A ka lind nevoja për krijimin e Xhandarmërisë – forcë ushtarake multifunksionale

06
Apr
2023


Shkruan: Dilaver Goxhaj

Në kushtet e aktivitetit të përhapjes masive të krimeve të lloj-llojshme, të mbjelljeve narkotike, pothuajse në të gjithë zonat rurale, ku më shumë e ku më pak, si dhe krijimi i kushteve për shpërndarjen e drogës edhe ndër moshat adoleshente, kemi të drejtën të shtrojmë idenë e riaktivizimit të një strukture të veçantë të armatosur, Xhandarmërinë Kombëtare, paralel me Policinë e Shtetit.
Mendoj se kjo është bërë domosdoshmëri, për disa arsye: për mbrojtjen e shtetit ligjor, për parandalimin e krimeve si dhe parandalimin e shkeljeve ligjore; njëkohësisht, nëse do të kemi parasysh sasinë dhe format e krimeve, të cilët kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje, si ndaj pronës publike, shoqërore dhe asaj individuale, si në qytete ashtu edhe në zonat rurale, veçanërisht në pyje, në lumenj, në kultivime bimësh narkotike, ngaqë zonat rurale janë larg syrit të policisë, del e nevojshme ekzistenca e një force më të përshtatshme për parandalimin e tyre, dhe kjo është Xhandarmëria.
Pak histori
Termi “Xhandarmëri” nuk është i panjohur për popullin tonë, por edhe jo i pëlqyer prej tij, si në periudhën e sundimit turk, ashtu edhe gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, ku Xhandarmëria ishte shndërruar në gogol, ngaqë efektivat e saj kanë qenë totalisht të paarsimuara dhe me sjellje barbare.
Xhandarmëria shqiptare e ka fillesën në vitin 1914, e krijuar nga italianët në kohën e pushtimit të Vlorës, gjatë L1B, e shndëruar në xhandarmëri moderne nga mbreti Zog në vitet 1925-1939. Armën e xhandarmërisë Zogu e ndau në katër zona: e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugut, me qendra në Shkodër, Peshkopi, Tiranë dhe Përmet, dhe Komande e Përgjithshme në Tiranë. Komandanti i përgjithshëm dhe inspektori i përgjithshëm, (anglez), ishin drejtpërdrejt nën urdhërat e Mbretit Zog.
Prej 7 prillit 1939 deri në 1945 xhandarmëria pothuaj se u zëvendësua nga karabineria italiane dhe më pas nga gestapua gjermane. Pas çlirimit kemi forca që kryejnë detyra të xhandarmërisë, por me emërtim tjetër. Dhe këto ishin forcat e Divizionit të Mbrojtjes Popullore që më vonë morën emrin Forcat e Ndjekjes, të cilat u shkrinë në fund të viteve 60-të, kur Ushtria kaloi në Pika Hapjeje dhe kur prona u bë totalisht e përbashkët, mbrohej nga të gjithë.
Rikaktivizimi xhandarmërisë-një nevojë e kohës.
Çdo lloj reforme ekonomiko-shoqërore, në çdo lloj sistemi shoqëror, ndërvaret nga sistemi i pronës. Aktualisht sistemi ynë shoqëror është tërësisht i bazuar në pronën private. Në këto kushte, shtetit, për ta vendosur autoritetin e vet edhe në skajin më të largët të vendit, i duhet një lloj strukture e sigurtë dhe tepër efikase, e aftë të veprojë në kohën e duhur e në vendin e duhur. Sistemi aktual mbrojtës dhe kontrollues i shtetit ligjor, veçanërisht në zonat rurale, duke patur vetëm një polic për dhjetra fshatra malorë e kodrinorë, (76% e territorit tonë është kodrinor dhe malor tepër i thyer), ku policit i duhet të lëvizi vetëm në këmbë, ndërkohë që kontrabandistëve, sikundër e shohim çdo ditë, nuk u mungon as helikopteri, si rrjedhojë, bën që jeta e qytetarit dhe prona publike në ato zona të jetë tërësisht e pambrojtur.
Aq më shumë që fshatrat janë boshatisur nga popullsia dhe, edhe nëse kanë mbetur disa shtëpi të banuara, në ato jetojnë vetëm të moshuar; si rrjedhjojë kultivuesit e bimëve narkotike janë jashtë çdo syri, ndaj dhe kultivimi i bimëve narkotike, përpunimi dhe trafikimi i tyre po lulëzon gjithnjë e më shumë, pa folur për kontrabandën jasht traut të doganave si dhe në rrugët rurale e nacionale.
Të gjitha këto kanë sjellë shtimin gjithnjë e më shumë të krimit të organizuar e të paorganizuar. Kjo ka sjellë edhe mosmbrojtje të pasurisë kombëtare, sikundër janë kullotat dhe pyjet në të cuilat kultivohet droga, të cilët po shkojnë drejt shfarrosjes totale të tyre, së bashku me florën dhe faunës tokësore e ujore, në lumenj e në bregdet si rjedhojë e moskontrollimit të gjyetisë dhe të peshkimin, gjë që tregon se sistemi policor aktual është i paefekshëm, kur bëhet fjalë për zonat rurale. Edhe shfrytëzimi pakriter i lumenjve ka sjellë humbje të mijëra hektarëve toké arë gjatë rjedhës së tyre dhe në bregdet, si rjedhojë e aluvioneve nga ai shfrytëzim i lumenjve.
Dhe, që e gjithë kjo veprimtari kriminale të parandalohet, të mbrohet pasuria kombëtare dhe të kontrollohet çdo veprimtari ekonomike njerëzore, edhe në skajin më të largët të vendit, del si nevojë adekuate krijimi i një strukture shtretërore mbrojtëse, më e efekshme se policia aktuale e shtetit, duke reduktuar sasinë e Policisë, pa qenë nevoja për efektiva shtesë. Dhe kjo është Xhandarmëria Kombëtare (Xh.K),
Ç’është Xhandarmëria Kombëtare?
Ajo është një lloj arme, një lloj force ushtarako-policore e përherëshme, e nevojshme si në kohë paqe edhe lufte, përkrah Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, e ngarkuar si me detyra për sigurinë publike, ashtu dhe me detyra policore për popullatën civile, për policinë ushtarake dhe me detyra të Gardës Kombëtare. Për zbatimin e këtyre detyrave, Xh.K. bashkpunon me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.
Forcat e Xhandarmërisë në vende të ndryshme kanë emërtime të ndryshme, si psh në Itali thirret Karabinieri; në Portugali Roja Nacionale Republikane; në Spanjë Roja Civile; në Kanada Xhandarmëria Mbretërore ku dhe është tradicionalisht një forcë ushtarake; në Serbi thirret thjesht Xhandarmëri; në SHBA thirret Roja Bregdetare; ndërsa në Argjentinë xhandarmëria është totalisht një forcë ushtarake por që për qëllime ligjore quhet edhe Forcë Sigurie, e cila gjatë luftës për ishujt Folklend (Malvine) ajo morri pjesë totalisht në luftime; xhandarmëria turke është pjesë e FA dhe është përgjegjëse për mbajtjen e rendit publik në zonat në të cilat janë jashtë juridiksionit të forcave të policisë, me mision për sigurimin e sigurisë së brendëshme si dhe kontrollin e kufijve, etj.
Bazuar në Nenin 4 të Ligjit për Policinë e Shtetit, Policia përgjigjet për mbrojtjen e gjithçkaje në të gjithë territorin e vendit, përfshi edhe kufijtë tokësorë e detarë. Mirëpo, sikundër e prekëm më lartë, mos-efektiviteti i mbrojtjes së jetës së njerëzve, (ku nuk ka ditë pa vrasje makabre në fshat dhe qytet), kryesisht për shkaqe pronësie dhe përfitimi, tregon se Policisë së Shtetit i është dhënë një ngarkesë jashtë mundësive të saj, sado e madhe në numër e të përkushtuar t’i ketë drejtuesit dhe pjestarët e saj, pavarësisht se ajo është fuqizuar dhe fuqizohet çdo ditë, në çdo drejtim. Gjithashtu, në kushtet e një demokracie të gjithanshme dhe të një pluralizmi politik në “luftë” të përherëshme për të marrë me çdo kusht pushtetin, si dhe konkurenca e egër në aktivitetet prodhuese e tregëtare, me pjesmarrjen edhe të investitorëve të huaj, në kushtet edhe të një gjallërimi të kontrabandës së gjithanëshme, (sidomos trafiku i lëndve narkotike pore dhe ai njerëzor), ku korrupsioni po shndërohet në mënyrë jetese, ka bërë që Policia e Shtetit të shkojë në vendin e ngjarjes pasi është kryer krimi, duke u justifikuar: “shkelsi iku në drejtim të paditur”.
Krijimi i qyteteve të mëdha,
ka imponuar përqëndrimin e policisë në tò
Policia e Shtetit është një forcë civile nën kontrollin e MB, ku në objektivat e saj parësorë mbetet të jenë vetëm qytetet e mëdha me mbi 10 mijë banorë, dhe të ketë vetëm dy prioritete kryesore: sigurinë dhe paqen publike në ato qëndra, si dhe misionin juridik për të evidentuar, hetuar dhe mbledhur faktet për rastet e shkeljeve ligjore nga shkelësit e ligjit dhe kërkimin dhe kapjen e tyre. Koha ka treguar se probabiliteti i ndodhjes së shkelieve ligjore është shumë i madh në qytetet e mëdha, pasi kemi popullsi të madhe, prona dhe pronarë jashtzakonisht të shumtë dhe, si rjedhojë, gjithë vëmendja e Policisë përqëndrohet në kërkimin dhe arrestimin e shkelsave të ligjit në këto qytete, gjë që kanë mbetur jashtë kontrollit të saj zonat rurale, qutetet e vegjël, madje edhe periferia e largët e qyteteve të mëdha, sidomos pas reformës administrative të një decade më parë.
Në rast se krijohet Xhandarmëria, Policia e Shtetit do të përqëndrohet kryesisht në qytetet e mëdhenj, gjë që do të rrisë shkallën e sigurisë së njerëzve dhe të pronës dhe, si rrjedhojë, do të parandalohen edhe krimet e ndryshme: vrasjet, grabitjet spektakulare të bankave dhe dyqaneve natën e ditën, sikundër po na ndodh shpesh.
Xhnadarmëria është edhe forcë ushtarake.
Këtë veçori ajo e merr prej misioneve të saj, të cilat janë: Patrullon në të gjitha zonat e banuara rurale, rrugët nacionale dhe ato dytësore, bregdetin, kullotat, pyjet, lumenjtë, mallet, zonat kufitare dhe kufijtë shtetërorë, (përfshi këtu edhe ndërhyrjet e jashtme); gjë që do të thotë se ajo është kompetente për të gjithë territorin e vendit, por që parësore ka zonat rurale, ku të gjitha këto nuk mund të kontrollohen vetëm nga Policia e Shtetit.
Njëkohësisht, xhandarmëria kryen edhe sigurinë e aeroporteve civile dhe ushtarake si dhe të gjithë llojet e investigimeve që kanë lidhje me ushtrinë; kryen shërbimin e vëzhgimit për ujrat detare; mbron vendet kulturore; mbron ambientin e gjithë territorit si dhe punon edhe për nevoja të ministrive të tjera, me kërkesë të tyre.
Që të kryej të gjitha këto detyra, veç armatosjes me armë zjarri të fuqishme krahu, me larghedhje sa më të madhe, xhandarmëria ka nevojë të pajiset edhe me të gjitha mjetet dhe teknikën luftarake si të ushtrisë, përfshi edhe helikopterin. Për këtë qëllim edhe kuadrot e saj dhe të gjithë rekrutët e xhandarmërisë vinë nga kontigjentet dhe rekrutimi që bën sistemi i ushtrisë.
Gjithashtu, xhandarmëria përfshin edhe një shtab që mbulon forcat kufitare, kontrollin e administratës, njësitë e shërbimit logjistik të ushtrisë dhe shtetit si dhe stafin e trajnimit të tyre, për të parandaluar korrupsionin.
Si e tillë, xhandarmëria, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit, më shumë edhe se vet ushtria që kemi sot, ajo merr tiparet e një ushtrie territoriale, duke siguruar shërbime policore, speciale dhe të përgjithëshme, pavarësisht se këto të fundit i kryen në bazë të instruksioneve të Ministrisë së Brendëshme.
Si rezultat i këtyre detyrave të saj ndaj popullatës civile në zonat rurale, xhandarmëria nganjëherë përshkruhet edhe si forcë paraushtarake, pavarësisht se forcat e xhandarmërisë marrin pjesë në situata të ndryshme ushtarake brenda vendit, dhe nganjëherë edhe jashtë tij.
Krahas policimit administrativ, ajo do të ketë për detyrë edhe policimin ushtarak në kazermat ushtarake si dhe monitorimin e trafikut ushtarak.
Të gjitha këto, përfshi edhe ceremonitë për udhëheqësit e vendeve të huaja që vijnë vizitë, si dhe detyrat e policisë ushtarake për forcat e armatosura, e bëjnë Xhandarmërinë një forcë ligjore dhe sigurie të armatosur të një natyre tipike ushtarake me të gjithë elementët e nevojshëm si e tillë, e cila shërben për të mbajtur rendin publik jashtë kufijve të bashkisë së qytetit, përfshi qytezat dhe qytetet e vegjël kufitarë. Si rjedhojë, ajo është më e përshtatshme të organizohet në batalione a kompani, pranë prefekturave, si dhe në toga e posta nëpër qyteza, qendra administrative ose edhe në fshatra të thella.
Xhandarmëria është thjeshtë polici rurale.
Xhandarmëria, duke qenë një forcë me strukturë tërësisht ushtarake dhe e pajisur me armatim të fuqishëm të stilit ushtarak, kuptohet që është mirë t’i ngarkohet ruajtja dhe mbajtja e sigurisë publike dhe e regullit publik në qytetet e vogla me më pak se 10 000 banorë, dhe në të gjithë hapësirën rurale të vendit. Ajo nuk mund të veproi në qendrat e mëdha të banimit me lirshmërinë e policisë, përveç rasteve kur policia nuk mund të përballoi demostratat dhe grumbullimet e mëdha të dhunshme, sikundër ishte rasti i 21 janarit 2011.
Janë kapacitetet ushtarake që i japin Xhandarmërisë ruajtjen dhe mbajtjen e sigurisë publike dhe regullit publik në qytetet e vogla dhe në të gjithë hapësirën rurale të vendit, ngaqë do të jetë më e përqëndruar dhe më e fuqishme se Policia; prandaj dhe do të bëhet më e aftë për t’u përballur edhe grupet e armatosura dhe shumë të armatosura, me të gjitha llojet e dhunës, qofshin ato të një natyre ushtarake ose jo ushtarake, gjë që policia nuk mund t’i përballoi, sepse nuk e ka atë përgatitje.
Njëkohësisht, xhandarmëria është në gjendie ta kryej shumë më mirë se Policia vendosjen e regullit e të qetësisë në fshat, sepse është në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejt me popullsinë në të gjithë territorin e vendit, si dhe marrin pjesë në të gjitha aktivitetet komunitare por edhe ato familjare të zonës, pasi xhandarmëria nuk jeton as në qytet dhe as në kazerma. Kontakti ditë e natë me popullsinë rurale ajo kontribon në sigurinë publike, gjë që, si detyrën e Policisë publike ashtu edhe atë të SAR-it, ajo e bën shumë më lehtë.
Gjithashtu, Xhandarmëria kryen shërbime të ndryshme policore larg qendrave të banuara, si për shembull shërbimin e vëzhgimit në lumenj, rezervuare, liqene e në pyje dhe mund të funksionojë edhe si roje bregdetare, (si p.sh. në SHBA), ushtron kontrollin e sigurisë në aeroporte dhe porte, duke mos përjashtuar edhe policimin ajror; po ashtu, ajo bën sigurinë e Presidentit, Prasidencës dhe Qeveritarëve; roje nderi si dhe roje të godinave qeveritare me anë të Gardës së Republikës, e cila do të duhet të jetë pjesë e Xhandarmërisë.
A ka dallime midis xhandarmërisë dhe ushtrisë?
Dihet që Ushtria si detyrë parësore ka mbrojtjen e sistemit shoqëror, mbrojtjen e armatosur të territorit kombëtar prej kufijve të tij, si dhe kryen detyra luftarake jashtë kufijve, në kuadrin e NATO-s; ndërkohë që mbrojtja dhe rivendosja e ligjit nuk është detyrë e saj, por e një lloj force tjetër policore-ushtarake, Xhandarmëria. Ndryshe nga Ushtria, Xhandarmëria ka edhe detyra të sigurisë kombëtare ndaj revoltave të dhunshme të brendëshme; të sigurisë elektorale dhe të marrjes me çështjen e sigurisë së zgjedhjeve elektorale, veçanërisht në zonat rurale, ku edhe na kanë ndodhur paregullsi të përherëshme; ka sigurinë e shkeljes së kufijve si dhe eleminimin e pasojave nga fatkeqësitë e ndryshme madhore. Ndryshe nga Ushtria, detyrat e saj janë të një natyre civile (administrative, sociale, ekonomike, juridike dhe trafiku rrugor), duke patur të drejtë të ekzekutoi mandate arresti si dhe Policia, si dhe të ekzekutoi arrestime pa mandate arresti të çdo personi kur kemi të bëjmë me shkelje në flagrancë të ligjin ose kryerje të ndonjë krimi, si dhe shumë detyra të tjera që do të parashikohen me ligj të veçantë.
Aktualisht mbi vendin tonë kryejnë mbikalime mbi 600 avjonë pasagjerës, përveç 12 kompanive ajrore që ulen dhe ngrihen nga Rinasi, gjë që ka dalë e novojshme edhe krijimi i forcave të Kërkim Shpëtimit (SAR) dhe këtë detyrë vetëm Xhandarmëria mund ta kryej me sukses dhe në kohën e duhur, pasi ajo është e vetmja forcë e përqëndruar e shtrirë në të gjithë thellësitë e territorit të vendit, ku edhe probabiliteti i përfundimit të aksidenteve ajrore është shumë më i madh.
Përfundime
Xhandarmëria është një lloj force ushtarako-policore territoriale e gjithëkohëshme multifunksionale, e cila duhet të përfshihet në Forcat e Armatosura. Në rast se ajo krijohet, në të do të përfshihen Policia Rurale, Policia Ushtarake, Garda, Shërbimi SAR, Policia e Burgjeve, si dhe policia Kufitre, Pyjore, Lumore, Kulturore, Mjedisit, Bregdetare, Qëndra Kombëtare e Emërgjencave si dhe funksionet elektorale. Si e tillë, ajo edhe mund të ketë varësi të dyfishtë: nga MM dhe ajo e Brendëshme.
Ekzistenca e saj garanton ekuilibrimin e forcave dhe parandalon çdo lloj abuzimi nga secila forcë e armatosur, parandalon ngjarje si ajo e Gërdecit apo e 21 janarit 2011. Në rast se do të ekzistonte Xhandarmëria në vitin 1997, nuk do të ndodhte tragjedia e dërgimit të Gardës Kombëtare në Cërrik, sepse oficerat e xhandarmërisë, përveç që janë ushtarakë të mirëfilltë, janë edhe juristë dhe me edukim administrativ. Ngjarjet e mësipërme treguan nevojën e kësaj lloj force me varësi të dyfishtë, si dhe paaftësinë e Policisë për ato lloj situatash.
Bibliografi
1. Fletore Zyrtare Nr. 40, datë 23 korrik 1929, mbi Dekret-ligjin organik të Gjindarmërisë.
2. Ligji Nr.9749, datë 4.6.2007 për Policinë e Shtetit
3. Ligji Nr.10 142, datë 15.5.2009, për ndryshime në Ligjin Nr.9749, datë 4.6.2007.
4. Ligji Nr. 8869, datë 22.05.2003 për Gardën e Republikës së Shqipëerisë.
5. Ligji Nr. 9445, datë 16.11.2005, për disa ndryshime në ligjin nr. 8869, datë 22.5.2003.
6. Ligji Nr.9069, datë 15.5.2003 për Policinë Ushtarake në FA të Republikës së Shqipërisë
7. TV “Canal One”, 12.3.2012
8. Michel de Ëeger, Res Militares, Vol.I, nr.2, 2011

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk