirt e me kujtime.
Nga gjaku i etërve trashëgova një flamur,
për Atdhe u linda dhe luftova si burrë.
–
Në hijen e historisë së gjakut e dhimbjes,
udhëtuam të lidhur, të ndarë e copëtuar.
Por madhështia e saj, drita e rilindur,
e ndriçoi përsëri Shqipërinë e bekuar.
–
Gurin e vendlindjes s’e ndava kurrë;
në sallon e mbaj, nën flamur.
Të dy më flasin në heshtje, butë:
“Ti je shqiptar, o burrë, mos e harro kurrë!”
–
Se populli që historinë e vet nuk e shkruan,
një ditë me errësirë dhe robëri e paguan.
Do mbetet pa rrënjë, pa frymë, pa jetë,
si pemë pa tokë, në erë të shkretë.
–
Atdhetarët, kur lëshojnë lot,
flamurin në dorë s’e mbajnë dot.
Ulen në gjunjë, puthin dheun,
japin jetën për më të shtrenjtin – Atdheun!
–
Nga lotët lindin lisa të rinj,
nga gjaku – lule që s’vyshken kurrë.
Çdo brez që vjen, me shpirtin e tij,
mban gjallë Atdheun nën flamur.
–
Në çdo gur, në çdo varr, në çdo emër,
rreh zemra e gjallë e Shqipërisë.
Nën hijen e dhimbjes së vjetër,
lind përjetë drita e lirisë.
–
O ti tokë, që flet me gjakun tonë,
në ty u përkund çdo brez i yni.
Sa gjallë jam, me shpirt betohem:
O Atdhe, për ty do jetoj – për ty flijohem!
——
2
FLAKA E GJAKUT
–
Mos më pyet kush jam e nga vij,
jam flakë prej gjaku që s’ka me u shue,
jam biri i tokës që rrit gurë e burrni,
jam besa që i djeg zinxhirët e t’huajve.
–
Në gjak t’parëve kam pjekun dashni,
në shpirt t’Atdheut kam ndezun zjarr,
unë armikun e Shqipnisë —
e ha të gjallë, e vjell, e ha prapë!
–
Se s’kam mësue me përkulë krye,
as me shit gjakun për bukë të huej,
më mirë në dhe, me pushkë në gji,
se gjallë pa nder, në dorë të huej.
–
E kur t’bie nata e luftës mbi male,
mos më kërko në varr a në zjarr,
unë jam stuhia, unë jam kushtrimi,
jam shqiptari që s’ka t’vdekur kurrfarë!
——-
3
BETIMI I FLAMURIT
–
Për flamurin, gjakun e tij,
unë jap shpirt, por kurrë s’e përkul,
në t’kuqen e tij kam pa dashni,
në t’zezën kam pa dhimbë e robní.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Kjo tokë e jona s’ka çmim, as peshë,
as s’blen kush dritën e saj me ar,
me nji besë burrash do ta mbajmë,
siç e mbajti mali e varri për gjallë!
–
Nëse bie unë, s’bjen as andrra,
se ngrihet shoku, si unë, si flakë,
e flamuri ecën, mbi gjak e dhe,
me krah shqiponje, përmbi kufí e prag.
—————
4

AMANETI I LIRISË
–
N’kambë rritet kombi, jo n’gjunjë,
liria s’lind prej lutjes, as prej mëshirë,
ajo del me britmën e burrave t’plagosun,
e rritet me kangën e nji populli të lirë.
–
Në gjakun e trimave shkruhet historia,
në varr s’ka vdekje për atë që ka dhanë,
veç bekim i tokës, i nanës, i diellit,
që e pret birin me flamur në anë.
–
E kush vdes për Atdhe, s’ka vdekje,
as pluhun nuk bahet, por dritë në re,
se në çdo zemër që rreh për Shqipni,
ai trim rilind — përsëri, përjetë!
———————-
5
Malli për Mëmëdhenë
–
Njeriu s’e kupton ç’është Atdheu,
derisa ta ndiejë dhimbje në shpirt,
derisa fjala “Shqipëri”
t’i bëhet lot në sy e zjarr në zemër.
–
Sa herë përmendet emri yt, o vend,
ndizet dritë në shpirtin tim,
një erë e njohur më mbështjell ngrohtë,
si duart e nënës që më presin në prag.
–
M’u kujtua nata e ndarjes —
natë pa hënë, pa yje, pa dritë,
kur lashë tokën time të dashur,
me shpirt të plagosur e zemër të rëndë.
–
Rruga e gjatë dukej pa fund,
e heshtur, e rëndë, e trishtë.
Njerëzit mbi shpinë mbanin trasta,
me copëza shprese e copëza buke.
Në zemra digjej malli i zjarrtë
për vendin e tyre të shenjtë.
–
Sa larg… sa mall…
Asgjë s’më qetëson,
asgjë s’e shuan zjarrin që më djeg,
veç kujtimet — pasuria ime e gjallë.
–
Në kujtesë më kthehen fytyra e nënës,
zëri i babës, hapat e motrave,
tryeza me bukë e kripë,
dhe e qeshura e thjeshtë që më mban gjallë.
–
Një mëngjes më zgjoi një ëndërr:
isha sërish në Shqipëri,
në gjirin e familjes sime,
në prehërin e nënës sime.
Por kur hapa sytë…
më rrethoi vetëm heshtja,
dhe malli që ma thelloi plagën.
–
Tani e kuptoj ç’do të thotë “Atdhe”,
ç’fuqi të shenjtë mbart kjo fjalë!
Tani që jam larg,
ndjej çdo frymë, çdo fushë, çdo mal.
–
Ti s’je thjesht një tokë nën diell,
je kujtim, je gjak, je nënë, je këngë.
Në çdo rrahje të zemrës je ti,
në çdo frymëmarrje më flet Shqipëri.
–
Eh, po, do të kthehem përsëri,
se kam lindur dhe dua të vdes
në gjirin tënd të shenjtë,
o Mëmë Shqipëri!
————-
6
TRIMI QË NUK U SHUA
—
Parathënie
Kjo poezi është një homazh për ata heronj që qëndruan të patundur për nder, trimëri dhe liri.
Trimi që nuk u shua simbolizon çdo shpirt
që rrezaton mbi kohën dhe kujtesën tonë,
një legjendë që nuk njeh vdekjen.
–
—
Poezia: Trimi që nuk u shua
Në mes të rrënojave, ku era qan
dhe hijet fluturojnë,
shtrihet një trup, i vetëm, por që malet e nderit i mban mbi supe.
Trimi që nuk u shua, mbart flamurin e zjarrtë,
ndërsa erërat sjellin lavdinë dhe pëshpërimat e të rënëve.
–
Ai s’pyet për famë, s’pyet për medalje të ftohta,
zemra e tij rreh vetëm për nder e trimëri.
Si shqiponja mbi male të ngrira, ai ngrihet mbi gërmadhat,
dhe shikon përtej kohës, ku kujtimi i të rënëve s’fiket kurrë.
–
Ah, sa shumë histori fshihen nga hije e harresë,
por trimi që nuk u shua, i jep jetë legjendave.
Si dritë mes errësirës, ai ndez zjarrin
e shpresës,
një zjarr që nuk shuhet, që fluturon mbi kohë dhe hije.
–
Kur heshtja mbulon fushat e betejës dhe gërmadhat e vjetra,
trimi mbetet yll, udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Një shpirt që s’plaket, një legjendë që s’vdes,
dhe kujtimi i tij rreh përtej maleve,
përtej kohës.
—
Pasthënie
Kjo poezi është një kujtesë e gjallë
për ata që dhanë gjithçka për nder dhe liri.
Trimi që nuk u shua mbetet zjarr që ndriçon zemrat dhe kujtimet tona, një legjendë që jeton përtej kohës.
————
7

LIRIA KA EMËR – UÇK
–
Në zemër t’Tiranës dje gjëmoi kushtrimi,
si zani i Arbëror kur zgjohej trimi,
u ngrit si stuhí e kuqe flamuri,
me gjak e me nder, me besë burri.
–
Në sheshin e Skënderit, ndër zemra shqipe,
u ndez një dritë që s’ka kush me e shue,
ushtri e lirisë, me emën të shtrenjtë,
në gojë të popullit u thirr UÇK e shejt.
–
Nga Vlora n’Preshevë, nga Plava në Ulqin,
nga Çamëria e largët, shqipet mbërrin.
Të gjithë si një trup, si shpirt në zjarr,
për bijt’ e Kosovës, për gjakun e patharë!
–
O Adem i Kosovës, legjendë e gjallë,
t’thërret çdo nanë, t’bekon çdo malë;
Dje bijt’ e tu n’kryeqytet dolën,
me thanë: “Liria s’shitet për mall!”
–
Në dorë flamuri, n’zemër kushtrimi,
në ballë dëshmorët, në sy betimi,
UÇK-ja s’asht veç shkronjë a shenjë –
asht frymë e gjak, asht zemër e dhe!
–
Në Tiranë, në Prishtinë, n’nji zâ kumbon;
nji komb, nji flamur, nji gjak stërgjyshnon;
Se kush don liri, s’e harron kurrë,
se liria ka emër – UÇK në gurë!
–
Drejtësi për trimat që sot janë n’burg,
që mbrojtën nderin me pushkë e gjuhë,
ata s’janë fajtorë – janë dritë në terr,
janë shtylla e kombit, n’besë e n’nder!
–
Mos qaj, moj Nanë, se djali yt s’asht randë,
ai mban nderin e flamurit n’dorë të bardhë,
se kur të flasë drejtësia e Zotit mbi dhé,
do thotë: “Liria ka emër – UÇK!”’
————-
8
Shqiponja e Lirë
–
Litari i rëndë,
trau i fortë,
i vunë mbi shpirtin
që kërkonte fluturim në botë.
–
Ditë e natë,
qiellin e kaltër shihte,
mall për dritën e lirë,
mall për kohët e shkuara që vrisnin qetësinë.
–
Çdo tërheqje,
çdo përpjekje,
lodhën trupin e shtrenjtë.
Këmbët ju thyen,
krahët iu kthyen në plagë, fletë-fletë.
–
Stuhitë e dimrit,
bora dhe shiu,
iu bënë kujtimi i shpresës
si mjegull e largët që çel pas natës.
–
Koha, e ashpër,
pa mëshirë,
ja mësoi mësimin e dhimbshëm:
litari, trau, pesha e çdo dite,
mund të thyente dëshirën për fluturim.
–
Por në zemër
rri flaka e fshehtë,
as gjymtyrët e lodhura
nuk e shuajnë dot atë zjarr.
Shpirtin e lidh zgjedhja që bën vet,
jo litarët që thyejnë krahët.
–
Edhe kur netët
janë të gjata si burgjet,
edhe kur heshtja
shtyp dëshirat e zjarrta,
kujtesa e qiellit të kaltër,
kujtesa e diellit,
i jep forcë të ngrihet,
madje e lidhur, por me shpirt të lirë.
–
Litari kalbet,
trau plaket ngadalë,
por zemra qëndron,
dhe nuk humb kurrë virtytin e vërtetë.
Sepse një shqiponjë
–
nuk harron fluturimin,
edhe kur rrugët duken të mbyllura,
shpirti mbetet i lirë
në horizontin e brendshëm,
në shpirtin e zjarrtë.
–
Ndoshta nuk mund të fluturosh tani,
por liria nuk vdes kurrë.
Rri në mendim,
në frymë,
në kujtim,
deri sa një ditë
të ngresh sërish krahët mbi qiellin e kaltër.
—–
9

Djemt’ e Lirisë
–
Si u bë vallë kjo botë e shkretë,
që harron gjakun e bijve të vet?
Djemt’ e Lirisë, të pushkës e besës,
n’hekur e qeli mbetën flakët e shpresës.
–
Kanë kalue vjet, hije e dhimbje të thella,
n’qeli të ftohtë me shpresa të vogla.
Por zemrat e tyne, zjarr që s’shuhet kurrë,
rrahin si era ndër lisat me flamurë!
–
Çdo plagë në duar, çdo shenjë e hekurit,
asht lavdi për Atdheun, rreze e shekullit.
As prangat e randa s’i ndalojnë dot,
trimat burrnisht qëndrojnë n’terr, o Zot!
–
O Mëmëdhe, mos harro bijtë e tu,
që për liri e flamur kanë luftu.
Çdo lot burrash asht yll që ndriçon,
çdo rrahje zemre – histori që jeton.
–
Në heshtje qelish, në mur të ngushtë,
dëgjohet kanga e trimave t’përflakët.
Ata enden në andrra ndër male t’largët,
ku valon flamuri e lind dielli i artë!
–
O djem të burrnisë, o bij të Atdheut,
as hekur, as zinxhir s’ndal shpirtin tuaj.
Shpresa ndezet n’errësinë ma t’thektë,
zemra mban gjallë zjarrin e pashuar!
–
Do vijë ajo ditë kur hekuri thyhet,
djemt’ e Kombit në dritë do të kthehen.
Flamuri do valojë në fusha e në male,
e kanga e tyne kurrë nuk do të ndalet!
–
O bij të Lirisë, o bij të dritës,
në zemrat tona jeni flakë që s’fiket.
Çdo rrahje shpirti – lavdi e gjallë,
çdo kujtim i juaj – flamur mbi ballë!
——
10

I LIGU
–
I ligu, more vëllezër, është dinak për dreq,
Si qymyri fshehur, të nxin edhe të djeg.
Në skutat e errëta, si gjarpër pëshpërinë,
Kudo që shkon, lë pas veç shkatërrim.
–
E sheh si të qesh, por në shpirt helmon,
Fjalën e ëmbël e kthen në mallkim.
Si hije e zezë në diellin tonë,
S’e mban dot afër – të sjell veç mjerim.
–
Kur sheh të mirën, i digjet shpirti,
E zilia i tret çdo mendim.
Në vend të bukës shpërndan hidhërim,
Në vend të bekimit, përfton mallkim.
–
Por njeriu i drejtë s’ka frikë nga nata,
Se drita i rreh rrugët me guxim.
Zemra e ndershme s’ka nevojë për maska,
As për stoli, as për mashtrim.
–
Të ligët bien si gjethe në erë,
E ndershmja rrënjë mbetet në dhe.
Kush mban të vërtetën, s’tretet kurrë,
Se dielli s’ka frikë nga asnjë rrufe.
–
Prandaj, o vëllezër, kujdes nga fjala,
Se fjala e keqe vret si thikë.
Mbani nderin të shenjtë si flamur,
Dhe dritën në shpirt mos e fikni kurrë.
—–
11

Moti i Jetës

-Vjet ankoheshim.
Jeta si hije e zezë.
–
Sivjet më keq.
Çdo ditë një plagë,
si shigjetë e ngrirë në shpirt.
–
Qielli rëndon mbi ne,
retë mbajnë peshën e shqetësimeve tona.
Era tund trupin e zbrazur të Atdheut,
si të përpiqej të zgjonte të vdekurit e tij.
–
O Zot, pse hesht?
Lëre një flakë drite,
që të ndriçojë dhe rrugën më të errët.
–
Dielli shfaqet,
pastaj fshihet pas reve të zeza.
Herë qeshim me shi,
herë qajmë me erë.
–
Plagë të reja çdo ditë,
dhe pak shpresë, e fshehur fort
në thellësinë e zemrës.
–
Errësira lufton me dritën,
si dy armikë të përjetshëm.
Ne ecim të rraskapitur,
por të patundur.
–
Rruga mbushur me gurë të mprehtë.
Buzët dridhen.
Shpirti ecën,
Zjarr që nuk shuhet,
në mes të natës së gjatë.
–
Buzëqeshim edhe kur moti na rrëzon,
Retë e zeza shpërthejnë,
drita dridhet…
Më pas shpërthen në një flakë të artë.
–
Ne ecim.
Të vegjël e të mëdhenj.
Shpirti i lodhur,
por i pathyeshëm.
–
Çdo ditë një fillim i ri.
Dielli shpërthen pas natës më të errët.
Zemra shpërthen në dritë,
Jeta përqafon gjithçka.
–
Flaka shpresës ndizet brenda.
Stuhia ikën.
Ne qëndrojmë.
Të ndezur.
Të gjallë.
——————-
12

STACIONI I PRITJES
Bir…
sytë e tu shkojnë larg —
ndoshta kërkojnë rrugën,
ndoshta kujtimet që s’largohen dot.
–
Si ia del me këtë botë,
që herë djeg,
e herë ftoh shpirtin?
–
Unë nuk mund të mbaj gjithçka, bir…
por ruaj me vete mallin tënd
çdo mëngjes…
e çdo natë.
–
Çdo mëngjes i flas vetes,
që të mos harroj gjuhën e rrënjëve.
Çdo natë i flas Zotit,
që të më mbajë mallin tim të paanë.
Sa më shumë ec…
aq më bosh ndjehem.
–
Asgjë s’mund ta mbushë këtë hapësirë.
Boshllëku më ndjek si hije e pandashme,
dhe unë ndalem shpesh për të marrë frymë.
Shtëpia…
s’është një mur, bir.
–
Shtëpia janë njerëzit që duam —
prindërit.
Kur ata largohen,
çdo dhomë bëhet stacion pritjeje,
çdo rrugë…
çdo ditë —
si një tren që nuk shfaqet kurrë.
–
Por një ditë do të vijë, bir.
Jo gjithmonë ai që pret…
por ai që duhet.
Zoti nuk lë askënd pa strehë;
na mban pak gjatë në pritje,
për të kuptuar vlerën e çdo dere,
për të kuptuar sa vlejnë njerëzit
që presin për ne.
–
Edhe kur nuk e di nëse do të kthehem —
a do të më mbajë mend dheu që më lindi?
Bir… do të mbaj.
Toka që të rriti s’e harron birin e vet.
Edhe nëse vonohesh…
ajo të pret —
me dritë,
dhe kujtime që s’shuhen kurrë.
——————-
13

KËNGA QË S’U NDAL NË GRYKË
–
(Nazmi Ukzmajli – Dëshmor i Kombit)
–
Në Grykën e Jezercit, ku uji gurgullon,
Ku gurët rrëfejnë për historinë tonë,
Aty lindi kënga që kurrë nuk u ndal,
Në zemrën e Nazmiut ndezi flakën për ideal.
–
Në mërgim n’Gjermani ai s’e pati qetësinë,
Këndonte për nënat, për mallin, Dardaninë,
Këndonte për djemtë që n’shpi s’u kthyen,
Për ata që një ditë do të ngriheshin për lirinë.
–
Thoshte: “Kënga, vëllazën, është si baroti,
Nuk vret, po shpërthen n’zemër të kombit.
Pushka dhe kënga janë gjaku i shqiptarëve,
Ngrihen bashkë për tokën e të parëve.”
–
Kur ra Adem Jashari, u drodh mërgimi,
Në zemrën e Nazmiut shpërtheu kushtrimi,
La rehatinë, punën, andrrat që kish ndërtuar,
U kthye në Atdhe – me mall të pashuar.
–
Jezerci e priti me diell n’shpirt,
U rreshtue me shokët n’nji betim të vërtetë:
“Do ta çlirojmë këtë tokë, sado që t’na kushtonë.
Se liria s’vjen me lot, por me gjakun tonë.”
–
Në kasollen e natës, me Ferrin komandant,
Folën për këngën që ka me ushtue gjatë:
“Kur t’bie unë,” tha Nazmiu, “mos qani,
Veç këngën time n’buzë të fëmijëve mbani.”
–
E agimi u çel me krisma e zjarr,
Gryka u mbush me tym e me barot t’artë,
Nazmiu doli përpara – pushkës përballë,
Si shqiponjë e zezë që rrufet i mban gjallë.
–
“Mos u trembni, djem! Liria s’kërkon lot,
Ajo kërkon gjak me nder e me zot!”
Krismat u përzien me këngën e tij,
Derisa plumbi e gjeti pranë shpirtit t’trim.
–
Ra Nazmi Ukzmajli, po s’ra kënga e tij,
E mori lumi me vete për n’det e për bri,
Në çdo verë, kur era n’Grykë fryn me mall,
Dëgjohet një zë – si një këngë që s’ka ndal.
–
Në Abensberg të largët, shokët i këndojnë,
Shoqatën e mbajnë me emrin e tij – n’krenari e nderojnë,
E n’Ferizaj Lapidari ndrin si flakë e pavdekësisë,
Ku çdo vit thirret një fjalë: Lavdi e përjetësisë!
–
Se heronjtë si Nazmi Ukzmajli s’vdesin kurrë,
Ata shndërrohen në këngë, në erë, në flamur.
Në buzët e fëmijëve, n’nji këngë që s’u ndal,
Në Grykën e Jezercit, ai rron i gjallë!
——–
14

Parathënie:
–

“Koha e maskave” Një  poezi e ndarë në katër pjesë, është zëri i ndërgjegjes në një botë ku fytyrat
e vërteta humbin nën rrenat dhe mashtrimet.
Një poezi satirike që tregon kohën e mashtrimit, frikës dhe dallavergjisë, por ku shpirti shqiptar mbetet i gjallë.
–
Poezia e parë.
–
Kohë të zymta po kalojmë,
Nuk po dim çka të besojmë,
Është bë ’jeta si telenovelë,
Vendi pa burra shkret ka ngelë.
–
S’ka vlerë fjala e burrnia,
Sot më shumë vlen dallavergjia,
U kthye mashtrimi n’urtësi,
E nga i ndershmi na vjen mërzi.
–
Në krye ngjitet kush turp s’ka,
Gënjen e buzëqesh, grabit sa t’ka.
Drejtësia flet – mallkimi e pret,
Ndërsa trillimi vlerësohet në jet.
–
Besa u shit për një karrige,
Miku tradhton për një “like”,
Kush t’rreh pas shpine, e quajnë “i mençur”,
E kush punon drejt, i thonë prapambetur.
–
Kohë të rënda, kohë të rrejshme,
Drejtësia shkon e verbër, besa e zbehtë.
Djalli vishet me rroba të bardha, bën fytyrë të mirë,
E i ndershmi s’ka vend as në udhë të lirë.
——————
15
Njerëzit e Maskave (Pjesa II)
–
Sot njeriu s’është ma njeri,
Por maskë që ndërron çdo ditë si veshje,
Në mëngjes të përshëndet me mirësi,
Në darkë t’vret me fjalë e ngërdheshje.
–
Ka mbetë shoqnia n’pazar t’gënjeshtrës,
Ku secili shet çka s’ka në shpirt,
Fjalët janë mjaltë, zemra helm,
Buzëqeshjet – thika në pritë.
–
Rrijnë n’kafene me poza të rreme,
Me fjalë të mëdha e mendje të fshirë,
Nderin e atdhetarinë e kanë me t’bleme,
Por e shesin vëllanë, veç për një lirë.
–
Të ndershmit heshtin, s’u ngel fjalë,
Se s’duan me u bâ si ata,
Ndërsa maskat, sa herë rrëzohen,
Ngriten prapë me mashtrime të reja.
–
Në rrjete – trima me tastierë,
N’jetë reale – frikacakë pa shpirt,
Në zemër s’kanë zjarr as besën e zotit,
Veç etje për emën e lavdi t’kotit.
—————-
16
Vlera të humbura (Pjesa III)
–
Ku janë burrat që s’përkuleshin kurrë,
Që fjala e dhënë vlente si gurë,
Që s’e shisnin nderin për t’ardhura,
E s’bënin be n’emën t’pazareve?
–
Ku janë nënat me zemër t’pastër,
Që mbanin shtëpinë si një kështjellë,
Që rrisnin fëmijë me besë e dashni,
Jo me telefona e mendje t’mbjellë?
–
Sot fëmija mëson prej ekrani,
Jo prej nanës e babës n’sofër,
S’ka ma këngë, as tregim për trima,
Veç filma boshe e zemra të thata.
–
Ka humbë urtia që kish populli,
Fjala “falemnderit” u ba tallje,
E “më fal” s’e thotë kush ma,
Se mendja as zemra s’kanë ma hallë.
–
N’rrugë s’ka ma përshëndetje,
As “mirë se erdhe”, as “si je?”,
Secili vrapon pas interesit,
E njeriut s’i ka mbetë ma Atdhe.
–
Kah t’shkojsh, ndjen nji zymtësi,
Si mjegull që s’të len me pa,
Se është damtue shpirti i kombit,
E po kërkon me gjetë pak dritë e paqe.
——————-
17
A ka shpëtim kjo botë? (Pjesa IV)
–
A ka shpëtim kjo botë që shkon,
Pa ndjenjë, pa turp, pa nder e zot?
Ku fjala vdes në buzë të ftohta,
E e vërteta s’ka më vota.
–
A ka shpëtim, kur trimi hesht,
E frikacaku krenohet me rrenë,
Kur djalli shitet për engjëll dritë,
E t’urtit i thonë “njeri pa fitim”?
–
Ndoshta një ditë, kur t’vrasim kreninë,
E t’kthejmë n’zemër nderin e dashninë,
Kur t’kujtojmë rrënjët e gjakun tonë,
Atëherë ndoshta shpresa kthehet n’truall.
–
Veç edhe një za në këtë jetë të mbesë,
E shpirti i drejt kurr nuk do të vdesë.
Derisa zemra t’ketë pak zjarr,
Kjo botë s’ka me u shue, por do eci mbar.
–
Se edhe n’errësinë ma t’zezë,
Nji dritë e vogël prapë ndrit diku,
E n’se njerëzia humb n’pazar,
Shpirti shqiptar s’ka për me u shu!
—-
Se edhe n’errësinë ma t’zezë,
nji dritë e vogël prapë ndrit diku…”
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut,

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk