Ka net kur qielli nuk mban më yje,
veç kujtimesh të ftohta e hije të gjata;
në heshtje lind dhimbja pa emër,
si shkëmb që ngrihet nga rrënjët e thata.
–
Disa plagë nuk dinë të shërohen,
thonj të ngulur thellë në kraharor;
janë rrënjë që shpirtin ta mbërthejnë,
dhe heshtje që djeg si prush në borë.
–
Janë net pa gjumë, rrugë pa kthim,
fjalë të pashprehura, hije të gjata;
janë heshtje që të marrin frymën,
zëra të mbytur në zemra të ngrata.
–
Në botë askush s’e sheh dhimbjen,
e fshehur nën buzë që qeshin me zor;
po brenda shpirtit ajo përdridhet,
si gjarpër në stinën e ftohtë me borë.
–
Kur sheh një njeri të heshtur,
mos beso se heshtja është pa shkak;
ndoshta mban një mal në kraharor,
ndoshta mban një det pa breg e pa cak.
–
Disa dhimbje janë më të vjetra
se vetë fëmijëria e njeriut;
ato janë hije që s’i hedh dielli
dhe shenja që nuk i fshin as shiu.
–
E megjithatë ky njeri ecën,
mban frymë, mban zemër, mban jetë;
dhimbja nuk është fundi i tij,
por thikë që shpon dhe e mban zgjuar vetë.
–
Ai kthehet në një pemë të fortë,
që rrënjët i ka në thellësi;
trungun e mban si flamur mbi kokë,
edhe kur stuhitë ia thyejnë krahët në shi.
–
Se dhimbja s’e vret shpirtin e fortë,
veç e kalit, veç e mpreh;
nga plagët e tij lind drita,
nga heshtja e tij lind e vërteta e vet.
Prandaj, kur sheh njeri që hesht,
kujto këtë: nuk është bosh.
Nën lëkurë ka një botë të gjallë,
një univers që qan dhe digjet poshtë.
–
Dhe ndonjëherë, kur nata bie e qetë,
një dritë lind nga plagët e heshtura;
si feniksi që ngrihet nga hiri i vjetër,
shpirti fluturon i lirë si në një botë tjetër.
—————————
DRINI I GJAKUT
–
Rrjedh Drini i Gjakut mes maleve të larta,
si damar i tokës që pulson kujtesën;
s’mban ujë të ftohtë, por gjak e betim,
s’është lumë, por këngë e një populli trim.
–
Çdo valë e tij ka një emër të pathënë,
çdo shkumë e bardhë mban amanet të lashtë;
ai nuk ndalet, nuk shuhet, nuk tretet,
derisa drita ta përqafojë kufirin e ashpër.
–
Në brigjet e tij rriten lule të kuqe,
mbi gurët e tij lahuta pushon;
tingulli që del prej ujërave të tij
i ngre kreshnikët përsëri në këmbë.
–
Drini i Gjakut nuk njeh harresë,
as heshtje, as ndryshk, as mure;
ai rrjedh përtej telave e kufijve,
si damar i një trupi që s’vdes kurrë.
–
Kur hëna ngrihet mbi malet e tij të mëdha,
tingujt e betimit bëhen yje mbi valë;
dhe kush pi ujë nga Drini i Gjakut
e mban lirinë në zemër, si flakë
që kurrë s’falet.
———————————-
ZJARRI I VATRËS SË ARBËRIT
–
Nuk shuhet zjarri në vatër të gurit,
nga shiu në male, as prej stuhisë;
se e mban betimi, besa e burrit,
që s’plaket, as vdes, është flaka e lirisë.
–
Në pragje kullash, në gurët e lashtësisë,
ndez dritën e shpirtit, ajkën e trimërisë;
nga gjaku i bijve që ranë për liri,
ushqehet flaka e themeleve të përjetësisë.
–
Le të fryjë era e acarit mbi ne,
le të bjerë shi e dëborë pa pushim;
zjarrin e gjakut tonë për Atdhe
s’e shuan dot kurrë asnjë trishtim.
–
Është dritë që lind mbi bjeshkë të nalta,
këngë që ushton në lumenj e shkrepa;
është flamuri me shqiponjën kuq e zi,
që valon ndër breza, s’kthehet mbrapa.
–
Nuk shuhet zjarri i Arbërit të lirë,
se e ushqen fryma e Atdhedashurisë;
nga një vatër ndizen mijëra të tjera,
për ta mbajtur gjallë lirinë e Shqipërisë.
———————————-
BIR I ATDHEUT
–
Më thonë ekstremist, por jam atdhetar,
Bir i këtij dheu që s’e shes për ar.
Me gjak e me shpirt, me këngë e me dritë,
Madhështisë sate i gëzohem çdo ditë.
–
Në kodra e male, në fusha, në det,
Kam ndjerë frymën tënde që as zjarri s’e tret.
Ti ma dhe gjuhën, këngën e amanetin,
Në plagët e tua kam lidhur betimin.’
–
Në net të stuhishme kam ndezur një dritë,
Me shpresë e me armë, me zemër të ngritë.
S’jam i huaj, jam bir i kësaj toke,
Flamurin në ballë, amaneti n’zemër
të Nënës Loke.
–
As burgjet s’më thyen, as furtuna s’më tret,
Në rrugën e lirisë kam larë borxhin vetë.
Këmbët e mia njohin shtegun me gurë,
Ku të parët tanë me gjak e kanë paguar.
–
O Atdhe, o nënë, o tokë e bekuar,
Në çdo zemër t’bijve je e shenjtëruar.
Për ty ngrihem, për ty di të bie,
Ti je fjala ime, ti je dashuria.
–
S’e kam për lavdi, as për t’u mburrur vetë,
Veç për t’i thënë botës se s’jam shitur
kurrë në jetë.
Luftëtar i heshtur që digjem për ty,
Në qiell e në tokë veç ty të kam n’gji.
–
Dhe kur të thërrasë flamuri me kushtrim,
Do jem ndër rreshta me shpirtin flakërim.
Se bir i jot jam, o tokë e të parëve të mi,
Madhështinë tënde do e ruaj n’përjetësi.
———————————
Plaga dhe Fjala
–
Ta qetësoj dhimbjen?
Po s’e kam atë bar…
Ta duroj në heshtje?
Heshtja djeg me zjarr.
–
Ta lidh me kohë?
Koha veç e shtrëngon…
Ta hedh në erë?
Era s’më kupton.
–
T’ia jap detit?
Dallgët e përpijnë…
T’ia jap dheut?
Dheu pëshpërinë.
–
Ta fsheh në zemër?
Zemra rreh më fort…
Ta kthej në këngë?
Kënga më sjell lot.
–
Ta shndërroj në lutje?
Lutja dridhë qiellin pakufi;
Ta bëj fjalë?
S’e beson njeri.
–
Po ç’të bëj me hijen,
që më rrëmben natën?
Hija flet sa njëmijë fjalë;
dëshmon se unë jam gjallë.’
–
Po ç’të bëj me dritën,
që më djeg ndër gishta?
Drita është provë,
që plagët janë të brishta.
–
Ta shëroj plagën?
Plaga vetë e di…
Unë po mësoj të eci
me plagë në gji.
———–


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
