SHEJH BEDRI OSMANOLLAJ – NJË ATDHETAR I FLAKTË DHE SHQIPTAR I DEVOTSHËM

23
Jan
2024
Shkruan: Zekerija Idrizi

Sheh Bedri Osmanollaj, në kohët më të liga për kombin, kur krisnin e gjëmonin pushkët dhe topat në luftën shqiptaro-serbe në Kosovë vitet 1998/99, ne dyt kemi bashkëvepruar në rrafshin e aktiviteteve kombëtare, duke organizuar demonstratat dhe tubimet e ndryshme për sensibilizimin e opinionit mërgimtar shqiptar në Berlin dhe më gjerë. Bashk e kemi vizituar njëri tjetrin në klub, në xhami dhe në teqen “Yjet e Ehli Bejtit”.
Ju përcolla me vëmendje në emisionin “Kojshia Show” me Sadri Imerin. Ju, në përgjigjet tua, shpërfaqët një vetëdije dhe ndërgjegje të lartë kombëtare, duke respektuar simbolet dhe personalitetet tona markante kombëtare. Ju lumtë! Me këtë ju tregoni karakterin tuaj të fuqishëm kastriotik skënderbegian dhe gjakun e ADN-në arbërore shqiptare.
E tërë veprimtaria e mistikëve të mëdhenjë sufistë shqiptarë ka qenë thellësisht kombëtare që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme. Dihet kontributi kolosal atdhetar i vëllezërve bektashinjë Frashëri: Abdyli, Samiu dhe Naimi. Dihet madje edhe kontributi kapital në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të Hoxhë Imer Prizrenit. Më pastaj edhe kontributi kapital i Shejh Ahmet Shkodrës, Shejh Muhjedinit Shehut të Rahovecit, Shejh Malës (Maliqit) etj.
Qëndrimin dhe karakterin tuaj të fortë kombëtar ju e mbështetni në personalitetin gjigant të të dashurit të Perëndisë Imam Aliut, i cili ishte me karakterin më fisnik njerëzorë dhe luftëtar i pamposhtur. Madje ju keni edhe shembëlltyrat ideale të martirëve të fesë dhe atdheut, Imam Hasanit dhe dëshmorit Imam Hysejnit. Së këndejmi edhe kudo shteteve të Lindjes dhe në Gadishullin Ilirik mistikët sufinjë kanë treguar dashuri të thellē ndaj besimit në Zot, ndaj kombit dhe Atdheut.
Gjatë periudhës së apathejdit racist millosheviqian dhe përgjatë luftërave shqiptaro-sllave të gjitha teqetë dhe zavijet në Kosovë u shndërruan në Vatra Atdhedashurie duke dhënë një kontribut madhorë në sferën kombëtare, respektivisht, në luftën tonë për liri, pavarësi dhe shtet-ndërtim kombëtar.
I dashur Shejh Bedri, si në gëzime, ashtu edhe hidhërime, si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë luftërash ne ishim bashkë dhe në lartësinë e detyrës në shërbim të kombit dhe atdheut. Së këndejmi edhe miqtë më të mirë i kam nga mesi i sufinjëve nga Hasi historik i Prizrenit, nga Rahoveci dhe nga Gjakova.
Ne, njëkohësisht, në kohë paqeje do të vazhdojmë edhe betejat tona me unin tonë individual, sepse beteja me egot e sëmura dhe shpirtërat djallëzorë në vetvetet tona është lufta më e shenjtë në besim dhe fe.
Te ne prore duhet të funksionojë parimi i shenjtë besimor: “Vdis përpara se të vdesësh realisht!” Do të thotë, duhet t’i ndrydhim e t’i flakim tej nga shpirtërat tanë qejfet dhe kapriciot vetanake, egocentrizmin, xhelozinë, hakmarrjen, egocentrizmin dhe mizantropinë (çnjerëzoren). Vetëm në këtë mënyrë ne bëhemi dashnorë të flaktë të Perëndisë dhe qytetarë dinjitozë, konstruktivë e produktivë të kombit, atdheut dhe fesë.
Siç dijmë ne dyt, misticizmi ose sufizmi islamik është ajka e fesë dhe besimit, respektivisht, ajo është komponenta imanente shpirtërore e fesë. Pa elementet mistike e spirituale feja rrezikon të zhbëhet e zhduket.
Të gjitha shërbesat dhe ritualet fetare që s’kanë shpirtëroritet ato nuk pranohen te i Madhi Zot! Definitivisht, ne gjithçka, çdo vepër tonën duhet ta bëjmë nga dashuria hyjnore dhe për të përfituar kënaqësinë e Zotit, i qofshim falë!
Ne bashkërisht kemi luftuar të gjitha rrymat dhe grupimet radikale e fundamentaliste të një islami politik. Besimtarët tanë, shimica dërrmuese e tyre, janë paqësorë dhe universalë. Dhe ne e ruajmë po sikur sytë e ballit harmoninë, dialogun dhe vëllazërinë tonë shqiptare pa dallim feje. Vëllezër jemi që të gjithë: myslimanë, katolikë, ortodoksë e prorestantë. Ne, madje-madje, jemi tolerantë edhe ndaj vëllezërve tanë ateistë e aganostikë.
Shejh Bedri, ne do të vazhdojmë edhe më tej të bashkëpunojmë në rrafshin kombëtar atdhetar dhe atë besimor fetar, duke ngjeshur dhe konsoliduar radhët tona dhe duke i unjësuar shqiptarët drejt sendërtimit të idealeve tona madhore kombëtare.
Ne, njëkohësisht, përmes aktiviteteve tona të përbashkëta kombëtare dhe fetare i kemi çrrënjosur suksesshëm të gjitha çarjet, përplasjet, fërkimet dhe fragmentarizmat krahinore, fisnore, fetare, partiake dhe ideologjike. Nuk ka mes nesh botëvështrime të llojit: “Jo ti je me Shejh – jo ti je me Hoxhë!”; “Jo unë kosovar, ti nga Shqipëria, ai nga Lugina e Preshevës, e ata tjerët nga Mali i Zi e nga Shqipëria!”; “jo unë LDK, ai AAK, tjetri PDK, e tjerët LPK e LKÇK!” etj.
Për fund, i dashur Shejh Bedri, të përshëndes shpirtërisht, idealisht, dhe vëllezërisht shqiptarisht dhe të uroj shëndet dhe suksese të shumta në jetë!
ZOTI I BEKOFTË SHQIPTARËT DHE SHQIPËRINË ETNIKE – NATYRALE!
ZOTI JU BEKOFTË MIK DHE KOLEG I DASHUR!
Me respekt të thellë:

Berlin/Shkup

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk