A T D H E U
(fragment nga poema)
. . .
Ti , Atdhe, je busull jete, ti, Atdhe je Komisari,
Ti, Atdhe, je kryefjala, ti je buka, ti je ajri,
Ti je drita, ti je kënga, ti je gjiri brenda gjirit,
Ti je malli, ti je brenga, ti je syri brenda syrit.
.
Ti je dashuria ime, rrënj’ e ëndrrës sime je,
Ti je Sofra, që nuk shkelet, kryedielli je Atdhe.
Ti je guri ku ka gdhendur gjithë kujtesën historia,
Ti je djepi ku ka hedhur shtatin shqipe Shqiptaria.
.
Shqiptaria quhet lindje e rilindje shpresëdrite,
Shqiptaria quhet era, që nuk lidhet dot për gryke,
Shqiptaria quhet lulja, që çel mbi kratere flake,
Shqiptaria quhet zjarri, që djeg rrënjët e një nate.
.
Shqiptaria quhet deti, jo me ujë, po valë gjaku,
Shqiptaria quhet toka, që nuk vdes nën çelik tanku,
Shqiptaria quhet fjala, që nuk dridhet para djallit,
Shqiptaria quhet ylli në Flamur të idealit!
.
Shqiptaria quhet gjiri, që gatuan uraganin,
Shqiptaria quhet tmerri, që fashit në ferr tiranin,
Shqiptaria quhet himni, që këndon për drejtësinë,
Shqiptaria quhet feja, që beson në shqiptarinë.
.
Shqiptaria quhet kulla, që bën zjarr në vend të vet,
Shqiptaria quhet nderi mes planeteve planet,
Shqiptaria quhet jeta – barrikadë me epopé,
Shqiptaria quhet zemra, që rreh veç për ty Atdhe!
.
Ti, Atdhe, je shkëmb për buste, ti, Atdhe, je fjalë që dhemb,
Rritur je në shtratin tim, rritur jam në shtratin tënd.
Ti je krahu flamurmbajtës nëpër vapë e në furtunë,
Ti je Kryekomandanti, që firmos se çdo bëj unë.
.
Ti je pasuria ime, trashëgim i pashtershëm,
Ti je krenaria ime, në një emër të pavdekshëm.
Mu në majë të universit, s’dua, them flori e ar,
Dua vetëm që të rroj e të vdes si një shqiptar!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!