AUTOFAGIA ALBANOLOGJIKE

26
Jun
2023
Shkruan: Agron Dalipaj

Në një shkrim të fundit në “peizazhe të fjalës” me titull “kur edhe Soussure-i”, akademiku Ardian Vehbiu ngre një shqetësim për albanologjinë zyrtare, së cilës i ka humbur edhe grigja e i është tharë edhe kullota e më nuk po gjen asnjë bari ta gjejë tufën e ta bindë të kthehet në vathën e dikurshme…
Akademiku Vehbiu (i pranuar si i tillë vitin e kaluar nga një listë e partisë në pushtet, që e shtoi ASh-në me 17 anëtarë të rinj), duke vetbesuar se është akademik prej vërteti, në shkrimin e tij tregon se albanologjia zyrtare është e paaftë përballë “albanologjisë alternative” dhe kjo e fundit ka arritur të bëjë për vete edhe “njerëzit e rrugës”, siç ai quan popullin.
Vehbiu merr pozicionin mbi palët dhe i nxit gjuhëtarët profesionistë të mbrojnë arritjet e albanologjisë zyrtare e të denoncojnë albanologët sharlatanë dhe alternativë.
Vehbiu ankohet në shkrimin e tij se “ka një grup njerëzish, zakonisht pa formim profesional në gjuhësi, që kanë arritur – me bashkëfajësinë e gazetarët e papërgjegjshëm – të imponojnë bindjen, në publik, se albanologjia profesioniste, … përfshi edhe etimologjinë, po i shmanget “misionit të saj patriotik” dhe po shtrembëron të vërtetën lidhur me gjuhën shqipe…”.
Madje, Vehbiu arrin deri atje sa të propozojë ngritjen e një departamenti brenda Institutit të Gjuhësisë i cili të merret me “denoncimin dhe çrrënjosjen e nocioneve absurde, paragjykimeve, iluzioneve e paragjykimeve lidhur me gjuhën”!!
Kjo, që kërkon Vehbiu, as më shumë e as më pak, quhet luftë e organizuar kundër ideve të të tjerëve (jokonformistëve) që nuk janë në një linjë me albanologjinë zyrtare. Me pak fjalë, akademiku Ardian Vehbiu kërkon censurimin e dijeve shkencore të atyre studiuesëve të albanologjisë që nuk janë pjesë e institucioneve shkencore të kontrolluara nga albanologjia zyrtare dhe kjo, e kërkuar nga një anëtar i ASh-së, konfirmon inkuizicionin aktual në shkencën e albanologjisë së Tiranës zyrtare dhe e konfirmon këtë të fundit si një institucion antishkencor e që në kohë ka treguar se është edhe antikombëtar.
Më duhet t’i kujtoj akademikut Vehbiu, se shkenca është përplasje idesh e diversitet mendimesh dhe jo monopol i një institucioni të quajtur ASh e që emeton ideologjinë sllave për albanologji, duke i konfirmuar shqiptarët si kombi që nuk kanë gjuhën e tyre.
Duke qenë se A. Vehbiu është anëtar i ASh-së, qëndrimi i tij i shprehur në shkrimin “kur edhe Soussure-i”, është edhe qasja e ASh-së së Tiranës, por pse ky problem me albanologët “alternativë” shfaqet sot sa të kërkohet zyrtarisht edhe censurimi, denoncimi e dënimi i tyre?! A ka një përgjigje?!
Për shumë kohë shqiptarët kanë lexuar “të vërtetat” që u ka servirur albanologjia zyrtare nëpërmjet akademive të monitoruara nga Serbia, Greqia e Turqia, ndërsa në zhvillimet e sotme, studiuesit e pavarur shqiptarë janë në kontakt me informacione shkencore historike e gjuhësore të palimituara, ku shohin se “e vërteta” që iu ka servirur tash sa kohë albanologjia zyrtare e Tiranës, nuk përkon me të vërtetën që gjendet në arkivat e bibliotekat europiane.
Ardian Vehbiu është anëtar i ASh-së jo për ndonjë meritë shkencore të tij, por për shkak se ishte i preferuar në listën emërore të Kryeministrit Rama, që vitin e kaluar e shtoi ASh-në me 17 anëtarë të rinj.
Përsa politika përcakton se cili duhet të gëzojë mandatin e anëtarit të ASh-së, Ardian Vehbiu duhet të mësohet me faktin se nuk është anëtar i merituar i ASh-së dhe se prurjet e tij shkencore nuk ia siguruan titullin e akademikut.
Më së pari, akademiku Ardian Vehbiu të merret me studimin: “pse kryetari i ASh-së (Gjinushi) nuk ka asnjë vepër shkencore të botuar dhe se për cilën cilësi shkencore të tij ndodhet në majë të institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Shqipërisë?”, dhe mandej të vërë rregulla se si duhen denoncuar të gjithë ata që kanë “fantazi albanologjike” e që nuk janë nën hyqmin e ASh-së.
Reputacioni i albanologjisë zyrtare e i ASh-së të Shqipërisë, ku bën pjesë Vehbiu, nuk është më reputacion i një institucioni të mirfilltë shkencor dhe fajin për këtë nuk e ka “albanologjia alternative”, por ajo çka është në realitet albanologjia zyrtare e ASh-së e Tiranës, e cila me aktet e saj joshkencore e antishqiptare u fut në një proces autofagie të komanduar nga interesa të huaja.
Tanimë albanologjia zyrtare dhe ASh-ja janë institucione të denoncuara publikisht për veprimtari me pasoja të rënda kundër identitetit të kombit shqiptar.
“Albanologjia alternative”, të cilën stigmatizon Vehbiu si “joshkencore” e “fantaziste”, nuk është ajo që e ka nxjerrë shqipen 93% të huazuar, por është ajo që e ka denoncuar albanologjinë zyrtare për diçka të tillë dhe kjo ka heshtur duke pranuar ashtu se ka përdhosur identitetin e kombit shqiptar për interesa sllave të njohura.
Reagimi publik i Ardian Vehbiut për gjendjen në albanologji është alarmi që po u bie poshtë karrigeve e posteve të pamerituara që kanë zënë Gjinushi e vetë Vehbiu në pamundësinë e tyre për të mbuluar edhe më veprimtarinë e theksuar antishqiptare të ASh-së e “albanologëve” të saj më të spikatur.
Më duhet t’i drejtohem e ta pyes publikisht akademikun A. Vehbiu:
1. Cilat janë veprat shkencore të A. Budës (21 vjet kryetar i ASh-së)?
2. Pse në asnjë librari në Shqipëri e në botë nuk gjendet një libër shkencor i kryetarit aktual të ASh-së?
3. Pse AShSh hesht, nuk përmend e nuk njeh si shkencore veprën albanologëve si Spiro Konda, Petro Zheji e Niko Stilo?
4. Pse veprës etimologjike të E. Çabejit (të cilin e pranoni si albanologun më të madh shqiptar) i mungon oponenca shkencore zyrtare?
5. Pse një pjesë e anëtarëve të ASh-së e kanë marrë me listë titullin profesor më herët se të kishin mbrojtur një temë shkencore?!
Z. Vehbiu, ju në shkrimin denigrues tuajin në “peizazhe të fjalës”, bëni fjalë për albanologë alternativë “…sharlatanë, që sot po popullarizohen deri – në mënyrë kriminale – nga mass mediat, veçanërisht nga televizioni”.
Z. Vehbiu, përsa ju jeni me titull akademik gjuhe, a nuk do ishte e udhës, që ju personalisht, të dilni në një përballje televizive me Agron Dalipajn dhe të vërtetoni publikisht e me logjikën tuaj shkencore prej akademiku të vërtetë se ai është fantazist, joshkencor, alternativ, sharlatan etj.?
Nëse ju nuk pranoni të dilni në një përballje shkencore publike në një tv. kombëtar, atëherë cili është mes nesh fantazisti, joshkencori e sharlatani?!
Me përkufizim gjuhësor: “sharlatan quhet çdokush që shfrytëzon injorancën e publikut në një fushë të caktuar dhe e mashtron atë”. Në fushën e albanologjisë dhe konkretisht në etimologji, publiku kishte besuar në emrat e mëdhenj si Çabej, Topalli e Omari, por ja, doli ajo që ju e quani “albanologji sharlatane e alternative” e me fakte u tregoi shqiptarëve se janë gënjyer prej Çabejit, Topallit e Omarit dhe askush nuk i kundërshton me përballje këta “alternativët”. Zonja Omari, që është anatemuar nga “alternativët” si zonja e zezë e albanologjisë, gëzon shëndet të plotë fizik e mendor, por nuk mundet t’u përgjigjet “alternativëve” sepse nuk është në gjendje ta mbrojë veprën e saj joshkencore e antishqiptare në shkombëtarizimin e fjalorit të shqipes, duke e përcaktuar atë në një mijë fjalë si me prejardhje nga serbishtja. Pyeteni zonjën Omari pse hesht dhe na thuaj se çka e pengon këtë akademike të mbrojë veprën e saj.
Z. Vehbiu, shkrimi juaj “kur edhe Soussure-i” te blogu juaj “peizazhe të fjalës” më dha mundësinë të hedh këta rreshta dhe, edhe pse nuk ma kini përmendur emrin në atë shkrim, ju më së shumti më kini pikturuar mua si kreun e alternativëve, ndaj Ju falënderoj për ngacmimin tuaj, i cili më dha mundësinë t’Ju përgjigjem e t’Ju ftoj publikisht në një përballje televizive, ku ju t’u jepni kuptim akuzave që ngrini për natyrën joshkencore të “ne alternativëve”.
Ju mendoni se armiku që po bjerr autoritetin e albanologjisë zyrtare është “albanologjia alternative” e në fakt vetëm sa po delegoni dështimin e “shkencës” suaj që po vërtetohet si pseudoshkencë dhe ka fituar tashmë antipatinë kombëtare që po kthehet në një urrejtje popullore.
A nuk ju duket ndonjë herë se albanologjia juaj zyrtare përqaset me kuptimin e atyre vargjeve të asaj poezisë, që thotë se:
“Mora pushkën dola malit
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfëri
Se armiku ishim ne…”.
Nëse mendoni se jeni akademik prej vërteti, thuajini PO ftesës sime për debat televiziv rreth çështjeve në të cilat ndjeni shqetësim prej “ne alternativëve”.
E vërteta nuk i fshihet kurrë përballjes dhe mezi pres një përgjigje Tuajën.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk