Ashtu siç është Reçaku dhe Prekazi për Kosovën, Srebrenica për Bosnjën, ashtu është Haxheti për Sanxhakun. Një plagë që nuk mbyllet kurrë, një dhimbje që flet edhe kur heshtim.
Pushkatimi i Aqif Blytes, Ahmet Dacit dhe masakrimi i mijëra shqiptarëve të rajonit të Novi Pazarit, në vendin e njohur si Haxhet, përbën një nga kapitujt më të errët dhe më të dhimbshëm të historisë sonë kombëtare. Në vitet 1944–1945, pas hyrjes së forcave partizane jugosllave, mbi popullsinë shqiptare të këtij rajoni u ushtrua një dhunë sistematike, e motivuar politikisht dhe etnikisht, me qëllim shuarjen e rezistencës dhe frikësimin e shqiptarëve autoktonë.
Aqif Blyta dhe Ahmet Daci ishin figura të njohura të qëndresës shqiptare në Sanxhak, njerëz që u angazhuan për mbrojtjen e popullit të tyre dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar në rrethana jashtëzakonisht të vështira. Pushkatimi i tyre, pa gjyq dhe pa të drejtë mbrojtjeje, simbolizon fatin tragjik të elitës shqiptare të asaj kohe, e cila u eliminua me dhunë për t’i hapur rrugë një sundimi të ri represiv.
Në Haxhet të Novi Pazarit, sipas dëshmive dhe burimeve të ndryshme, u vranë dhe u ekzekutuan rreth 16.000 shqiptarë, shumë prej tyre civilë të pafajshëm: burra, të rinj, intelektualë dhe kryefamiljarë. Kjo masakër la plagë të thella në kujtesën kolektive dhe ndryshoi përgjithmonë strukturën demografike dhe shoqërore të rajonit. Kujtimi i Haxhetit nuk është vetëm një akt dhimbjeje, por edhe një thirrje për të vërtetën historike, drejtësinë morale dhe mos-harrimin e krimeve të kryera ndaj popullit shqiptar.
“Unë po kthehem në Pazar, e u bëftë çfarë të bëhet, nuk jam fajtor… Mua nuk do të më harrojnë fëmijët e Pazarit.”
Komandanti legjendar i shqiptarëve të Sanxhakut, Aqif Blyta

Plagët e popullit i mbarti si t’vetat,
dhimbjen e nënave e ktheu në guxim,
frikën e fëmijëve në shpresë.
Komandant jo veç në luftë,
por në nder, në qëndresë, në burrni.
Sot koha ka ndryshu,
por gjaku nuk ka harru.
Sanxhaku ende flet me zë të ulët për ty,
e shqiptarët, kudo që janë,
ta din peshën e sakrificës.
Aqif Blyta nuk është veç emër historie —
është betim që s’u thy,
është flamur që s’u ul,
është kujtesë që s’ka me vdek kurrë.
Sepse ka burra
që edhe kur heshtin,
vazhdojnë me na udhëheqë.
Per ty KOMANDANT nga unë që nuk e kam harruar AMANETIN dhe rrugën tënde,AMINA NURAJ
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!