38 VJET PA ZOT SHTËPIE!

14
Oct
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

Në 115 vjetorin e Lindjes:

Në dy mijë vjet të Erës së Re, Arbërit nxorën dhjetra e qindra kollosë të mendjes e të shpatës. Midis tyre shkëlqeu Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ai pati me dhjetra tituj, me të cilët, Kancelaritë e kohës e patën emërtuar si: “Princi i Arbërit”, “Iskandër”, “Kalorsi i Krishtit” etj. Por populli i tij e quajti me fjalën e thjeshtë “Kryetrimi”!
Pesëqind vjet më vonë, Arbëri – tashmë Shqipëria, do të kishte përsëri Heronjtë e saj të penës e të pushkës, të mendimit e të veprimit, të aksionit e të revolucionit, që i dolën zot vatanit në momentet më kritike. Midis tyre, si një shqiponjë mali u ngrit Udhëheqësi i Lavdishëm, Enver Hoxha. Edhe këtij Heroi Kombëtar koha i dha dhjetra tituj, por populli që e deshi aq shumë e quajti thjeshtë “Komandanti”.
PO, Ç”ISJHTE ENVER HOXHA? NJË KOMUNIST? NJË PARTIZAN? NJË KOMANDANT, NJË KOMISAR? NJË UDHËHEQËS MASASH? NJË REFORMATOR? NJË LEGJENDË? APO NJË E VËRTETË?!
“Historinë e bëjnë masat, individët lozin rol të veçantë”,- na mëson historia e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në Epokën 50 vjeçare të Shqipërisë së Re e moderne ishte vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit, dhe ishte në të njëjtën kohë edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij.
Të shkruash për Enver Hoxhën në një përvjetor kujtimi, është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. Është e lehtë sepse veprat e tij madhore janë ende gjallë, jo vetëm në mendjet e zemrat e ne bashkëkohësve të tij, por ato, megjithë përbaltjen e borgjezisë dhe mercenarëve të saj, lartohen si mali e shndërrisin si dielli në horizontet shqiptare e më tej. Por njëherësh, të shkruash për Enver Hoxhën është tepër e vështirë, sepse shkrimet tona, sado të thurura bukur, nuk mund të evidentojnë as në sasi, as në cilësi punën dhe veprën e këtij Kollosi të Komunizmit, të këtij Burri të Madh të Shqiptarisë. Ndaj unë po tentoj të ndalem vetëm në dy-tri nga momentet më kryesore të Komandantit e të Komisarit tonë të paharruar, të cilat, parë sot në dritën e kohës dhe të ngjarjeve që përjetojmë, marrin vlera të shumfishta, vlera që i tejkalojnë përmasat e një jete dhe vepre të zakonshme udhëheqësi.
Ishte dimri i egër i vitit 1943:
Në malet e Çermenikës, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ gjendej në kushte kritike. Rrugët e kalimit për në zonat e lira ishin bllokuar nga bora dhe nga gjermano-ballistët. Gjenerali anglez Dejvis, që ndodhej si aleat pranë Shtabit të Përgjithshëm, i frikësuar gjer në palcë nga kjo situatë kritike, në debat me Enver Hoxhën, i kërkon këtij të fundit të pushonte luftën e të dorëzohej:
-Zoti Hoxha, ju e keni kot . . . ju e humbët luftën . . . jeni të rrethuar . . . dy rrugë ju mbeten: ose të vriteni, ose të dorzoheni . . . Enver Hoxha, që ishte munduar ta qetësonte gjeneralin aleat të Britanisë së madhe, kur dëgjoi fjalët kapitulluese të tij, shpërtheu:
-Kush e humbi luftën? Kush të dorëzohet? Kurrën e kurrës! Ju zoti gjeneral qenkeni një disfatist e kapitullant. Partizanët shqiptarë nuk e njohin humbjen e aq më pak dorëzimin. Ata njohin vetëm qëndresën dhe fitoren!
Dhe ishte guximi i pashoq i Enver Hoxhës, bindja e tij absolute në fitore, që e nxori Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ nga ai rrethim i egër gjermano-ballist, në atë acar dimri të paharruar të fund-dhjetorit 1943.
Viti 1946, Konferenca e Paqes në Paris:
Në Konferencën e Paqes në Paris, vendoseshin përfundimet e Luftës 2 B. Fitimtarët e mëdhenj, SHBA, BS, Anglia dhe Franca, me pozicionet e tyre primare vendosnin për fatet e popujve. Shqipëria e vogël, me më pak se një milion banorë, kishte shkuar në këtë Konferencë me ballin lart. Kontributi i saj në LANÇ, krahasuar me mundësitë njerëzore e materiale, ishte i shkallës më të lartë. Por shovinistët fqinj nuk donin ta pranonin këtë fakt. Përfaqësuesi grek, Caldarisi, ngriti një stuhi akuzash kundër Shqipërisë, duke e quajtur atë bashkëpunëtore të fashizmit në sulmin kundër Greqisë. Po të pranoheshin këto akuza si të vërteta, vihej në pikëpyetje tërësia tokësore e Shqipërisë së posaçliruar. Të mëdhenjtë e botës, si gjithmonë, nuk e kishin mendjen dhe prokupimin për fatet e vendeve dhe popujve të vegjël. Këto të fundit mund të këmbeheshin midis tyre, siç këmbehen dhuratat dhe reliket, në një festim të thjeshtë. Këtij rreziku potencial për vendin tonë, do t’i dilte në ballë Enver Hoxha. Me një kurajo të pashoqe, ai do të deklaronte në këtë Konferencë:
“Unë deklaroj solemnisht se: As Konferenca e Parisit, as konferenca e të Katërve, as çdo Konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijt e vendit tim, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj….Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund!”
Dhe pas kësaj deklarate historike, Enver Hoxha braktisi punimet e asaj Konference, për t’u kthyer në Atdhe tek populli i tij, aty ku ai, porsi Anteu, merrte forcë e guxim të pashtershëm!
Në nëntorin e vitit 1960:
Guximi i Enver Hoxhës ngrihet në përmasa legjende. Është momenrti i përballjes me rrezikun që po i vinte Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare dhe njëherësh edhe Shqipërisë socialiste. Përballja ishte e drejtëpërdrejtë me drejtuesin e shtetit të stërmadh, që përbënte 1/6 e globit, me babain e “kukuruzës”, Nikita Hrushovin. Por ky “Cikllop” i vendit të stërmadh të euroazisë, kur u ndodh përballë Enver Hoxhës, në atë dimër të acartë të Kremlinit plak, ngjante me kopjen më të vogël të “Matrioshkës ruse”. E kundërta ndodhte me Enver Hoxhën. Ai kishte në harmoni të plotë pamjen gjigande dhe ekspresive, me argumentin dhe të vërtetën që mbronte, shoqëruar ato me guximin e rrallë. Kjo ndodhte sepse ai vinte nga Shqipëria ku, burrëria nuk matet me peshë e me poste, por me qëndresë e guxim, me vepra e akte në dobi të vendit. Në fund të atij ballafaqimi të ashpër me Nikita Hrushovin, Enver Hoxha me një zë ta lartë e të sigurtë do të deklaronte:
“Unë mbroj interesat e vendit tim”!
Kësaj fraze të thënë me zjarr e burrëri shqiptare, përballë kupolës tradhëtare të Moskës, nuk mund t’i bëhet asnjë koment! Siç e vertetoi historia, e gjithë filozofia e jetës dhe e veprës së Enver Hoxhës përmblidhet në këtë frazë: “Unë mbroj interesat e vendit tim!”
Për gjysëm shekulli me radhë ky “Burrë i Dheut”, si askush tjetër në historinë e vjetër e të re të shqiptarëve, mbrojti e ngriti në nivelet më të larta interesat e Shqipërisë e të Kombit të vet.
Nuk mund të thuhet me saktësi nëse Epoka nxjerr Kollosë, apo Kollosët bëjnë Epokë. Por në rastin tonë, ne pa frikë mund të deklarojmë: Enver Hoxha për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar bëri Epokë. Një Epokë që e futi Shqipërinë në hartën e Botës, duke i ngritur shqiptarët dhe vendin e tyre në shkallën më të lartë të dinjitetit si komb!
Apologjetët e borgjezisë na akuzojnë ne komunistëve për “kultin e individit”! Po kush e ngriti dhe vijon t’i fryjë të ashtuquajturit “Kult të individit” për udhëheqësit e proletariatit? Ishin dhe janë xhuxhmaxhuxhët e historisë, duke filluar nga Hrushov tullaci, e gjer tek të çakërdisurit, mjekërroshët dhe poturexhinjtë e sotëm, të cilët, në pamundësi t’i ngjiten Malit të Lartë, e pështyjnë atë nga poshtë, paçka se pështyma u rikthehet mbi surrat!
Epitetet e larta për Enver Hoxhën nuk do të mjaftonin edhe sikur të mblidheshin tok të gjithë fjalorët e gjuhëve të botës. Se natyra, rrallë ka gaditur persona të tillë të përsosur, për Dukun e Trupin, për Mendjen e Zemrën, për Guximin e Trimërinë, për Vetmohimin e Përkushtimin, e mbi të gjitha për Veprën madhështore në dobi të kombit të vet, si Enver Hoxha.
”Kulti i individit”? Sa qesharake dhe po aq djallëzore! Për një prift, që paska shëruar një apo dy të verbër (sigurisht me ilaçe, të cilët në kohrat e vjetra nuk njiheshin), Kisha dhe propaganda e saj bën shënjtërimin, dhe pastaj këtij prifti i ngrihet kulti, ku falen mijëra besimtarë. . . .
Po për Enver Hoxhën, që bëri mrekullira reale e jo të stisura; që zhvendosi e bëri epokë; që shëroi nga verbëria jo një apo dy njerëz, por plot tre milion shqiptarë; që vepra e tij teorike e praktike ngre në këmbë jo dy apo tre sakatër, por mijëra e miljona proletarë në të gjithë botën, ne pra nuk paskemi të drejtë t’i ngremë kultin?
Po! Enver Hoxha e meriton plotësisht Kultin. Ai është dhe do të mbetet Kulti i shqiptarëve të ndershëm. Ai është dhe do të mbetet Kulti i anëtarëve të Partisë Komuniste dhe mbështetësve të tyre, sepse Figura e Tij Madhështore përfaqëson idealet e vërteta Kombëtare.
Shqipëria jonë sot, ashtu siç kam shkruar në krye të shkrimit, është pa Zot Shtëpie. Plot 38 vjet pa zot shtëpie. E si mund të jetë shtëpia pa “të Zotin”? Shih e shkruaj, thotë populli. Dhe të “shkruarat” duken sheshit. Në mungesë të “Zotit të Konakut”, lukunia e ujqërve, së bashku me ujkonjën e madhe të kapitalizmit, e kanë vënë Shqipërinë ndër këmbë dhe po e çapëlojnë pa mëshirë. Siç bëjnë hienat në errësirë!
Në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992, zgjedhje që shënuan ardhjen në pushtet të borgjezisë së vjetër e pinjollëve të saj të rinj, kryetari i Partisë Komuniste, poeti revolucionar Hysni Milloshi pati lëshuar thirrjen: “Popull shqiptar, mos i lidh sytë me shami të zezë para kutisë së votimit, se pastaj as qyqja nuk do të mundet të vajtojë fatin tënd”!
Por shqiptarët, për fat të keq, të ndodhur nën trysninë e borive dhe daulleve të demokracisë borgjeze, nuk e dëgjuan thirrjen e kryekomunistit të kohës, dhe me dy gishtat lart, e mendjen poshtë, e hodhën votën në kutinë e zezë borgjeze, e cila prej më se tri dekada, ua ka nxirë e po ua nxin jetën në çdo aspekt të saj.
Këtë shami të zezë mbi sy, shqiptarët tashmë duhet ta heqin. Tri dekada janë të mjaftueshme për të kuptuar se demokracia borgjze, nuk mund të sillte përveçse errësirën, në të cilën populli është plandosur me gjithsej.
DERI KUR KËSHTU? MOS KA HUMBUR SHPRESA PËR TË DALË PËRSËRI NË DRITË?
Jo! Shqiptarët do ta nxjerrin përsëri “Zotin e Konakut”, pa të cilin vendi, ashtu si familja, nuk mund të mbahet më këmbë e të përparojë. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Historia përsëritet. E në ditët e sotme kjo “përsëritje” e ka harkun kohor shumë më të shkurtër se në kohët e hershme.
SHQIPËRIA DO TA LINDË SHUMË SHPEJT “BURRIN”, QË DO TA NXJERRË NGA TUNELI I ERRËSIRËS, NË DRITËN E VËRTETË TË JETËS!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk