, 26.10.2024
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Këtë lloj dhe intensitet angazhimi të opozitës dhe zëdhënësve të tyre mediatik të cilët i kontrollojnë në masë pothuajse të plotë, nuk kemi parë qysh nga viti 2020 kur në mes të pandemisë që kaploi botën nga virusi covid19 dhe kur vdisnin me mijëra njerëz brenda ditës edhe në shtete më të zhvilluara, opozita jonë të vetmin “problem” kishte rrëzimin e Qeverisë Kurti. Deri sa në shtete tjera, edhe pse ju skadonte mandati, vazhdonin mandatet qeveritë aktuale për tu përqendruar në probleme shëndetësore të popullatës. Ky shembull i opozitës tonë ishte i pashembullt në botë me ç’rast u shpërfaq i gjithë imoraliteti i saj. E njëjta opozitë është edhe sot. Atëherë nuk kishin kurrfarë arsyetimi për rrëzimin e qeverisë sepse qeveria e re sapo kishte filluar punën. Por, as që ju duhej ndonjë arsyetim, sepse u bënë të gjithë bashkë dhe i bën numrat, mbi 2/3. Në zgjedhje që pasuan me 14 shkurt 2021, këtë imoralitet votuesi e ndëshkoi duke i dhënë koalicionit LVV-Guxo 50,28% të votave të përgjithshme, ose 56% të votave shqiptare, me gjithë refuzimin e shumicës së votave nga diaspora që në shumicë dërmuese ishin për LVV-Guxo.
Gjatë gjithë mandatit të fundit, tashmë gati 4 vjeçar, u munduan të gjejnë kauzë për ta luftuar qeverinë, por nuk e gjetën, sepse qeveria punonte me duar të pastra. Numrat më nuk i kishin për ta rrëzuar qeverinë, kurse opozitarizmi i tyre, i thënçin opozitarizëm, u përqendrua në dy pika: të fusin pyka (përçarje) në koalicionin LVV-Guxo dhe të dramatizojnë raportet e qeverisë me bashkësinë ndërkombëtare me theks të veçantë në raportet me ShBA. Në të dy pika dështuan. Në të parën sepse koalicioni ishte i sinqertë, kurse në të dytën sepse qytetarët ishin të gatshëm të sakrifikojnë raportet me “miqtë ndërkombëtarë” për ta vendosur ligjin dhe rendin ne veri të Kosovës, që disa e quanin “dhuratë e Rankoviqit” kurse disa të tjerë “tokë e askujt”. Në fakt ajo ishte tokë e Kosovës, e pranuar nga 112 shtete të botës, por e udhëhequr nga bandat legale serbe të udhëhequra nga Beogradi dhe të mbështetura nga bandat ilegale shqiptare, ku të dy palët kishin gjetur interesa të veta kriminale. Duke filluar nga kontrabanda e mallrave të konsumit të përgjithshëm të cilat kalonin edhe në jug, me ç’rast dëmtohej buxheti i Kosovës, kultivimi dhe përpunimi e narkotikëve deri të harxhimi enorm i energjisë elektrike për prodhimin e bitcoinave, të cilën e paguanin qytetarët shqiptarë nga pjesa tjetër e Kosovës. Mos të flasim pastaj për pamundësinë që qytetarët e dëbuar nga shtëpi dhe banesat e veta nga veriu të vizitojnë pronat e tyre për 20 vjet resht apo për ndërtimin e lagjeve të tëra me shtëpi dhe banesa për kolonët serb. Të gjitha këto u përmbysën brenda këtij mandati, kur edhe filloi kthimi i të dëbuarve nëpër banesa dhe shtëpi të tyre, madje duke u ndihmuar financiarisht apo me ndërtimin e shtëpive të shkatërruara në ndërkohë. Sigurisht, ky është vetëm fillimi.
Këtyre ditëve, në prag të zgjedhjeve të ardhshme, e kanë angazhuar gjithë arsenalin që e kanë në dispozicion kundër Qeverisë së Kosovës, duke mos çarë kokën nëse njëkohësisht dëmtojnë edhe interesat e Kosovës apo dobësojnë pozicionet negociuese në raport me Serbinë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza brenda Stejt Departamentit deklaron se vendimet e qeverisë “me doemos do revidohen”, duke bërë premtime në dëm të Kosovës!
Ish kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu ankohet se ngecja në negociata me Serbinë me faj të qeverisë (!) dëmton rëndë biznesin, duke sugjeruar tërthorazi formimin e zajednicës që është kusht i Serbisë për të “ecur përpara”.
Ish ambasadori dhe tani Drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ishte edhe më eksplicit duke thënë se nga mos procedimi i Asociacionit ka rrezik që ”në tavolinë të na shtrohet çështja e ndarjes së Kosovës”.
Krye propagandisti në të dy anët e Drinit, Baton Haxhiu, kërkon që Serbisë t’i jepet çka do që kërkon, vetëm të na pranon sikur shtet. Sikur nuk e di se Serbia as atëherë nuk të pranon si shtet, sepse gjithnjë do të ketë kërkesa të reja. Vetëm kushtëzimet dhe sanksionet mund ta detyrojnë Serbinë ta pranoj Kosovën.
Rasti KEK dhe Nagip Krasniqi mbahet pezull tani e dy vjet dhe i tillë, me siguri do mbetet deri pas zgjedhjeve për t’i shërbyer opozitës si ushqim apo do aktivizohet pak para zgjedhjeve.
Në mungesë të aferave korruptive, ato shpiken. Rasti më eklatant ishte “afera me rezervat e shtetit”, të cilat kjo qeveri i gjeti me 10 mijë euro. Shpifën se kishte keqpërdorim me blerje të grurit. Në fund Gjykata e Apelit refuzoj të ngrit aktakuzë. Përkundër këtij vendimi, edhe sot deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi u thirr në “keqpërdorime me rezervat e shtetit”, duke llogaritur në mos informim të qytetarëve, sepse ky vendim shumë pak u pasqyrua nëpër mjetet e informimit.
Efikasiteti i prokurorisë në lëndë ku denoncohen qeveritarët dhe futja e lëndëve në sirtar kur denoncohen ish qeveritarët tregojnë anësi totale. Me dhjetëra ish qeveritarë janë denoncuar për keqpërdorim dhe korrupsion, por asnjë lëndë ende nuk ka mbërri në gjykatë, me përjashtim të ish ministrit Pal Lekaj që e dënua me 3 vjet burg për 54 milion euro të keqpërdorura, por ende nuk u dërgua në vuajtje të dënimit. Me afrimin e zgjedhjeve kjo dukuri do të shpeshtohet, sepse do të shpeshtohen edhe shpifjet nga brenda administratës të instaluar nga opozita e tashme. Madje, mund të ketë edhe shkelje të qëllimshme ligjore nga opozitarët brenda administratës dhe denoncim po ashtu nga opozitarët, që të kërkohet pastaj llogari nga Albin Kurti
Politikisht opozita është kapur pas një bisede të Mimoza Kusarit me shefin e grupit parlamentar të Listës serbe Goran Rakiq i cili ia imponoi një bisedë me Radojçiqin, duke insistuar kështu që kishte koordinim me personin nga lista e zezë e ShBA-ve. Sigurisht se do të ketë edhe vazhdime tjera të kësaj bisede duke i paraqitur këto sekuenca sikur biseda të reja. Sikur harrojnë se për të njëjtin u tërhoq aktpadia sa këta ishin në pushtet, nga veglat e tyre nëpër prokurori dhe gjykata dhe se i njëjti më parë hynte dhe dilte nga Qeveria e Kosovës, madje pritej edhe në zyrën e Kryeministrisë dhe cakërroheshin gotat nëpër ndeje të ndryshme. Kurse kjo qeveri e uli ndikim e tij në veri të Kosovës në zero, ia konfiskoi pasurinë e fituar me kriminalitet dhe e përcolli në Serbi me plumba pas prapanice, pa të drejtë kthimi.
Me një fjalë, opozita nuk ka kauzë e cila ngjitet te qytetari. Prandaj shpif! Shpif nga frika se LVV kësaj radhe do fitoj edhe më shumë deputet sesa në zgjedhjet e kaluara dhe kështu pasuria e tyre do vihet në rrezik, sepse nuk do ketë kush ta pengoj vetingun në polici, prokurori dhe gjykata apo ta bllokoj ligjin mbi vërtetimin e prejardhjes së pasurisë dhe ligjin mbi konfiskimin e pasurisë të fituar në mënyra kundërligjore. Prandaj, LVV nuk “guxon” të fiton mbi 60 deputetë dhe ky është objektivi i opozitës dhe i Listës serbe, sepse fitorja nuk vihet në pikëpyetje. Për këtë objektiv, siç shihet, opozita nuk do zgjedh mjete, duke ofruar edhe zajednicën në shkëmbim me asgjë.
Objektivi i qytetarëve duhet të jetë mbrojtja e arritjeve në veri të Kosovës, forcimi i FSK-së, minimizimi i korrupsionit dhe barazia para ligjit për të gjithë. Vlera këto për të cilat duhet luftuar pa pushim, sepse mund të vihen në pikëpyetje nëse fiton opozita, duke marrë parasysh deklaratën e kandidatit për kryeministër nga Partia Demokratike Bedri Hamza, i cili “me doemos do revidon” vendimet e qeverisë aktuale. Pa dyshim që në këtë operacion do kishte ndihëm të pakursyer të mbarë opozitës dhe sidomos të Listës serbe.
Të gjitha anketat tregojnë se LVV do të ketë rreth 55-60% të votave, respektivisht ndërmjet 60 dhe 70 deputet, pa llogaritur votat e diasporës. Por, a do mjafton kjo përqindje për të realizuar punët e nisura në mandatin aktual? Jo. S’pari, sepse mund të ketë erozion të deputetëve gjatë “udhëtimit” sepse LVV është “shkencë e rëndë” dhe disa lehtë heqin dorë pasi kalojnë lumin, siç u vërtetua me Doarsa Kicën, Haki Abazin, Korenicën, Rrahmanin . . . që e (keq)përdoren LVV-në sikur trampolinë, s’dyti sepse nuk mund të aprovohen ligjet që kërkojnë dy të tretat e votave dhe s’treti sepse opozita do mund të bllokoj këto ligje. Në zgjedhjet e kaluara nga votat e diasporës janë pranuar 56 mijë nga rreth 170 mijë aplikime. Nëse nisemi nga supozimi minimalist se gjysma e këtyre votave ishin për LVV, siç ishin edhe votat në Kosovë, i bie se nga 438 mijë vota që fitoi LVV në zgjedhjet e vitit 2021, 28 mijë ishin nga diaspora, ose përkthyer në mandate i bie se nga 58 mandate të fituara, nga diaspora i kanë fituar 4 mandate. Sigurisht se këtë vit pjesëmarrja e diasporës do jetë shumëfish më e madhe duke pasur parasysh ndryshimet, respektivisht lehtësimet ligjore.
Prandaj numri prej 80 mandateve është më se i nevojshëm dhe i mundshëm. Sigurisht që kërkon angazhim maksimal, sidomos të diasporës, e cila nuk duhet të mjaftohet vetëm me shprehjen e entuziazmit nëpër tubime dhe fejsbuk, por me regjistrim të menjëhershëm për votim jashtë vendit dhe më vonë me votim.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!