79 vjetori i betejës së Qafës së Gjarpërit, ku ra heroi i Popullit Xheladin Beqiri (Karadaku)

12
Jun
2025
Përgatiti: Xheladin ÇELMETA

6 qershor 1944 – 79 vjet – 6 qershor 2023
Përkujtimore:
79 vjetori i betejës së Qafës së Gjarpërit, ku ra heroi i Popullit Xheladin Beqiri (Karadaku)
Xheladin Beqiri, heroi nga Gjilani, që populli e quante “bir i Labërisë”
-Karadaku: “Shtëpia ime janë malet ku kanë folenë shqiponjat”
-Ka një fakt domethënës për “Heroin e Popullit” Xheladin Beqiri: Qysh në fillim të LANÇ, djali nga Gjilani i Kosovës që atëhere jetonte në Nivicë të Kurveleshit, rroku armën e doli malit për lirinë e Shqipërisë. ‘’Nuk mund të rri në shtëpi,-iu tha nivicarëve djali kosovar. Shtëpia ime janë malet ku kanë folenë shqiponjat!’’. Si erdhi Xheladin Beqiri në Shqipëri? Ngjarjet e vitit 1934 atje në fshatin e lindjes në Gjilan, e detyruan të kalonte fillimisht në Kukës, pastaj në Shkodër. Prej andej në Myzeqe, në Fier tek disa të afërm.
Prej andej punoi disa kohë në kriporen e Vlorës. Lufta italo-greke 1940 e gjen në Nivicë të Kurveleshit. Xheladin Beqiri (Karadaku) ka lindur më 1905.
Ai ra heroikisht në betejën e luftimeve që u zhvillua midis gjermanëve e forcave partizane në operacionin luftarak më 6 qershorit të vitit 1944 në Qafën e Gjarprit të rrethit Skrapar.
Në monografinë e shkruar për këtë hero nga autori Xhevair Cirongu, detajohet fakti që Xheladini, me babanë, ngaqë nuk duronin shtypjen serbe, u vunë në shënjestër nga serbët. Kjo e detyroi atë që të kalonte drejt Shqipërisë. Por edhe në Shqipëri, Xheladini nuk e pati të lehtë. Pati një kalvar mundimesh. Arrestohet nga italianët me disa muaj burg.
Kur mësojnë se nuk ishte djalë nga Nivica, por një hyzmeqar i ardhur nga veriu i Shqipërisë e lirojnë nga burgu.
Në këto kushte, biri i Kosovës rrëmben pushkën e inkuadrohet në rreshtat partizane. Kështu, Xheladin Beqiri (Karadaku) hyn në formacionin e parë të çetës partizane të Kurveleshit në vitin 1942.
Më vonë, kalon komandant i çetës “Hajredin Tremishti” me komisar Asim Zeneli. Po në këtë vit pranohet Antar i PKSh. Me trimëri e zgjuarsi ka marrë pjesë në shumë beteja kundër pushtuesve gjermanë në krahina të ndryshme të Shqipërisë së jugut. Gjurmë që mbetën në histori është ajo e betejës së Mezhgoranit në Përmet.
Me krijimin e Brigadës Parë S, bëhet zëvendës-komandant i Batalionit Parë. Duke parë aftësitë e tij si organizator e luftëtar i zoti, si një strateg i lindur, Xheladin Beqiri emërohet komandant i batalionit të pestë të Brigadës Parë Sulmuese. Bëhet kështu krahu i djathtë i Mehmet Shehut, fill pas kthimit nga kongresi i Përmetit ku ishte pjesëmarrës si delegat atje.
Në betejën e Qafës së Gjarprit e Guri i Prerë, në luftime të ashpra që u zhvilluan aty trup me trup midis forcave gjermane e ato partizane më 6 qershor të vitit 1944, dhanë jetën 36 partizanë e partizane në lulen e rinisë për lirinë e Shqipërisë. Midis tyre edhe biri i Kosovës, komandant Xheladin Beqiri (Karadaku),Hero i Popullit. Gjatë luftës për çlirimin e Shqipërisë nga okupatori nazifashist, ai mbajti pseudonimin ‘’Karadaku’’ emrin e malit Karadak të vendlindjes. Sot, në qafën e Gjarprit, janë dy lapidarë: njëri është ngritur pikërisht atje ku u vra Xheladini 79 vite më parë. Edhe në Nivicë në qendër të fshatit qëndron kryelartë busti i “Heroit të Popullit”, Xheladin Beqiri (Karadaku), atje në zemër të Labërisë trime.
Populli i Skraparit u këndon edhe këngën dëshmorëve që ranë në betejën e Qafës së Gjarpëri e Guri i Prerë.
“Qaf e Gjarprit e Guri Prerë,/
U ndez lufta me furi,/ Djemtë tanë po luftojnë, /
‘’Karadaku’’me Myslimë,/ Dhe Jonuzi djalë i ri./ Edhe shumë djem, vajza të tjerë, /Derdhin gjakun për liri’’…..
Heronjtë nuk vdesin, ata populli gjithnjë i përjetëson në këngë….

Lavdi heroit të popullit, Xheladin Beqiri – “Karadaku”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk