Anekdota: Paradoksi

26
Feb
2025
Nga Beqir Elshani


1.    DIPLOMACIA
A kanë dallim diplomacia ruse me letërsinë ruse? – e pyeti gazetari kritikun letrar.
Patjetër, letërsinë ruse me të gjitha forcat duhet përqafuar, ndërsa diplomacinë ruse me të gjitha mjetet duhet luftuar, kjo e fundit është vrasëse e njerëzimit në botë, – u përgjigj kritiku letrar.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

2.    FLLUSKA E PUSHTUESIT
A është jetime deklarata e kryetarit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, që thotë se kurrë nuk do ta lëshojnë Kosovën? – e pyetën gazetarët analistin politik.
Deklaratat e tilla pushtimi nuk janë jetime, ngjashëm ka thënë edhe ish-kryetari i Gjermanisë Lindore, Erih Honekeri, se kurrë nuk do të rrënohet Muri i Berlinit për bashkimin e dy Gjermanive, megjithatë Muri Berlinit u zhduk nga faqja e dheut, – u përgjigj analisti.

3.    PENDIMI SERB
A pendoheni për votën në OKB që ia dhatë Ukrainës? – e pyetën gazetarët diplomatin serb.
Ndonëse e votova Rezolutën e OKB-së për paqen në Ukrainë, megjithatë zemra ime është për Rusinë, – tha diplomati serb para gazetarëve.

4.    “DIKTATORI”
A besoni që kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenski, është diktator? – e pyeti gazetari analistin politik.
Sipas urtisë se një dorë që nuk mund e thyen, duhet puthur, kryetari i ShBA-së, Donald Tramp, duke mos mundur të thyej dorën e Putinit, për tërheqjen e ushtrisë ruse prej Ukrainës, e akuzon Zelenskin, – u përgjigj analisti politik.
5.    NUSELALA
Nëse lepuri grindet me ketrin, maçoku e ndan drejtësinë, – tha laraska duke soditur ngjarjen prej lisit.
Broçkulla, askush nuk e ndan drejtësinë më mirë se diplomatja e maleve, siç është dhelpra, – ndërhyri korbi.

6.    PREMTIMI
Pse po qanë? – e pyeti një burrë fqinjin.
Si të mos qaj, kandidati për kryetar që na premtoi ndërtimin e hidrocentraleve, nuk fitoi, tani do të mbesim në terr, – u ankua fqinji.
Mirëpo ti nuk je kalama që t’ju besosh premtimeve bombastike, kështu premtojnë të gjithë kandidatët në prag të votimeve, – e qortoi fqinji.

7.    PARTIA MË E MADHE
Cila parti është më e madhe, e drejtësisë apo e korrupsionit? – e pyeti gazetari analistin.
Të them që partia e korrupsionit është më e madhe, mund të kem pasoja, prandaj po them partia e drejtësisë, – u përgjigj analisti.

8.    SHQIPËRIA MADHËSHTORE
Në pyetjen e gazetarit se a më e shenjtë është vdekja në Qabe të Arabisë Saudite apo në Vatikan të Romës, mësuesi i vjetër përgjigjet: – Asnjë vend në botë nuk është më e shenjtë se jeta dhe vdekja në vendlindje.
Lum kush lind dhe vdes në Shqipërinë madhështore të Naim Frashërit, që aq bukur i këndon atdheut! – e uroi gazetari.

9.    PARADOKSI
A e di pse tigri nuk mund t’i zë dy derrkucët e egër? – e pyeti njëri mikun e tij.
Për shkak se njëri prej tyre i duket më i madh, prandaj porsi gomari i Buridanit mbetet pa asnjërin, – u përgjigj i dyti.

10.    MIZA E SHTËPISË
Pse nuk e mbyt mizën, por e lë pa një krah? – e pyeti miku i tij.
E lë me qëllim që kur ta shohin mizat tjera, le ta dinë se do ta pësojnë, – ia ktheu i pari.

11.   PARALIZA
Agim, ç’është paraliza? – e pyeti arsimtari nxënësin në shkollën e mjekësisë.
Paraliza është humbje e aftësisë për bashkëbisedim dhe për leximin e librave, prandaj njeriu kohën e kalon me celular.

12.   KOTECI DHE KOSHI
A ka gabime në frazeologjinë e aktorit dhe poetit, Çun Lajçi: “S’i duron ky popull dhelprat të kthehen në kotecin e pulave, as hajnat në koshin e drithit”.
Frazeologjia është qëlluar, mirëpo në vend të fjalës “hajnat” duhet të jetë “gomarët”, pasi që gomarëve u pëlqen drithi, kurse hajnave u pëlqen arka e shtetit, – u përgjigj studenti.

13.   MAGJIA
Magjia ime është e fortë, frikacakët i bëj trima, ndërsa lakmitarët i bëj veteranë, – tha fallxhesha.
Cilët prej tyre tregojnë më shumë interesim? – e pyeti një kureshtar.
Lakmitarët, për shkak se rroga është e mirë, – tregoi fallxhesha.

14.   MALLKIMI
Si mund të dihet cili prej të anketuarve është fetar dhe jofetar? – e pyeti gazetari analistin.
Gjatë bisedës fetari i mallkon jofetarët, ndërsa jofetari mallkimin e tij e quan dogmatik, – tregoi analisti.

15.   FOSHNJA
Mjek, foshnja ime nuk fle, sa herë që flitet për paqen në botë, qanë, – u ankua gruaja para pediatrit.
Më vjen keq, fisnike, unë jam mjek, nuk jam politikan, – ia ktheu mjeku.
Ku të shkoj, të njëjtën gjë më tha politikani, se nuk është mjek, – tha gruaja me foshnjën.

16.   LUGATI
A e di kush e njeh më së miri lugatin? – e pyeti vëllai i madh të voglin.
Kleriku, nëse nuk gaboj, – u përgjigj vëllai i vogël.
Askush nuk e njeh më mirë se vampiri, pasi që i ligu shkon me të ligun, – tregoi i madhi.

17.   PUTHJA NXËNËSES
Arsimtari i muzikës thotë se nxënësen e ka puthur në faqe në shenjë nderimi? – tregoi një koleg i punës.
Gjepura, arsimtari nuk ka nevojë ta puthë nxënësen, mjafton ta përgëzojë “Të lumtë”, – ndërhyri veterani arsimit.

18.   PREVENTIVA
Sipas shtypi që shkruan, një grua 36 vjeçare mbi 50 herë ka hyrë në brisk për zbukurimin plastik të trupit. Mjekët kanë zbuluar se në të pasmet e saj kanë shpërthyer impiantet prej silikoni, të cilat mund t’ia helmojnë gjakun dhe se mund të vdes brenda gjashtë muajve, – i tregoi bashkëshorti gruas së tij.
Më fal, i dashur, po shprehem me ironi, shyqyr që nuk është lopë, sepse do ta helmonte një familje me qumësht, – tha gruaja me zemërim.

19.   SHËNDETI
Në pyetjen se a më e rëndësishme është bukuria e shëndetit apo bukuria e trupit, dijetari përgjigjet: – Bukuria e shëndetit është alfa dhe omega e jetës, ndërsa bukuria e trupit është dekor.

20.   DREJTËSIA
Ku është drejtësia?! – bërtiti paditësi prej tronditjes, kur gjykatësi vrasësin e deklaroi të pafajshëm.
Drejtësia po pi konjak pas ngrënies së mishit të kadisë, – tha avokati i popullit.

Suedi, 25.02.2025

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk