BARBARITË GREKE MË 1914

15
May
2023


Nga: KOSTA PAPA – LEUSA (Tomorri)

“Barbaritë greke në Shqipëri” –Journal Press, Framingham,
Mass – SHBA. 1 Maj 1917
Pjesë nga Parathënia:
Kur u mbarua Lufta Ballkanike, Fuqit’ e Mbëdha bënë një Konferencë në London për fatin e viseve që u shkelë prej shteteve Ballkanike.
Djelmurija Shqiptare të mërguar nga atdheu, në Amerikë, Misir, Vllahi (Rumani), Bullgari e gjetkë, duke rojtur në atmosferë të paqmë u përmëntnë shumë shpejt nga gjumi i papërmentur që i kish vënë propaganda e huaj. Kështu pra, edhe ne, si një Komp nga ata më të vjetrit në Ballkan duhet të rojmë të lirë, me gjuhën tonë të bukur në atdheun tonë të dashur, me zakonet tona të larta…. Gjithë kjo Konferencë, e cila vazhdoj 5 muaj, ndau kufirat e Shqipërisë. . . .
Për të ndarë vijat strategjike, vendosnë që të dërgojnë një Komision Internacional i cili, me të mbaruar Konferenca u nis për në Shqipëri. Guverna Greke kur mësoi se Komisioni u nis për në Shqipëri për të ndarë viset, zuri nga dhelpëritë, dha urdhër që trupat vullnetare që kish filluar me pahir të mernin armët dhe të sheshitnin nëpër rrugët e qytetit duke kënduar këngë Greqisht. Nëpër rrugët, nëpër portat e shtëpive kishin vënë nga një tabellë Frengjisht dhe Gërqisht ku thoshtej: “Bashkim me Greqinë ose vdekje!” Po Komisioni ardhi, I pa të gjitha po s’ua vari torbë. Bënë urdhërin që kishin, ndanë vijat edhe shkuan. . . .
Gëzimi që patën Shqiptarët e kulluar nuku tregohet, bota ju dukej se qe e tyre, derthnin lotë gasmorë, dhe përhironin Zotin. . . Po ky gas nuku mbajti shumë kohë. . . Këtë librë që u jap sot Shqiptarëve, përshkruan mjerimet e Shqipërisë Jugës, dhe shkaktarët e këtyre mjerimeve janë këta:
(1). Fuqit’ e Mbëdha që kriuan një shtet me qëllim që të vdesë para se të lindej.. . . .
(2). Qeveria e Ismail Qemalit e cila në vënt që të përkujdesej për organizimin e një xhandarmërie, ose një trupë ushtërie për sigurimin e shtetit Shqiptar, u muar me çështjen e kondicionëvet historike të bankës e të tramvejve.. . . .
(3). Tradhëtori i Shqipërisë Esat Toptani . . . .
(4). E Shqiptarëve të vetquajtur nacionalistë, agallarë dhe bejlerë, të cilët, kur se u bë Shqipëria shtet më vete, nuku haruan zakon’ e Turqisë, punuan vetëm për xhepin e tyre.
(5). Shqiptarët Grekomanë të Shqipërisë Jugës, po unë në këtë librë flas vetëm për Grekërit dhe për Shqiptarët Grekomanë…. Këto mjerime do t’u duken si ëndëra, si përhalla, o të dashur këndënjës, po janë të vërteta sa kam shkruar, se fati tim më hodhi atje, dhe t’i shikonj me syt’ e mija! . . . .
* * *
Shkuan 5 muaj që kur Ismail Qemali vate në Vlorë dhe dekllaroj indipendëncë të Shqipërisë…. Ky shkak na shtrëngoj që bashkë me ca atdhetarë të lëmë Amerikën dhe të vemi në Vlorë. Më 1 Gusht 1912 harritmë në Vlorë. . . Duallmë në Skelë dhe u drejtuam për në kështjellë për të vizituar Ismail Qemalë. Ismail Qemali na priti mirë.. . I thamë vimë nga Amerika, edhe jemi nga Përmeti dhe nga Korça….
Pas katër ditë erdhi lajma gasmore që Konferenca e Londonit i dha funt kufijve të Shqipërisë, dhe se qytetet e Toskërisë: Korçka dhe Kepi i Stillos,, Kolonja (Erseka), Leskoviku, Përmeti, Gjinokastra, Tepelena, Delvina, Himara dhe Saranda i mbetnë Shqipërisë. . .Zotimi që ju dha Greqia Fuqivet Mbëdha na dha një kurajo që të lëmë Vlorën dhe të vemi në Përmet…
Më 15 Gusht lamë Vlorën dhe u nismë për në Përmet, aritmë gjer në Hani Babajt. Këtu qeraxhiu na qëndroj dhe na tha: “ju lutem vështroni mirë se mos kini nonjë kartë Shqip ose Flamur se një çikë më poshtë është ushtëria Greke edhe çdo udhëtar që shkon ndër duar të atyre e qëndrojnë dhe e shikojnë, po t’i gjejnë gjësendi e shpien në Kumandari në Këlcyrë, i cili e lith dhe e dërgon në Gjinokastër….
Muarmë rugën e Përmetit. Që nga Klysyra gjer në Përmet u habitmë kur pamë se më çdo 5 minuta udhë shihnim tabella me shkrime Greqisht dhe Frengjisht: “Bashkim më Greqinë ose vdekje”. . . .
* * *
Shqiptarët Grekomanë gjithnji po bënin mbledhje që të bënin Kryengritje, po qeveria Greke sapo mori notën e Fuqive Mbëdha më 17 dhjetor 1913 për të zbrazur vendin me regull, u tha grekomanëve që të mos dekllaronin dot Kryengritjen gjersa ushtëria tonë është brënda; se po ta bëni tani, do të na bjerë nderi. Sapo neve të heqim ushtërinë, do ta çpallni Kryengritjen pas programit që do t’ju japim. Për të holla, për ushtëri dhe për municione mos kini qeder se kemi neve.
Grekomanët u dëshpëruan pak se kishin ndër mënt ta dekllaronin kryengritjen pa ikur ushtëria Greke.
Pas tri ditë që kur se qeveria Greke ju tha këto grekomanëve, bashkë me qeverinë Greke e ndryshuan këtë vendim, dhe vendosnë që të mbanin një mbledhje në Gjinokastër.
Data e mbledhjes qe në 27 Janar 1914, dit’ e Diel. Dhespoti Konicës qe kryetar’ i mbledhjes…. Përmeti dërgoi këta delegatë: veqil Mitropolitin (që qe nga viset e Shqipërisë nga fshati Hlomo-kaza Gjinokastrë), Vasil Stefan, Josif Bensa, Llambro Donato, Qako Gërxhe….
Mbledhja e Ipirotëve që u mbajt në Gjinokastër, nën kryesinë e Dhespotit të Konicës, që përfundoj Kryengritjen, zgjodhi një guvernë provizore; Kryetar Kristaq Zografon, dhe ministrin e luftës z.Dhuli. Z. Dhuli qe një ofcer Grek, i cili gjoja nuku dëgjoi këshillat e guvernës tij po u bë kaçak, dhe u bashkua me Zografon. Kryeqytet bënë Gjinokastrën, arkë Athinën dhe municionet vinin nga Jorgucati e cila qe qendra e ushtërisë greke.
Të shtunë më 9 shkurt 1914 mbrëma vjen një telegram nga Zografua ku urdhërontej Përmetin që të Diel në mëngjes të deklaroni kryengritjen, dhe i këshillontej që të mos dëshpërohen se do ta fitojmë.. . .
* * *
Më 15 Shkurt 1914 erdhi një telegram nga Janina guvernës Autonme ku ju thoshej që të Hënën të pritni 500 ushtarë grekër me 10 oficerë. Të Hënën, pas urdhërit të veqilit, gjithë kryengritësit u mblodhë në Mitropoli. Policia i regjistroi të gjithë me radhë në Protokoll.
Si mbaroi regjistrimi, dolli veqili Guvernës Autonme, Zografua, qëndroi në mes kryengritësve dhe u thotë: “Zër’i atdheut (i mitir Ellas) u thiri dhe ju s’vonuat në thirrjen e saj, po rëmbyhet armët dhe u mblothtë rreth flamurit. Po u këshillonj që të mos dëshpëroji se s’jemi vetëm, nënën tonë Elladhën e kemi në kra të djathtë, dua të jini trima të pa trëmbur, dhe të mproni atdhenë nga çdo rrezik që t’i vinjë, që sot e tutje të jini të bindur në oficerët tuaj të cilët do të na vinë sot”…
Pas një orë aritnë vullnetarët andartë. Kur u afruan afër u ndreqnë të gjithë me radhë, pas urdhërit veqilit dhe zunë të këndonin marshin e Elladhës…..
* * *
Më 12 Maj 2014 u bë një amnisticë midis shqiptarëve dhe andartëve. Shkaku i kësaj amnisticë qe se qe mbajt një Konferencë në Korfus më 10 Maj prej Konsujve fuqive të mbëdha dhe prej delegatëve nga ana e guvernës Shqiptare dhe nga Zografua. Qeveria Shqiptare dërgoj delegatë në Korfus Kollonelin Thomson dhe Mehdi Bej Frashërin. Nga ana e Kryengritësve vate Zografua me Dhulin. Kjo Konferencë mbajti një javë dhe përfundoi duke dhënë Zografos ca privilegje për ato vise që bënë Kryengritje. Zografua futi edhe Korçën brëbda, po këtu gjeti kundërshtim nga Mehdi Beu, se i tha: “pse kërkon privilegje për Korçën kur Korça nuku u dekllarua për Kryengritje.” Zografua ju përgjegj: “kam detyrë të mbronj të Krishterët.” Më në fund u pranua dhe e Korçës.
* * *
DISA PREJ MASAKRAVE GREKE:
1. Më 25 Shkurt 1914, ditë e Hënë, andartët dhe vullnetërët grekomanë arrestuan 75 bura Myslimanë nga fshatrat Pacomit, Kuqar, Kosinë i vranë dhe i lanë në përrua të zbuluar. Korbat dhe qentë u hëngër mishrat e tyre….Kryengritësit që gjëndeshin në Brezhan nuku u mënuan por u hodhën nga ur’ e Meço Hysos, dhe i vanë Këlcyrës. Si uqërit u vërsulë nëpër shtëpira, dhe cili pati fatin e ndënji, u therr si beri, masakruan gra, foshnja dhe ca burra. . .Si shkretuan Këlcyrën u sulë këtyre fshatrave që qenë afër Këlcyrës: Katundishtë, Beduqas, Fratar dhe Varibop, pun’ e tyre s’qe gjë tjatër përveç se zjarr dhe hekur!….
Kapedanët kur panë që sa më shumë katillëqe të bënin, aqë më shumë do të nderoheshin, atë mbrëma u lëshuan nëpër Myslimanët e qytetit, për të rrjepur. Ulërima dhe blegërima dëgjoheshin nga mëhalla e Myslimanëve… Me pak fjalë i bënë Myslimanët që të mos guxonin të delnin nga dera.
2. Më 2 Mars 1914 Kapedan Psaroj me ca shokë të tij ngrihet dhe vete në Mokricë, pasi mblothnjë gjithë bagëtinë që kish fshati, pastaj zunë e turpëruan cilat gra u pëlqenin, ndërsa burrat e fshatit i mblothnë në një vënt dhe i shtruan më dru pastaj i vranë…Më të nësërmen e lanë këtë fshat dhe vanë në fshatin tjatër, në Zleushë, dhe këtu punuan ato të Mokricës.
Kur shkonin bagëtia me mijëra krerë për në Greqi, vëndasit Grekomanë, që i shikonin për së largu, mallkonin veten që u bënë shkaktarë që suall këta katilë që u shkretuan vëndin, po tani qe vonë, se këta ju vunë frënë vëndasve dhe i lonin si të donin….
3. Heroizma e një zonje nga Zleusha.
Më 13 mars, andartët me në krye dy katilë grekër të quajtur Aleko dhe Karanxha vanë në fshatin Zleushë, ku qe një zonjë të cilës i kish falur zoti të gjitha të mirat. Nuku kish më shumë se 4 muaj që qe martuar. Në mbrëmje i trokintë në portë, i shoqi pyeti kush qe. Nga zëri, i mjeri e kuptoi që s’qenë Shqiptarë, se Shqipen e flisnin si të belbër, po s’bënte dot ndryshe, e hapi derën. Ata e lithnë të shoqin dhe Alekua i hodhi duart të shoqes që ta puthte në sy të tij. Gruaja u përpoq dhe nuk e la ta puthte. E shkreta po mbrohej sa me duar me dhëmbë. Më së fundi greku nxori kamën dhe ia mati t’ia ngulte në bark. Zonja, si pa që nuku kishte shpëtim, ju vërvit grekut dhe ia zuri kamën me duar dhe po mundohej t’ia merrte. Shoku tija si pa që nuku qe e munduar që t’i shkëpusnin shqiptarkës kamën nga duart, ju sul me thikë dhe ia nguli në bark, pastaj vranë edhe të shoqin.
4. Më 2 prill 1914, ora 4 e mëngjesit, andartët sulmuan fshatin Peshtan ku qenë edhe 30 famlje Myslimanë, të cilët nuk ikën bashkë me shqiptarët e tjrë, por fati i la atje që të shikonin lemerinë. Egërsirat i mblodhën 40 burra Myslimanë, i shpunë në një përua jashtë fshatit dhe i vranë. Pastaj mblothnë 27 foshnjat Myslimanë dhe i shpunë në një shtëpi ku kish një pus dhe atje i mernin foshnjat një nga një, u prisnin kokat dhe i hithnin në pus. Si mbaruan së theruri foshnjat pusin e mbuluan me gurë. Pastaj u erdhi radha grave…
5. Më 20 prill 1914 andartët zunë ofensivën kundër Kolonjës, por Sali Butka rethoi një trupë Gjiritas prej 160 veta, nga të cilët vetëm 80 shpëtuan. Por u erdhën në ndihmë ushtarë grekë dhe si u thyen Shqiptarët, Grekëi ju rynë fshatrave. Në Panarit ku andartët qëndruan 3 ditë therrën 275 veta dhe fshatin e dogjën.
6. Më 23 prill 1914 andartët sulmuan Frashërin, andartët të udhëhequr nga Kapedan Zerva dhe Kapedan Farmaqi, një çoban nga fshti Kosovë, i ranë Zavalanit nga Ogreni. Kapedan Bubuna nga Buhali sulmoi nga Qaf’ e Korbit; Qirovaso, çoban, dhe kapedan Begori, çoban nga Kosina, bashkë me kapedan Niko sulmuan nga Gryka e Borockës. Në Frashër kishin mbetur të krishterët, të cilët dual përpara që t’i prisnin ujqërit. Këta si rynë në Frashër ju sulë dyqaneve; të Krishterët po ulërinin se qenë plaçkat e tyre, po ata u thoshnin se edhe juve Turko-Allvanj jini; pastaj u derdhë në mëhallë të Myslimanëve, ju vunë zjarrin shtrëpive, po ashtu dhe Teqesë. Pas Frashërit vanë në Kreshovë – zjarr dhe atje; pastaj vanë në Miçan – zjarr dhe atje. Këtu gjenë 13 gra të cilat i shkuan në thikë; pastaj vanë në Borockë – zjarrë, në Pagri-zjarrë, në Sevran – zjarrë; në Lipostivan-zjarrë, në Fratar-zjarrë, në Seniçan-zjarrë, këtu qëndruan.
7. Ishte dita e Hënë 22 prill 1914. Andartët i qenë afruar Picarit për të djegur Kurveleshin. Trimat e Kurveleshit gjëndeshin në Qafë të Picarit dhe vendosnë që t’u bënin një ofensivë andartëve, sipas këngës popullore që thotë: “Këta djemt’ e Kurveleshit lëftojnë me pallë sheshit”. Me të vërtetë, ashtu e bënë, dhe jo vetëm burrat, po edhe gratë si Spartane duall me sëpata ndër duar. Dita e Hënë 22 Prill, sapo u zbardhëllua, Kurveleshasit u vunë zjarrë dyfekëve dhe ju a dhanë andartëve. Dyfeku zuri i rreptë nga të dy palët. Një plak Niviciot flokëbardhë me një jatagan të qëmotshëm në duar kish dalë përpara trumbës dhe shkohej përpara duke dhënë kurajo djemve. Andartët po luftonin burrërisht, po Kurveleshasit ju hypnë përsipër. Andarët u thyen gjer në Manastir të Cepos, atje qëndruan t’u bënin ballë Shqiptarëve. Po Shqiptarët nuk i pushuan plumbat, po përpara mbi ta. Këtu 160 vehta nga andartët kafshuan dhenë, dhe u thyen nga Manastir’i Cepos. Shqiptarët po i ndiqnin si kecërit dhe haritnë gjer në Ovirua, 2 orë nga Gjinokastra, këtu Shqiptarët qëndruan.
Kur mori vesh Zografua që Shqiptarët haritnë në Ovirua, e zuri data, nuku mënoi po ngriti Qeverinë dhe e shpuri në Delvinë.
8. Një të tillë ofensivë ju bënë edhe Kolonjarët andartëve gjithë atë ditë të cilët i thyen. Shqiptarët pra vinin përpara nga të dy anë, nga Gjinokastra dhe nga Kolonja. Zografua duke parë që Shqiptarët fitonin nga të dya anët, vetëm mesin kishin lënë prapa, domethënë Qarkun e Përmetit, kish frikë se mos bënin një strategji Shqiptarët për të mbyllur andartët e Përmetit, që të bashkoheshin Shqiptarët e Kolonjës me të Gjirokastrës, dhe urdhëroi Kumandarin e Përmetit që të mbledhë andartët, t’u vinin zjarrë edhe fshatrave të Krishterë e të largoheshin. Gjithashtu Zografua thirri për ndihmë Guvernën e Greqisë, e cila urdhëroi Generallin Papulla, i cili gjëndej në Jorgucat, që t’u shkonte në ndihmë. Papulla u nis vetë me ushtëri për në Gjirokastër, dhe në Përmet dërgoi Kollonelin Ciruli që të qetësontej vendin dhe të pushohej zjarri në fshatrat e Krishtera.
9. Ndihma që u vate andërtëve qe e madhe. S’kishin se ç’të bënin
Shqiptarët përveç se të shkonin. Ushtëria dhe andartët po i ndiqnin këmba-këmbës duke djegur fshatrat që gjenin përpara dhe rynë në Kurvelesh, të cilin e dogjën. Popullsia e Kurveleshit u shpërngul në Vlorë.
Grekët vanë dhe në Hormovë, mblodhnë të gjithë njerëzit e fshatit, rreth 160 veta, dhe i shpunë në Kodër, i lidhën këmbë e duar dhe i vranë. Hormovës i vunë zjarrë. Vanë në Luzat – zjarrë, vanë në Tepelenë-zjarrë, dhe më pas dogjën këto fshatra: Bënçë, Veliqot, Turan, Dukaj, Memalias dhe Salari. Këtu qëndruan.
10. Më 29 maj 1914 sulmuan përsëri Këlcyrën dhe më tej Skraparin
ku dogjën Backën, Sevranin, Muzhakën, Qarishtën, Prishtën, Kajcën, Zhepovën, Toskëshin, Vinokashin, Ballabanin, Bubsin,, Dragotin, Beçishtin, Mezhgoranin. Në Backë therrën 30 shpirt gra dhe foshnja, në Zhepovë 15 gra me djepe në krahë i zunë dhe i therrë me gjithë foshnjat që kishin.
Muhamedanët shqiptarë që shkuan me gjithë fëmijë për në Berat, hoqën të zit’ e ullirit, s’kishin vënt se ku të ngulnin fëmijët, dhe nga ana tjetër i sulmoi ushtëria e Esat Toptanit. Ku të venin të mjerët Shqiptarë!
Fanatisma e fesë na i solli të gjitha këto mjerime. Poshtë fanatisma e fesë! Rrofshin liberalët!
“Edhe mos shikoni Kisha e Xhamia
Fe e Shqiptarit është Shqiptarnia” – na thotë Vaso Pasha.
———- \\ ———–
SHËNIM: Bazuar në zhvillimet politike të këtyre 15 viteve të fundit, ku kanë ngritur kokë ÇËSHTJA tepër të mprehta kombëtare antishqiptare nga pretendimet greke për Detin Jon, ku qeveritë e kryesuara nga PD dhe PS kanë pranuar që ta çojnë këtë çështje në Gjykatën e Hagës dhe jo Greqia që është pretenduesja!; Çështjen e varrezave të ushtarëve grekë që PD-ja dha 3-4 vende, PS-ja edhe aq të tjera!; ÇËSHTJA E SHPALLJES SË HIMARËS KRAHINË MINORITARE GREKE (!), skenar të cilin jemi dëshmitarë të gjithë shqiptarët se si u zhvillua në datën 13-14 Maj 2023 gjatë zgjedhjeve lokale, duke bashkëvepruar Pozita me Opozitën; Dhe ajo që është edhe po kaq e rrezikshme e me të njëjtin synim në të ardhmen, është ÇËSHTJA E TRANSFERIMI të 10-12 Qendrave Rajonale nga Gjirokastra dhe vendosje e tyre në Fier, Vlorë e Lushnjë, tërheqja e të cilave është planifikuar të filloi ne Muajin Qershor 2023, dhe të cilat janë:
Drejtoria Rajonale e Bujqesisë dhe ajo e Arsimit shkojnë në Fier; e Arkivit Shteteror Vendor – në Lushnje; e Inspektoriatit Shtetror e Mjedisit, e Pyjeve, Ujrave dhe Turizmit – Lushnjë; e Shërbimit Keshillimor të Fermerëve – Fier; e OSHEE në Fier; e AKU qendra në Vlore; e Bordit të Kullimit – në Fier; e Shendetit Publkik Qendra – në Vlore; Spitali Rajonal për Jugun – në Fier; Gjykata Admninistrative – në Lushnjë!
A kemi të drejtë të themi se edhe këto ÇËSHTJE përbëjnë një lloj BARBARIE të ngjashme GREKE me atë të vitit 1914, por “urtë e butë e plot tigani”(?), por këtë radhë jo më nga FANATISMA E FESË, por nga FANATISMA POLITIKE, pa djegie e pa vrasje shqiptarësh të besimit mysliman dhe pa therrje fëmijësh e hedhje të tyre nëpër puse, por që janë edhe më me pasoja historike kombëtare, e cila ka filluar përmes shpopullimit të heshtur e të nxitur direkt e indirekt nga politika qeverisëse të të gjitha qeverive të Tiranës gjatë këtyre 33 viteve të së ashtuquajtutrës “demokraci”.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk