Si sot, 79 vite më parë , thënë ndryshe 1 vit e 7 muaj pasi qe çliruar Shqipëria nga pushtuesit nazi-fashistë u inaugurua ura e Topojanit.
Po japim një pjesë të reportazhit të gazetës “Bashkimi”:
Para se të bëhej inaugurimi i urës, pionerët e shkollës së katundit Homesh ishin vënë në radhë dhe këndonin këngë të reja. Në fytyrat e tyre të vogla shihje gëzimin e një jete të re që po vjen. Këta të rinj s’kanë parë kurrë më parë një ditë të bardhë. Janë rritur në mes të varfërisë dhe injorancës, pa shkollë dhe me frikën e bajraktarit në zemër. Po sot ata rriten shpejt, se në sytë e njerëzve shohin gëzimin dhe shpresën. Kënga e pionerëve tund grykën ku është ngritur ura e Topojanit.
Nga krahinat rreth e rrotull kanë ardhur shumë fshatarë. Për herë të parë ata bisedojnë lirisht me njerëzit e Qeverisë. Për herë të parë ata shohin një dashuri të madhe, nje kujdesje. Në kohët e para, kur në vendin tonë sundonin bajraktarët dhe feudalët, çdo gjë ishte e zezë. Vetëm vjedhja ishte zakon i mirë, në ato kohë. Këtë profesion i mësonin popullit bajraktarët dhe bejlerët. Vetëm kështu ata mund ta shfrytëzonin më mirë dhe ta tërhiqnin më lehtë populli nga hunda. Dhe kështu shpjegohet fakti që sot, në tërë këto krahina të Dibrës pat zënë vend injoranca. Shkollat kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të bajraktarëve dhe feudalëve.
Në inauguriimin e kësaj ure me rëndësi kanë ardhur të marrin pjesë Gjen. Majori Myslim Peza, Ministri Kolonel Haxhi Lleshi dhe autoritete të tjerë të Ministrisë së Punëve Botore dhe të Peshkopisë. Gëzimi është i madh. Ura është stolisur me flamurë dhe gjethe. Të gjithë presin me kureshtje prerjen e shiritit.
Kur Gjen.Major Myslim Peza preu shiritin, duartrokitje dhe brohoritje të mëdha shpërthyen në popull:
– Rroftë Gjen. Kol. Enver Hoxha! Rroftë Qeveria e jonë!
I pritur me duartrokitje Ministri Haxhi Lleshi i foli popullit mbi rëndësinë e madhe të kësaj ure, se si kjo urë i shërben me të vërtetë vendit dhe theksoi, në mënyrë të veçantë, dallaveret e bajraktarëve që interesoheshin vetëm për veten e tyre dhe pasuroheshin mbi kurrizin e popullit., duke përfunduar tha:
– Lufta u bë për popullin, gjaku që u derdh po i vë themele të shëndosha lumturisë së popullit. Po puna jonë duhet të vazhdojë. Rruga Kukës – Peshkopi ka një rëndësi të madhe. Në këtë rrugë kanë ardhur dhe punojnë vullnetarë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Të dërgoni edhe ju sa më shumë djem, të bëheni shembull, se kjo rrugë do t’ju shërbejë më tepër këtyre krahinave. Ju ujroj suksese e punë të mbarë!
Dhe kënga gjëmoi përsëri:
Hajde të punojmë,
Djersa të kullojë,
Të ndërtojmë
Shqipërinë e re!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!