Ka data në histori që jo thjesht shënojnë një moment politik – por shënojnë ringjalljen e një kujtese, të një identiteti dhe të një populli që refuzoi të shuhet. Për shqiptarët, ajo ditë është 28 Nëntori 1912.
Në atë ditë, në Vlorë, plaku i urtë Ismail Qemali dhe burrat më të zgjedhur të trojeve shqiptare shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, duke hequr dorë nga varësia pesë shekullore osmane dhe duke afirmuar të drejtën historike të ekzistencës së një kombi autokton në Ballkan – një komb me rrënjë shumë më të thella se çdo kufi politik.
Pavarësia nuk lindi rastësisht
Ajo ishte përfundimi i një epoke të gjatë rezistencë ndaj okupatorëve që fillon shumë më herët se 1912.
Nga mbretërit ilirë Teuta, Agroni e Genti, të Ilirisë kundër Romës dhe më pas në perjudhen e Bizantit kundër hordhive sllavo-bullgare e që arriti me krijimin e principatave të pavarura mesjetare arberore ku shqiptarët u bënë zotër të territoreve të tyre Iliro- Dardane- Epirote dhe kulmon te epopeja e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriot Skënderbeut – historia shqiptare është historia e një populli që luftoi për të mos humbur vetveten.
Në shekuj të pushtimeve, shqiptarët mbajtën:
Gjuhën – më të lashtën e familjes së gjuhëve indoeuropiane mbi 6000 vjeçare dhe gjuhen bazë të Europes.
Kulturën dhe traditën – këngë, rite, zakone dhe një kod nderi të jashtëzakonshem.
Simbolet – shqiponja dykrenare, simbol i fuqisë dhe i unitetit, më e vjetër se të gjitha perandoritë që kaluan mbi këtë tokë me bazë te hershme lidhje mbi 5000 vjeçare.
Viti 1912 ishte një vit i rrezikshëm. Fuqitë ballkanike — Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia — sapo kishin nisur Luftërat Ballkanike me qëllimin e qartë: zhdukjen e çdo hapësire shqiptare nga harta dhe ndarjen e territorit mes tyre.
Dokumentet diplomatike europiane tregojnë qartë se Shqipëria rrezikonte të humbiste jo vetëm pavarësinë, por edhe ekzistencën.
Në këtë moment historik, nën presionin e kërcënimeve pushtuese Serbo-Malazeze në veri dhe Greke në Jug delegatët në Vlorë nën mbeshtetjen diplomatike dhe të Austrisë e kuptuan se po të vonohej qoftë edhe një ditë – mund të ishte tepër vonë.
Prandaj vendimi për shpalljen e pavarësisë nuk ishte thjesht një akt politik, por ishte një akt shpëtimi kombëtar.
Vlora i bë tempulli i ringjalljes kombëtare.
Më 28 nëntor 1912:
Flamuri i Skënderbeut i Nëntorit të Parë u ngrit sërish nga duart e Ismail Qemalit.
Shqiptarët u shpallën komb i lirë dhe sovran.
U vendos themeli i shtetit modern shqiptar.
Ky akt simbolizon lidhjen e pandërprerë mes shtetit të ri dhe traditës historike të lashtë shqiptare.
Arsyet që e bëjnë 28 Nëntorin datë të përjetshme: janë të shumta:
1. Rikthim i subjektivitetit politik shqiptar pas shekujsh.
Shqipëria rikthehej si aktore, jo objekt në politikën ndërkombëtare.
2. Vërtetim i autoktonisë historike.
Pavarësia e 1912-s është dëshmi se populli shqiptar ka qenë këtu para pushtimeve, para shteteve moderne fqinje dhe para konceptimit të kufijve të sotëm.
3. Kthesë drejt Europës.
Ajo datë shënoi orientimin politik, kulturor dhe civilizues drejt perëndimit, duke forcuar identitetin europian të shqiptarëve.
Një ditë e gdhendur në ADN-në kombëtare
28 Nëntori nuk është vetëm kujtesë. Ai është simbol i qëndresës, i besës dhe i unitetit.
Ai na kujton se: Liria nuk dhurohet dhe atdheu nuk trashëgohet i përfunduar.
Kombi kërkon kujdes, sakrificë dhe dashuri të përditshme.
Mesazhi për brezat është i qartë:
Sot, kur shqiptarët jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë, diasporë e më gjerë, 28 Nëntori nuk është festë e një krahine apo një shteti — është festë e një kombi të vetëm i ndarë padrejtësisht nga kancelaritë perendimore.
Sepse kufijtë politikë mund të ndryshojnë, por kufijtë e gjakut, gjuhës dhe kujtesës nuk zhduken.
Një popull që harron historinë e vet, rrezikon të humbasë të ardhmen.
Një popull që nderon rrënjët, krijon rrugën për brezat që vijnë.
Më 28 Nëntor 1912, shqiptarët nuk fituan vetëm pavarësinë.
Ata fituan dinjitetin.
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Se liria nuk ishte fillimi i historisë sonë – por garancia që ajo të mos mbarojë kurrë.
_____
Kol Marku-Itali
28 Nentor 2025


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
