Në 5-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit, intelektualit, veprimtarit dhe figurës madhore historike të kombit shqiptar – Adem Demaçit
Në letërsinë shqipe ka shumë vepra letrare që kanë si bazë jetën e një mjedisi shoqëror, që në të njëjtën kohë është edhe mjedisi shoqëror i vetë shkrimtarit. Një shembull i tillë janë romani “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, i botuar fillimisht në revistën “Jeta e re” në numrat 1 e 2. 1958, dhe tregimet e tij, të botuara në “Jeta e re”, “Rilindja” dhe “Zani i rinisë” në rrethin kohor 1953-58, më vonë të përmbledhura e të kthyera në gjuhën standarde me titullin “Kur Zoti harron” më 1990 dhe më pas me titullin “Fërkime”, në kuadrin e kompletit të veprave të tij botuar më 2012.
Si romani ashtu edhe tregimet e para të Adem Demaçit janë botuar këtu e më shumë se 60 vjet më parë kur ai ishte fare e ri: tregimi i parë është botuar më 1953 kur ai ishte 17 vjeç, kurse romani kur ishte 22 vjeç. Rileximi i këtij romani e i këtyre tregimeve këto ditë më bind se Adem Demaçi qysh herët ka dëshmuar një talent të jashtëzakonshëm letrar. Mungesa e tij e gjatë, jo vetëm fizike, në të vërtetë qëndrimi tij i gjatë në burg, prandaj, është fatkeqësi edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi dhe, sidomos, për letërsinë shqipe në Kosovë në veçanti, që po bënte asokohe hapat e saj të parë.
Duke jetuar në një kohë të vështirë për shqiptarët, posaçërisht për shqiptarët e Kosovës, duke jetuar në një mjedis tipik kosovar, një mjedis të varfër materialisht, por të pasur shpirtërisht, Adem Demaçi do të përvetësojë të gjitha elementet e kulturës materiale dhe të asaj shpirtërore të këtij mjedisi hapësinor, të cilat do t’i shërbejnë si frymëzim artistik për të ndërtuar romanin e tij, famëmadh dhe ndëshkues për të, dhe për të ndërtuar tregimet e tij mbresëlënëse. Ndër këto elemente më e rëndësishmja që do të spikatë në romanin dhe në 21 tregimet e tij, përfshirë këtu edhe “S’ka paqe ndër kasolle” botuar më 1957, si fragment romani, është gjuha. E bartur nga një mjedis i pasur gojor, kjo gjuhë i ka shërbyer Adem Demaçit për ta ndërtuar shprehjen e tij artistike duke vendosur mjeshtërisht raport të veçantë midis gjuhës së vendlindjes së tij dhe gjuhës së shkruar ta quajmë letrare të kohës, pa rënë në asnjë mënyrë në lokalizëm. Kemi parasysh se në Kosovën e viteve ’50 e ’60 ishte në përdorim publik, në të vërtetë në përdorim shumë të rrudhur, elbasanishtja letrare e përligjur në Komisinë e Shkodrës 1916-17, me disa veçori të të folmeve verilindore, dhe kemi parasysh se në Kosovë asokohe gjuhë zyrtare ishte vetëm serbokroatishtja. Veçoritë gjuhësore të ligjërimit, ta quajmë të vendlindjes së tij, të cilat në të shumtën e herës janë edhe veçori të mbarë kosovarishtes, në rend të parë të arealit gjuhësor të të ashtuquajturit Rrafshi i Kosovës, janë të shumta dhe të vërejtshme, ligjërimi i vendlindjes së tij është përdorur në rend të parë për të karakterizuar ligjërimin e personazheve të romanit dhe të tregimeve, por nuk mungojnë elemente gjuhësore të kësaj të folmeje, përkundrazi, janë shumë, edhe në gjuhën e rrëfimtarit.
Që në fillimet e tij krijuese Adem Demaçi ka sjellë, pa asnjë paragjykim e pa asnjë zbukurim, ligjërimin e vendlindjes së tij të mbushur me krijimtari popullore, në të vërtetë të mbushur me pasuri mendore e ndjenjore të bashkëkohësve e bashkëvendësve të tij, duke dëshmuar kështu se ata dinë të mendojnë dhe dinë të ndiejnë, duke dëshmuar kështu se gjuha e tyre është e qartë dhe e kuptimshme, duke dëshmuar se ai, njeriu i “vogël” i tregimeve dhe i romanit të tij, me emrat Sakip, Kamer, Azë, Maliq, Zejnie, Binak, Ymer, Zekë, Mustafë, Emin, Abaz e shumë të tjerë, bart mbi shpinën e tij barrë të madhe e me probleme të mëdha, jo vetëm ekzistenciale.
Që në tregimin e parë me titullin Te Sakip-axha, të botuar në “Jetën e re”, nr. 4, 1953, Adem Demaçi do të tregohet krijues me dhunti të veçantë rrëfyese që do ta shpërfaqë në gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe, posaçërisht, siç e dimë dhe e kemi dëgjuar shpesh, edhe në gojëtarinë e tij publike.(1) Me veprën e tij letrare, ai tregoi se është njohës i mirë i së folmes së vendlindjes së tij dhe i bashkëvendësve të tij, se është njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe i frymës së saj. Ligjërimi i vendlindjes, i bashkëvendësve të tij, është përfshirë në masë shumë të madhe në shprehjen e tij letrare-artistike. Kjo lëndë gjuhësore-burimore nuk e lë indiferent asnjë lexues të vëmendshëm aq më pak një studiues gjuhe a leksikograf të pasionuar pas shprehjeve e fjalëve që sot dëgjohen fort rrallë, për të mos thënë nuk dëgjohen fare. Shumë nga këto fjalë do të duhej të përfshiheshin me treguesin dialektizëm a regjionalizëm, madje edhe lokalizëm, pse jo, në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, të cilin edhe sot e kësaj dite nuk po mund ta realizojmë as në Tiranë e as në Prishtinë, as veçmas e as bashkërisht. Natyrshmëria e rrëfimit të shkrimtarit dhe, sidomos, ligjërimi i personazheve, tregojnë pasurinë dhe fuqinë shprehëse të së folmes popullore në përgjithësi dhe të së folmes burimore prej nga është autori dhe prej nga janë marrë temat, motivet dhe personazhet, në veçanti. Duke lexuar tregimet dhe romanin e tij na krijohet përshtypja se shkrimtari nuk ka sajuar gjuhë artistike, por ka incizuar ose “kopjuar” gjuhën reale të këtij areali gjuhësor, ka regjistruar me gjerësi dhe saktësi fjalë dhe shumësi lidhjesh nga më të ndryshmet që krijojnë këto fjalë sipas gjedheve të njohura e të panjohura të shqipes, por gjithmonë interesante si për ata që e njohin këtë të folme ashtu edhe për ata që nuk e njohin. Po lexojmë dy fragmente të shkurtra, një rrëfim-dialog dhe një përshkrim:
“Jam kanë bir i të vorfnit, bre axhë. S’e kam pasë asni mangërr të trashigueme, as sa të zitë e thonit. Po me sharrë e me kërçele kam ba sa kam mujtë … E kam rritë …e kam ba kambë e dorë. E çova në shkollë, u munova me i dhanë pak mend, po – qysh thot ni fjalë: ‘Kur s’ta ep Mahmbubi, s’mun ta jep as Mahmuti!”… (2)
“Pas pak rrap-dap rrapëlloi derëza te lama dhe një plakë gati dyfish, me një çupinë e me një kaçorre ndër duart e ligështa me hapa të ngadalshëm u drejtue kah çeburja e ujit.
Kurse ata në lis ua kishin pre këmishat veti. “(3)
Siç shihet nga këto dy tekste të shkurtra, Adem Demaçi rrëfen bukur jo vetëm se ka dhunti të veçantë, por edhe pse i përket një zone gjeografike dhe gjuhësore ku është shkruar pak e është folur shumë, në të vërtetë një zone ku njerëzit flasin pa përtesë për hallet e tyre.
Njeriu i Adem Demaçit është i fortë, i lidhur për tokën e tij, por i lidhur fort edhe për zakonet e rrepta, për të mos thënë të vrazhda të njerëzve të kësaj toke. Elementet folklorike janë burim i pasur nga janë marrë ato që i kanë hyrë në punë. I lindur në fshat ku e kaloi fëmijërinë e hershme, e mandej i rritur në Prishtinë ai njeh mirë njeriun e fshatit, njeh mirë njeriun i cili gjithë jetën e tij ka fjetur në dhomë të ftohtë mbuluar me jorgan të rreckosur, më shpesh i pangopur e me halle shumë. Ai është rritur në rrugët e rrafshëta të qytetit, po njeh mirë teposhtëzat e përpjetëzat e fshatit, ai ka marrë me vete jehonën e fërfëllizave të stuhisë me borë, zhurmërinë e ujit dhe të zërave të pyllit, bardhësinë e qumështit, erën e barit të kositur e daljen e hënës së re. Në roman dhe, posaçërisht, në këto tregime, ai na jep historinë e njeriut, historinë e tij të përpjekjes për të mbijetuar në kushte të pamundshme. Të tillë si ai, shkrimtari i ri, njihte shumë, sepse në tokën kah ecte ai ata ishin, vërtet, shumë, shumë. Ai dukshëm herët, prandaj, vendosi që këtë njeri e fatin e tij të mos i bartë vetëm në shpirt, por edhe në vizionin e tij artistik e më pas edhe në ndërgjegjen e tij. Për këtë arsye do të gjendet e do t’i mbrojë shpejt ata në gjykatoret e pamëshirshme të kohës prej nga do të vendoset në qelitë e ftohta a pa dritë të burgjeve, ku do ta kalojë pjesën më të mirë e më të madhe të jetës së tij, të burgjeve ku nuk do të ketë për 28 vjet as letër e laps për të shfaqur talentin e tij, frymëzimet e tij e ligjërimin e tij artistik.
Ato që do t’i përfshijë artistikisht në romanin e tij të parë dhe në tregimet e tij të para, ai do t’i tregojë me një gjuhë krejtësisht të natyrshme, të zhdërvjellët, të pasur me ndërtime e me frazeologji, prandaj mund të them pa asnjë ngurrim se ligjërimi letrar artistik i Adem Demaçit është shumë i pasur me leksik, me shprehje, me figuracion, me përshkrime shumë të holla, që lënë mbresa të pa zbehura për kohë të gjatë.
PERSONAZHET DHE E FOLMJA E VENDLINDJES
Jo vetëm rrëfimi i shkrimtarit, por edhe ligjërimi i personazheve është tejet i pasur, i gjallë, i figurshëm dhe ka veçoritë e së folmes së vendlindjes.
“Oda ishte e madhe, por me tavan të ulët e të nxirë nga tymi, që tregonte se kishte ngrënë breza burrash… Në krye të odës ishte vatra plakë e nxirë nga pështyma, por me gurë të gdhendur me kujdes…”(4)
“… Nja dy bukë misri të gatuara në çerep avullonin mbi tërvesë. Një gazhdër djathë, një bludë lëngë e një gjyveç qumësht u dolën mjaft”(5)
“-Abaz! A i ki pa njoftë të t’bit e Vocit?
-Po mirë.
A man men qi për ni lis kenë ba katër gjaqe! …
Veç për ni lis!… E, pra. Edhe ata e rrehshin nifarë burrnie kogja si të madhe! …
-Qy-qy, le at punë, ebu Sejdia, po ktheu!
-Kadale, ti, se s’pe la as hiç!… Po për t’bit e Lizit a ke nie qi janë ba kaçavej veç për ni zog pule? …
-Pale-pale! Sejdi, bre?!…
-Po për ata të Prapashticës qi ishin ba lakën për ni hap ven?!… “(6)
Duke paraqitur artistikisht dialogun e dy fshatarëve, shkrimtari na e krijon bindjen se gjithçka që ndodh në krijimet e tij është reale, më se e vërtetë, pa asnjë grimë sajimi. Personazhet e këtyre tregimeve i njeh mirë autori, është rritur me ta, i ka dëgjuar e takuar çdo ditë, me ta ka biseduar në shtëpinë e tij, në rrugë e në fushë, ka dëgjuar dialogët e monologët e tyre në raste gëzimi, pikëllimi e zori. Personazhet e tij ç’është e vërteta nuk do të dinin të flisnin ndryshe. Ata flasin edhe poetikisht përkatësisht figurativisht, ashtu si dinë, kurse autori është përpjekur ta ruajë atë të folur shpesh dukshëm krijuese, siç di folësi popullor ta dredhë e zhdredhë gjuhën e tij. Adem Demaçi, në të vërtetë, e ka dashur shumë gjuhën e personazheve të tij derisa e ka riprodhuar aq besnikërisht dhe aq bindshëm artistikisht. Për këtë arsye ligjërimi i tij artistik mban erën e agimeve vesore, mprehtësinë e mëngjeseve të cemta dhe fëshfërimën e gjetheve në vjeshtë, erën e rrobave të lagëta e të thara pranë zjarrit, erën e mokthit të sëndukut të nënës, erën e bukës së çerepit, erën e pites, zhurmën e kërcitjes së druve e të krandeve të thata e të pakta në koftor e të tiktakut të vekut. T’i shohom shembujt:
“Frushullima e erës, si ndonjë bandë ushtarake, përcillte rrapamën e shpejtë të hapave, ndërsa gjethet e drurëve që fëshfërinin prajshëm, u ngjanin do krijesave të vogla, të cilat thua se zgjatnin qafën të shihnin se kush po kalonte.” (7)
Por, gjuha e tij na i sjell edhe dinakërinë e trashësinë, na i sjell sidomos urtësinë dhe humorin e hollë të katundarëve të tij:
“-… Po ti në ma hupsh fyellin, gojë e duer s’munesh me m’i hupë, sahora ma maron baluku ni tjetër.(😎
“Baba më ka thanë mos duro kurrka me ta marrë ftyrën, mendoi ai – por ece qindro n’mujsh… Gjithë këta! Me m’u lëshue m’hanë pa pjekë… Veç baba edhe m’ka pasë thanë: Gjithkush tutet për krye të vet…
Baba më ka thanë se qeni që leh nuk të han. Më ka thanë edhe qenit që t’turret mos i ik, po ktheu e niqe se t’ban lakën.”(9)
Posaçërisht mbresëlënëse, pos përshkrimeve të njerëzve e të natyrës, janë përshkrimet që autori ua bën orendive, mjeteve të punës, veshjeve, ushqimit, lojërave popullore dhe gjithçkajes që konsiderohet etnografi, etnografi e një kohe tashmë të shkuar, po që ka rëndësinë për fjalorin e shqipes e për historinë tonë gjuhësore.
“Dy bollëza të vekut ngrihen krenarisht në të dyja anët e plakës. Në to qëndrojnë shulat: i pari, që mbështjellë pollat e venduara dhe i dyti i mbuluar me tymën pambuku, ngjyer në të kuq. Në mes të tymnit janë dy shtiza, mandej vijnë liqtë; poshtë të lidhur për ndërskambëza, lart për skripca. Pas liqve vjen shpata e futur në mes të buzëve të bërdilës, e cila mbaron me një mjekërr. Këtej shpatës hapet goja e tymnit brenda së cilës lëviz drugëza për të venduar tjerrin e mbështjellë për fydëzën. Shuli i parë është i kapur përtokë për ngrehc, i dyti për shtjellc.”(10)
PASURIA GJUHËSORE
Si në tregimet ashtu edhe në romanin “Gjarpinjtë e gjakut” përshkrimet janë të shumta dhe nga ato mund të vilet numër i madh fjalësh emërtuese sot me përdorim tepër të rralluar ose që nuk njihen fare nga brezat e rinj, njësi leksikore që nuk i ndeshim as në fjalorët standardë të shqipes. Në fjalorët krahinorë të botuar edhe nga Instituti Albanologjik janë shënuar shumë nga fjalët e leksikut me përdorim të ngushtë ose të rrallë, por jo të gjitha dhe jo shumë nga ato që i gjejmë në veprën e Adem Demaçit. Po përmendim disa nga ato që i kemi nxjerrë prej veprave në shqyrtim: mangërr (para, të holla), kërçele (mjet pune), gërhanë (krehër i madh për ta shkrehur leshin), çebure (enë për ujë), çupinë (enë për ujë), kaçorre (enë e vogël bote për ujë), gazhdër (copë, e prerë djathi), bludë (enë, në të shum¬tën e herës e drunjtë ku vendosej kafeja ose diç tjetër), gjyveç (enë e gjerë bote ku hidhej qumështi për të krijuar mazën e vet), bollëza, pollë, ndërkëmbëza, skripca, ngrehc, tymën, shtjellc, drugëz, lik (liq), bërdile, fytëz, kanacë, kin, fillake (grua a vajzë që vishej me rroba “allafrënga”, të holla), këmishë konopçe, opingë bugarishte, opingë me përkresa, shokë lahuri, kuti fakfoni, xhurdi, allti karadakçe, gur i brincës, lojë pitpidak, pusaça (figurativisht: diçka që e ka marrë pusi), hejbe, halloke, tetik, (tetiku i kresë, terezi, “ia prish tetikun dikujt”) moje (erë e lehtë), përkrese, rrometë, ngujore, rrëshek, pandla, fullumuçkë (e bukës), kalanicë, krrylaqe, etj.
Gjejmë më tutje edhe një grup fjalësh që shënojnë mjedisin fshatarak, pastaj bimësinë, shtazërinë etj: kaçubishtë, llugajë, thepinë, lajthishtë, kallamishte, bucinë, çufrrak, çufrrajë, imshtajë, gargulleshë, norkë, etj.
Fjalorin e shqipes e pasurojnë edhe një numër fjalësh abstrakte që shënojnë semantikën leksikore të fjalorit me përmbajtje karakterizuese, keqësuese e përçmuese: shtihan, rrapaçuk, pallangoz, pallazuz, hundëkorriz, hundëpetuc, hundëmbrehtë, sygapërr, sykapsoll, sypicërrak, mjekërkthyer, faqebaxhurrë, barkcullak, përçudajkë, pandlan, bykmadh, përqyrran, shterran, gurade, horongope, lahpericë, sojsuze, paluskajkë, krreckë (e thiut), dilingjike, kaligaçkë, kokëdaulle, kapsamune, leftericë, ngridhajkë, karathi, zihan, lëkurtharbët, shtihan, teveqel, rrotë buçuku, hunçthiu, pecullajkë, kërdhele, hapaçel, zgaravell, pallangoz, hardahush, gollov, goshë (kokëtrashë), shpirtkompir, horrun, grreb, perdesuz,etj.
Me interes i çmojmë edhe formimet ndajshtesore tipike të të folmeve të Kosovës si këta emra, kurse disa nga këta përdoren edhe si mbiemra, ndajfolje etj.: dajok, bablok, musteqok, hollak, rrafshak, herak, mizdrak, çufrrak, verdhak, baluk, pinxhuk, rrapaçuk, ckonlan, nuklan, rreckan, vokan, gurec, shkurtalaq, rrotel, panravel, harrneck, shahpërpjet, patalog, kostrovë, picërrakë, gapërr, karathi, gjeratore, cegm, terig, gulfë (gjaku), kostrovë, valavicë, llaqumi, tarllabuq, zdralë, zgjyrë, kotillë, hajlaz, zabun, çakla, shtalbëri/a (të rinjtë), pafillësi/a, pezulli/a etj.; mbiemra: i ngrafitur, i përshqyer, i ndërkryer, e djegësishme, i kërthndezur, e hallnuar (me halle), i zdërvajur, serseme (plakë), i termekur, i zgoruem, i çaraveshur, i kolovitur, i kacagjeluar, i dallaveshur, i lezuar (i rralluar nga mendja) nguran (që matet shumë para se të vendosë diçka), i hullitur, i gërzhitur (dushku), i ngrafitur (“nuk të kanë ngrafitur zanat”), i palitur (për tokë), i luluar (i rralluar nga mendja), i këmbëkryqyr (burrë), përshqyer, i gjakësuar, etj.; pastaj foljet: ngallmoj, tërthuroj, dertoj, grepacoj, fiqiroj, qepoj (godas), sheshoj (me plumba), pufoj (për fjollën e tymit), stupcoj, akulloj, kokërroj (për godas me armë), thimthoj, kërkëlloj, sumuroj, ngarroj, zgrapcoj, lafit (lëkund), tok (prek), ntrash, ngërdhuc, rrakatem, azginohem, çkolizem, tarahitem, karashtis (mendjen), krahazitem, zbruj (dajak dikë), përflak, përshosh (fig. merr në konsideratë), përdah (rrah, godas me diçka), trrug (ngjit dikuj), flug (flugem) larit, çallamit, tëferr (harxhoj, zhduk, humb), kaçumit, katrrith, trumhas, gëzhas, mule (ngutu) etj.; ndajfoljet si këto: krenarisht, dashurisht, rrëmisht, kokëfortësisht, koprracisht, kalamendshëm, mllefshëm, zevzekshëm, ngërdhucshëm, therrshëm, shtrojershëm, pickueshëm, fjafueshëm (rreptas), grabitshëm, thartas, mëdyshas, tullug, përskithi, lezëm (ngadalë), rrëmoqe-rrëmoqe, tërhoz, gjytër, pidiq (gafil, papër-gatitur), tarapushk (me rrëmbim), përskithi (tërthorazi), rrum (plot), cok, tekrar (sërish), finik-finik (grisur copë-copë), kokoz (baras, vizavi), blozhdë (grisur në shumë vende), zgurdulluq, shatërkazë, hakubet (vdiq për hakubet, vdiq për gazep), teklif, tërhoz, kalastrej, etj.;
Interes të veçantë paraqesin larmia dhe denduria e përdorimit të fjalëve tingullimituese. Në të vërtetë në këto tregime dhe në roman paraqitet një pasuri tejet e madhe e këtyre njësive dygrupëshe:
1. kikiritje, kikirime, llapashitje (e llapçinëve), ngicatje, gëzhitje rropamë, zhëzhamë, frakamë (e vullkanit), vekrron (dhija), gëzhamë, frushurimë (për erën), zhapëllimë, pipëlimë, xërrxërrimë, (për kashlat), xërxëllon, titërron (për shkëndijat) etj.
2. rrak-rrak, dang-dang, brrëm, kap-kup, truma-truma, bumbuuu, fjauf, griuuu, takarak-rakatak, tëf-tëf, shkllap, tiriliu-tiriliu, vuh (për fshesën kur fshin), skup (për prashitjen), bërrrr, çpouf, biiizë, xhbërzht, clang-cling (për sharrën dhe kërçelen), vuuu, çkrrap-tap (e lëshoi shpirti), ihaaa, fërr-fërr, phu, fak-fak, bap-bap, vapë- vupë, brram, tëp-tëp ((për hapat), gëzh-gëzh (për kashtën), kap-kup (kërcitja e thuprave a e ferrave kur digjen), çpraf, etj
Njësi frazeologjike tipash të ndryshëm (togfjalësha, idioma të përngjitura, frazeologji të figurshme me metafora, krahasime etj.), të njohura e të panjohura për fjalorët e gjuhës shqipe, i gjejmë të përdoren me mjeshtëri të spikatshme, po edhe me denduri: dekë pa shkrepë, fryej kosit, fryej kungullit, si miu në kurthë, si lëkura e lopës së zgjebosur, si turi dashi, si capi ndër dhi, si petulla në fëltere, si parja e kuqe, si kali i harbuar, qen minuk, bëj kalin mizë, sillet kah Dardha e Ahmatit, përziej kapuçat, qes në shesh e në derman, pa një therrë në këmbë, i sillen si mizat lugës me mjaltë, si peksimet i vjetër, si këlysh jetim, si drita e hënës për lulen e vyshkur, si shelg i shtrembëruar, rrafshit kanarin, i butë si zemra e shtogut, as me shehër as me Barilevë, i çaj kapakun e kresë, e ka hujin në buzë, e ka menen çykë, si kryelanë e lavruar, i vjen ujt në jaz, ia hangrën kokrrat e fundit, hi në bri të dhisë, i vjen gjaku n’sy, ia prej shkurt drutë (dikujt), fshin hashuret (dikujt), u bënë lakën mes vete, u bënë kaçavej, baj veshtë turjelë, i knon qyqja mbi vorr, i luaj tëmthi i kresë, s’ia bëj dyshqe fjalën,ia ha kokrrat e fundit, i vlojnë krimbat, prish tetikun, prish terezinë, sheh veshët e vet, i bie ujët në jaz, ia kallëzoj shartet e imanit, jep valë (muhabetit), laj lesh në të, e rrou dreqi, qes surdari (krekosem), nxjerr tamlin e nanës, tremb macën prej përsheshi, iu ftohën halat, i cofën morrat, më vjen gjaku në sy, (trimërohem), bëj shpinën më butë se barkun, çohem peshë,i bëhet goja rrip, i ra në erë, vlon si vorba, e rras dizgin (dikë), ul bishtin (dikujt), mos kryp, i dal e i teproj (mund me lehtësi dikë për diçka) etj.
Një veçanti e ligjërimit artistik të Adem Demaçit është loja me fjalët, e ngjashme me lojërat popullore (11), por edhe me proverbat e popullore shpesh të modifikuara. Këto lojë fjalësh janë të mbushura me përdorim të figurshëm të fjalës: Burrë i gjanë, trim si zanë, përshesh me ngranë; I vyem si bletë, pula kish fjetë; Ohçe moj ohçe/ këmishën konopçe; Tlinat e linit/bishtin e minit; Plisin e leshtë/hapi djalo veshtë; Hapi djalo sytë, mos lyp me të mytë; Hip ujkut, ndjell qetë; Fjalët Demush, vetë kurkush; Ai që të rrxon ni herë, të rrxon njiqind herë, etj.
Përdorimi shumë i madh i fjalëve dhe i shprehjeve të veçanta, i krahinorizmave dhe i lokalizmave të vendlindjes së tij, dëshmon se autori ka gjurmuar me ngulm pas fjalëve dhe ndërtimeve më shprehëse dhe më të larmishme. Po kështu, shfrytëzimi i formave të moçme gjuhësore ka krijuar gjedhe të reja shprehjeje, shumë nga ato tipike vetëm për idiolektin e shkrimtarit.
Në krijimet e tij të para, pra në tregimet dhe në romanin e parë, gjejmë numër të madh të orientalizmave kur e kur edhe të sllavizmave si këta: ixhaiz, kurtalis, vaktsëz, kudret, sallahane, atki (lloj mbulese e trashe koke, plakash), akshampazar, teklif, pampur, ymet, takravate, ferk, karaferk, dizgjin, exhel, evlad, dinsëz, belivalla, i paisaf, mymqym; kalanicë, valavicë, jaz, llomit, vikat etj.,që qëndron jo vetëm për të ngjyrosur mjedisin dhe për të tipizuar personazhet, por edhe për arsyen se ato karakterizonin edhe realisht të folmet e Kosovës asokohe, pra për ta ndërtuar realitetin artistik të kohës. Numri i tyre është vërtet i madh si kur shkruan për mjedisin fshatarak ashtu edhe për mjedisin ta themi qytetar të Prishtinës. Ç’është e vërteta kjo shtresë leksikore ka qenë përdorur gjerësisht në të gjitha të folmet e shqipes deri në vitet ’70 kur përmes shkollës e mjeteve të informimit nis të përhapet gjuha standarde. Edhe emrat e personazheve përgjithësisht janë orientalë.
Duke përzgjedhur fjalët e veçanta nga e folmja e vendlindjes së tij, shkrimtari ka pasur parasysh, para se gjithash, plotësinë semantike, zëshmimin dhe figurshmërinë e tyre. Ai nuk i ka menduar ato, as nuk ka krijuar neologjizma, por i ka marrë nga ligjërimi i gjallë i kohës e jo rrallë edhe në “gjethnajën” e kohëve të shkuara. Autorit i ka pëlqyer forca dhe qëndrueshmëria e tyre si dhe saktësia e shprehjes, prandaj ato thuhen e përdoren në të shumtën e herës në vendin e duhur. Pesha e një fjale që ajo ngarkon në dy a më shumë tinguj nuk mund të zëvendësohet me tjetrën. Adem Demaçi ka dëshmuar se një përshkrim i tërë mund të dendësohet me vetëm një fjalë. Pamjet a visoret, njeriu, situatat, ngjarjet, vargu i ndodhive, fatet, – të gjitha këto janë përmbledhur shpesh në vetëm disa shkronja. Dhe kjo është bërë në mënyrë ezopike, enigmatike dhe të figurshme. Autori ka shprehur gjithçka ka pasur dhe gjithçka ka supozuar në kuptimin e tyre. Në nyjën dhe në lidhësen e saj fjala e Adem Demaçit përmban gjerësi dhe peshë. Një tregim i tij përfundon, fjala vjen, me këtë fjali: “Maruem me tarllabuq!…”(12), kurse tjetri fillon kështu “Tash xha Sherifi është rrakatur e lezuar krejtësisht”(13).
Shkrimtari Adem Demaçi i ka gjurmuar, i ka gjetur fjalët e këtilla, me syrin e kureshtjes së një njeriu me dhunti të veçantë gjuhësore, i ka marrë, i ka radhitur duke bërë përzgjedhjen e tyre. Lëndën e tillë të përzgjedhur e ka përdorur bukur dhe e ka lidhur mirë, duke e bërë të jetojë edhe në vitet në vijim, prandaj lexuesi edhe sot mbetet i çuditur para gjithë atyre fjalëve që vargisen pas fjalës së parë, për ta vërtetuar atë, për ta forcuar dhe afruar me fjalët vijuese. Sinonimia dhe antonimia i kanë ndihmuar të arrijë shprehësinë e veçantë me të cilin karakterizohet ligjërimi i tij:
“…fijet e rralluara të barit kanë humbur çehren e blertë; ato të verenikura, të zverdhura, i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë, e cila, edhe vetë skamnore, vetëm ua tregonte buzët e veta të shkrumbuara dhe të plasaritura.“(14)
Nuk ka dyshim se Adem Demaçi është shkrimtar që ka dëgjuar jehun e brendshëm të gjuhës amtare dhe me lehtësi të rrallë ka derdhur në letër gjithçka nga “laboratori” i tij krijues e gjuhësor, pa pasur nevojë për zbukurime e gdhendje. Kjo është arsyeja që gjuha e veprës së tij ka natyrshmëri, rrjedhje të natyrshme të njësive gjuhësore nga burimet e pasura të gjuhës shqipe. Me gjuhën ai ka krijuar atmosferë të veçantë, imazhe të gjalla, mjedis real, konkret, personazhe mbresëlënëse. Me gjuhën ai ka zbuluar shtresa të holla të thellësive të fshehura të shpirtit të njeriut të thjeshtë shqiptar, të psikologjisë e të mendësisë së tij, duke depërtuar kështu me lehtësi te ata që e njohin e që e ndiejnë ligjërimin e qartë artistik.
Në fund të them se ky është shkrimi im i dytë për ligjërimin artistik të Adem Demaçit. Me keqardhje po shtoj se, më sa di unë, këto dy shkrime janë të vetmet për gjuhën e stilin e këtij shkrimtari, kurse proza e tij e meriton të studiohet edhe nga ana gjuhësore e stilistike, sepse ai në mënyrë mjeshtërore e ka sjellë dhe “fotografuar” në mënyrën artistike dhe besnike një ligjërim shumë të pasur, shprehës, figurativ të arealit gjuhësor të Kosovës, për të mos thënë se ka sjellë më të mirën e idiomës së tij të vendlindjes të shndërruar në krijim artistik-gjuhësor. Ky shkrim imi, prandaj uroj të shërbejë si nxitje për studiuesit e gjuhës, sidomos për studiuesit e rinj, që ta lexojnë e ta studiojnë sepse dhjetë veprat e Adem Demaçit këtë e meritojnë.
FUSNOTAT
1 Ata që kanë pasur rastin ta njohin a ta dëgjojnë Adem Demaçin, të flasë në publik e në jetën private, e ata janë shumë, kanë pasur mundësinë të shohin, të dëgjojnë, të ndiejnë e ta përjetojnë lehtësinë me të cilën ka folur e ka ligjëruar, thjeshtësinë e natyrshmërinë e gjuhës së tij. Kjo thjeshtësi e natyrshmëri nuk shprehet vetëm në kohën e në veprat e tij të pjekurisë, por edhe në ato të djalërisë së hershme.
2 Adem Demaçi, “Te Xha Sakipi”, tregim, “Fërkime”, Kompleti i veprave të A. Demaçit, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1912, f .6.
3 Adem Demaçi, “Burrëria”, tregim, po aty, f. 16.
4 Adem Demaçi, “U trashëgofshin”, po aty, f. 10.
5 Adem Demaçi, “Burrëria”, po aty, f. 16.
6 Adem Demaçi, “Gjarpinjtë e gjakut”, Kompleti veprave, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2012, f. 39.
7 Adem Demaçi, “Kthimi”, po aty, f. 80
8 Adem Demaçi, “Gjarpinjtë e gjakut”, po aty, f. 10.
9 Adem Demaçi, po aty, f. 18.
10 Adem Demaçi, “Vegjëtarja”, po aty, f. 24.
11 Shefkije Islamaj, “Gjuha – teksti dhe konteksti”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2014, f. 263-274.
12 Adem Demaçi, “Eu, Binak, eu!…”, Kompleti i veprave …, f. 83.
13 Adem Demaçi, “Një natë”, po aty, f. 93
14 Adem Demaçi,”Gjarpinjtë e gjakut”, po aty, f. 6.
Ky shkrim është nxjerrë nga libri im “Gjuha – gjuhëtarët dhe shkrimtarët”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017. f. 205-220
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!