Gazeta “Sot” dt. 19. 8. 2024
Edhe sikur të plasë lufta kineze për të marrë Tajvanin dhe të gjitha gazetat e botës të shkruajnë për këtë ngjarje të shekullit, përsëri në gazetat tona kurrë nuk do të hiqet surrati i Berishës, i cili ka më shumë se tre dekada që na është qepur si “balta mbas këpuce” dhe, të paktën këto 15 vitet e fundit, nuk ka ngelur faqe e shtypit, emisione televizive, nota e deklarata ambasadash, aq sa kushdo me të drejtë i bën pyetje vetvetes: “A me tërë mend e kanë këta që do ta dënojnë Berishën?” Ata ikin dhe tundin kokën, disa tejet entuziaste, disa të tjerë tejet pesimistë, sikurse dhe nga ata që ecin dhe, duke mërmëritur se mos i dëgjon njeri, flasin nën zë: “Do t’i rruajnë trapin!”. Tashmë, për të hequr dilemat e kujtdo dhe për të qenë të qetë si miqtë, ashtu dhe armiqtë e tij, unë, ashtu sikurse e kam deklaruar edhe më parë, e them me plot bindje se Berishën as nuk e dënojnë, madje as kanë për ta dënuar deri ditën kur atë do ta përcjellin me homazhe në shtrat të topit.
Dhe nuk është aspak çudi, i nderuar lexues, që si për ironi, kortezhin funeral do ta shoqërojnë gjithë politikanët tanë të majtë e të djathtë të qendrës dhe ata që nuk kanë qendër, ose si i themi shkurt “të pa bythët”, dhe me këtë rast Rama, duke ulëritur e me lot në sy, rrezik do t’i mbajë dhe fjalimin e lamtumirës. Po pse nuk kanë për ta dënuar Saliun? Mos nuk kanë prova? Mos vallë sistemi ynë i drejtësisë nuk e di se ai ishte arkitekti i piramidave, të cilat, mbasi vodhën popullin, tentuan ta hedhin atë në një luftë vëllavrasëse? Dhe për të qenë realistë, Shqipëria shkoi gati në kufijtë e saj, pra të vëllavrasjes,
pavarësisht se patëm më shumë se 2000 të vrarë e disa mijëra të tjerë të plagosur. Kush ishte shkaktari dhe fajtori? Populli? Cili ishte ai që urdhëroi strukturat paramilitare të veriut për t’u armatosur dhe nisur urgjent për luftë drejt jugut të Shqipërisë? Kush i urdhëroi falangat fashiste të rrethonin Vlorën dhe kush ishte ai që urdhëroi shqiponjat e ajrit të bombardonin popullatën e jugut? (Lavdi atyre piloteve që nuk zbatuan këtë urdhër, i cili përbënte një krim dhe tentim për gjenocid kundër popullit të tyre.!)
Kush ishte ai që në vitin ’98 riorganizoi grushtin e shtetit, madje dhe vet shteti mori arratinë, aq sa të gjitha kancelaritë e Evropës, madje dhe zonja Amerikë përtej Oqeanit, urdhëruan: “Tërhiqu, se nuk do ta njohim pushtetin tuaj që po e merrni me grusht shteti!” Po organizatori i vrasjeve të 11 janarit në bulevard…?
Pra, Berisha, i mësuar me frymë luftarake, nuk do të ndalej jo vetëm ndaj popullit, por dhe si një qytetar i thjeshtë do të futej në hasmëri me familjen Haklaj të Tropojës dhe, në fund të fundit, ai është dhe do të ngelet personi më tipik, i cili, në çdo hap që hedh, nga duart e tij kullojnë vetëm gjak, gjak ky që ka dekada që mundohet ta lajë, por nuk e lan dot. Personi më i kriminalizuar, mostra shqiptare më e rrallë, duke lënë pas si A. Zogun ashtu dhe Toptanin, i pajisur me të gjitha veset dhe poshtërsitë që mund të karakterizojnë një njeri, për fatin e keq ju është bërë rrodhe shqiptarëve, aq sa ka vënë në hall të madh të gjitha institucionet shtetërore të sistemit të drejtësisë, madje duke i kriminalizuar edhe vet ato. Po me të vërtetë, a do të dënohet Berisha?! Kurrsesi jo, sepse të dënojnë Berishën është e njëjta sikur të dënojmë vet sistemin, ngaqë Berisha është sinteza më e dukshme dhe pamja më reale e vet sistemit.
Rama, apo dhe të ashtuquajturit “të majtë”, absolutisht që nuk e kanë aspak kurajën për ta dënuar, sepse nëse do të dënonin Berishën do të ishte e njëjtë sikur të bënin vetëvrasjen e tyre. Berisha është vet krimi , që nuk ka lumë e det për t’i larë mëkatet e tij, por të mos harrojmë kurrë ,se dhe pushteti aktual i sotëm, i cili tund degë dafine, por me gjethe të fishkura, është pjesë përbërëse e Berishës, që do të thotë se në rrugën e krimit, sidomos atij ekonomik, e në bashkëpunim me krimin ordiner, të cilët ndikojnë te politika, janë zhytur thuajse të gjitha strukturat e pushtetit të dominuar nga vet Partia Socialiste. Akuzat për vjedhje të hapura e korrupsione aktive-pasive me djegësat (inceneratorët) apo me pajisjet e apartamenteve, ato të rrugëve, lidhja e pushtetarëve me bandat kriminale, deri në rang ministrash, pasuritë marramendëse të tyre e deri te ndërhyrjet për emërime, dhënie tenderash apo marrje me koncesione nga ana e krimit të organizuar, janë tashmë karakteristikat më tipike të pushtetit të Ramës. Dhe në kësi kushte, apo situatë të tillë, mos vallë Rama do ta ketë kurajën për ta dënuar Berishën?!
Jo, aspak, madje Ramën dhe, bashkë me të, gjithë sistemin e drejtësisë (dhe këta të fundit janë po aq të korruptuar) e ka zënë lemeria dhe nuk di si të bëjë për t’i dërguar mesazhe paqeje Berishës, për një pakt të heshtur, të pa shkruar, por që vetëm batakçinjtë e sprovuar mund ta kuptojnë. Problemi nuk është aq i thjeshtë, sepse nuk është vetëm Berisha, por dhe Lil Floriri me Monin, apo Medi Gërdecin që dhe këta po ia çjerrin maskën Ramës, i cili në rrugën e mundimshme kërkon të pikturojë portretin e vet para ndërkombëtarëve me “veshje djaloshare”, duke u bërë qesharak, sepse populli e di mirë se gjithë ujqërit kanë një turi, çfarëdo qime apo lëkurë të kenë. Po me të vërtetë, a do të dënohet Berisha? Kurrsesi jo… dhe pse i kanë marrë nën hetim thuajse gjithë familjen, bashkë me dhëndrin. Nuk kanë për ta dënuar, sepse nëse do të dënonin Berishën, do të thotë se do të dënoheshin të gjithë ata pushtetarë apo nën pushtetarë që janë zhytur në krime dhe që të bësh këtë duhet të përmbyset tërësisht sistemi.
Po mos vallë ish- pushteti i Berishës dhe pushteti aktual i Ramës janë të interesuar për të përmbysur sistemin?! Jo aspak, as njeri e as tjetri nuk janë për përmbysjen e sistemit, por për përmirësimin e tij ( në pamje, sepse sado makiazhe t’i bëjnë..kapitalizmi ka të njëtin tipar kudo e në të gjithë botën).
Në këtë rast do lindin kompromise, duke i thënë Berishës se boll ndenje në politikë, largohu prej saj, sepse ne do bëjmë sikur do të të dënojmë… gjë që Berishës nuk ia mbush shumë mendjen… për dy arsye: Së pari, ai vuan shumë nga deliri i madhështisë dhe së dyti, po doli nga dera e politikës ka frikë se mos i hapin derën e burgut. Por, kjo nuk mund të ndodhë!
E shumta që mund t’i bëjnë Berishës mund t’i sekuestrojnë një pjesë të pasurisë (atë që nuk ka ditur ta fshehë), ashtu siç bëri Rama me Lulin, që ia prishi pallatin e vjehrrit në Vlorë, dhe meqenëse Gjyqi ndërkombëtar e konsideroi vendim jo të drejtë, të gjitha paratë e hajvanllëkut të Ramës i pagoi populli. Pra, Berishës do t’i konsiderojnë arrestin shtëpiak si burg, duke e konvertuar me vite burgu realë, etj., etj., pehlivanllëqe të tilla. Veçse për një gjë jam i sigurt se, nëse pushtetin do ta rimerrte Saliu… i burgosuri i parë, një ditë pas hipjes së tij në fronin mbretëror… do të ishte Rama. Po, SPAK dhe Drejtësia?!…
E ku ka “drejtësi” te ne? Më e ndershme do të ishte të vendosnim parafjalën mohuese “pa” dhe të shkruanim “Ministria e Padrejtësisë”.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!