Në kohën kur po flitet aq shumë për gjuhën shqipe pas daljes së botimit të revistës “Science”, e cila e vendos shqipen si gjuha më e vjetër e gjallë e shkëputur nga indoe-uropianishtja para 6000 viteve, ka një qorollepsje të akademikëve të gjuhës shqipe. Këtyre të fundit u erdhi si rrufe prej qielli mu në çaçkë të kokës lajmi se shqipja është më e vjetra gjuhë e gjallë brenda familjes së saj dhe u shastisën të gjithë. Sulmet e tyre në media, duke i stigmatizuar rilindasit tanë si “njerëz, që për të rritur patriotizmën e quanin shqipen si gjuhën më të parë”. Epitetet si “sharlatanë”, “mekanikë”, “zooteknikë” etj., qe shfryrja e ligësisë e akademikëve hadëmë kundër të gjithë atyre studjesve të sotëm shqiptarë, që besuan te idetë e rilindasve dhe realizuan vepra të vyera në shërbim të shkencës albanologjike e identitetit tonë kombëtar.
Gjirizi i akademikëve të pushtetit, që titujt i kanë marrë me lista partie, e kanë të pamundur të quajnë sharlatanë 33 shkencëtarët e studimit botuar në “Science”, porse, pa asnjë argument shkencor, si kundërshtim risollën tezën sllave se gjuha shqipe është krijuar pas ardhjes së sllavëve në hapësirat tona.
Reagimi i akademikëve të ASh qe si ai nga pickimi i gjarprit. Një shkrim nepërke i Ardian Vehbiut, ku nuk shprehte asnjë mbështetje për konkluzionin se shqipja ka një vazhdimësi 6000 vjeçare të pandërprerë, vetëm se sillte ca dyshime dhe shprehte ca hamendje zhvlerësuese për artikullin e “Science”. Vehbiu nuk mund të bënte më shumë, sepse kupton më shumë e andaj nuk mund të ishte aq kategorik kundër “Science” dhe është aq i zgjuar, sa në mungesë të argumentit kundërshtues, nxori në blogun e tij një shkrimshkalafitje, të cilit vetëm nënteksti i ndjehej kundër lajmit të madh.
Ajo që nuk u kuptua kurrë prej gjuhëtarëve (edhe të atyre të Science), është morfologjia e gjuhëve i.e. E deklaroj këtë, sepse ajo që njihet sot zyrtarisht si morfologji, në fakt është përgjithësisht konceptologji.
Pse e them këtë?
Jam autor i shtatë fjalorëve etimologjikë dhe në të gjitha etimologjitë e mia fjala më rezulton një kompozitë kuptimesh minimale e ku ajo pjesë që njihet brenda saj si morfemë, në fakt është koncept i zbërthyeshëm në disa kuptime, të cilat unë i quaj embriomorfe.
Shqipja është e vetmja gjuhë në botën e gjuhëve, që e zbërthen morfemën klasike dhe duke qenë e vetmja, ajo (shqipja) tregon se zgjidh misterin e krijimit të fjalës. Këtë veti të shqipes (për të zbëthyer morfemën klasike të njohur si të tillë prej gjuhësisë zyrtare të djeshme e të sotme), e ka vetëm shqipja. Porse gjuha që zbërthen morfemat e të gjitha gjuhëve të familjes së saj gjuhësore, nuk mund të jetë tjetër, përveçse qendra e gjuhëve të asaj familje gjuhësh. Këto veti të shqipes njihen tashmë nga akademikët shqiptarë të gjuhës në Shqipëri e gjetiu, porse nuk ka asnjëri prej tyre mundësinë të diskutojë për këto çështje, sepse i pari që do e bënte, do denigrohej e do flakej jashtë sistemit. Të vërtetat e mëdha në albanologji kanë ardhur nga jashtë sistemit zyrtar albanologjik dhe albanologjia zyrtare i ka injoruar ato sistematikisht dhe i ka denigruar autorët e tyre. Kështu kanë bërë me Robert D’ Angelo, Spiro Kondën, Zaharia Manjanin, Petro Zhejin, Aristidh Kolën, Niko Stilon etj.
Koha, kjo gjykatëse e paanshme, i ka konfirmuar autorët që përmendëm dhe asnjë akademik zyrtar as ka sa 1% të famës së tyre. Ndërkohë, vetë albanologjia zyrtare që nga krijimi i saj, nuk mund të mburret për ndonjë arritje. Duket se e vetmja arritje e albanologjisë zyrtare ka qenë të mos pranojë e të denigrojë albanologët e jashtëm, në mungesë të plotë ndaj vëmendjes e polemikës shkencore ndaj veprës së tyre. Një shkencë, si albanologjia, ku mungon krejtësisht debati shkencor, nuk është shkencë.
E gjithë historia e albanologjisë zyrtare e Tiranës, me veprat e saj të zeza kundër kombit shqiptar dhe me qëndrimin e saj nihilist ndaj çdo zbulimi të vërtetë në gjuhësi, histori, arkeologji etj., tregon karakterin e saj antikombëtar.
Së fundi po pranohet nga vetë akademikët se albanologjisë zyrtare i ka rënë autoriteti, në fakt “harrojnë” të pranojnë se autoriteti bie kur u vërtetohen gënjeshtrat dhe punët e liga ndaj kombit të tyre. ASh ka kohë që përcillet si institucioni më i shëmtuar e më urryer nga gjithë publiku shqiptar.
Në rrethana të tilla, ASh dhe ASA duhej të ishin mbyllur.
Çfarë e pengon ASh-në të marrë në konsideratë zbulimet që vijnë nga studjues jashtë kësaj akademie dhe vërtetojnë se shqipja është qendra e gjuhëve i.e.?! Kjo pyetje mori përgjigje këto ditë, kur në një intervistë në tv. Top Channel, profesorët më në zë gjuhës shqipe Xh. Lloshi e R. Memushaj, nxituan të deklarojnë se “shqipja është gjuhë e vjetër 1500 vjeçare e jo 6000 vjeçare”. Kjo deklaratë e tyre shkaktoi tërmet në rrjetet sociale. Si mund të kundërshtohet zyrtarisht prej albanologjisë zyrtare të Tiranës një vlerësim kaq i lartë nga një revistë prestigjioze si “Science”!? Ç’kuptim ka kjo?! A do ta kundërshtonte ASh e Serbisë një lajm të tillë nëse serbishtja do vlerësohej siç u vlerësua shqipja? Sigurisht se jo. A ka një shpjegim se ç’ndodh në albanologjinë zyrtare të Tiranës në lidhje me mospranimin e shqipes si gjuhë 6000 vjeçare? Sigurisht që po dhe ja arësyet pse Tirana nuk e pranon vjetërsinë 6000 vjeçare të shqipes:
1. Albanologjia zyrtare e Tiranës realisht është shkencë antialbanologjike dhe e drejtuar që nga krijimi i saj kundër kombit shqiptar.
2. Albanologjia zyrtare e Tiranës (përfshi ASh e ASA e institutet e gjuhësisë) është institucion ideologjik i Serbisë në zemër të Shqipërisë.
Pse e kam bindje atë çka shkruaj më sipër?
a. Zyrtarisht gjuha shqipe është shkombëtarizuar fjalë për fjalë me anë të fjalorëve etimologjikë të Çabejit, Omarit e Topallit dhe realisht vepra e tyre nuk ka oponencë shkencore. E vetmja oponencë shkencore që iu bë veprës etimologjike të Çabejit është ajo e bërë nga A. Dalipaj “Eqrem Çabej shenjtor apo djalli i gjuhës shqipe” dhe që për reagim shkencor u përndoq autori i oponencës me arrestime e gjyqe.
E vërteta duhet thënë shkoqur: ASh e Tiranës mbron tezën se kombi shqiptar është krijuar më pas se kombi serb. Përsa gjuha është karakteristika më shprehëse e një kombi dhe përsa ASh mbron tezën se shqipja është gjuhë 1500 vjeçare (pas ardhjes së sllavëve në Ilirik), kuptohet se kjo ASh nuk mund ta mbrojë tezën se kombi shqiptar është më i vjetër se ai serb në gadishullin ku jemi.
ASh-në e Tiranës nuk do mundë ta ndryshojë qëndrimin e saj proserb e antishqiptar as sikur të shprehen gjithë akademitë e shkencave të gjithë rruzullit se shqipja është gjuha më e vjetër i.e.
ASh nuk mund të ndryshojë qëndrim sepse ajo ka vepruar historikisht sipas një plani sllav mbi albanologjinë dhe nuk mund të shfaqet ndryshe pasi:
1. “ka provuar shkencërisht” se shqiptarët e kanë gjuhën 93% të huazuar (praktikisht nuk kanë fjalor të tyre).
2. shqipja “ka huazuar” 1000 fjalë prej serbishtes e nuk i ka dhënë asnjë fjalë asaj. Me këtë “konstatim shkencor” të bërë nga akademikja Anila Omari, rrjedhimisht pranohet se serbët janë autoktonë e ne shqiptarët qenkemi “ardhësit” e paskemi huazuar fjalë nga “vendasit serbë”!
3. ASh ka “provuar shkencërisht” e pranuar botërisht se Apolonia, Durrësi, Lezha e Shkodra janë qytetërim grek e ndërkaq nuk ka një studim nga ASh pse në qendrat më të mëdha arkeologjike të shtetit të sotëm grek e gjithë popullsia vendase flet shqip.
4. ASh nuk ka bërë asnjë studim e nuk ka botuar asnjë vepër për gjenocidet greke e serbe mbi shqiptarët dhe asnjë studim pse në Turqinë e sotme 30% e popullsisë rezulton me origjinë shqiptare.
Kushdo që beson se ASh e Tiranës është një institucion shkencor, gabohet. Kjo ASh e Shqipërisë është kolona e pestë sllave në ndërtesën tonë kombëtare.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!