Anekdota:Beqir Elshani,  Feneri i ditës

03
May
2026
Nga: Beqir Elshani
I nderuari Orakull, dëshirojmë të dimë, pse nuk mund të fitojmë votën e popullit për formimin qeverisë? – e pyetën orakullin humbësit opozitarë.
E dija që do të vini të ankoheni tek unë për mundimet e juaja. Shkaku është sepse një kohë të gjatë e keni vjedhë shtetin, e keni shtypur popullin, pastaj e keni quajtur analfabet, prandaj fitorja juaj është e pamundur, – u tregoi orakulli.
2. KOMPANIA
Si quhet kompania për rrahjen dhe shtypjen protestuesve në Serbi?
Kompania e kërbaçëve, – përgjigj një mjek i tronditur kur i pa të rinjtë e përgjakur në rrugët e qytetit.
3. FENERI I DITËS
Mik, ç’po kërkon me fener në pikë të ditës? – e pyeti njëri mikun e tij.
Po kërkoj një ministër që nuk ka dorë dhe që është i pa korruptuar, – u përgjigj i dyti.
4. MJERIMI
Kur prokurori tre të akuzuarit i pyeti si quhen, i pari tha se quhet Pushtet, e dyta – Pasuria dhe i treti – Mjerim.
Mirë që Mjerimi paska vjedhë, pasi që është i vuajtur, por ju që jeni të pasur, pse po vidhni? – i pyeti prokurori dy të akuzuarit e parë.
Ne e bëjmë në shërbim të Mjerimit, – ia kthyen dy të akuzuarit.
5. GJETURIA
Pesë të krisur kanë hipur në kurorën e lisit, si do t’i zbresësh në tokë? – i pyeti njëri kolegët.
Do t’ua afroj shkallën, dhe njëri pas tjetrit do të zbresin në tokë, – u përgjigj i dyti.
Unë me sëpatë do ta prisja lisin, pastaj të gjithë i ke në tokë, – e mbylli i treti.
6. ARMIKU I POPULLIT
A e dini kush është armiku më i madh i popullit? – i pyeti njëri miqtë e tij.
Si nuk e dimë, Albin Kurti, për shkak se nuk e ka votuar Gjykatën Speciale në dëm të Republikës së Kosovës, – u përgjigjën njëzëri të pranishmit.
7. SAMARI
Baba, daja më lëndoi, më pyeti nëse jam me samar, apo pa samar, – i tha i biri babait.
Jo, bir, daja të ka pyetur nëse je i martuar, apo i pamartuar, – i tregoi babai të birit që e kishte kohën e martesës.
8. MUMIET
Ka ardhur një kohë e vështirë, edhe mumiet po flasin, – e hapi bisedën një mik.
E ke fjalën për të vdekurit, apo për të gjallët?
Natyrisht, për të gjallët, një kohë të gjatë deputetët nuk kanë folur, tani na e çajnë kokën me deklarata opozitare, – shtoi miku.
9. NË MES DOGMAVE
Hoxha po thotë nëse e keni inat fenë islame dhe nuk doni hoxhë, atëherë dëgjojeni priftin, – tregoi një burrë që sapo erdhi prej xhamisë.
Deklarata e hoxhës të kujton proverbin latin në mes Skiles dhe Karidbes, prandaj në mes dy pengesave dogmatike, më së miri është që populli ta dëgjojë mësuesin shqiptar, – e këshilloi plaku i mençur.
10. DHUNA NDAJ GRAVE
Kur të zgjidhem unë kryeministër i Kosovës, s’do të ketë dhunë ndaj grave, – deklaroi garuesi i PDK-së, Bedri Hamza.
Kuku, ç’na gjeti, do të na rrahin burrat derisa të zgjidhet Bedri Hamza kryeministër, – i tha gruaja kunatës së vet.
11. PROFESOR GARMATIKA
Cili emër njeriu është më i keq sipas teje? – e pyeti njëri veteranin e arsimit.
Emri më i keq është kur njeriu quhet Gramatikë, ndërsa gjuhën shqipe as nuk e flet mirë, as nuk e shkruan drejt! – u përgjigj veterani i arsimit.
12. LINDJA E MAQEDONISË
Ku dhe kur ka lindur Maqedonia? – e pyeti arsimtari i historisë nxënësin në gjimnaz.
Maqedonia ka lindur më 31 janar 1946 në qytetin Jajce të Kroacisë? – u përgjigj nxënësi duke prekur koqet e veta në kuptim të toponimit sllav.
13. RROTË E PESTË
Çka do të thotë shprehja “rrotë e pestë nën karrocë”? – e pyeti gazetari analistin politik.
Rrotë e pestë nën karrocë do të thotë të jesh i tepërt ose i panevojshëm në një situatë, njëkohësisht t’i pengosh të tjerët në veprimtarinë e caktuar, – u përgjigj analisti.
Për fat të keq, në Kuvendin e Republikës ka shumë të tillë, – shtoi gazetari.
14.METAMORFOZA
Ç’është metamorfoza, Agim? – e pyeti arsimtari nxënësin.
Metamorfozë është se kur LDK me PDK i kanë fituar votat e popullit, votuesit kanë qenë të arsimuar, ndërsa kur i humbën… u bënë analfabetë, – u përgjigj nxënësi.
15. HIDHËRIMI
A keni dëgjuar, një dhelpër ka bërë vetëvrasje? – iu drejtuar njëri miqve të tij.
E gjora kafshë, përse bëri vetëvrasje? – ia kthyen kolegët me habi.
Kur dëgjoi që politika po ia kalon me gënjeshtra diplomatike, prej hidhërimit bëri vetëvrasje.
16. SIMPTOMA
Neurolog, megjithëse jam oratore e zonja, sa herë që diskutoj në Kuvendin Republikan, më dridhen duart, – u ankua deputetja me përvojë në qeveri.
Tek ju është shfaqur simptoma e pasurimit, prandaj e keni vështirë të largoheni prej vesit të krizës nervore, – i tha neurologu.
17. PIKËÇUDITJA
A ka ndonjë gabim në urimin e komentuesit për dënimin e kriminelëve për vrasjen e Liridonës “Urime vendimin e burgut të përjetshëm, le të kalben në burg”? – e pyeti arsimtari nxënësen.
Nuk ka gabime, vetëm pikëçuditja i mungon fjalisë, – u përgjigj nxënësja.
18. NERVOZA
Doktor, sa herë që ministri flet për gjendjen e vështirë financiare të vendit, burri im nervozohet, – u ankua bashkëshortja e kryetarit të shtetit.
Kështu ndodh, për shkak se pozita e tij afatgjate është amortizuar, – u përgjigj mjeku.
19. MALLKIMI
Të nderuar poetë, kur shkruani për bukuritë natyrore të atdheut, mos i mallkoni ujqit dhe derrat, por mallkoni matrapazët që vite me radhë ua pinë gjakun popullit, – kështu e hapi mbledhjen një aktivist kundër shfrytëzimit zyrtar dhe dhunës policore.
20. URIMI
Më i miri baba, urime ditëlindjen, dëshiroj që në shtator së bashku të shkojmë në klasën e parë fillore! – kështu e uroi i biri.
Kujdes, shpirti i mamasë, babai yt është magjistër i shkencave… – ndërhyri e ëma.
Suedi, 2 maj 2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/05/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk