BISEDË ME NATYRËN
–
I drejtohem hënës, në dritaren e natës,
ajo më përgjigjet me vezullim të butë.
Era lëkund pemët, i merr fjalët e mia,
lumenjtë i dëgjojnë, i ruajnë në heshtje.
–
Në degët e drurëve dëgjoj gjurmët
e kujtimeve,
që fshihen mes gjetheve të dridhura.
Çdo frymë ere më pëshpërit një histori
të largët,
dhe çdo valë lumi më pëshpërit rrjedhën
e kohës.
–
Fluturat më prekin lehtë si frymë,
si buzëqeshje të humbura në ajër.
Por ndjej një afërsi heshtur e të ëmbël,
një bisedë pa fjalë që më mban gjallë.
–
Nëpër yje gjej gjurmë të hapave të mi,
ata më udhëheqin pa fjalë.
Në barin e lagur gjej shenjat e kujtimeve,
që koha s’arrin t’i fshijë dot.
–
E ndiej malin të më thërrasë në heshtje,
shkëmbi ruan zërin e paraardhësve të mi.
Natyra është libër i hapur për shpirtin,
ku çdo varg shkruhet me frymë drite.
–
Në mëngjes, kur dielli lind mbi fushë,
shpendët këndojnë sekretet që s’i them dot.
Por natyra dëgjon çdo frymë
të zemrës sime,
pa gjykim, pa zhurmë –
vetëm me praninë e saj.
–
Kur nata bie përsëri dhe heshtja
mbush gjithçka,
unë kuptoj: kjo bisedë s’ka fund.
Çdo pemë, çdo lum, çdo yll që ndriçon,
janë miqtë që mbajnë sekretet
e shpirtit tim.
———————————————————-
KËNGA E HESHTJES
–
Në qelinë time rri ulur me heshtjen,
ajo më flet pa fjalë,
si një nënë e fshehur pas reve.
Mes mureve të gurta dhe errësirës,
në frymën e natës së gjatë,
heshtja këndon një këngë
që vetëm shpirti im e dëgjon.
–
Ajo më rrëfen për ditët e humbura,
për ëndrrat që mbetën në sirtarë.
Por zëri i saj është i lehtë,
si frymë drite mbi natën e qetë;
pëshpëritje yjesh që bien
e shkrijnë errësirën brenda meje.
–
Unë i flas hënës
përmes dritares së ngushtë;
ajo e dëgjon heshtjen time
dhe ma kthen me argjend të dritës.
Në qeli s’ka muzikë,
por ka melodi;
në çdo rrahje zemre
lind një këngë e re.
–
Heshtja është shoqja ime e përjetshme,
ajo më mbron nga thyerja e shpirtit.
Në errësirën ku gjithçka duket e mbyllur
ajo hap portat e fshehta të lirisë.
Dhe kur nata mbyllet
në perden e saj të zezë,
kur orët rrjedhin pa zhurmë,pa dritë,
–
heshtja këndon më fort se çdo zë,
një këngë të pathyeshme
që s’fiket as nga koha,
një këngë që lind nga zemra
dhe rritet në liri.
———-
Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.
———————-
Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.
——————————————————
SHPIRTI I HERONJVE
–
Shpirti i trimave kurrë s’ka vdekje,
si era mbi male që çan terr e rrëke;
ata që ranë për flamur e liri,
u ngjitën në qiell me dritë përjetësi.
–
N’kulla të lashta lahutari këndon,
me kangë që zemrën prej guri e shkundin;
në telat e lahutës rreh shpirti i tyre,
si rrufe që shkreptin mbi terr të ngrirë.
–
Shpirti i heronjve nuk asht veç gjallim,
por flakë hyjnore që çon kushtrim;
gjaku që bie për tokë arbërore,
kthehet flamur me shqiponjë dykrenore.
–
Kur lisat e maleve përqafojnë legjendë,
e fusha i thurin kurorë me kangë;
shpirti i heronjve në zemra rron,
si zjarr i amshuar që kurrë s’shuhet dot.
–
Asht kanga e odës që kurrë s’pushojnë,
asht lahutari që shekujt e shoqërojnë;
në sofrën e madhe të kombit shqiptar,
rrëfehet si yll mbi qiellin e gjallë.
–
Kujtesa e tyre pishtar që ndriçon,
udhë për bijtë që nesër do shkojnë;
shpirti i heronjve – i shenjtë, i dlirë,
mbi qiellin e kombit shkëlqen pa mbarim.
–
Kur flamuri valon mbi kala,
shkëlqen me gjakun që ata i dhanë;
në çdo fije kuqe e në çdo shqiponjë,
frymon shpirti i tyre – i pashuar përjetë.
—
✍️ Genci Sefa-Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.
——————————————–
TOKA E DJEGUR
–
Kur nata mbi fusha sjell errësirë,
drita rrëshqet si rreze mbi hekurat e ngrirë.
Shpirtrat kërkojnë rrugën e largët,
midis maleve plagësh dhe qiellit që tretet.
–
Ikën shqiptarët vrullshëm me nxitim,
lanë pas vetes mall, lot e pikëllim.
Asnjë emër, asgjë s’morën me vete,
veç zjarr në kraharorin e mbushur me derte.
–
Toka jonë, e djegur dhe e humbur,
ku maskarenjtë fronin kanë shtruar.
Nderi blihet, poshtëria lulëzon,
veç zemra e shqiptarëve e di si duron.
–
Çdo plagë, çdo lot, çdo mall i mbetur
ngrihet flamur mbi rrënojat që janë tretur.
Do të vijë koha kur toka e djegur
do mbjellë përsëri gurët e shpirtit të paepur.
–
Breza të rinj, me zemra si gur’ i dheut,
do ta rimarrin atë që i takon Atdheut;
vendin ku liria s’blihet, as shitet,
tokën e të parëve, ku ardhmëria nuk vritet.
–
Toka e djegur do çelë lule e dritë,
brezat do kthehen si erë pa frikë.
Shqiptarët s’do shuhen, s’do humbin kurrë,
se zemra ka rrënjë në truallin e bekuar.
—
✍️ Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.
—————————————–
FLAKA E PANJOHUR
(Kushtuar Luftëtarëve të panjohur
që ranë për lirinë tonë)
–
Në mes të natës ngrihet flaka,
pa emër, pa zë, si këngë të lashta;
valon mbi fusha, mbi male t’arta,
zemra e lirë, shpirti i gjallë.
–
Askush s’e di se kush ka ranë,
por gjaku i tyre betim ka lanë;
në çdo hap toke, kujtim i shenjtë,
në çdo frymë zjarri, shpirt i përjetshëm.
–
Flaka s’pyet për kohë e vend;
rri mbi varre, mbi heshtje të shtrenjtë;
këngë sakrifice në erë e sjell,
nënë për të gjithë, dritë në dhe.
–
Kur era kalon mbi male t’qeta,
përhap dritë mbi fusha t’humbura;
ata që ranë pa emër e mbiemër,
janë flakë që rron, s’shuhet kurrë.
–
Dhe kur hëna ngrihet mbi tokë të ngrirë,
flaka valon mbi çdo rrethim;
mban gjallë betimin e heshtur në jetë,
dhe shpirti i panjohur përjetëson lirinë.
—
✍️ Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut 🇦🇱
————————————————————–
RRUGA DREJT AGIMIT
–
Fushat e tharë shndërrohen në rrugë drite,
në çdo hap ndjehet fryma e të parëve;
zëri i tyre shoqëron hapat e rinisë,
dhe shpirti i popullit ngrihet mbi hije.
–
Çdo gur, çdo rrëzim, çdo gjurmë e shkuar,
është mësim për ata që vijnë pas;
shpresa rrjedh si lumenj mbi male,
dhe agimi i ri lind mbi çdo humbje.
–
Të rinjtë ecin me flakë në zemër,
me kujtesën e trimave që ranë për flamur;
ata mbajnë gjallë çdo fjalë të betimit,
dhe çdo hap është premtim për lirinë.
–
Era fshin pluhurin e netëve të errëta,
por s’fshin ëndrrën e dritës që pret;
rruga drejt agimit është e gjatë dhe e vështirë,
por asgjë nuk mund të ndalë shpirtin e lirë.
–
Kur dielli ngrihet mbi tokë të lirë,
fusha mbushet me këngë dhe dritë;
rruga drejt agimit vazhdon pa fund,
dhe çdo brez i ri e përçon lavdinë.
—
✍️ Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.
——————————–
HYSEN UKË KOMONI – PUSHKA E LIRISË
–
Në Dardani u lind një djalë pranvere,
më 15 mars, i thonë: “Mirseardhe!”.
U gëzua shtëpia, u gëzua dhe nana,
u gëzua baba Uka, u gëzuan motrat tana.
–
E rriti nënë Nekibja si princ me kurorë,
shok i librave, në zemër Arbëror.
Në Loxhë mësoi shkronjat e para,
me hap të butë, me shpirt burrëror.
–
Por erdhi një kohë me plumba e terr,
me tanke serbi, me gjak nëpër ferr.
Librat i la, pushkën në krah e hodhi,
me shokët e UÇK-së rrugën e lirisë mori.
–
Udhës për Shqipëri, pa këpucë në këmbë,
armë solli Hyseni – syri kurrë s’u trembë.
“Për Kosovën jam gjallë, s’e kursej vetën,
për bashkimin kombëtar sot e fali jetën!”.
–
Në Logjë kur krisi pushka e parë,
në vijën e frontit trim mbi male doli.
Me zemër prej shqipe, me gjoks prej guri,
kundërshtoi serbin me forcën e burrit.
–
Më njëzetedy korrik, në priten e zezë,
Brezhniku i Pejës në flakë u ndez.
Shkoi Hyseni me luftëtarë të rinj,
në Shqipëri për armë, që të shporr serbinë.
–
Plumbat i erdhën, zemra i pushon,
po gjaku i tij në Kosovë gjëmon.
Në Çyshk e varrosën shokët e trimërisë,
në Dardani i ngritën përmendore lirisë.
–
Sot këndon populli, sot thërret historia:
“Hysen Ukë Komoni – Nderi e Lavdia.”
Bir i Nekibes, bir i Ukës, bir i Dardanisë,
shqipe që bën roje mbi trojet e Shqipërisë.
—
Lavdi e përjetshme Dëshmorëve! 🇦🇱
✍️ Autor – Genci Sefa, Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut
————————-
LAHUTA QË NUK HESHTI
Në male të largëta, ku erërat fërfëllojnë,
lahuta e vjetër këngën e çon;
rrufe mbi kreshta, flakë mbi gurë,
historia rrjedh nga zemra te çdo burrë.
–
Kur nata bie mbi fushë t’gjakosur,
tingujt e lahutës ndezin shpirtrat e humbur;
ngrihen kreshnikët prej varrezash të harruara,
zëri i tyre shkund pluhurin e kohëve të shkuara.
–
Flaka në male është betim që s’shuhet,
zemra e lirë në këngë përjetë ruhet;
lahuta shpërndan kujtimin dhe gjakun,
rrëfen sakrificën që në popull s’shterron.
–
Kur dielli zbret mbi male të qeta,
ajo pushon veç sa pret hënën e re;
por nata tjetër ajo zgjohet përsëri,
këndon për trimat që hynë në histori.
—
✍️ – Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
