Andekdota nga jeta e Hasan Tahsinit

11
Dec
2023
Nga: Ramadan Pllana

Në vitin 1873, për mendimet e tij përparimtare e për interepretimin shkencor materialist që u bënte fenomeneve të natyrës dhe formimit të gjithësisë, Hasan Tahsini u arrestua në akuzën se vinte në dyshim ekzistencën e zotit dhe se donte të shpikte një fe të re.
– Akuzoheni se keni dashur të shpikni një fe të re, – i tha ministri i sigurimit publik në Stamboll.
– Efendi, – iu përgjigj Hasan Tahsini, – nuk jam aq injorant sa të mos e di se fetë që ekzistojnë sot jo vetëm që mjaftojnë për njerëzit e botës, por janë edhe të tepërta.
* * *
Takoi që, kur ishte në Ninat, në vendlindjen e tij, të zihet Hëna. Ninajotët, të nxitur nga hoxha i fshatit, filluan të gjuajnë me pushkë kundër Hënës, gjoja për ta shpëtuar nga shejtanët që e kishin zënë. Hasani që e dëgjoi gjithë këtë potere, doli e u tha:
– Të shtënat tuaja nuk dëgjohen deri në Hënë, se ajo është shumë larg. Ju mos u mundoni dhe mos harxhoni kot fishekët, por i ruani ato se do të na duhen për armiqtë që i vinë rrotull Atdheut.
* * *
Kur Sami Frashëri i njoftoi vendimin e autoriteteve osmane për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip, që u themelua në Stamboll nga patriotët e shquar Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto etj., Hasan Tahsini iu përgjegj me optimizëm.
– Ke parë ndonjëherë bujqit, kur mbjellin farën e grurit në arë dhe e mbulojnë me dhe?
– Po – iu përgjegj Samiu.
– Por, a është e mundur që atë farë të mbjellë ta mbledhësh prapë e ta shtiesh në thasë?
– Jo, – i përgjigj përsëri Samiu.
– Ashtu është edhe puna e shkrimit të gjuhës sonë. Fara u mboll, tani nuk ka ç’i bën kush asgjë, ajo do të mbijë me siguri.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk