BARCOLETA E RAMËS, MË E GODITURA E GJITHË FJALIMEVE TË SAMITIT TË BLED-IT

31
Aug
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 30 Gusht 2023-
Opozitari i flaktë, njëherësh edhe “babai” i Foltores Demokratike, Berisha, ashtu si gjithnjë, nuk do të mungonte t’i lëshohej me të gjithë municionin e tij opozitar, Kryeministrit Rama, për fjalimin dhe barcoletën që ky i fundit lëshoi në Samitin e BLED, që u zhvillua këto ditë në Slloveni, me kryeministrat e Ballkanit perëndimor. Ai e quajti Ramën “një hokatar i pacipë dhe i pa kripë”. Krahas komentit për barcoletën, Berisha citon edhe një pjesë nga fjala e Ramës, ku ky i fundit thotë: “Nëse merret për bazë lufta për anëtarësimin e Ukrainës në BE, vendet e Ballkanit janë gati të sulmojnë njëri-tjetrin”! Kjo, – shton Berisha, – është një deklaratë e turpshme e kryeministrit tonë të narkoshtetit . . .
Mendoj se Berisha, i errur syshë nga pamja dhe vepra e Ramës, barcoletën dhe deklaratën e tij nuk e ka kuptuar. Në vrullin e pandalshëm për shpartallimin e kryeministrit, Berisha ka harruar “muhabetet diplomatike” të mirditorëve, “bisedat nën mutaf” të dibranëve, “sarkazmën” e thekur të lebërve e të toskëve, apo “bejtet e barcoletat” plot humor e alegori të shkodranëve. Pikërisht në këto forma që përmendëm, ishte edhe barcoleta, edhe fjala e Edi Ramës, në panelin e Samitit të BLED, zhvilluar këto ditë në Slloveni.
La ta analizojmë pak më hollë fjalën dhe barcaletën e kryeministrit tonë. Ai e nisi fjalën me frazën: “Jam tragjikisht i entusiazmuar, lidhur me anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në BE, rreth vitit 2030”. Frazë më të qartë nuk mund të ketë për këtë problem. Të paktën për legjendën e pranimit të Shqipërisë në BE.
Për plot 45 vjet Europa nuk la gurë pa lëvizur që t’i përlante shqiptarët në ishullin e magjistares “Circe”, por falë Odisesë, që mbylli më dyllë veshët e shokëve, për të mos u mashtruar nga thirrjet e magjistares, plani perëndimor nuk u realizua. Kur shqiptarët e hoqën dyllin e veshëve dhe u lëshuan drejt “Circes”, magjistarja e përtej detit, në vend që të hapte krahët e t’i priste, u nxori para hundës traun e postabllokut. Plot 33 vjet kaluan dhe shqiptarët e kaluan dhe e kalojnë derën e postabllokut, siç kalojnë delet në shtrungë. Dhe e gjithë kjo, për të punuar si argatë në oborret e pasanikëve të përtej Adriatikut. Që të shpëtonim nga ky diskretitim prej fqinjëve tanë të kontinentit të përbashkët, u detyruam të realizojmë dhjetra reforma e refirma, që ata na rekomanduan, reforma të cilat ndërroheshin çdo muaj e çdo vit, sa ne e laskarosëm krejt trupin dhe mendjen, pa arritur objektivin. Duke i shtuar kësaj kohe edhe nja 7 apo 8 vjet të tjera të pasigurta në anëtarësim, a nuk ka të drejtë Kryeministri ynë kur thotë se “Jam tragjikisht i entusiazmuar”, për lajmin që na jep përfaqësuesi i BE, se rreth vitit 2030 mund të uleni në sofrën e madhe të Europës?!
Akoma më e kuptueshme për ata që kanë sy, veshë dhe mendje, është ligjërata tjetër e Kryeministrit tonë, kur duke iu drejtuar përfaqësuesit të Europës në Samitin e BLED, i thotë se: “Nëse merret për bazë lufta për anëtarësimin e Ukrainës në BE, vendet e Ballkanit janë gati të sulmojnë njëri-tjetrin”! Çka do të thotë se pranimi në BE, nuk paska në bazë reformat demokratike, por ngutjen për të siguruar BE nga rreziqet e luftës. Ndaj me të drejtë, kryeministri ynë, u thotë: mos vallë kërkoni që edhe ne, ashtu si Ukraina, të kurdisim ndonjë luftë në Ballkan, që prej rrezikut të saj, ju të shpejtoni pranimin tonë në BE?!
Ndërsa barcoleta, është nga më të goditurat, dhe nga më të qartat që mund të kenë dëgjuar politikanët. Se politikani, po nuk përdori edhe barcaleta, kot që qëndron në politikë, qoftë edhe Saliu ynë, që gjithçka ka artikuluar, përveç barcaletave nuk ua din sinorin. Po riprodhojmë për lexuesin, barcoletën e plotë, që tregoi Kryemnistri ynë në fund të fjalës së tij të shkurtër në samitin e BLED, barcaletë që i bëri pjesëmarrësit të gajaseshin, por nuk e di, nëse e kuptuan, megjithëse ishte shumë e qartë.
Barcoleta e Ramës:
Kryeministri i Rusisë, Mishustin, i shkon Putinit me një propozim:
– President, duhet te unifikojmë orën në tërë Rusinë, nga Petërsburgu në Vladivostok, se po lëmë kokrrën e namit. – Marr ata të shtëpisë në telefon, por janë në gjumë. Se, ndërkohë që në Moske ora është 4 e pasditës, në shtëpi në Vladivostok është 4 e mëngjesit. – Mora Olaf Sholzin ta uroj për ditëlindjen, ai më tha se e kam nesër. – Mora Xi Piungun e Kinës, që ta uroja për vitin e ri kinez, por më tha se ne jemi akoma tek viti i vjetër. .
– Keto nuk janë asgjë, – i tha Putini,- Unë mora në telefon familjen e Prigozhin-it, që ta ngushëlloja, ndërkohë që avioni, me të cilin ai do të nisej dhe të aksidentonte për vdekje, nuk ishte nisur akoma . . .
Pyes publikisht: Çfarë ka të paqartë në këtë barcoletë të thjeshtë, por tepër të vërtetë e të thekur. BE është kthyer në një institucion mbledhjesh, bisedimesh, rezolutash dhe llafesh pa kursim e pa bereqet, duke mos patur asnjë plan të qartë e transparent, si për zgjerimin e radhëve të tij, e as për probleme të tjera më të ngutshme. Europa e Bashkuar, alias Bashkimi Europian, prej disa vitesh, e sidomos tani pas luftës në Ukrainë, ka mbetur siç thotë mirditori, “si plaka midis dy çerepëve të bukës”! Po e ilustroi me një shembull:
Plot dhjetë vite i konsumoi BE, duke drejtuar bisedimet për pajtim e marrëveshje mes Rebublikës serbe dhe asaj të Kosovës, dhe rezultati zero. Kanë ngelur ende tek një marrëveshje e nënshkruar natën pa hënë në vitin 2013, për “asociacionin” e komunave të minoritetit serb në Kosovë. Pa le pastaj, kur të kërkohet si ballancim, “asociacioni”i komunave të minoritetit shqiptar në Serbi. Nga ana tjetër, ndërsa Makroni i Francës, kërcënon Kosovën dhe Serbinë që nga Parisi, për mbylljen e bisedimeve sipas projektit “Franko- Gjerman”, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, midis Samitit të BLED, deklaron se Kosova me Serbinë janë një vend, një shtet, se Kosova nuk është Republikë dhe nuk njihet nga institucionet ndërkombëtare. Atëhere, kur titullari i qeverisë Serbe, nuk e ka në refené Kosovën, por vijon ta quajë tërritor dhe krahinë të Serbisë, madje “Jeruzalemin” e saj, si mundet që përfaqësuesit e BE, dhe madje kapot e këtij institucioni, siç janë Makron dhe Olaf Sholzi, vijonë të nxisin bisedimet për paqtim midis dy vendeve dhe dy Republikave, gjer dje mbërthyer më tyta pushkësh e bajonetash”?
Siç po duken “bathët”, po vertetohet shumë shpejt konkluzioni i Leninit për Europën e Bashkuar, i cili pati thënë se: “Ose nuk do të ketë Europë të Bashkuar, ose ai bashkim do të jetë një bashkim reaksionar”. Këtë të fundit nuk e lejonë superfuqitë, që i vinë rrotull natë e ditë, kështu që mbetet të realizohet e para. Nëse ndodh kjo, le të ndodhë të pakëtn para vitit 2030, kur BE planifikon të pranojë Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk