ANATOMIA E URREJTJES, E TË HUAJVE NDAJ SHQIPTARËVE DHE E DISA SHQIPTARËVE NDAJ NJËRI-TJETRIT DHE VENDIT TË TYRE

21
Jul
2023
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti

Recension për librin e Xhemil Zeqirit “Si ta shpjegojmë gjithë këtë lloj urrejtje?!”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Tri dekada pas fillimit të proceseve demokratike në Evropën Juglindore, të cilat hapën rrugë dhe krijuan mundësi të reja edhe për avancimin e çështjes shqiptare, të ngulfatur për gjysmë shekulli nën regjimin shovinist jugosllav, në Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, të mbetura jashtë trungut etnik të natyrshëm dhe shtetit amë – Republikës së Shqipërisë, të krijuar me shumë mund e sakrifica në fillim të shekullit njëzet, me kontributin e të gjithë shqiptarëve, nga brenda dhe jashtë vendit. Kjo e epokë e re e shpresave dhe pritjeve të mëdha, siç shihet pas tri dekadave të kaluara, edhe pse solli disa përparime, si krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vazhdon edhe më tej me kontradikta, mosmarrëveshje, konflikte dhe trazira, të imponuara nga faktorë të jashtëm, por edhe me kundërthënie brenda faktorit politik shqiptar, që në mënyrë të vazhdueshme rishfaqen në jetën shoqërore dhe skenën politike në gjithë hapësirën etnike shqiptare, me ndikime të fuqishme edhe ndër shqiptarët në botën e jashtme.
Autori i këtij libri, Xhemil Zeqiri, duke qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i këtyre zhvillimeve, brenda dhe jashtë vendit, për dekada me radhë i ka përcjellë ato, por edhe i ka shkruar e paraqitur në mediet jashtë vendit dhe në atdheun e tij. Përvojat e tij të drejtpërdrejta të nxjerra gjatë kësaj periudhe e kanë nxitur krijimin e këtij libri, i cili vjen si plotësim i librave të tij të mëparshëm, por edhe si vazhdimësi e pashkëputshme e veprimtarisë politike, atdhetare dhe krijuese e veprimtarit të palodhur Xhemil Zeqiri.
Libri i fundit “Pse gjithë kjo urrejtje ndaj shqiptarëve?!” e vë theksin te temat historike dhe aktuale, jo vetëm si rikthim në të kaluarën, por edhe si përqasje mbi të sotmen e zymtë, që e kërcënojnë zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, e pengojnë progresin dhe dezorientojnë lëvizjen politike dhe kombëtare, si tërësi, zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve brenda e jashtë atdheut.
Duke filluar nga riaktualizimi i temave historike nga e kaluara, të pashpjeguara mjaftueshëm deri më sot, nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, si derdhja e energjisë, dijes dhe gjakut të shqiptarëve për interesa të huaja, autori në këtë libër risjell edhe njëherë të dhëna të detajuara rreth këtyre modeleve shkatërruese të botës shqiptare, në bazë të burimeve historike, të përvojës politike dhe shoqërore, se si këto modele janë shfaqur dhe kanë vepruar brenda disa epokave të kaluara, duke e kërcënuar seriozisht qenien shqiptare dhe trojet etnike të tyre.
Në kuptimin më të përgjithshëm, edhe në tri dekadat e fundit, këto modele kanë vazhduar të ekzistojnë dhe kërcënojnë seriozisht sistemin e vlera kombëtare të shqiptarëve, të identitetit, historisë, gjuhës, kulturës, por edhe ndërtimin e shtetit dhe procesin e integrimeve globale, të penguara dhe kërcënuara nga jashtë, nga apetitet e shteteve fqinje, shovinizmi serbomadh e grekomadh, ndikimet e nacionalizmave të huaj ekstremë dhe fundamentalizmave fetarë të imponuar dhe infiltruar brenda botës shqiptare, me ndikimet e tyre negative në përplasjen mes interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive të mëdha të botës, të cilat nuk zgjedhin mjete për realizimin e tyre. Këto doktrina, me veprime praktike i kanë zhvilluar dhe imponuar sistemet e veta politike dhe ekonomike, ideologjike dhe fetare, duke ndikuar ndjeshëm në rendin botëror ekzistues dhe interesat gjeopolitike aktuale, të cilat më tepër se në çdo vend dhe çdokënd tjetër e kanë goditur pandërprerë qenien shqiptare, si element autokton dhe dominues në Gadishullin Ilirik.
Pa këtë qasje pararendëse në recensionin tonë, vështirë se mund të kuptohet drejtë dhe saktë thelbi i porosisë, të cilën autori i këtij libri dëshiron ta përçojë tek lexuesit, duke pasur parasysh me këtë raste edhe disa përmbajtje, të cilat shfaqen si recidivë dhe ngarkesa ideologjike, thjesht si reflekse personale, jo si thelbi i përmbajtjes së librit dhe porosisë së autorit të tij.
Libri më i ri i autorit Xhemil Zeqiri i përket një zhanri të veçantë, ku gërshetohen elementet publicistike, dokumentare dhe biografike, por edhe të dhënat e burimet historike, të cilat jepen nga dora e parë, që mund të shërbejnë në studimet shkencore për plotësimin e ndonjë zbrazëtie në shkrimin e historisë më të re të shqiptarëve, sidomos me elementet nga jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve jashtë atdheut, që në të shumtën e rasteve paraqesin vështirësi për t’u gjetur e plotësuar nga studiues të tjerë. Këtë pjesë e plotëson në mënyrë të shkëlqyer Xhemil Zeqiri me shkrimet e tij, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ato ngjarje, jo si vrojtues pasiv i tyre. Kjo paraqet një vlerë të shtuar, e cila jepet përmes materialit të bollshëm, fakteve dhe dëshmive të pakundërshtueshme të përmbledhura në këtë libër.
Autori i këtij libri, duke jetuar e vepruar për dekada me radhë në kryeqytetin e Danimarkës, në Kopenhagë, dhe duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë edhe me vendet tjera të Skandinavisë dhe Evropës Perëndimore, një botë krejt të ndryshme nga ajo e vendit të tij të lindjes, të edukimit dhe brumosjes si veprimtar e atdhetar, në Maqedoni dhe Kosovë, nga përvoja e tij e gjatë në betejën e pareshtur për ta ndihmuar çështjen kombëtare, edhe pas gjithë kësaj kohe e përvoje mbetet i habitur, si mund të shpjegohet gjithë kjo urrejtje ndaj shqiptarëve, nga të tjerët, por edhe ndërmjet njëri-tjetrit, për interesa meskine, personale apo të motivuara nga të huajit, madje edhe me përmasa të gjera, të njohura historikisht ndër shqiptarët, si dallime e ndarje mbi baza ideologjike, krahinore, fetare e të tjera, nga të cilat burojnë urrejtja dhe fatkeqësi të tjera që e përcjellin popullin shqiptar ndër shekuj.
Këtu e gjen arsyen autori i këtij libri, që ta trajtojë këtë çështje në aspektin historik dhe aktual, të paraqitur me fakte dhe në mënyrë kronologjike, nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme.
Jo rastësisht, autori e fillon këtë libër me faktet që kanë sjellë edhe autorë të tjerë, mbi kontributin e shqiptarëve për popujt dhe vendet tjera, për ngritjen e perandorive nga më të fuqishmet në historinë e njerëzimit dhe të shteteve të huaja, nga të cilat gati asgjë nuk kanë përfituar shqiptarët si komb, përveç interesave personale dhe familjeve të tyre, të cilat kanë shkëlqyer në vende të huaja, por asgjë të dobishme nuk kanë sjellë për kombit dhe atdheut të tyre.
Autori me të drejtë këtë çështje e trajton jo vetëm si fakt, por edhe si pyetje të cilës duhet t’i japin përgjigje studiuesit e sotëm e të ardhshëm shqiptarë. Çfarë përfituan shqiptarët nga gjithë kjo sakrificë e madhe, madje edhe nga gjaku i derdhur gjithandej nëpër botë, si për Perandorinë Romake, Romën Lindore, Perandorinë Osmane, për lirimin dhe krijimin e shteteve të huaja, si për Italinë, Rumaninë, Moldavinë, Egjiptin, Turqinë moderne, si dhe për krijimin e shteteve fqinje të shqiptarëve, të krijuara gjatë shekullit XIX, si Greqia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, së fundmi edhe Maqedonia, të gjitha me kontributin e pamohueshëm të shqiptarëve, nga të cilat nuk përfituan asgjë, përkundrazi, krijua armiq, që edhe sot vazhdojnë me politikat e tyre grabitqare dhe shoviniste kundër shqiptarëve.
Ky fenomen ndër shqiptarët, i urrejtjes dhe vetasgjësimit, sikurse në planin e jashtëm, reflektohet edhe brendapërbrenda botës shqiptare, siç e shpjegon autori Xhemil Zeqiri në temat që i trajton në vazhdim të pjesë së parë të këtij libri, ku një vend të rëndësishëm i jep çështjes së shqiptarëve në Maqedoni. Si mund të shpjegohet ndryshe gjithë kjo urrejtje e pushtetit sllavomadh, ky terror i vazhdueshëm dhe gjenocid ndaj shqiptarëve autoktonë në këtë shtet të ri, të krijuar në rrethana tepër specifike pas Luftës së Dytë Botërore?! Si mund të shpjegohet kjo katandisje edhe brenda faktorit shqiptar, atij politik dhe intelektual, që një popull me identitet të dyshimtë, i kontestuar dhe mohuar me identitet, histori dhe gjuhë nga të gjitha shtetet tjera fqinje, për shqiptarët vendës të shndërrohet në faktor përcaktues i fatit të tyre, me mohimin dhe dozimin e lirive dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve në këtë shtet? Absurde, apo jo! Si mund të shpjegohet kjo, përveç si dobësi e shqiptarëve, që autori i librit e lidh me urrejtjen brenda qenies së tyre dhe ndaj njëri-tjetrit?! Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja që e ka motivuar autorin ta vendosë në fillim të këtij libri thënien e Peter Lukasit: “Një pjesë e shqiptarëve duket se kanë një defekt në kompozimin e tyre gjenetik, që i bën ata të urrejnë, të përbuzin dhe t’i kenë zili bashkëkombësit e tyre.” Nga del një e vërtetë e madhe, se populli shqiptar, që nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme ka krijuar heronj të mëdhenj me përmasa botërore, që sigurisht ka krijuar edhe tradhtarë, mercenarë dhe kuislingë të mëdhenj, me këtë ves të trashëguar siç i ka përshkruar Lukasi.
Kjo dobësi e shqiptarëve, nganjëherë edhe përtej urrejtjes, paraqitet edhe në rrafshin e përditshmërisë, siç e paraqet autori i librit në polemikat, reagimet dhe komentet, ku defilojnë një plejadë e tërë e personaliteteve me këtë sindromë, të cilët në vend se të përkushtohen për interesin e përgjithshëm, në vend të bashkimit të forcave, harxhojnë energji, mbjellin urrejtje dhe krijojnë klane për goditjen e personaliteteve që luftojnë me të gjitha mjetet në dobi të kombit shqiptar.
Kjo mbrapshti ndër shqiptarët gati gjithmonë u ka sjellë fatkeqësi, prapavajtje, madje edhe luftë të vazhdueshme brenda llojit. Këtë gjendje e përshkruaj autori i librit në mënyrë më të qartë e më të plotë në pjesën e dytë të librit, përmes tri intervistave të tij në mediet elektronike, dy në ALP TV në Gjirokastër, me gazetarin Aristotel Petro dhe një në TV Koha në Tetovë, me gazetaren Ariana Ibrahimi, të cilat nuk janë të vetmet e këtij autori, por sigurisht janë më të spikaturat, përderisa autori i ka përzgjedhur për t’i vendosur në faqet e librit të tij. Në këto intervista, autori i librit Xhemil Zeqiri paraqet gjerësisht një vistër të problemeve historike dhe aktuale të popullit shqiptar, mbi të cilat hedh dritë sipas reflektimit dhe këndvështrimit të tij, si personalitet i cili mbi katër dekada i ka përcjellë me shumë kujdes e përkushtim zhvillimet politike në vend, si nga brenda dhe jashtë, nga një skaj tjetër i botës, nga kryeqyteti i Danimarkës, ku vlerat demokratike dhe humane konsiderohen arritje më kulmore të qytetërimit të sotëm.
Një pjesë të rëndësishme në këtë libër zënë edhe shkrimet e autorit Xhemil Zeqiri dhe të miqve të tij, nga hapja e një fushate denigruese dhe shpifëse kundër tij nga disa persona, të cilët jetojnë e veprojnë në shtetet skandinave, të cilët me keqpërdorimin e medieve në gjuhën shqipe jashtë vendit, si Radiotelevizioni “Zëri i Kosovës” dhe gazeta elektronike “Liria Kombëtare”, pas botimit të librave “E vërteta bën armiq” dhe “Arsyetimi të çon pranë së vërtetës”. Në këtë fushatë janë përfshirë disa persona, si Ibrahim Xhemajli me shokë, të cilët për motive tepër të ulëta janë vënë kundër autorit të këtyre librave, me shpifje monstruoze, në vijën e njëjtë të propagandës armiqësore, të ngjashme me propagandën e Beogradit pas vitit 1981, kundër shqiptarëve dhe gjithçka që lidhej me lëvizjen politike dhe atdhetare në Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare nën okupimin e ish-Federatës së Jugosllavisë. Nga e gjithë kjo betejë polemizuese në medie, shpeshherë edhe mes miqve dhe shokëve, bashkëveprimtarë të mëhershëm, përshfaqet një urrejtje e papërmbajtur me motive personale e karrieriste, por edhe si faqe e zezë e argatëve të agjenturave të huaja apo recidiva ndikimi të ish-shërbimeve sekrete jugosllave ndër shqiptarët në botën e jashtme.
Sipas autorit Xhemil Zeqiri, “E vërteta bën armiq”, por ajo i ka edhe mbrojtësit e saj, siç dëshmohet në këtë seri polemikash dhe reagimesh mes autorit dhe kundërshtarëve të tij, ku përfshihen disa persona, mes tyre dhe personalitete të shquara të çështjes shqiptare, të cilët janë vënë në anën e autorit, jo për shkak të lidhjeve miqësore mes tyre, por në mbrojtje të së vërtetës, si Dilaver Goxhaj, Luan Baci, Beqir Elshani, Afrim Morina, Fadil Shyti, Shqiptar Oseku, Gëzim Mekuli etj.
Veprimtaria e Xhemil Zeqirit ka qenë e hapur për dekada me radhë, si në botën e jashtme edhe në atdhe. Nuk ka ngjarje që ka ndodhur në trojet shqiptare gjatë këtyre dekadave sa ka qenë aktiv ky personalitet, sidomos nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, e të mos hetohet angazhimi i tij, në formë të përkrahjes së drejtpërdrejtë ose përmes shkrimeve. Sidomos është shquar në organizimin e kontakteve me institucionet daneze – nga Këshilli për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Danimarkës, në mediet daneze dhe shumë personalitete të jetës politike dhe diplomatike të këtij vendi mik. Kjo veprimtari e bujshme lidhet edhe me Këshillin për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovës, me Komitetin “Miqtë e Kosovës”, me gazetat prestigjioze daneze etj. Autori i përmend kësaj radhe vetëm disa nga këto aktivitete, në të cilat ka vendosur kontakte mes institucioneve daneze me përfaqësuesit shqiptarë, drejtuesit e organizatave dhe partive politike të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, si me Ibrahim Kelmendin, veprimtar i LPK-së, dega jashtë vendit; Dr. Muhamet Kelmendin, nënkryetar i LPK-së, dega jashtë vendit; Adem Demaçin; Xhafer Shatrin, ministër për Informata i Qeverisë së Kosovës; Hajrullah Goranin, kryetar i Sindikatave të Kosovës; Dr. Shaqir Shaqirin, ambasador i Kosovës në Suedi; Mevlan Shanaj nga Ambasada e Shqipërisë në Stokholm; Arbën Xhaferin nga PDSH dhe Shaip Emërllahun nga Radio Shkupi, po ashtu edhe Hydajet Hysenin, veprimtar i shquar të lëvizjes politike dhe atdhetare në Kosovë në vitet e tetëdhjeta, si edhe me politikanë, shkrimtarë dhe intelektualë nga Tirana, si Dritëro Agolli, Jakup Ceraja, kryetari i PSD në Shqipëri, Skënder Gjinushi, më vonë edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët autori dëshmon me fakte se i ka ftuar disa herë në Danimarkë, Albin Kurti, Visar Ymeri etj. Në këto takime me karakter pune, gjithnjë në shërbim të atdheut, kanë marrë pjesë edhe Fadil Shyti, njëri ndër veprimtarët dhe organizatorët e parë të LVV jashtë vendit, në Malmë të Suedisë; Shqiptar Oseku nga LVV në Stokholm; si edhe Namik Doklen nga PS e Shqipërisë; ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Luan Hajdaraga dhe shumë të tjerë nga shteti amë.
Me këtë rast, pa dashur të përsëritim atë që e ka shkruar autori në këtë libër, vlen të theksohet se, Xhemil Zeqiri ka qenë ndër veprimtarët e parë dhe më të zëshmit në çdo përpjekje të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, përkrahës i flaktë i luftës për lirinë e Kosovës dhe i luftës së vitit 2001 në Maqedoni, ka qenë gjithmonë fryma e shëndoshë dhe përhapësi i së vërtetës, mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në gjithë hapësirën etnike. Një kontribut të madhe ky personalitet e ka dhënë edhe në mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve në Maqedoni për arsimimin e tyre në gjuhën amtare në nivel universitar, dhe sidomos në mbrojtjen edhe afirmimin në botën e jashtme të Universitetit të Tetovës, nga themelimi dhe në procesin e ngritjes së tij. Nga vetë dora e Xhemil Zeqirit u janë drejtuar disa kërkesa institucioneve të shtetit në Danimarkë dhe përfaqësuesve danezë në institucionet ndërkombëtare, sidomos atyre në Parlamentin Evropian në lidhje me njohjen e të drejtës së shqiptarëve në Maqedoni për arsimim universitar në gjuhën amtare dhe në mbrojtje të Universitetit Shqiptar të Tetovës.
Xhemil Zeqiri, si veprimtar i dëshmuar, gjithmonë ka qenë pranë figurave më të shquara të rezistencë kombëtare kundër sundimeve të huaja dhe okupatorëve të trojeve etnike shqiptare, me kontribut të theksuar edhe në përkrahjen e tyre konkrete, pavarësisht se ky personalitet nuk i përmend një pjesë të këtyre aktiviteteve në shkrimet e tij, por mes miqve dhe shokëve dihen dhe vlerësohen këto kontribute, disa herë edhe si përkrahje që pak kush ka mundur t’i bëjë me mundin dhe djersën e tij, sikurse financimi i botimit të disa librave me shumë vlerë nga autorë të shquar dhe veprimtarë të lëvizjes kombëtare. Pa ndihmën konkrete të autorit të këtij libri, Xhemil Zeqirit, këto vepra nuk do ta kishin parë dritën e botimit ndoshta asnjëherë.
Këto janë arsyet pse Xhemil Zeqirin e duan dhe nderojnë shumë miq të tij, në botën e jashtme dhe në atdhe. Ata që mundohen ta nënvlerësojnë figurën dhe kontributin e tij e kanë marrë përgjigjen e duhur nga shkrimet e disa autorëve të përfshira në këtë libër, të cilët sigurisht do të vazhdojnë edhe në ardhmen, sepse me këtë e mbrojnë të vërtetën si vlerë sublime e botës intelektuale dhe qenies njerëzore të vetëdijshme, kudo dhe gjithmonë.
Sigurisht, është kënaqësi të lexosh një libër si ky i autorit Xhemil Zeqiri, me përmbajtje kaq informuese dhe qasje analitike, përplot fakte, dëshmi e komente të argumentuara, ku e vërteta nuk ngulfatet jashtë diskutimeve plotësuese dhe nuk pretendon ta paraqesë realitetin njëanshëm, si lexim dhe shpjegim i fundit të historisë më të re të shqiptarëve.
Të shpresojmë se do të presim edhe botime të tjera nga veprimtari i shquar Xhemil Zeqiri, për ta plotësuar atë që nuk ka arritur ta përmbledhë në këtë libër, e që e ka sigurisht të regjistruar në memorien dhe dokumentuar në arkivin e tij, të bazuar në shumë burime dhe dëshmi të ruajtura gjatë punës së tij të palodhshme për disa dekada me radhë.
Tetovë, 11 korrik 2023

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk