Barsoleta: HIPERBOLA

03
Feb
2023


Shkruan: Beqir Elshani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

1. UNAZAT E MARRISË
– Çka tregojnë unazat në të gjitha gishtat e duarve të burrit? – e pyeti njëri një plakë.
– Edhe grua po të jetë është marri të mbahen dy unaza, jo më burrë me dhjetë unaza, – u përgjigj plaka.
2. NJË ARI MAL
– A më shtrenjtë kushton një litër vaj apo një ari mal në Brezovicë? – e pyeti avokati ministrin e financave.
– Dihet, një litër vaj kushton dyfish më shtrenjtë se një ari mal në Brezovicë, – u përgjigj ministri i financave.
3. TRANSGJINORI
– Kur një burrë e ndërron gjininë duke kaluar prej mashkullit në femër, kush fiton? – e pyeti qytetari avokatin.
– Fitues është kirurgu me gjithë ekipin mjekësor, – tregoi avokati.
4. BAJGA E LOPËS
– A është e vërtetë që bajga e lopës shëron sëmundjen kundër Covidit-19? – e pyeti gazetari një plak të vjetër.
– Bajga e lopës nuk shëron asnjë sëmundje, por e ushqen tokën dhe na jep bereqetin, mjerë kush i beson dogmës indiane, – u përgjigj plaku i vjetër.
5. MAGJIA
– A më mirë të shëron hudhra e lokes, apo magjia e Burdushit, – e pyeti motra vëllain që kishte dhimbje.
– Mjerë kush bie në dorë të Burdushit, sëmundja nuk largohet ndryshe, pos me antibiotikë, – u përgjigj vëllai.
6. KAFENETË
– A e di pse po digjet kafeneja? – e pyeti njëri fqinjin, kur kafenenë që e kishte përfshirë flaka.
– E ka zënë mallkimi i grave, për shkak se po mbeten vetëm në shtëpi, ndërkohë që burrat argëtohen në kafene, – u përgjigj fqinji.
– Nuk thoshte kot Çajupi ”Burrat nën hije lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, – e përmbylli i pari.
7. KOHA E GURIT
– Arsimtar, a kanë dallim epoka e gurit me epokën e hekurit? – e pyeti nxënësi arsimtarin e historisë.
– Patjetër, në epokën e gurit veglat dhe armët bëheshin prej guri, ndërsa në epokën e hekurit, e cila vjen pas epokës së bronzit, veglat e punës dhe armët bëheshin prej hekuri, kohë në të cilën jetojmë ne sot, – shpjegoi arsimtari.
– Mirëpo sa herë që unë kaloj me autobus në qytet prej rrugës së Gurit në rrugën e Bronzit dhe të Hekurit, nuk shoh asnjë dallim, të gjitha mjetet dhe ndërtesat janë të njëjta, – tregoi nxënësi, pastaj qeshën të gjithë në klasë.
8. PASTORI
– Një pastor lajmëron se me 1000 dollarë t’i fshin borxhet, të bën me diplomë dhe të marton, – tregoi një vajzë në mesin e shokëve dhe shoqeve.
– Qenka i papunë, i gjori, prandaj mundohet të fitojë me anën e magjisë, – tha një shoqe e grupit.
9. ORA E MUZIKËS
– Cila orë e mësimit kalon shpejt? – i pyeti nxënësit e gjimnazit gazetarja.
– Ora e muzikës, – u përgjigjën nxënësit.
– Mbase lënda e muzikës është e lehtë dhe e këndshme?! – shtoi gazetarja.
– Jo për atë, por arsimtarja është me minifustan, prandaj ora e mësimit kalon shpejt, – e përforcuan nxënësit.
10. TEPELENASI
– Cila ngjarje në vitin 2022 të ka lënë më së shumti përshtypje? – e pyeti gazetari mërgimtarin.
– Më ka lënë përshtypje revolta e Tepelenës, që para botës me grusht e goditi parazitin e shtetit shqiptar, – u përgjigj mërgimtari.
11. VDEKJA
– Hoxhë i nderuar, jam plakur dhe vdekja po më afrohet, prandaj do të shkoj në parajsë apo në ferr? – e pyeti plaku hoxhën
– Dëgjomë mua, sa të jesh gjallë, je në parajsë, kur të vdesësh nuk i sheh asnjërën, – ia ktheu hoxha.
12. MALLKIMI
– A të uron gruaja ditë të mirë kur shkon në kafene? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Çfarë urimi, kur i them që po shkoj në kafene, mallkon ”e djegt zjarri”, – ia ktheu miku i tij.
– Nuk kanë faj, të shkretat, tërë kohën i lëmë mbyllur në shtëpi, – shtoi një tjetër.
13. LIDHJA
– A keni ju ndonjë vend të shenjtë në Shqipëri, siç e kanë arabët Qabenë në Mekë të Arabisë? – e pyeti një suedez mërgimtarin shqiptar në Suedi.
– Po, kemi Lidhjen Shqiptare në Lezhë, – u përgjigj mërgimtari.
14. KRAHASIMI
E pyetën prishtinasin:
– Çka mendon, është më i zoti Albin Kurti apo Atifete Jahjaga për kryeministër?
– Për nuse si Atifetja s’e ka shoqen, kurse për guxim Albinit s’ka kush që ia kalon, – u përgjigj prishtinasi.
15. PËRQINDJA E VOTIMIT
– Sa bëjnë 15% edhe 10% e votuesve në Kuvendin e Kosovës? – e pyeti një politikani diplomatin.
– Bëjnë një çerek i Lëvizjes Vetëvendosje, – u përgjigj diplomati.
16. DORËHEQJA
– Çka mendon për pëdëkënë dhe lëdëkënë që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Kurti? – e pyeti gazetari analistin politik.
– Nuk kanë kapacitet… janë parti të vogla, – u përgjigj analisti politik.
– Vërtet janë parti të vogla, ama e kanë përkrahjen diplomatit sllovak, – ndërhyri analisti i dytë.
17. EKSTREMISTI
– Çka mendon për ekstremistin francez, Nicolas Bay, që fyen luftën e lavdishme të UÇK-së dhe popullin shqiptar? – e pyeti gazetari një parisien.
– Ai nuk është francez, duhet të jetë rus i shkolluar në Beograd, – ia ktheu parisieni.
18. PENDIMI FASHIST
– E tmerrshme, ambasadori amerikan, Kristofer Hill, shpreh keqardhje për bombardimin e Gjermanisë Fashiste të Adolf Hitlerit dhe të Serbisë së Millosheviqit! – tregoi analisti.
– Nuk është çudi, në fillim Titoja luftoi kundër Gjermanisë Fashiste, mirëpo pas përfundimit të LDB mori rolin e Hitlerit në dëm të shqiptarëve, – shpjegoi historian.
19. TERRORIST
– Një ministër serb thotë që babai i Azem Kurtajt ka qenë terrorist, – tregoi një analist.
– Përkundrazi, Serbia ka qenë dhe vazhdon të mbetet terroriste me nam ndaj popullit shqiptar, ajo ka vrarë dhe ende vret shumë popuj, jo një person, – tha analisti.
20. INDIFERENTIZMI
– Nëse në autobus e sheh një plak në këmbë, mirëpo asnjë qytetar nuk ia liron karrigen, ç’do të bësh? – e pyeti njëri shokun e tij.
– Do të them që në autobus gjendet një gjarpër, pastaj plaku ulet ku të dojë, – u përgjigj shoku i tij.
21. ANKESA E NËNËS
– Doktor, djali im është shthurë prej gojës, sa herë që po i sheh cullaket dhe hoxhallarët në fajsbuk po shan, – u ankua e ëma para neuropsikiatrit në ordinancë.
– Djali yt është më i miri, sikur të vinin tek unë ata që merren me vese të këqija, – e këshilloi neuropsikiatri.
22. MËSHIRA
– Mua nuk më dhimbset që aktori i filmit, Enver Petrovci, është besimtar, e pse atij po i dhimbsem unë që nuk jam besimtar?! – parashtroi pyetjen një qytetar.
– Si të them, mëshira e Petrovcit shkon në adresë të dreqit, – shtoi kolegu i tij.
23. HIPERBOLA
– Çka domethënë deklarata këmbëngulëse e Vuçiqit “500 herë nuk e njohim Kosovën”? – e pyeti gazetari analistin.
– Domethënë që me 500 herë serbët e urrejnë Kosovën, – u përgjigj analisti.
– A ka gjasa që numri të zvogëlohet? – ndërhyri gazetari.
– Nuk zvogëlohet, pasi që Bashkimi Evropian e mban me koncentrat, – ia ktheu analisti.
24. QENI
– Si të duket qeni që ta kam dhuruar? – e pyeti daja nipi.
– Eh, more dajë, në shtëpi nuk ndalet duke lehur, kurse të huajve u përqallet, – tregoi nipi.
25. UJQIT DHE PULA
– Si s’keni turp, o grabitqarë, po ndiqni një pulë! – i qortoi dhelpra kur pa dy ujq duke ndjekur pulën.
– Nuk e ke për mëshirë, zonjë e nderuar… e ke për grykësi, sapo të largohemi ne do ta ndjekësh deri në kotec, – i kthyen me zemërim ujqit.
26. PËRKËDHELJE
– Çka domethënë fjala përkëdhelje diplomatike? – e pyeti arsimtari i gazetarisë studentin.
– Përkëdhelje diplomatike domethënë kur Bashkimi Evropian Serbisë i shpreh dashuri të pakufishme, duke ia plotësuar dëshirat me anën e tokave shqiptare, – u përgjigj studenti.
27. GARUESI
– Ish-kryeministri, Sali Berisha, thotë që e ka vulën, siglën dhe flamurin, – tregoi një tiranas.
– I gjori, paska humbur kujtesën, ka harruar të përmendë Gërdecin e shkrumbuar, – ndërhyri një tjetër.
28. GOZHDAT
– Jam i drejtë, prandaj më shtypin me çekan, – u ankua gozhda e drejtë.
– Unë duke iu falënderuar shtrembërimit shpëtova prej goditjes… – tregoi gozhda e shtrembër.
29. TARIFA E ENERGJISË
– Psikolog, fëmijët kanë frikë prej errësirës, kurse unë prej dritës elektrike, – u ankua një burrë para psikologut.
– Nuk po kuptoj, si është e mundur?! – e pyeti psikologu me habi.
– Nëse e fik dritën elektrike gjatë natës, fëmijët frikohen, por frikohem unë nëse e ndez… – tregoi burri.
– E kuptoj që fëmijët frikohen prej errësirës, por nuk e kuptoj që ti frikohesh prej dritës?! – ndërhyri psikologu i befasuar.
– Ehe, frikohem, sepse duhet paguar tarifën e energjisë elektrike, – tregoi burri.
30. VIGJILENTI
– Si quhet njeriu që ujkun e sheh, por tufën e deleve nuk e sheh? – pyeti arsimtarja studentin.
– Quhet nepotist, arsimtare, – u përgjigj studenti.
– Jo, quhet vigjilent, – ndërhyri tjetri.
31. HAJDUTJA
– Avokat, duket se pastruesja është e vetmja që ka vjedhë para të shumta në vendin tonë? – e pyetën disa gazetarë avokatin.
– Jo të keqen, pastruesja është hajdute fort e zonja dhe atë me shokë shumë, – u përgjigj avokati.
32. TOKA E SHESHTË
– Çka mendon për gjeografin nga Ferizaji, ai thotë se planeti ynë ka pozitën e sheshtë? – e pyeti gazetari mësuesin e vjetër.
– E tmerrshme, po të thoshte këtë deklaratë Gjordano Bruno në shekullin e XVI-të, nuk do të digjej si heretik në zjarrin e inkuizicionit mesjetar, dhe sot ky soj gjeografi na shet mend, – ia ktheu mësuesi me zemërim.
33. GËRDECI
• A janë liruar të burgosurit për shpërthimin e depos së armëve në mars të vitit 2008? – e pyeti avokati i popullit ministrin e mbrojtjes.
• Si të lirohen, kur askush nuk është dënuar, shkaktarëve asnjë fije floku nuk u mungon, – ia ktheu ministri i mbrojtjes.
34. BISEDË ME ZOTIN
– Nip, fola me Zotin, e pyeta a më shumë duhet t’i shërbejmë fesë, apo kombit, – iu drejtua daja nipit.
– Mirë, ç’të tha Zoti? – e pyeti nipi dajën.
– Zoti më tha, më shumë duhet t’i shërbejmë kombit dhe atdheut, të tjerat janë rrush e kumbulla, – tregoi daja.
35. FISI MË I MADH
– A e dini cili fis në botë është më i madh, – i pyeti biologu të pranishmit në sallë.
– Unë mendoj që fisi i ujqve dhe arinjve është më i madh, – tha njëri që kishte frikë kafshët e egra.
– Jo, është fisi i lepujve me gjithë minjtë, – tregoi biologu.
– Po t’i shtohen edhe frikacakët me dy këmbë, numri i tyre dyfishohet, – shtoi një tjetër.
36. SHTRENJTIMI
• A e di pse alkooli dhe duhani është më shtrenjtë në Suedi? – e pyeti tërthorazi një zyrtar kolegun duhanik.
• Për shkak të krizës globale në botë, – u përgjigj kolegu i tij.
• Jo për shkak të krizës, por për shkak të mbrojtjes së shëndetit të popullit dhe mjedisit natyror, – ia ktheu duhaniku.
37. FENERI
– Çka po kërkon me fener? – e pyeti njëri fqinjin me fener në pikë të ditës.
– Po kërkoj një aktore të veshur me fustan prej gjunjëve deri në qafë, – u përgjigj fqinji.
– Më parë do gjesh një mace me brirë, se një aktore të veshur me rroba, – ia ktheu fqinji.
38. DELJA
– Çka bën ujku kur të kalojë për skaj deles? – e pyeti xhaxhai nipin.
– Nëse delja është vetëm, e kapërdinë, por i lëpin buzët nëse është me bariun, – u përgjigj nipi i zgjuar.
39. DËSHIRA
– A më shumë e dëshiron Shqipëria apo Serbia Bashkimin Evropian? – e pyeti gazetari analistin politik.
– Shqipëria e dëshiron më shumë Bashkimin Evropian, kurse Bashkimi Evropian më shumë e dëshiron Serbinë, – u përgjigj analisti.
40. MAZOHIZMI
– Ç’është mazohizmi? – e pyeti arsimtari studentin në gazetari.
– Mazohizmi është njeriu që në vend të kravatës me vija, mban kapistrën në qafë, – u përgjigj studenti.
– Mirë, si quhet pronari i mazohistit? – vazhdoi ta pyes arsimtari.
– Sadist, arsimtar, – u përgjigj studenti.
Suedi, 2 shkurt 2023

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk