ASGJË NUK U NDIHMON SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE,..!

01
Aug
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Reflekse
Fallxhorët e politikës dhe shpëlarja e trurit për pengimin e zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve
ASGJË NUK U NDIHMON SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE, NËSE LIDHET OSE SHKËPUTET NDONJË HALLKË (INDIVIT OSE GRUP) NGA ZINXHIRËT PARTIAKË, TË KRIJUAR DHE KONTROLLUAR NGA PUSHTETI OSE SHËRBIMET E HUAJA
“Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim, të gjithë atij duk’iu betuar të lidhim besën për shpëtim.” /Himni i Flamurit/
Shqiptarët në Maqedoni, për tri dekada me radhë e kanë shkelur betimin në Flamur dhe kanë devijuar nga rruga e shpëtimit dhe përparimit, për interesa personale dhe karrieriste, si dhe nga naiviteti ose detyrimi, duke u futur në lojën e pushtetit dhe shërbimeve të huaja sekrete, për t’ia ndalur hovin lëvizjes politike dhe kombëtare, për liri dhe barazi të plotë të shqiptarëve në këtë shtet.
Si mund të shpjegohen gjithë këto përçarje në vazhdimësi në radhët e faktorit politik shqiptar, për tri dekada me radhë, por asnjë nismë serioze për krijimin e frontit të përbashkët, veprimeve për interesa madhore të popullit shqiptar, si: për çështjen e statusit juridik-kushtetues, gjuhën shqipe zyrtare, përdorimin e simboleve, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike, politikën demografike, ndarjen e drejtë administrative-territoriale, buxhetin e shtetit dhe investimet kapitale, marrëdhëniet me shtetet fqinje, çështjen e integrimeve euroatlantike, të drejtat kulturore dhe arsimore e të tjera?!
Tani më është tepër vonë për ndryshime të mëdha në skenën politike, përderisa futja e Marrëveshjes kornizë e Ohrit në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore e ka betonuar statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët në këtë shtet, ndërsa më së paku përmes copëtimit të mëtejmë të faktorit politik ka mundësi të rikthehen proceset politike së mbari.
Ta mbajmë tani me shëndet, si ata që kanë gabuar dhe janë fajtorë, si ne që kemi lejuar ta përfaqësojnë interesin tonë figura të dyshimta, pa asnjë provë të mëhershme se mund të jenë liderë, personalitete të denja për t’u prirë këtyre proceseve të mëdha politike, kombëtare dhe historike!
Jo anëtarët e organeve drejtuese të këtyre partive aktuale, por edhe liderët e tyre me vetëbesim më të madh, le ta provojnë të shkëputen nga ky zinxhir (sistem veprimi), që t’ia garantojmë dështimin para se të fillojë, për ta vërtetuar se nuk janë me këmbët në tokë, por me bateri të huaja, që ua kanë krijuar këtë iluzion kinse janë faktorë vendimmarrës për ndonjë çështje madhore për interesat e qytetarëve, të popullit shqiptar që e përfaqësojnë dhe të shtetit.
Këtë e ka dëshmuar e kaluara (shembujt janë të shumtë), si nga mënjanimi i liderit të parë të PPD-së, në bllokun e partive shqiptare, si me largimin e liderit të OBRM-PDUKM, në bllokun e partive maqedonase, të cilët nga vetëbesimi i tepruar formuan parti të reja politike dhe dështuan keq. A nuk janë këto prova nga të cilat do të duhej ta kishim marrë mësimin e duhur sipas përvojës së derisotme?
Nuk është e tepërt t’i pyetni këta politikanë (liderë të ri të pretenduar), ku kanë qenë deri më sot, kujt i kanë shërbyer, sa i kanë shërbyer dhe pse i kanë shërbyer?
Se lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni gjatë gjithë periudhës së kaluar tridhjetëvjeçare ka qenë e kontrolluar nga pushteti dhe shërbimet e huaja sekrete, kjo nuk ka asnjë dyshim, por deri më sot nuk është shfaqur ende ndonjë figurë përbashkuese lideri nga gjiri i popullit shqiptar në këtë vend. Sa për çirakët dhe bashkëpunëtorët e mëhershëm të këtyre liderëve aktualë, për liderë me kalibër të njëjtë dhe platforma politike të tejkaluara, nuk ka aspak nevojë populli shqiptar, por ka nevojë për ndonjë qasje të re ndryshe dhe për liderë të ri, vizionarë dhe të pakomprometuar deri më sot.
Duhet t’ua përkujtoni se, asnjë pasardhës (fëmijë) nuk ka mundësi “t’ia tregojë babës kufijtë e arës”.
Gjithmonë është dëshmuar nga përvoja se, asnjë kalë qorr nuk mund ta shpie barrën përtej një lumi të turbulluar, por përfundon bashkë me barrën në dallgët e tij!
Me këtë rast, lexuesve ua përkujtojmë edhe thënien e famshme të atdhetarit, simbolit të rezistencës kundër shtypjes dhe padrejtësive ndaj shqiptarëve në këtë vend, Mehmet Gega: “ Duatë nuk bëhen kabull me djallin mbi shpinë!”
Bashkimi bën fuqinë, ndërsa përçarja dhe konfliktet krijojnë gjithmonë kaos dhe prapavajtje!
(31 korrik 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk