Akuzues i Thaçit, bllokues i takimit Thaçi-Trump, hetues i Trumpit

22
Dec
2022

Jack Smith ishte kryeprokuror i Speciales, kur në qershor të 2020-s u ngrit aktakuza për krime lufte ndaj Hashim Thaçit. “Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar”, tha Thaçi, që atëkohë ishte president. Aktakuza qe konfirmuar, Thaçi dha dorëheqje dhe prej atëherë ndodhet në paraburgim në Hagë. E Hagën të premten e ka braktisur kryeprokurori Smith. Ai është rikthyer në SHBA, për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump
Jack Smith qe bërë sebep që në qershorin e 2020-s, t’ia ndërpriste Hashim Thaçit rrugën për në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan, Donald Trump, pati sponsorizuar një marrëveshje Kosovë-Serbi dhe kishte planifikuar pritje për presidentët e të dyja vendeve – Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar”, tha Thaçi në një adresim. “Kjo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi”.

Aktakuza qe konfirmuar, Thaçi dha dorëheqje dhe ndodhet në paraburgim në Hagë.
Trumpi sponsorizoi marrëveshjen në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në emër të Kosovës atë e firmosi Avdullah Hoti, kryeministër i asaj kohe.
Ai nuk është më kryeprokuror i Dhomave të Specializuara, institucionit me seli në Hagë me mandat për t’i hetuar krimet e luftës që pretendohet të jenë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ka dhënë dorëheqje të premten, duke u bërë kryeprokurori i tretë që lë pozitën, pa parë një aktgjykim dënues.

Smith është emëruar ndihmës special për hetimin e ish-presidentit amerikan, Trump, ka njoftuar prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland. Ai do të fokusohet në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Trumpit dhe për rolin që ish-presidenti e pati në sulmin e 6 janarit në Capitol.

Garland tha se të premten në mëngjes nënshkroi emërimin zyrtar të ish-prokurorit federal John L. Smith, i njohur si Jack Smith.

“Prokurori special, Smith, ka dhënë dorëheqje si kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Hagë, e ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Para se Smithi ta merrte mandatin, Speciales i kishte ikur kryeprokurori David Schwendiman. Në shkurt të 2008-s, ai dha kumtin se do të largohej nga detyra e kreut të organit të akuzës, që ka mandat të hetojë pretendimet e senatorit Dick Marty të shprehura në raportin që mban vulën e Këshillit të Evropës, e në të cilin pjesëtarë të UÇK-së bëhen përgjegjës për krime lufte.

Në shtator të 2016-s, amerikani Schwendiman ishte emëruar prokuror i Specializuar, pozitë e barasvlershme me kryeprokurorin në të tjera prokurori. Nga maji i 2015-s kishte shërbyer si kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale (SIFT), pararendëse e organit të akuzës që është në kuadër të Speciales.

SIFT-n para tij e kishte drejtuar një tjetër amerikan – Clint Williamson. Në verën e vitit 2014-s ai pati njoftuar të ketë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave, porse atëkohë mungonin Dhomat e Specializuara, para të cilave aktakuzat mund të ngriheshin.

Ndërkaq, megjithëse Dhomat ishin funksionalizuar verën e 2017-s, aktakuzat nuk ishin ngritur as në kohën e Schwendiman-it.

Ato u ngritën në kohën e kryeprokurorit Smith, njeriut që tani do ta hetojë ish-presidentin amerikan. E në aktakuzën kryesore është përfshirë edhe ish-presidenti Thaçi. Bashkë me të, janë akuzuar edhe ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe deputeti Rexhep Selimi. Të katërtit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Në kohën sa në Speciale ka shërbyer Smith, është shqiptuar një dënim i një natyre që nuk ka të bëjë me krime lufte. Gjatë mandatit të tij, ka pasur një rrjedhje dokumentesh lidhur me hetimet që zhvilloheshin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Për shkak të publikimit të dokumenteve që kishin rrjedhur, janë arrestuar dhe dënuar dy krerët e organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Gjatë procesit gjyqësor, Smith bëri një adresim të gjatë dhe tha se të akuzuarit kanë bërë përpjekje të forta për ta penguar drejtësinë. Ai foli për pretendimet e tij se të akuzuarit shpërndanë në mënyrë të jashtëligjshme materialin konfidencial, por nuk pati dhënë detaje se si rrodhi materiali konfidencial nga zyra që e udhëhiqte vet. Megjithëkëtë, e pranoi se Specialja dështoi t’i ruante dokumentet konfidenciale.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, emërtim ky zyrtar për Gjykatën Speciale, formalisht janë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, por janë vendosur në Hagë të Holandës dhe kanë në përbërje vetëm gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Kosova qe detyruar ta ngrejë Specialen, pas presionit ndërkombëtar për t’i zbardhur akuzat e listuara nga senatori Marty.

Më 7 janar të 2011-s, Raporti qe votuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. E në shtator tё po atij viti, Bashkimi Evropian formoi SIFT-in pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur, rreth pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to. Nё verёn e 2014-s, SIFT bëri të ditur se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash.

Por, as kryeprokurori Williamson që e drejtonte SIFT-in, as kryeprokurori Schwendiman që e pasoi dhe as kryeprokurori Smith që të premten la Specialen për ta hetuar ish-presidentin amerikan Trump, nuk gjetën prova për krimin më të llahtarshëm që e pretendonte senatori Marty: nxjerrje dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore. Asnjëri nuk mbërriti që hetimet të cilat i drejtonin të përfundonin me dënim.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk