I pandershmi dhe falsifikator i historisë, “zotnia”ballist !
Në një diskutim privat me mua, ju, zotnia ballist, që tashmë ke hedhur këmbë mbi këmbë e më rri kapardisur si gjeli mbi kotec, disa herë më keni përmendur shprehjen stereotipe se ja… “Koha ne ballistëve na dha të drejtë”, shprehje kjo e cila, falë tradhtisë së elementëve të degjeneruar të ish-PPSH-së, të cilët e kthyen timonin “djathtas në bord” duke u trembur nga stuhia dhe furtuna e kohës. Këta lloj “komunistësh”, të cilët e dëshironin “detin vaj” duke qenë edhe në timonin e anijes, harruan se anijet dhe kapitenët e tyre vlerësohen në furtunë, se si dhe sa janë në gjendje, së bashku me ekuipazhin, të dinë të manovrojnë dhe t’i mposhtin furtunat. Sepse, po të ishte për ju ballistët dhe legalistët e Bazit të Canës, edhe pas 1001 vjetësh të tjera, kurrë nuk do ta merrnit pushtetin.
Por le të ndalemi te parulla juaj se “koha ju paska dhënë të drejtë”. Nuk ju kuptoj: e keni fjalën që proceset e zhvillimeve politike të viteve 1990–1992 afirmuan dëshirën tuaj që Shqipëria të ishte dhe të ngelte një vend i bejlerëve dhe agallarëve… apo me anë të kësaj doni të përligjni tradhtinë tuaj?! Po ti, a e di se edhe vetë Aleatët e Mëdhenj të asaj kohe e dinin se çfarë përfaqësonte PKSH-ja, por kërkuan bashkëpunimin e saj kundër armikut të përbashkët dhe e kishin hedhur idenë e bashkëpunimit të forcave politike të çdo vendi, me qëllim që, nëpërmjet rezistencës, të kalohej më pas në veprime luftarake kundër nazi-fashizmit? E dini këtë apo jo?!
Organizatat tradhtare nga ato atdhetare, edhe pse këto të fundit mund të mos jenë komuniste, dallohen sepse ato, pavarësisht se nuk e pëlqejnë komunizmin, i kundërvihen me forcën e armëve invaduesve fashistë: pra, mbi të gjitha Atdheu, pastaj pushteti. Ndërsa ju kishit në plan të parë pushtetin, pavarësisht se cila çizme e pushtonte atdheun. Ju pyes juve, përfaqësues i firmës së pularisë “1001 Kotece & Co” SHPK: kush ju detyroi të bashkëpunonit me italianët duke u angazhuar para tyre se do të bënit çmos të shuanit rezistencën e elementëve të kuq?! Kush ju detyroi të fusnit katër anëtarë “ballistë” në Regjencë?! Ose, fundja, përse “Balli” nuk kishte njësi guerile, sikurse kishin komunistët, që përpara se të bëhej lufta e organizuar, pra e filluan atë me atentate kundër spiunëve dhe hierarkëve të lartë?! Jo… kë do vrisnit ju, kur vetë ishit spiunë?
Dhe për rrjedhojë dihet se spiunët, duke e nuhatur sërën e vet, nuk e vrasin spiunin, apo jo?! Pra, indirekt ju e pranoni se rezistencë bënin partizanët e udhëhequr nga PKSH-ja, gjë që ju nuk ishit aq budallenj sa të mos e kuptonit se, nëse pas lufte do të vinin në fuqi komunistët, për ju kishin humbur një herë e përgjithmonë çifligjet, gjakpirjet dhe pronat e mëdha. Ju e dinit shumë mirë se, po të vinin në pushtet komunistët, do të bëhej reformë agrare dhe, me këtë rast, pronat tuaja do të kufizoheshin. Ato prona “tuajat” do të bëheshin të popullit, sepse ju ato i kishit ndërtuar mbi gjakun dhe djersën e popullit dhe jo mbi tuajën, ashtu sikurse po bëjnë sot ballistët e rinj të të dy partive kryesore dhe bishtat zgjatues të tyre. Kjo ju kallte lemerinë, por edhe në këto kushte, për të mos u dalë boja, kërkonit të hiqeshit si luftëtarë të mëdhenj me parulla të karakterit kombëtar; madje hartuat edhe një dekalog, i cili ngeli vetëm në letër.
Pa më thuaj ti, ballist, që ngrite veshët përpjetë nga kuraja që ju dha Kryeballisti Ramiz Alia dhe karvani tjetër i tradhtisë së “Kongresit të dhjerë” (të më falësh për lapsusin, se desha të them Kongresit të 10-të) të PPSH-së, që u konvertua në PS-së… E pe të ndjerin Dritëro dikur, kur rrezatonte, se si ju u kundërvu në atë kongres dhe për një moment e humbi edhe ai dritën e dikurshme, saqë errësoi edhe dritën e tij në politikë (e jo atë artistike, sepse nga pikëpamja artistike, për hir të së vërtetës, ai ishte dhe ngelet i madh), dhe që filloi të zverdhej?! Ishin drithërimet e para të tradhtisë komuniste, sepse këta tashmë u bënë më ballistë se ju; madje, për nga bëmat, ata ju kanë lënë nën hije. Dhe këtë tradhti të tyre, ti na e quan meritën tuaj, se ju… me demek Alimadhi, ti, Selfo Qorri, Butka, Neo-Çakrani, na çkrifeni si gjeli mbi kotec, bile me mburrje deklaroni se “Balli” ka aq shumë këngë për veprimtarinë e tij, domethënë një libër me 500 faqe ku janë stampuar himne, marshe e këngë.
Në të vetmin rast që tregoheni të sinqertë është se për “Ballin” mund të hartoni edhe libra të tjerë, sepse ata atë punë kishin: pula, mëlçi, këngë e raki… dhe në fund një dolli për Mëmëdhenë, të rrojë e të përparojë nën çizmen e “Pipinos”… apo të gjerman-agait! Ore, po ju pyes: pa më thuaj, përse nuk u bashkuat me partizanët për të ndjekur armikun, por ia mbatët me gjithë armikun, saqë edhe ne na vutë në hall të madh dhe na çoroditët keq, sepse nuk dinim kë të ndiqnim më parë?! Po mirë kjo… po si është e mundur që të gjitha kampet e përqendrimit në Maltë, Gjermani, Greqi e Itali u mbushën plot e përplot me nga ata të sërës tuaj, duke ju përdorur armiqtë tanë dhe miqtë tuaj si mish për top kundër Mëmëdheut?!
Nëse e donit kaq shumë Shqipërinë, përse kur Atdheu bëri amnistinë e përgjithshme nuk u kthyet në Shqipëri?! Sigurisht që kishit një arsye: sepse dora juaj ishte e gjakosur dhe prandaj nuk erdhët. Dhe ta mbledhësh mendjen, or ballist 21 karatësh, se jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën, tradhtia është dënuar rëndë dhe shembuj të tillë edhe vetë Evropa reaksionare ka plot. Pse?! Sepse popujt e çdo vendi do të ndiheshin të turpëruar nëse do të tradhtonin vetveten, lirinë dhe pavarësinë, që janë mbi çdo lloj interesi, sepse janë interes kombëtar. Ja pra pse ju keni mbi kurriz vulën e turpit në jetë të jetëve, madje derisa të ekzistojë Shqipëria mbi këtë planet, sepse ju lindët dhe do të vdisni politikisht si turpi më i madh i Kombit!
Vdekje fashizmit – Liri Popullit!
MEKE PARTIZANI !
– Gazeta “Sot” dt.16.01. 2026


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
