A FOLI DIÇKA MOSKA PËR RRJETIN E AGJENTËVE TË SAJ NË MAQEDONINË VERIORE, KUR LISTA E ZEZË AMERIKANE PO TRASHET E NUK KËPUTET?

14
Dec
2023
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti

A k t u a l e
nga arkivi im, për rilexim dhe reflektim
Tre vjet pas regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriore (2021), numri zyrtar i popullsisë shqiptare ka mbetur më i vogël se në regjistrimin e vitit 2002, nën 25%. Pjesa tjetër e popullsisë e regjistruar në formë elektronike nga bota e jashtme, si banorë jorezidentë, nuk llogaritet në numrin e përgjithshëm të popullsisë nga organet e pushtetit në Shkup.
Sugjerimet dhe vërejtjet që ia kemi bërë faktorit politik shqiptar para fillimit të këtij operacioni statistikor, si gjithmonë kanë hasur në veshë të shurdhër.
Pse gjithmonë shqiptarët trajtohen pakicë në Maqedoninë Veriore, si numër dhe përqindje, për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi historike.
Qytetarëve shqiptarë, dhe të tjerë, të këtij shteti, u mbetet vetëm një mundësi, ta pastrojnë skenën politike sa të jetë e mundur më shumë, me mjete demokratike, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, të planifikuara të mbahen gjatë vitit të ardhshëm (2024), pavarësisht se mendimit të lirë i është zënë fryma nga propaganda politike e pushtetit dhe nga mediet e kapura, për vazhdimin e gjendjes ekzistuese.
Nuk ka mjerim më të madh për një popull, se kur voton për përfaqësues të vetët në pushtet, figura politike të imponohen, të cilët nuk përfaqësojnë asgjë më tepër se material i ricikluar, nga brumi që ka prodhuar aparati shtetëror me dekada, shumica e tyre të dalë nga kuzhinat e shërbimeve sekrete të huaja, të cilët pa u verifikuar në laboratorët e shërbimit sekret të vendit, si “shqiptarë të ndershëm”, as sot nuk përfshihen në listat e kandidatëve, për cilindo nga funksionet e pushtetit, deputet, ministër, kryetar komune etj., vetëm për sigurimin e të ardhmes së tyre personale të lumtur, dhe për fatkeqësinë kolektive të shqiptarëve “pakicë” e “përqindje”, sot e në të ardhmen, jo si popull shtetformues, me të drejta dhe barazi të plotë të garantuara me kushtetutë, jo me ligje të përkohshme, pa bazë kushtetuese, sa për të shpëlarë çorbë para faktorit ndërkombëtar.
(12 dhjetor 2023)
* * *
ALO! A ËSHTË KËTUPARI KRYETARI SHQIPTAR I QEVERISË SË MAQEDONISË VERIORE?
(“Misteri demografik i Maqedonisë Veriore: numra shumë të gabuar.
Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.”
– Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA (BIRN-Maqedoni), autor: Tim Xhuda, 14 maj 2020.)
Nëse mbahen zgjedhje të drejta, të lira e demokratike, dhe mbrohet vota shqiptare, lodra të tjera do të binin në Maqedoninë Veriore.
Sipas të dhënave zyrtare nga organet kompetente të shtetit, thuhet se në Maqedoninë Veriore ka afërsisht 1.800.000 votues*.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 (si edhe në zgjedhjet e mëparshme) kanë votuar afërsisht 1.200.000 qytetarë me të drejtë vote.
Numri i banorëve dhe i votuesve shqiptarë në këtë shtet me asnjë parametër real nuk mund të jetë nën 35%, që i bie se, nga numri i përgjithshëm i qytetarëve shqiptarë që kanë votuar (votues aktivë) në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ka mundur të jetë nën këtë përqindje, përkatësisht 460.000 votues shqiptarë, nga së paku 630.000 votues shqiptarë, sa ka në këtë shtet sipas analizave tona.
Përderisa nga 1200.000 votues zgjedhen 120 deputetë të Parlamentit të Maqedonisë Veriore, i bie që, duhen afërsisht 10.000 vota për një mandat të deputetit.
Nga numri përgjithshëm prej 1.200.000 votuesish, besojmë se 35% e tyre janë votues shqiptarë, përkatësisht 460.000 votues, prandaj, afërisht 46 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë Veriore duhet të jenë deputetë shqiptarë.
Kush, si dhe pse i “avullon” votat e qytetarëve shqiptarë? Pse partitë politike të shqiptarëve dhe drejtuesit e tyre e heshtin dhe tolerojnë këtë shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore?!
Në një shtet demokratik dhe me liri të garantuara për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, apo çfarëdo prejardhje, bindje dhe dallimi tjetër, nuk do të kishte nevojë për qasje të këtillë, por, këtë na e imponojnë standardet jodemokratike që praktikohen aktualisht në këtë shtet, sipas kushtetutës, ligjeve dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit, si pjesë tanimë e preambulës së kushtetutës aktuale, me të cilat shqiptarët diskriminohen në baza kombëtare, si pakicë kombëtare dhe qytetarë të 20%-shit.
*Shifrat janë të rrumbullakuara me qëllim të përcjelljes më të qartë të mesazhit përmes këtij shkrimi.
(21 qershor 2020)- / Nga Arkivi/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk