Shenim i rëndësishem: Rajoni që sot quhet Ballkan nuk përfaqëson fillimin e historisë së kësaj hapësire, por vetëm emrin e saj të vonshëm gjeografik. Në kujtesën e autorëve të lashtë të antikitetit, kjo botë njihej si hapësira e popullsive pellazgjike, ilirike ose si Gadishulli i Hemit (Haemus), i emërtuar sipas maleve të lashta me këtë emër, ku banonin autoktonët më të hershëm të Europës Juglindore-gjurmët biologjike, kulturore dhe historike të të cilëve duket se mbijetojnë ende edhe sot.
Për efekt korrektësie studimore, ne do ta përmendim këtë rajon me emrin që njihet sot. Por sa herë që lexuesi do të ndeshë emrin “Ballkan”, duhet të kujtojë shënimin e mësipërm-se bëhet fjalë për hapësirën e lashtë të popullsive pellazgjike dhe ilirike, autoktonët e hershëm të Europës Juglindore. Rajonet ku shtrihet sot popullsia shqiptare bëjnë pjesë në Europën Juglindore, por historikisht ato i përkasin kryesisht pjesës perëndimore të saj, pra Ballkanit Perëndimor.
Shenim: © Kol Marku. Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara. Artikulli mund të komentohet (pa dalë nga tema) të shpërndahet në rrjetet sociale vetëm duke ruajtur të drejtën e citimit të autorit.
________
Për më shumë se dy shekuj, historia e popujve të Ballkanit është interpretuar përmes teorive të ndryshme historike, gjuhësore dhe antropologjike, të ndërtuara kryesisht mbi paradigmat e shek. XIX dhe XX. Në qendër të këtyre debateve ka qenë gjithmonë pyetja themelore: kush ishin popullsitë më të lashta të Ballkanit dhe çfarë lidhjeje kanë popujt modernë me to? Për shqiptarët, kjo pyetje ka qenë edhe më e ndjeshme, sepse autorët e lashtë grekë dhe romakë përmendnin vazhdimisht popullsi shumë të vjetra autoktone të Ballkanit, të cilat shpesh i quanin pellazgë, ilirë, epirotë, dardanë apo me emra të tjerë konvencional si paleo-ballkanikë.
Ndërkohë, historiografia moderne, e ndikuar nga modelet klasike indo-europiane dhe teoritë migratore të shek. XIX, shpesh i trajtoi këto tradita si mite, kujtime të paqarta ose konstrukte poetike pa bazë reale historike.
Por studimi i publikuar më 4 maj 2026 në revistën shkencore Nature Human Behaviour me titull “Ancient DNA evidence for the history of the Albanians”, ka hapur një fazë krejtësisht të re në kuptimin e historisë së shqiptarëve dhe të Ballkanit.
Ky studim, i realizuar nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, përmes analizës së mbi 6,000 genomeve të lashta euroaziatike, mostrave të ADN-së së lashtë nga Ballkani dhe popullsive moderne, arriti në një përfundim me rëndësi të jashtëzakonshme: shqiptarët modernë ruajnë një vazhdimësi shumë të fortë biologjike me popullsitë paleo-ballkanike të Ballkanit Perëndimor dhe Qendror që nga Epoka e Bronzit dhe Epoka e Hekurit, me një përqindje të vlerësuar rreth 80-90%, duke rezultuar ndër popullsitë me vazhdimësinë më të lartë autoktone në rajon.
Ky rezultat nuk është thjesht biologjik. Ai prek historinë, antropologjinë, gjuhësinë, etnologjinë, mitologjinë, psikologjinë kolektive, organizimin shoqëror, kulturën materiale dhe vetë mënyrën se si duhet kuptuar identiteti i lashtë i Ballkanit.
Për shumë kohë, teoritë klasike indo-europiane u ndërtuan mbi idenë se popujt dhe gjuhët e Europës erdhën kryesisht nga migrime të mëdha stepike euroaziatike, ndërsa popullsitë e mëparshme lokale u zëvendësuan gradualisht ose u zhdukën.
Në këtë model, Ballkani shihej shpesh si një hapësirë e pushtuar vazhdimisht nga valë të ardhura nga jashtë, ndërsa popullsitë autoktone trajtoheshin si shtresa të humbura historike.
Por ADN-ja e lashtë po tregon sot një tablo shumë më komplekse. Studimi i vitit 2026 nuk mbështet modelin e “zëvendësimeve totale” të popullsive. Përkundrazi, ai sugjeron se në Ballkanin Perëndimor ka pasur një vazhdimësi shumë të fortë njerëzore, ku përzierjet ekzistuan, por pa zhdukur shtresën bazë paleo-ballkanike.
Kjo është shumë e rëndësishme për shqiptarët, sepse komponenti biologjik dominant i tyre del të jetë kryesisht lokal dhe i lashtë. Në historiografinë moderne përdoren terma si para-ilir, para-thrak, para-helen ose paleo-ballkanik. Këta terma u krijuan nga studiuesit modernë sepse për Epokën e Bronzit nuk ekzistojnë dokumente të drejtpërdrejta të shkruara dhe identitetet etnike nuk mund të përcaktohen me siguri absolute. Por autorët e lashtë grekë dhe romakë kishin një emër tjetër për këto popullsi: pellazgë.
Kur Herodoti thoshte se Hellada dikur quhej Pellazgji, kur Straboni i përshkruante pellazgët si popullsi shumë të përhapura në Egje dhe pertej tij apo kur Dionisi i Halikarnasit i konsideronte autoktonë dhe shumë të lashtë, ata duket se ruanin kujtesë reale për ekzistencën e një substrati të lashtë që sot e quajnë paleo-ballkanik, por që në atë kohë quhej PELLASGJIK.
Studimi gjenetik nuk përdor termin “pellazg”, por rezultatet e tij e bëjnë shumë më serioze pyetjen: a ishin pellazgët kujtesa historike e këtyre popullsive që sot studiuesit i quajnë paleo-ballkanike?
Një nga rezultatet më të rëndësishme të studimit është se shqiptarët modernë tregojnë një lidhje shumë të fortë biologjike me popullsitë e lashta të Ballkanit Perëndimor.
Kjo do të thotë se baza kryesore biologjike e popullsisë nuk është zëvendësuar gjatë Mesjetës dhe se admixture-i ( përzjerja gjenteike) e mëvonshme sllave, lindore apo europiane ka qenë relativisht i kufizuar.
Ky rezultat bie ndesh me shumë teori politike të krijuara gjatë shek. XIX-XX që pretendonin se shqiptarët ishin popullsi e ardhur vonë ose se nuk kishin lidhje me popullsitë e lashta të Ballkanit.
ADN-ja po tregon pikërisht të kundërtën: shqiptarët janë ndër vazhdimësitë më të forta biologjike të substratit të lashtë të Ballkanit Perëndimor.
Ky studim fiton rëndësi edhe në raport me gjuhësinë moderne.
Për dekada me radhë, shqipja është trajtuar si një degë periferike e familjes indo-europiane, shpesh pa lidhje të thella me substratin e lashtë të Ballkanit.
Por në frymën e re të studimeve moderne, shqipja fillon të shihet si një gjuhë që ruan shtresa shumë të vjetra që studiuesit i quajnë paleo-ballkanike (në fakt Pellazgë).
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se shqipja del jashtë familjes së ashtuquajtur indo-europiane, por se baza e saj historike dhe formimi i saj i hershëm duken shumë më të lidhura me autoktoninë “paleo-ballkanike” sesa me migrimet e vona nga jashtë.
Në dritën e studimeve të reja gjenetike, arkeologjike dhe antropologjike, po rishfaqet gjithnjë e më shumë ideja se rajoni “paleo-ballkanik” mund të ketë qenë jo vetëm një zonë pritëse ndikimesh, por edhe një nga qendrat shumë të hershme të formimit dhe përhapjes së kulturave dhe gjuhëve europiane.
Në këtë kuptim, nuk përjashtohet që në të ardhmen shqipja të mos shihet më thjesht si një degë periferike e familjes indo-europiane, por si një nga trashëgimtaret më të drejtpërdrejta të një gjuhe shumë të lashtë «paleo-europiane» ( Pellazge-Ilire), e cila mund të ketë ushtruar ndikim në përhapjen e mëvonshme të gjuhëve të ashtuquajtura “indo-europiane” deri drejt Lindjes dhe Indisë.
Nëse popullsia ka mbijetuar biologjikisht për mijëra vite në të njëjtin territor, atëherë lind natyrshëm pyetja: a kanë mbijetuar edhe shtresa të kujtesës kulturore?
Antropologjia moderne nuk i merr mitet si histori faktike, por si kujtesë kolektive, strukturë simbolike dhe jehonë e botëkuptimeve shumë të lashta.
Në këtë kuadër, kulti i gjarprit, lisi i shenjtë, mali si hapësirë sakrale, zanat, orët, ritualet e zjarrit dhe simbolika diellore mund të shihen si mbetje të transformuara të kulturës «paleo-ballkanike»( Pellazge-Ilire).
ADN-ja nuk ruan mitet, por njerëzit që mbijetojnë në të njëjtin territor mund të ruajnë kujtesë, simbole dhe tradita shumë të lashta.
Studimi i ADN-së i jep një kuptim të ri edhe kostumografisë shqiptare, ornamentikës dhe kulturës materiale.
Veshje si xhubleta, motivet spirale, svastikat, rombet, trekëndëshat dhe simbolika diellore apo e pjellorisë nuk mund të trajtohen më vetëm si folklor i vonë.
Ato mund të përfaqësojnë shtresa shumë të vjetra të kujtesës kulturore të Ballkanit.
Në shumë rajone shqiptare, sidomos ato malore, kultura materiale ka ruajtur struktura shumë arkaike që tashmë mund të interpretohen si vazhdimësi të një substrati të lashtë lokal.
Edhe epika shqiptare fiton një kuptim të ri. Këngët heroike të kreshnikëve, të maleve dhe të mbrojtjes së kufirit ruajnë psikologjinë e nderit, luftëtarin malsor, fisin, besën dhe heroin mbrojtës. Këto struktura kanë ngjashmëri me botën homerike, kulturën heroike të Epokës së Hekurit dhe traditat «paleo-ballkanike» (Pellazge-Ilire) . Kjo nuk do të thotë se epet janë dokumente historike, por se ato mund të ruajnë kujtesë të transformuar të një bote shumë të lashtë heroike.
Po kështu, organizimi tradicional shqiptar: fisi, kuvendi, pleqësia, besa, dhe autonomia lokale,
mund të rivlerësohen si mbetje të transformuara të strukturave shumë të vjetra shoqërore të Ballkanit Perëndimor. (Ilirisë së hershme). Terreni malor i Ballkanit ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e kësaj vazhdimësie, sepse rajonet malore ruajnë më gjatë: popullsinë, gjuhën, zakonet, dhe strukturat kulturore.
Një nga aspektet më interesante është edhe roli i gruas shqiptare në këtë vazhdimësi historike.
Gruaja në kulturën shqiptare nuk ka qenë vetëm figurë familjare, por bartëse e kujtesës kulturore: përmes kostumit, riteve, këngëve, dhe traditës gojore.
Figura femërore në mitologjinë shqiptare: zanat, orët, hyjneshat e maleve dhe ujërave,
mund të përfaqësojnë jehona të kulteve shumë të lashta të femrës në kulturat «paleo-ballkanike» (pellasgo-ilire)
Një tjetër element i rëndësishëm është kultura e armëve dhe strategjisë.
Ballkani Perëndimor, me relievin e tij malor, krijoi një kulturë të mbijetesës, autonomisë dhe luftës mbrojtëse. Që nga pellazgët-ilirët-arberit e deri te tradita e mëvonshme shqiptare, shfaqet vazhdimisht:luftëtari malsor, përdorimi strategjik i terrenit, dhe organizimi fisnor luftarak.
Kjo nuk duhet parë si “tipar biologjik”, por si vazhdimësi e një kulture shumë të gjatë mbrojtjeje dhe autonomie.
Një nga ndryshimet më të mëdha që sjell ky studim është mënyra se si duhet parë Ballkani.
Në modelet e vjetra, Ballkani shihej si periferi e historisë europiane. Por ADN-ja po tregon se Ballkani ishte një nga qendrat më të vjetra të vazhdimësisë njerëzore në Europë.
Kjo do të thotë se popullsitë «paleo-ballkanike» (Pellasgo-Ilire) nuk ishin mbetje margjinale, por pjesë themelore e historisë europiane.
Përfundim: Studimi i ADN-së së vitit 2026 përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në rivlerësimin modern të historisë së shqiptarëve dhe të Ballkanit.
Ai nuk provon automatikisht çdo interpretim alternativ historik apo çdo traditë mitologjike, por rrëzon shumë modele të vjetra të zëvendësimit total të popullsive dhe forcon idenë e vazhdimësisë së gjatë «paleo-ballkanike« në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuptim, autorët e lashtë grekë dhe romakë që flisnin për pellazgët nuk mund të trajtohen më thjesht si mitografë, sepse ADN-ja moderne po tregon se kujtesa e tyre mbi një substrat shumë të lashtë autokton kishte një bazë reale historike.
Studimi nuk provon drejtpërdrejt identitetin etnik të pellazgëve, por forcon idenë se pas termit “pellazg” mund të fshihej kujtesa e popullsive shumë të lashta «paleo-ballkanike»(pellasgo-ilire) që kanë mbijetuar deri në kohët moderne.
Historia nuk është më vetëm tekst, mit apo interpretim ideologjik.
Sot, nën dritën e ADN-së së lashtë, ajo po rikthehet si kujtesë biologjike, kulturore dhe njerëzore. Dhe në këtë kujtesë të gjatë të Ballkanit, shqiptarët nuk shfaqen më si një popull i ardhur vonë në skenën e historisë, por si një nga vazhdimësitë më të forta të botës së lashtë “paleo-ballkanike”(pellazgo-ilire) që ka mbijetuar nga Epoka e Bronzit dhe Epoka e Hekurit deri në ditët tona.
Kjo nuk e mbyll debatin shkencor. Përkundrazi, e hap atë në një nivel krejtësisht të ri. Sepse për herë të parë: gjenetika, antropologjia, arkeologjia, historia, gjuhësia, mitologjia, dhe kujtesa kulturore,
po fillojnë të flasin së bashku për të njëjtën histori. Dhe ndoshta, për herë të parë pas shumë shekujsh, «Ballkani» ( pellasgo-Ilir) po fillon të kuptohet jo si periferi e qytetërimit europian, por si një nga djepet më të vjetra të tij.
_____
Shenim: © Kol Marku. Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara. Artikulli mund të komentohet dhe të shpërndahet në rrjetet sociale vetëm duke ruajtur të drejtën e citimit të autorit.
_____
Bibliografi:
1.Davranoglou, Leonidas-Romanos, et al. “Ancient DNA Evidence for the History of the Albanians.” Nature Human Behaviour, 2026.
2.Herodotus. Histories.
3.Strabo. Geographica.
4.Dionysius of Halicarnassus. Roman Antiquities.
5.Homer. Iliad.
6.Diodorus Siculus. Bibliotheca Historica.
7.Johann Georg von Hahn. Albanesische Studien. Jena, 1854.
8.Eqrem Çabej. Studime Gjuhësore. Tiranë.
9.Shaban Demiraj. Prejardhja e Shqiptarëve në Dritën e Gjuhës Shqipe. Tiranë.
10.Muzafer Korkuti. Parailirët dhe Ilirët në Shqipëri. Tiranë.
11.John Wilkes. The Illyrians. Oxford: Blackwell.
12.Marija Gimbutas. The Civilization of the Goddess. HarperCollins.
13.David W. Anthony. The Horse, the Wheel, and Language. Princeton University Press.
______
Kol Marku- Itali
15/05/2026