(Studiues-Analist)
1. Ballkani si zonë e tensionit të përhershëm ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit
Ballkani ka qenë historikisht korridor gjeopolitik ku përplasen interesat e Lindjes dhe të Perëndimit.
Në çdo periudhë krize globale, rajoni është përdorur si “fushë shahu” për ndikim, kontroll dhe rivalitet ndërmjet fuqive të mëdha. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që nga fillimi i viteve ’90, zona u shndërrua në një laborator të ndërhyrjeve ndërkombëtare, ku kufijtë u rishikuan në emër të etnisë, ndërsa koncepti i sovranitetit u zbeh përballë ndërhyrjes humanitare dhe administrimit ndërkombëtar.¹
Në fund të shekullit XX, Marrëveshja e Dejtonit (1995) e përfundoi luftën në Bosnjë, por krijoi një precedent institucional që do të ndikonte në të gjithë Ballkanin: ndarjen e një shteti në dy entitete etnike autonome – Federatën Boshnjako-Kroate dhe Republikën Srpska.²
Ky model u paraqit si zgjidhje për paqen, por në realitet e cementoi ndarjen etnike, duke krijuar një strukturë shtetërore disfunksionale, të ngjashme me një konfederatë të brishtë.³
Për dekada, Republika Srpska ka ruajtur lidhje politike dhe ekonomike të drejtpërdrejta me Beogradin dhe mbështetje të hapur nga Moska, e cila e përdor si pikë strategjike të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.⁴
Kjo përvojë është rikthyer sot në vëmendje për shkak të përpjekjeve të Serbisë për të imponuar një strukturë të ngjashme në Kosovë – të quajtur Zajednica Srpskih Opština (ZSO), pra Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.⁵
2. Republika Srpska: një entitet etnik që sfidon shtetin boshnjak
2.1. Formimi dhe legjitimiteti ndërkombëtar
Republika Srpska u shpall më 9 janar 1992 nga udhëheqja politike e serbëve të Bosnjës, si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës.Gjatë luftës (1992-1995), ajo u bë qendra politike dhe ushtarake e serbëve të Bosnjës, e mbështetur nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe nga vetë Beogradi.
Pas luftës, Marrëveshja e Dejtonit (Annex IV – Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës) e njohu Republikën Srpska si një nga dy entitetet përbërëse të shtetit boshnjak, duke i dhënë kompetenca të gjera në drejtësi, polici, ekonomi, shëndetësi dhe arsim.⁶
Kështu, ndonëse u krijua si kompromis paqeje, Republika Srpska u shndërrua në një model të federalizimit etnik, ku çdo komunitet zotëron territorin, institucionet dhe simbolet e veta.⁷
Në këtë mënyrë, shteti boshnjak u paralizua institucionalisht: çdo vendim qendror kërkon pëlqimin e të dy entiteteve, duke i dhënë Banja Lukës fuqi bllokuese ndaj Sarajevës.⁸
2.2. Strategjia e Beogradit dhe ndikimi rus
Që nga viti 2006, Republika Srpska ka ndjekur një politikë gjithnjë e më të pavarur, shpesh në kundërshtim me kompetencat e shtetit qendror, duke kërcënuar herë pas here me referendume për shkëputje.⁹
Kjo politikë mbështetet nga presidenti Milorad Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Vladimir Putinin dhe me qeverinë e Serbisë.¹⁰
Rusia, e izoluar pas aneksimit të Krimesë (2014), e përdor Dodikun si instrument të destabilizimit rajonal për të minuar ndikimin e NATO-s dhe të BE-së në Ballkan.¹¹
Kjo “strategji e dyfishtë”-Beograd përmes serbëve të Bosnjës dhe Moskë përmes Beogradit -synon të ruajë një hapësirë ndikimi ortodoks-sllav në Ballkanin Perëndimor, përballë zgjerimit të Perëndimit.¹²
3. ZSO: një projekt i ri me frymë të vjetër
3.1. Origjina në Marrëveshjen e Brukselit (2013)
ZSO u përfshi në Marrëveshjen e Brukselit (19 prill 2013) si një asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, me synimin për të siguruar bashkëpunim lokal në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe planifikimit urban.¹³Në thelb, BE-ja e konceptoi atë si një bashkim kulturor e administrativ, jo si organ politik.
Por Serbia, duke u mbështetur në përvojën e Republikës Srpska, e interpretoi ZSO-në si bërthamë të një autonomie të ardhshme serbe brenda Kosovës.
Në diskursin politik serb, ZSO paraqitet si “garanci për mbrojtjen e popullsisë serbe”, por në thelb ajo është një mjet institucional për kontroll politik të veriut të Kosovës.¹⁴
3.2. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
Në Aktgjykimin nr. KO130/15, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës theksoi se:“Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të jetë nivel i tretë i pushtetit.”¹⁵
Kjo nënkupton se ZSO mund të funksionojë vetëm si shoqatë civile ndërkomunale, jo si strukturë qeverisëse.
Por Serbia e kundërshton këtë interpretim, duke kërkuar që ZSO të jetë “paraprake dhe me kompetenca të zgjeruara”-pra, të krijohet para çdo marrëveshjeje tjetër dhe të ketë fuqi administrative.¹⁶
Kjo formulë është rrezikshme, sepse do ta bënte ZSO-në një entitet autonom de facto, të ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnjë.¹⁷
4. Propozimi Europian (2023) dhe interpretimet kontradiktore
Në Marrëveshjen e Brukselit të re (2023) dhe Aneksin e Ohrit, Bashkimi Europian parashikon një seri parimesh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi: njohje të dokumenteve, mos-përdorim force, mos-bllokim në BE dhe krijimin e një “niveli të përshtatshëm vetë-menaxhimi” për komunitetin serb.¹⁸
Por Serbia kërkon që:ZSO të krijohet paraprakisht,të ketë kompetenca ekzekutive,të ruajë kanale direkte me Beogradin,
duke e transformuar në një strukturë përfaqësuese politike dhe administrative.¹⁹
Nëse kjo ndodh, Kosova do të përballej me një strukturë shtetërore paralele brenda kufijve të saj, që mund të përdoret si instrument politik për ndarje të ardhshme.²⁰
5. Modeli europian i Shoqatave të Komunave: përvoja italiane (ANCI)
Në Bashkimin Europian, Shoqatat e Komunave si ANCI (Italia), AMF (Francë) dhe DST (Gjermani) janë organizma civilë jofitimprurës, të krijuar me nismën e vetë komunave për bashkëpunim dhe përfaqësim, jo për qeverisje.²¹ Ato kanë statut, presidencë dhe kuvend, financohen nga kuota anëtarësie dhe programe publike, dhe përfaqësojnë komunat para qeverisë dhe institucioneve europiane, por nuk kanë kompetenca ekzekutive.²²
Shembulli italian është më i qarti: ANCI, e themeluar në vitin 1901, përfaqëson 7.900 komuna dhe vepron brenda ligjit kombëtar për vetëqeverisjen lokale (Decreto Legislativo 267/2000).²³
Ajo nuk merr vendime administrative, nuk nxjerr rregullore, nuk ka polici lokale dhe nuk ushtron autoritet mbi bashkitë.²⁴
Ky është modeli që duhet të zbatohet për ZSO-në: një shoqatë komunash civile, jo entitet politik.²⁵
6. Keqpërdorimi i termit “organ koordinues” edhe nga instutucionet e ndryshme zyrtare
Në të drejtën europiane, termi “organ koordinues” (coordinating body) nënkupton një strukturë administrative shtetërore me përgjegjësi për zbatimin e politikave publike.²⁶
Përdorimi i këtij termi për ZSO-në është i gabuar, sepse ngatërron konceptin e organit publik me atë të organizatës civile.
Një shoqatë mund të përfaqësojë, por jo të koordinojë; mund të propozojë, por jo të zbatojë.²⁷ Nëse ZSO do të merrte kompetenca koordinuese në arsim, shëndetësi apo ekonomi lokale, ajo nuk do të ishte më shoqatë, por organ administrativ paralel -pra, një strukturë politike brenda një shteti tjetër.²⁸
7. Ndikimi rus dhe rreziku i luftës hibride
Rusia, pas agresionit të saj në Ukrainë (2022), ka intensifikuar përpjekjet për të ruajtur ndikimin në Ballkan përmes Serbisë.²⁹
Në analizat e RAND Corporation dhe CSIS, kjo përfshin:propagandë pro-ruse në media lokale,financim të grupeve pro-serbe,ndërhyrje përmes Kishës Ortodokse Serbe,dhe krijimin e “entiteteve të ngrira politike” në rajon.³⁰
Një ZSO me kompetenca të zgjeruara do të ishte mjeti më i përsosur për këtë strategji hibride, sepse do të siguronte bazë ligjore për ndikim rus në Kosovë, pa nevojë për ndërhyrje ushtarake.³¹
Në këtë kontekst, çdo devijim nga kuadri kushtetues i Kosovës dhe çdo paqartësi e BE-së rreth ZSO-së, rrezikon të krijojë “vatër të re tensioni”, që mund të minojë sigurinë e gjithë rajonit.³²
8. Rivendosja e kuadrit juridik të drejtë për ZSO-në
Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe praktikën e Shoqatave Europiane të Komunave, ZSO duhet të jetë:organizatë jofitimprurëse civile,nën juridiksionin e shtetit të Kosovës,me kompetenca përfaqësuese, jo ekzekutive,dhe me financim transparent brenda sistemit kosovar.³³
Çdo lidhje me Serbinë në formën e ndikimit financiar, ligjor apo administrativ është shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe rrezik për paqen rajonale.³⁴
Prandaj, Bashkimi Europian duhet të korrigjojë terminologjinë dhe të përcaktojë qartë statutin e ZSO-së si një organizatë bashkëpunuese ndërkomunale, e cila përfaqëson interesat e komunave para shtetit të Kosovës, dhe jo si një organ koordinues me funksione ekzekutive, pra jo si një drejtori mbi komunat.
Evropa e ka të zgjidhur qartë, në statutet e saj ligjore, çështjen e asociacioneve komunale, të cilat funksionojnë pa konflikte etnike apo tensione politike.
Në vendet e BE-së mund të ekzistojnë shoqata me bazë komuniteti etnik e kulturor, por ato nuk kanë kompetenca politike, administrative apo ekzekutive -janë organizata civile për bashkëpunim, zhvillim kulturor dhe përfaqësim të interesave lokale.³⁵
9. Përfundim: Ballkani në mes të dy paradigmave
Ballkani mbetet zonë përplasjesh ideologjike midis modelit europian të integrimit dhe modelit euro-aziatik të ndarjeve etnike. Rasti i Republikës Srpska dhe i ZSO-së përfaqëson dy skajet e këtij spektri:
njëri është produkt i marrëveshjeve të imponuara për paqe, tjetri tentativë për të imponuar një realitet politik të ri në Kosovë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja arrijnë ta mbajnë ZSO-në brenda kufijve civilë e kushtetues, Kosova do të ruajë integritetin territorial dhe kursin e saj europian;por nëse ajo lejohet të marrë fuqi ekzekutive, atëherë rajoni mund të përballet me një “Republikë Srpska të dytë”– një precedent që do ta mbante Ballkanin për dekada në kufijtë e një konflikti të ngrirë.³⁶
Shenim: Të nderuar lexues! Këtë artikull mund t’a lexoni komentoni dhe shperndani lirshem,por natyrisht duke ruajtur etiken dhe të drejten e autorit..!
Lexim të këndshëm!
Kol Marku -Itali
22/10/2025
_____
Fusnota/Biblografi
1. International Crisis Group. Balkan Ghosts Revisited: Fragile States and External Pressures. Brussels: ICG, 2023.
2. Holbrooke, Richard. To End a War. New York: Random House, 1999.
3. Joseph, Edward. “Bosnia’s Frozen Institutions.” Foreign Affairs, March 2022.
4. RAND Corporation. Countering Hybrid Influence in the Balkans. Santa Monica, CA: RAND, 2021.
5. European External Action Service (EEAS). First Agreement of Principles Governing the Normalisation of Relations. Brussels, April 19, 2013.
6. General Framework Agreement for Peace in Bosnia and Herzegovina (Dayton Peace Accords), Annex IV: Constitution of Bosnia and Herzegovina. Paris, 1995.
7. Subotić, Jelena. “From Autonomy to Secession: Lessons from Republika Srpska.” Journal of Balkan and Near Eastern Studies 25, no. 4 (2023): 512–534.
8. Hasani, Enver. Constitutional Implications of the Association of Serb-Majority Municipalities. Prishtina: AAB, 2020.
9. Reuters. “Bosnian Serb Leader Dodik Threatens Referendum in Republika Srpska.” October 2023.
10. BBC Monitoring. “Putin Meets Bosnian Serb Leader Milorad Dodik in Moscow.” October 2022.
11. Center for Strategic and International Studies (CSIS). Russia’s Influence in the Western Balkans. Washington, DC: CSIS, 2022.
12. Carnegie Europe. Russia’s Shadow in the Balkans. Brussels: Carnegie Europe, 2023.
13. EEAS. Brussels Agreement on Normalisation between Belgrade and Pristina. Brussels, 2013.
14. Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). The Brussels Dialogue: Implementation Challenges. Berlin: FES, 2023.
15. Constitutional Court of the Republic of Kosovo. Judgment KO130/15. Prishtina, December 23, 2015.
16. European Western Balkans. “Constructive Ambiguity in the Belgrade–Pristina Dialogue after Ohrid.” March 31, 2023.
17. North Atlantic Treaty Organization (NATO). Strategic Overview: Western Balkans Security Challenges. Brussels: NATO, 2024.
18. EEAS. Agreement on the Path to Normalisation between Kosovo and Serbia. Brussels, February 27, 2023.
19. EEAS. Implementation Annex to the Agreement on the Path to Normalisation (Ohrid). March 18, 2023.
20. European Council on Foreign Relations (ECFR). “How the EU Can Change the Conversation on the Kosovo–Serbia Dialogue.” Policy Brief, March 2023.
21. Council of European Municipalities and Regions (CEMR). European Local Government Associations: Roles and Structures. Brussels: CEMR, 2021.
22. Council of Europe. European Charter of Local Self-Government. Strasbourg: CoE, 1985.
23. Repubblica Italiana. Decreto Legislativo 267/2000 – Testo Unico degli Enti Locali. Rome: Gazzetta Ufficiale, 2000.
24. Associazione Nazionale dei Comuni Italiani (ANCI). Statuto e Relazione Annuale. Rome: ANCI, 2023.
25. OECD. Glossary of Key Terms in Public Administration. Paris: OECD, 2021 — entry “Coordinating Authority.”
26. European Commission. Administrative Structures of EU Member States. Brussels: EC, 2020.
27. European Commission / European Parliament. Regulation (EU) No 1303/2013 Laying down Common Provisions on the European Structural and Investment Funds. Official Journal of the EU, 2013, esp. Art. 123.
28. Auby, Jean-Bernard. Droit Administratif Européen. Paris: Dalloz, 2020, 215–217.
29. CSIS. Russia’s Influence in the Western Balkans. Washington, DC: CSIS, 2022 (see chapters on information ops post-2022).
30. RAND Corporation. Hybrid Warfare and Influence in Southeastern Europe. Santa Monica, CA: RAND, 2023.
31. Center for European Policy Analysis (CEPA). “Russia’s Hybrid Playbook in the Western Balkans.” Washington, DC: CEPA, 2023.
32. International Crisis Group. Mitigating Escalation Risks in the Western Balkans. Brussels: ICG, 2024.
33. Republic of Kosovo. Law No. 03/L-040 on Local Self-Government. Prishtina: Official Gazette, 2008.
34. U.S. Department of State. “Press Briefing on the Kosovo–Serbia Dialogue.” Washington, DC: State Department, 2023.
35. European Commission. Handbook on Civil Society Organizations in the EU. Brussels: EC, 2020.
36. NATO. KFOR Factsheet and Mandate Overview. Brussels/Pristina: NATO, updated 2024.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
