Apo përgatitet edhe një ndarje e re për Ballkanin?!

19
Jun
2023

Shkruan: Medai Shaholli
Një Jaltë e dytë për Ballkanin duket se po përgatitet në Uashington dhe Bruksel, ku humbësi më i madhë edhe këtë radhë si çdo herë do të jenë shqiptarët.
Nuk mjaftoi Kongresi i Berlinit më 1878, Konferenca e Londrës më 1913, Konferenca e Paqës më 1920 dhe 1946 në Paris, Marrëveshja e Jaltës më 1945, por Fuqitë e mëdha si dje dhe sot vazhdojnë t’i tkurrin dhe t’i ndajnë arbitrarisht trojet etnike shqiptare në favor të fqinjëve grabitqar.
‘Miqtë ndërkombëtarë’, pasi kanë marrë favoret e tyre (pasi politika është interes dhe jo miqësi e sinqertë) nga armiqtë tanë dredharakë, po ia kthejnë kurrizin shqiptarëve duke flirtuar hapur me shovinistët serb dhe grekë dhe kundër interesave të kombit shqiptar.
Qëndrimet e buta dhe politika fleksibël e Uashingtonit dhe Brukselit ndaj protestuesve dhe bandave kriminale me armë dhe me mjete të forta kundër KFOR-it dhe policëve të Kosovës, hoqi fijen e dyshimit për ndryshimin e kursit politik dhe ndarjen përfundimtare të veriut nga Kosova si rezultat i pazareve politike të ndërkombëtarëve me Beogradin si dëmshpërblim për pavarësinë e kufizuar dhe të kontrolluar nga perëndimi.
Liderë shqiptarë të shitur dhe të kapur nga shoqëria e gjarprit Soros si Edvin batërdia me ‘vëllamët’ e tij serbë dhe jo vetëm po i ndihmojnë politikës së re në Uashington dhe Bruksel, ndarjen e veriut të Kosovës duke ia dhuruar Beogradit si shpërblim dhe rikompensim për ‘ndërhyrjen e gabuar’ në vitin 1999, si dhe për dëbimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova nga administrata Klinton.
Ndërhyrja e të mëdhenjve të botës më 1999 në Kosovë ishte e drejtë dhe e nevojshme përballë agresionit dhe spastrimit etnik që i bëhej shqiptarëve nga ana e fashizmit serb në krye me kriminelin Millosheviq.
Por sot, kanë ndryshuar interesat dhe Kosova po trajtohet si dele e zezë në vargun e shteteve të Ballkanit si shteti i vockël që duhet ‘qethur për kryeneçsi dhe mosbindje’ ndaj të mëdhenjve!
Vicklat e Albin Kurtit ndaj refuzimit të kësaj ndarje janë të shtënat e fundit e kobures së tij në tunelin e errësirës që ndërkombëtarët e kanë lejuar të shtjerë fishekët e fundit për ta nxjerr dufin para vendimeve të pa drejta të të mëdhenjve në Uashington dhe Bruksel.
Nëse më 1999 u intervenua në Kosovë në emër të humanizit për ta ndalur barbarinë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, sot në emër të vendosjes së paqes po i jepen copa territori nga sovraniteti i saj pasardhësve të Millosheviqit si joshje për ta tërhequr nga ‘mëma’ Rusi.
Jo zotërinj, miqtë tuaj të rinj dhe të vjetër serbë nuk ndahen nga ‘mëma’ Rusi me asnjë çmim, ndaj lërini dokrrat dhe arsyetimet për ta tërhequr Serbinë drejt perëndimit duke e bërë këtë radhë kurban Kosovën.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk