31 GUSHT 2024
Rrahman Bahtiri dhe Sejdi Veseli me shokët!
KUSH I VRAU TRIMAT NË KODRËN E TRIMAVE?
Ishin shqiptarët udëbash, shqiptarët prokurorë dhe gjykatësit të cilët ndihmuan punën e djallit!
Kush i vrau trimat në Kodrën e Trimave?
A kishte shqiptarë në mesin e vrasësve?
Ku mëshifen sot ata që janë në jetë?
Pse nuk u lajmërua një i vetmi milic shqiptarë, udb-ash shqiptarë, prokuror dhe gjykatës po ashtu shqiptarë që të dëshmoj të vërtetën e gabimit?
Askush nuk lajmërohet sepse kurrkush nuk u kërkoj llogari deri më sot!
Disa e kanë marrë turpin dhe faqen e zezë me veti për në varr, të tjerët ende shiten “patriot”, sepse i kanë shërbye sistemit.
A është e mundshme që ndonjërit edhe sot i funksion amaneti?
-Ilegalët, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë! Ata shkuan në atë botë për të mos vdekur asnjëherë!
Në vazhdën e kësaj historie të dhimbshme mbërthehet edhe trishtimi për familjen e Sejdi Veselit.
Kjo është një histori e kujtesës së tmerrshme për nënën Hafize sa ishte në jetë, një histori harresës për brezat e pesëmbëdhjetë viteve të fundit!
Shkuan trimat, këta heronj të lirisë tonë, por kush merret sot me traumat e shumë e shumë familjeve të dëmtuara shpirtërisht nga udba-shët dhe policët shqipfolës? Thuaja se askush deri më sot, përderisa ligjet shtetërore nuk ia dalin dot të dominojnë kastën e vjetër që flet shqip dhe mbron turpin personal me patriotizëm. Kur një shtet ligjor nëpërkëmbet nga këta ish gjyqtarët, prokurorët dhe pinjollët e udba-shëve të kohës para dhe pas Millosheviqit, atëherë mos të presim lustracion. Ermal Panduri mundohet me mish dhe shpirt, të prekë punët e shtetit, sepse shteti ligjor për këtë kategori njerëzish është në gjumë. Të gjitha historitë e trishtueshme duket se janë vetëm për veshin dhe syrin e të trishtuarit, sepse pak ose aspak njerëz, nuk i marrin afër zemrës këto vuajtje. Për një pjesë të njerëzve tanë që e kanë mbijetua lirinë dhe sidomos për brezin e pas luftës, këto tregime të shokëve tanë të ndërgjegjes u duken sikurse ato përrallat me mbret për fëmijët e vegjël. Dëgjohet pyetje banale, ku ishit deri më sot? Nëse deshifrohet më mirë ky turp i bien se, pse keni fjetur deri më tani, thuaja se ne ishim shteti. Ndoshta edhe ishim shteti aty këtu, por çka ti besh lakmisë dhe pasurisë! Shumë ujë ka shkua nën urën e lumit, me këtë kemi mund të shkojmë edhe ne që po rrëfehemi sot! Dëgjohet edhe kjo; mos na ngatërroni për të vdekurit udëb-ash dhe familjen, sepse ne ndihemi krenar me ata! Krenar me një sistem që i piu gjakun shqiptarit? Besa edhe gjejnë kohë të kërcënojnë dhe shajnë udhëheqësin e programit të Ermalit! Pse ky po përzihet në punët shtetit, gjegjësisht me grumbullimin e emrave të përveçëm të dhunës. Po kush janë ata që shajnë? A kanë emër dhe mbiemër? Bijë të cilës pjellë janë këta? Unë kam bindjen se, nëse dikush ishte në gjumë deri më sot për problemin e lustracionit, atëherë janë partitë politike të cilat luftën më të madhe e kanë bë për të dominua ndaj njëri tjetrin, ( pa zgjedhë mjete) për të mbërri në pushtet dhe për të shpallë vetveten kreator të luftës, lirisë dhe pasurisë. Fatkeqësisht edhe sot byryten për të njëjtin monopol, thuaja se lufta e shqiptarëve ka fillua vetëm me këta.
Na thuhet haptas, ecni me kohën dhe harroni vuajtjet, sepse koha nuk ndalet dot! Besa edhe kanë mendua se korruptohemi dhe nuk bëjmë zë! Ne vërtetë jemi mbetë mbrapa por të gjithë kemi pritë që shteti do e bënë punën e vetë! Sot kur njeriu kthehet mbrapa në kohë dhe pikërisht në kohën e ilegales, është e dhimbshme të dëgjosh të gjitha at që fliten! Është trishtim për fëmijët, nipërit, mbesat dhe tanë familjen e ngushtë. Duket sikur familjet këtyre “burrave të ndershëm” po trishtohen më shumë se që po përkujtojmë dhunën dhe sadizmin e tyre. -Personalisht me këtë shkrim e kam ndërmend të kthehem mbrapa, në janarin e vitit 1984, por do të ndalem vetëm pak në Kodrën e Trimave, sepse kemi pasë shumë e shumë Kodra të Trimave nëpër mbarë Kosovën, të cilat u rrethuan u masakruan, u vranë dhe u zhdukën pa nishan. Edhe këto mizori nuk u bën përshtypje këtyre njerëzve tanë!
Një nga rrëfimet e shokut të idealit, Sejdi Veseli!
-Me Kadri Osmanin jam njoftua nëpërmes Nijazi Korçës. Ky vjen në Entin Higjenik për disa analiza biokimike dhe hematologjike, pastaj në bisedë e sipër tregon se nuk është kah ndihet mirë, sepse kishte qenë në burg. Sejda si gjithnjë i ndjeshëm për atdhetaret e pyet pacientin, kurse ai i tregon për burgun e tij politik dhe ndërkohë tregon gjithashtu se është edhe mik i Hydajet Hysenit. Sejda ngazëllohet nga tregimi dhe kontakti një njeri të lëvizjes, prandaj insiston për bashkëpunim të mëtutjeshëm. Ndërsa Nijazu tregon se ai mundet me e takue edhe me një ish të burgosur politik, një patriot i devotshëm i cili ishte lirua burgu në kohët e fundit. Mirë shumë, por pasi që unë nuk e njoh si figurë, të propozoj një kod-shifër me të cilin ai do të komunikoj me mua, në mënyrë që të njihemi! Ashtu bëhet dhe kodi ishte kështu; ai duhet të më pyet mua; “doktor, vlera normale e sheqerit në gjak është 7,6”? Pas disa ditëve vjen “pacienti me këtë kod” dhe nga dera e laboratorit pyet me të madhe; “doktor vlera normale e sheqerit në gjak a është 7,6? Sejda i thotë po dhe ai prapë vazhdon të flasë si në odë të babës dhe me të njëjtin zë! Në të njëjtën kohë e kam tërheqë anash dhe i kam thënë me zë të ultë:
-Dëgjo bacë, duhet të kesh kujdes, sepse mund të përgjohemi nga dikush, përndryshe kishte me qenë më mirë të caktojmë një vend tjetër dhe të bisedojmë m’a gjatë.
Më pastaj merren vesh për një datë dhe orë që të takohen dhe pikërisht në shtëpinë e Sejdës. Ky i tregon një rrugicë të ngushtë nga hekurudha për të mbërri te shtëpia, por jo rrugën kryesore!
Pikërisht në datën e caktimit të takimit, vjen Kadriu me një person tjetër, të cilin nuk e njehë fare Sejda por ky shprehet haptas se nuk ka dëshirë të di emrin e këtij tjetrit për shkak të strategjisë dhe sigurisë time personale. Në atë takim me Sejdin kishte qenë edhe (i ndjeri) Rrahman Bahtiri! Pra, aty ishin katër dhe Kadriu e merr fjalën. Ai kërkon nga Sejda që të gjejë një lokal për të mbajtur një Kongres të Partisë së Luftës! Sejda thekson se ndjehet skeptik ndaj njerëzve të pa njohur por Rexha i kthehet dhe i thotë; besoj se do të bindesh, sepse ke me mbete shumë i kënaqur për këtë gjysmë ore që biseduam dhe planifikuam dhe pastaj largohen.
-Meqenëse Kadri Mani ( ndjesë pastë) ishte lirua nga vuajtja e dënimit me burg të gjatë, për këtë lirinë e këtyre ditëve, si duket trimi kishte harrua se UDB përcjellë lëvizjet e tij. Dëshira e tij e flaktë për të veprua ishte në vend por në të njëjtën kohë dyshohet se hijet e UDB-ës e kishin përcjellë hap pas hapi! “(Ndoshta edhe atë ditë kur ai ishte në Endin Higjenik, në të njëjtin vend ku Sejdi Veseli, Musli Prebreza dhe unë, H.Rafuna jemi përcjellë nga një ish polici i komunikacionit,(udëbash), Xhavit Kuçi, kurse kur kemi ra në burg, në janar dhe shkurt 1984 kemi kuptua se paskemi qenë të përcjellur edhe nga udëbashi tjetër, Arif Riza)”!
Një javë më vonë, më 11 janar 1984, dikund afër orës tetë të mbrëmjes, Kadri Mani pa kurrfarë paralajmërimi, troket në portën e shtëpisë së familjes Veseli, por kësaj radhe i shoqëruar me dy persona të tjerë. Meqenëse Sejda thekson se nuk e paska njohtë me emër as Rexhën dhe as Nuhiun përpos Kadriut, ky ngurron për një çast, por Kadriu sqarohet me të shpejtë dhe thotë; këta janë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Hyjnë mbrenda, përshendeten dhe përnjëherë Sejda obligon dy vëllezërit të vëzhgojnë në oborr për të vërejtë se mos vërejnë ndonjë lëvizje të dyshimtë. Ishte dimër dhe gjithçka ishte mbuluar me dëborë, prandaj gjurmët ishin një shenjë e mirë për nuhatje!
S’kalojnë shumë kohë, 15-20 minuta prej se mysafiret hyjnë brenda, kur nga ana e poshtme e pjerrtësisë së oborrit, Shemsiu vëren hije njerëzish dhe lajmëron përnjëherë Sejdën, Pastaj të gjithë alarmohen!
Edhe pse lëvizjet e dyshimta të përcjellësve kishin qenë shumë afër shtëpisë, ata nuk kishin hezitua për të hy mbrenda oborrit të shtëpisë. Duket se qëllimi i tyre të kenë qenë, të sigurohet rrethimi i hekurt në adresën e familjes Veseli. UDB-ja duket se paska qenë e sigurtë se brenda atij konaku kishte njerëz të dyshimtë për pushtetin, pra ishte Kadriu dhe dy të tjerët që i kërkonte pushtuesi me pishë të ndezur. (Flitet për rrethimin e hekurt nga xhamia e Llapit, deri te plehrat, ky rrethim ishte vërejtë edhe të nesërmen e mbas ditës)! Ngadalë dhe në heshtje të plotë duket se forcat e milicisë janë grumbullua nga ana e hyrjes në oborrin e shtëpisë kurse pjesa tjetër shtëpisë ka qenë e pa mundur të rrethohet sepse terreni vazhdon me oborrin e fqiut!
Ilegalët vendosin me të shpejtë të largohen, por Sejda insiston të shoqëroj ata, kurse Rexhep Mala nuk e lejon, ai i thënë; ti duhet të zhdukësh të tëra ato dokumente, por më mirë do të ishte që të digjen të gjitha.
Dy stufa i kemi përdorë për të djegë të gjitha ato programe, statute dhe shumë plan programe veprimi për luftë.
Trimat kalojnë nëpër një dritare që ishte në anën e kundërt të portës hyrëse dhe vazhdojnë nga muri mbi murë, nëpër muret e oborreve të fqinjëve. Me gjasë baca Kadri nuk arrin të përcjellë Rexhep Malën dhe Nuhiun, pastaj nxinet i gjallë nga një rom,( e thotë vet në një shkrim) kurse këta të dy vazhdojnë tutje dhe më në fund rrethohen nga të gjitha anët. Kur hetojnë rrethimin, ata lokalizohen në një shtëpi! Nga aty bëhet luftë e pabarabartë dhe më në fund vriten (ose vetëvriten) të dy heronjtë e pa vdekshëm të kombit! Ky verzoin i ngjarjes është përshkrua nga vëllai i Sejdës, Shemsiu kur ne ishim në burgun e Gjilanit, por nuk mungojnë edhe plotësimet autentike të vetë Sejdi Veselit gjatë një bisede të drejtpërdrejtë në fund gushtin e këtij viti.
-Largimi i ilegalëve nuk përmbylli sigurinë dhe qetësinë e familjes Veseli, sepse të njëjtat forca u sulën sikurse ato bishtat e egra mbi shtëpinë dhe familjen e Sejdës. Ata u hodhën sikurse ato bishat e egra pas presë, drejtë oborrit dhe hynë brenda në shtëpi! Ishte ora 22:00 të natës kur e gjithë familja ishte ra, kinse ishte gjumë, pasi që kishin zhdukë të gjitha dokumentet! Përnjëherë në këtë kohë dëgjohet shuli i portës së hekurt dhe zhurmat e milicisë së përzier edhe me shqiptarë të cilët futen brenda në shtëpi. E tanë familja, pesë vëllezërit, gruaja e ime me dy fëmijët, dy kunatat dhe nëna, të gjithë në pizhame dhe të zbathur, nxirren në oborr, në atë natë të ftohët dimri, në -20 gradë, ndoshta edhe më shumë për njeriun kur qëndron për orë të tana i zbathur në dëborë. Përderisa e tanë familja ishte në oborr, milicia dhe UDB e armatosur deri në dhëmbë rrotullojnë mbrapsht tanë shtëpinë, kurse nënën pesë djemve, heroinën Hafize (ndjesë pastë) për qëndresën e saj, e detyrojnë të hyp e para në tavan (mburojë e gjallë për milicët), ndërsa mbrapa saj ngjiten milicët për të kontrolluar nënkulmin e shtëpisë! Natë e t’merrshme për të gjithë, por sidomos për nënën loke kur ia marrin të pesë djemtë. Në një farë mënyre nëna gëzohet kur i fusin nëpër marica, me bindjen se ndoshta tani nuk u mërdhitën këmbët e zbathura! Të gjorës nënë i zbrazet shtëpia, djemtë përfundojnë në burgun e Prishtinës. Të gjithë grumbull i fusin në një dhomë të burgut ku paskëshin qenë të burgosur për hajni, kundërvajtje dhe delikte tjera. Ata kur i vërejnë vëllezërit, pa rroba dhe të zbathur u afrojnë rroba dhe ndonjë palë këpucë. Vonë mbas dite dikush nga miqtë e familjes ua sjell rrobat dhe veshmbathjet, por në të njëjtën ditë i fusin nëpër qelitë e Burgut të torturës për të vazhdua me dhunën dhe hetimin! Mbas katër muajsh i lejohet vizita e parë Sejdës, kurse në vizitë i vjen axha dhe një vëlla i liruar nga burgu! Tre vëllezërit lirohen pas tre katër muajve kurse Sejda dënohet me 14 vjet, ndërsa Shemsiu me 11vjetë, por kjo nuk është e tëra, sepse edhe pas lirimit nga burgu i parë, që të dy vëllezërit dënohen përsëri!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!