Arianitit dhe gomarëve të tij

05
Jul
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Arianit,
Të mos i rrënojmë urat, thua ti. Dakord. Por ka një dallim të madh mes urave që ndërtojnë të ardhmen dhe atyre që lidhin me të kaluarën e tmershme dhe të kalbur.
Kur sot, në këtë moment kritik e dramatike për Kosovën, zgjedh ta quash Albin Kurtin “bllokadë”, ndërkohë që opozita e njohur për korrupsion, kapje të shtetit dhe shantazhe politike po e bllokon Kuvendin me qëllim të pastër destabilizimi, ti nuk po ruan ura; ti po i shemb ato pak ura të arsyes e të ndershmërisë që kanë mbetur në këtë vend. Dhe në vend që të jesh zë kritik për ata që e kanë zvarritur këtë vend për dekada dhe kanë nënshkruar Kapitulim para Serbisë, po ua jep oksigjenin e munguar me fjali të ambalazhuara bukur; pra me retorikë.
Ti e di mirë kush e ka sjellë Kosovën këtu ku është. E di kush i ka nënçmuar qytetarët, kush ka bërë pazare me pushtetin, kush ka ndërtuar pasuri mbi varfërinë e popullit. E di mirë nënshkrimet faqezeze me Serbinë. E megjithatë, sot zgjodhe të godasësh atë që, me të gjitha gabimet e veta, është i vetmi që nuk ka dorë në ato kurthe të rënda që na kanë kushtuar me jetë e me shpresë.
Liderët vijnë e shkojnë, është e vërtetë. Asgjë e re! Por është shumë naive të mendosh se të gjithë liderët janë të njëjtë. Jo, nuk janë. Disa kanë vjedhur, kanë mashtruar, kanë nënshkruar, kanë qeverisur për vete e për bandat e tyre. Disa të tjerë kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e kësaj rryme, edhe kur është dashtë të përballen me sulme të egra nga të gjitha anët.
Nëse sot e quan “bllokadë” një njeri e një qeveri që ka fituar besimin e qytetarëve, por jo një opozitë që haptazi e përdor Kuvendin si armë për pazare të ulëta, atëherë ti ke zgjedhur pozicion, po merr anë; edhe nëse përpiqesh ta fshehësh pas fjalëve “neutralitet” apo “unitet”.
Kosova është më e madhe se çdo lider e çdo parti, por pikërisht për këtë, nuk guxojmë të heshtim kur Bllokada vjen nga ata që dje e shitën, e vodhën dhe e tallën këtë vend. Dhe nuk guxojmë të rreshtohemi në heshtje pranë tyre, vetëm për t’u dukur kinse “të moderuar”.
Në këto rrethana të jashtëzakonshme gjeopolitike, Kosova ka nevojë për qartësi, për guxim, për njerëz që flasin drejt. Jo për ekuivok, as për retorikë të zbukuruar që ngatërron viktimën me fajtorin.
Mos i rrenoni urat, thua, aha, por edhe më rëndë: mos ndërtoni ura me baltën e së shkuarës për ta fundosur të ardhmen.
Sot, më shumë se kurrë:
Jo partisë, jo liderit, jo snobizmit; po Kosovës, drejtësisë dhe të vërtetës.
Jo aktrime, jo fotografi, jo koncentrim në person e në vetvete; por për Kosovën e për vlera humane.
Nuk ndihmohet Kuvendi e Kosova me 4 gomarë, por me shigjetim të qartë ndaj Banditëve që po e bllokojnë Kosovën dhe jetën e popullit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/07/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk