Shkruan: Gjon Bruçi
/Huazuar,Gazeta SOT, 26 Janar 2023/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet sot në pozita sa delikate, po aq dhe të vështira. Ai gjendet midis “Mentorëve” euroatllantikas, i detyruar të pranojë zgjidhjet e tyre në marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, pavarësisht nga objektivat që ka si kryeministër i Kosovës. Mentorët euroatllantikas, ose më thjeshtë, përfaqësuesit e BE dhe ata të SHBA, nuk janë mentorë të zgjedhur, por të detyruar. Europianët, si zot të kontinentit, në teritorin e të cilit gjendet Republika e Kosovës; ndërsa SHBA si autoritet absolut, që ka në dorë sigurinë e rajonit e për rrjedhojë edhe të drejtën e këshillave dhe zgjidhjeve të konflikteve, siç është ai mes Serbisë dhe Kosovës, një konflikt, i cili, edhe pas një çerek shekulli nga mbarimi i luftës së fundit, ende nuk është paqtuar.
Europianët, më saktë kancelaritë e kontinentit plak, shqiptarët i kanë njohur qysh në zanafillë të ngjizjes së kontinentit me emrin Europë. Njohja e rinjohja e tyre vijoi me shekuj, ndaj dhe Fishta ynë, me të drejtë e pati emërtuar “Moj Evropë, moj kurva e motit”, emërtim që edhe sot, jo vetëm nuk është zbutur drejt harresës, por “ndriçon” me të gjitha mgjyrat laramane të kohës. Pa qenë nevoja të hidhemi në mesjetë, apo në vitet e Rilindjes sonë kombëtare, akrobacia dhe kurvëria e kancelarive europiane, u duk qartazi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Në krye të herës, kur SHBA mendonte të ndërhynte për të ndihmuar UÇK-në dhe shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi serb-sllav i gjysmës së mbetur të Jugoallavisë, Kancelaritë e BE rrudhën buzët, dhe madje nxitën qytetarët e tyre të nisnin protesta kundër ndërhyrjes së SHBA dhe NATO-s në “cënimin e sovranitetit të Jugosllavisë”! Por pak më vonë, u detyruan të futeshin në vallen e madhe “Eurontllantike”, veçse jo të gjithë e hidhnin hapin e valles sipas muzikës. Avionët francez, për shembull, jo njëherë, në vend që t’i hidhinin bombat mbi objektivat ushtarakë të Milosheviçit, i lëshonin “gabimisht” mbi karvanët e refugjatëve shqiptarë, që largoheshin jashtë zonës së luftimeve, ose i shpraznin natën në ujrat e Adriatikut. Po ashtu, dy tre ditë para se të fillonte bombardimi nga NATO, u bë ndërrimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, ndërrim që edhe sot nuk dihet se cili autoritet e mori këtë të drejtë të shtabit të UÇK-së. Në mbarim të luftës, në qershor 1999, përfaqësuesit e UÇK-së, ndonëse ishin nismëtarët e Luftës Çlirimtare, dhe kishin luftuar e derdhur gjak në krah të trupave të NATO-s, nuk u lejuan në bisedimet e armpushimit. Jo zyrtarisht, por “për nën zë”, thonë se këtë ndalim e patën “dhuratë” nga Gjenerali francez që drejtonte këto bisedime ndërkombëtare.
Si rezultat i këtyre manovrave europiane, pas luftës kemi: “Planin”, apo “Pakon”gjithë mjegull të Ahtisarit; Raportin (e pavërtetë) për trafik organesh nga UÇK të Dick Marty; Pretendimet e Prokurores, Karla del Ponte, për krimet e UÇK-së gjatë luftës, dhe plot “gjalma” e pengesa të tjera për shqiptarët e Kosovës. Sikur të mos mjaftonin këta tre europianët e mësipërm (finlandezi Ahtisari, dhe sviceranët, Dick Marty e Karla del Ponte), ja dhe dy të tjerë po nga ky kontinent, Lajçak dhe Borrel, ndërmjetësues për bisedimet e paqtimit midis Kosovës e Serbisë, bisedime që kanë hyrë në dekadën e dytë të tyre, pa zgjidhje konkrete. Dhe si mund të ketë zgjidhje, kur “mentorët” e këtyre bisedimeve janë dy personalitete të dy shteteve, Sllovaki dhe Spanjë, të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës!
Ndërsa Mentori i dytë, SHBA, dihet botërisht se në vend të dredhive e akrobacive, “made in europa”, përdor diplomacinë në funksion të interesave të politikës që ajo ndjek në gjithë botën. SHBA ndihmoi në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës, ju garanton sigurinë në trojet e tyre, por nga ana tjetër, miku i përtej Atllantikut ka dhe objektivat e vet strategjikë. Për momentin, kërkohet stabiliteti në Ballkan, aty ku ai është futur jo vetëm me diplomaci. Dhe që të ruhet ky stabilitet, është e nevojshme të vendoset një paqe, qoftë dhe e përkohshme, midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat mund të bëhen shkak për konflikt të madh në rajon e tej tij. Për momentin nuk mund të sigurohet një pavarësi juridike e Kosovës, sepse kjo do t’i jepte krah Rusisë të kërkonte ligjërimin e Republikave të Krimesë, Donbasit, e Doneskut që ka zaptuar në teritoret e Ukrainës. Ndaj, më e mundshmja tani për tani për Albin Kurtin dhe Kosovën e tij, është “projekti franko- gjerman”, i cili parasheh “njohje reale” të Kosovës nga Serbia, por jo “njohje juridike” të saj. Nga ana tjetër, për të qetësuar Vuçiçin, duhet lëshuar dora për komunat e patriotëve të tij në veriun e Kosovës, pse jo edhe për komunat simotra në zonat e tjera. Në këtë “ballancim” të marrëveshjes mes dy vendeve, me siguri do të jepen edhe premtime plotësuese, si “njohja” e Kosovës nga pesë shtetet e BE, që nuk e kanë njohur ende, dhe në mungesë të kësaj njohje, me shumicë votash, mund t’i jepet Kosovës “Statusi i kandidatit për në BE” si dhe “Pertneriteti me NATON”.
Të dyja këto të fundit, nuk mund ta justifikojnë sakrificën e Kosovës me pranimin e dy kushteve të rëndësishme të Vuçiçit: “Zajednicën”, dhe “mosnjohjen ligjore” të Republikës së Kosovës. Kjo është arsyeja që Albin Kurti është në pikë të hallit: Të pranojë kushtet që propozohen nga projekti franko – gjerman, mbështetur nga BE dhe SHBA, duke e kaluar pavarësinë e vërtetë të Kosovës në kalendat greke, apo ta kundërshtojë këtë zgjidhje dhe të mbetet fillikat i vetëm në “shkretëtirën” e ndihmës nga fqinjët dhe madje edhe nga sivëllezërit e Shqipërisë “mëmë”, kryeministri i së cilës i “buzëqesh” nga takimet e përmujshme me “vëllain e tij” Vuçiç.
Duke ndjekur këtë situatë të vëllezërve tanë në Kosovë, mendja më shkon tek një “paralele” e shqiptarëve të Shqipërisë londineze në vitin 1946 në Konferencën e Paqes në Paris. Konferenca në fjalë ishte mbledhur për të “vulosur” përfundimet e Luftës së II Botërore, ku të mëdhenjtë e Aleancës fituese kundër nazifashizmit, do të ndanin “Tortën” e fitores, por njëherësh edhe “plaçkën” e luftës. Shqipëria, ndonëse kishte qenë anëtare e denjë e Koalicionit të madh antifashsit, ishte ftuar vetëm si dëgjuese dhe pa të drejtë mendimi e votimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, Kryeministri grek, Caldaris, u ngrit e lëshoi një lumë akuzash ndaj Shqipërisë, e cila sipas tij, duhej trajtuar njësoj si Italia dhe Gjermania që deshën të çfarosnin botën. Asnjë nga të mëdhenjtë e konferencës, nuk ndërhyri për t’ia ndalur turrin shovinistit grek Caldaris. Nëse merrej përbazë fjala e grekut, Shqipëria rrezikonte të trajtohej si plaçkë lufte midis fqinjëve. Dhe kjo do të kishte ndodhur, sikur të mos ngrihej vigani Enver Hoxha, dhe aty midis sallës luksoze Shen Elize të Parisit, midis të tjerave kumboi me zë të fortë:
“Unë deklaroj solemnisht se: As Konfreneca e Parisit, as Konfrenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijt e vendit tim, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj . . . E gjithë bota të dijë se Populi Shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, po për t’u kërkuar llogari atyre që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund!”
Pas kësaj deklarate historike, Enver Hoxha braktisi konferencën dhe u kthye në Atdhe tek populli i tij, prej të cilit, ashtu si Anteu, merrte forcë e guxim të pashtershëm.
Albin Kurti nuk mund të jetë në pozicionin e liderit shqiptar të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1946. Lideri i asaj kohe, qysh në krye të herës, kishte krijuar një Parti Komuniste syshqiponjë, e cila jo vetëm udhëhoqi LANÇ, por edhe siguroi e ligjëroi fitoret e kësaj lufte. Ai kishte në krah të tij popullin, të lidhur si gjaku me zemrën me Partinë Komuniste dhe udhëheqësin e madh Enver Hoxha, të cilët për gjysëm shekulli u bënë mburojë e sigurtë e fitoreve të Luftës Çlirimtare dhe Paqes e Punës ndërtimtare të popullit shqiptar.
Për fat të keq, Albin Kurti nuk i ka këto kushte. Ai nuk e ka ende mbështjetjen e gjithë popullit të Republikës së Kosovës, dhe për më keq, ka në krah, para dhe prapa, plot individë e parti politike, të cilat i vënë shkopinj ndën rrota, “lokomotivës” së tij të vogël me mungesë të theksuar “karburanti”. Akoma më keq, edhe tek “Shqipëria mëmë” nuk po gjen mbështetje, sepse lideri i saj, shkon më shumë për “pushime” në Beograd, se sa në Prishtinë.
Nga ky pozicion, Albin Kurti nuk mund të gjykohet, nëse detyrohet të pranojë projekte të tipit “franko – gjerman”, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e shndërrojnë Kosovën në një Palestinë të dytë në Ballkan.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!